Apatia qytetare dhe shoqëria civile
Aktualisht, 2 vjet pas shpalljes së pavarësisë, duket se shoqëria civile në Kosovë ka filluar të normalizohet dhe të ushtrojë rolin për të cilin edhe është e thirrur.
Taulant Hoxha
Me përfundimin e periudhës së okupimit dhe aparteidit në Kosovë, kur shoqëria civile ishte thuajse një me shoqërinë kosovare në përgjithësi, menjëherë pas qershorit 1999 ky sektor përjetoi një transformim të jashtëzakonshëm, si në numra ashtu edhe në përmbajtje dhe funksion. Përkundër perceptimeve jo gjithherë pozitive, shoqëria civile u zhvillua aq sa u zhvillua shoqëria në përgjithësi, gjë që është mëse normale.
Gjatë periudhës së emergjencës dhe rindërtimit të vendit, ky sektor luajti rolin e vet dhe plotësoi dukshëm zbrazëtinë e krijuar nga mungesa apo brishtësia e institucioneve publike. Me fillimin e fazës së stërzgjatur të përcaktimit të statusit të Kosovës, shoqërisë civile iu ngushtua së tepërmi fusha e veprimit, duke ia pamundësuar ngritjen e disa problemeve madhore të shoqërisë, për hir të unitetit dhe nevojës për fokusim të energjive në zgjidhjen e “çështjes madhore”.
Aktualisht, 2 vjet pas shpalljes së pavarësisë, duket se shoqëria civile në Kosovë ka filluar të normalizohet dhe të ushtrojë rolin për të cilin edhe është e thirrur. Një numër i organizatave të shoqërisë civile tashmë janë përfshirë drejtpërdrejtë apo tërthorazi në hartimin e politikave dhe ligjeve, një pjesë tjetër ofron shërbime - kryesisht sociale dhe arsimore, ndërsa nuk janë pak as organizatat që rol kryesor kanë mbikëqyrjen e punës së autoriteteve publike dhe ngritjen e zërit për qeverisje të mirë, transparencë dhe sundim të ligjit.
Megjithatë, në një shoqëri ku shumica e proceseve në realitet nuk ndodhin ashtu si thuhet ne teori, edhe shoqëria civile nuk mund të funksionojë ashtu siç kërkohet nga ajo. Mungesa apo mos-funksionimi i formave institucionale të ndërveprimit shoqëri civile – autoritete publike e vështirëson jashtë mase kontributin në vendim-marrje; rënia drastike e solidaritetit shoqëror dhe ndjenjës së komunitetit përgjatë dekadës së fundit i’a kufizon mobilizimin e burimeve vendore financiare dhe njerëzore për ofrim të shërbimeve; problemet evidente në zbatimin e ligjit e ulin efektin e ngritjes së çështjeve që kanë të bëjnë me keqpërdorimin e pushtetit dhe pozitave publike.
Duke i marrë parasysh këto, mund të konsiderohen pozitive iniciativat e shoqërisë civile që kanë të bëjnë me disa nga zhvillimet e fundit në vend, duke përfshirë këtu zgjedhjet lokale, përcjelljen e premtimeve të (pa)realizuara dhe sfidimin e vlerësimeve pozitive të udhëheqësve të vendit (por edhe atyre të misioneve ndërkombëtare), kërkesat në rritje për qasje serioze ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, reagimin ndaj procesit gjyqësor kundër Albin Kurtit etj. Edhe pse, në vende normale këto do të ishin pjesë e zakonshme e përshkrimit të punës të këtij sektori, indiferenca e lartë qytetare për çështjet e rëndësishme që e prekin Kosovën, i bën këto iniciativa inkurajuese.
Edhe pse ende nuk mund të vlerësohen si të mjaftueshme, këto reagime të shoqërisë civile mund të ngacmojnë refleksin e qytetarëve për të reaguar ndaj proceseve që ndodhin në vend. Pa këtë refleks, shoqëria jonë do të mbetet ende në konceptin tashmë të tejkaluar të demokracisë, ku ndërveprimi i qytetarit me pushtetin ndodh një herë në 3-4 vjet – te kutitë e votimit. Ky ndërveprim duhet të shpeshtohet deri në atë masë që të gjithë ata që e kanë në dorë fatin e këtij vendi, para marrjes së secilit vendim, më shumë të mendojnë se si do të reagojnë qytetarët - të cilët normalisht do të duhej të ishin burimi i pushtetit të tyre, se sa si do të reagojnë miqtë e tyre familjarë, partiakë apo ndërkombëtarë – e të cilët aktualisht përbëjnë këtë bazë.
Në të kundërtën, vazhdimi i apatisë qytetare ia lehtëson punën secilit që pushtetin e sheh si privilegj më shumë se sa përgjegjësi, burim të pasurisë më shumë se sa investim të vetvetes për të mirën e përgjithshme, ngritje personale më shumë se sa ngritje të shoqërisë. E me këtë, ia vështirëson punën tej mase asaj pjese të shoqërisë civile e cila angazhohet për të kundërtën.
Përfundimisht, shoqëria civile nuk mund të konsiderohet qëllim në vetvete. Ajo del nga vet populli dhe është pjesë e shoqërisë si e tërë. Dhe ajo do të kontribuojë në ngritjen apo rënien e këtij vendi aq sa kontribuon e gjithë shoqëria. Secili popull e ka shoqërinë civile të cilën e meriton.
* Për të evituar keqkuptimet në përdorimin e termit “shoqëri civile” tek ne, ku ky koncept shpeshherë reduktohet vetëm në organizata jo-qeveritare, është e udhës të theksohet kuptimi modern i këtij sektori, e që merret si i vlefshëm nga shumica e shoqërive demokratike në mbarë botën. Një definicion i gjerë përkufizon shoqërinë civile si një hapësirë që nuk është shtet, biznes apo familje, e ku njerëzit organizohen për të vepruar në mbrojtje të një interesi të përbashkët të tyre. Këtu përfshihen organizata apo individë, OJQ apo sindikata, grupe të komunitetit apo organizata “think-tank” etj., ndërsa interesi i përbashkët i tyre mund të shkojë nga një çështje që i takon vetëm një grupi të vogël njerëzish (p.sh. kujdesi për një park të lagjes) e deri te çështjet që janë të rëndësishme për të gjithë shoqërinë, brenda një shteti apo më gjerë (p.sh. të drejtat e njeriut, demokratizimi). Si e tillë, ajo paraqet një konglomerat interesash e qasjesh të ndryshme, ashtu si edhe vet shoqëria të cilën e përfaqëson.
(Autori është koordinator i Programit në Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile. Qëndrimet e shprehura janë personale)
Comments (0 posted)
Post your comment