Home | Society | Populizmi dhe morali i eroduar politik

Populizmi dhe morali i eroduar politik

image
Morali politik vjen në krye të radhës së faktorëve të cilët do të ndihmojnë në çrrënjosjen e përdorimit të populizmit si mjet për të përfituar trupin votues. 

 

 

Bekim Hoxha

 

Termi “populist” është përkthim direkt i fjalës ruse “Narodnik”, një lëvizje demokratike dhe kolektiviste e cila u paraqit në Rusi në sh. XIX. Populizmi paraqet një lloj të mendimit dhe veprimit politiko – social të vënies së njërit përballë tjetrit të “popullit” dhe “elitës”. Si i tillë, në duart dhe agjendat politike të “elitës”, nxit ndryshime të sistemit social dhe atij politik. Mund të thuhet se populizmi është një stil i retorikës politike i cili afirmohet nga ana e pjesëtarëve të partive politike dhe lëvizjeve sociale. Kjo formë e demagogjisë politike, bashkë me moralin politik të eroduar në mënyrë ekstreme, përbën një kombinim shumë të rrezikshëm me të cilin sundohet populli. Në rastin e Republikës së Maqedonisë, ky mjet personifikohet në personazhin e Kryeministrit Gruevski – politikan i proveniencës djathtiste i cili preferon metoda majtiste në aplikimin e pushtetit. Me përdorimin e kësaj metode e cila në thelb është e dëmshme si për elektoratin ashtu edhe për sistemin politiko – shoqëror, politikanët dhe subjektet politik mundohen ti fshehin mangësitë e veta të shumta.

Qasjet e tipit “ju veç votoni për mua (neve), e unë (ne) do ti plotësojmë të gjithë dëshirat dhe nevojat e juaja”, është një qasje standarde-klasike e cila pothuajse nuk ka pësuar asnjë ndryshim gjatë gjithë këtyre viteve të tranzicionit dhe ka tendencë të vazhdojë edhe tutje për arsye se është opsion “fitues” i cili fatkeqësisht ende jep rezultate. Për fajin e atyre që japin premtime nuk duhet të flitet, fajtorë të pjesshëm janë edhe votuesit të cilët nuk i dënojnë populistët duke mos i votuar. Premtim-dhënësit nuk ndjejnë aspak përgjegjësi për mosrealizimin e premtimeve të veta, shpesh herë edhe manipulative, nuk kanë sistem për kontakt të drejtpërdrejtë me bazën votuese dhe mundohen “ti hedhin pluhur syve të votuesve” vetëm me një qëllim të vetëm – të jenë në pushtet që është parimi themelor i ekzistimit të çdo subjekti politik. Morali politik, si kategori e sjelljes dhe veprimit të përgjegjshëm politik, nuk është i përfaqësuar në masë të duhur në agjendën e politikanëve dhe partive vendore politike.
   
Populizmi mund të definohet si niveli më i ulët i propagandës politike i cili më së shumti përdoret në vendet e varfra me standard mesatarisht të ulët socio-kulturor si dhe në vendet pa traditë demokratike. Disa nga premisat themelore të këtij principi joparimor politik janë:

        - teoritë për komplot, ksenofobia, mosekzistimi i autokritikës;
        - etnocentrizmi, nacionalizmi, kultura kuazinacionale;
        - heroizmi, prodhim i armiqve, ndarja në “ne” dhe “ata”;
        - vizione joreale për rritje ekonomike;
- simplifikim, nihilizëm si dhe vulgarizim i proceseve dhe prioriteteve shtetëror;
- fushata të bazuara në histeri, paraqitje e vazhdueshme në mediume;
- joselektim i grupeve të qëllimit;
- premtime revolucionare në vend të atyre evolutive; etj.

Siç shihet nga e lartpërmendura, populizmi nuk mund të konsiderohet si mjet i nevojshëm, por në praktikë kemi një pasqyrë tjetër, përdorimi i populizmit është në nivel maksimal. Për këtë gjendje deridiku fajtor është edhe profili mesatar i votuesit tonë vendor. Edhe pse ky profil ka përjetuar një evoluim pozitiv kohëve të fundit, ende është shumë shumë larg profilit mesatar të votuesit nga shtetet me traditë të theksuar të demokracisë. Kjo gjendje nuk do të zgjasë edhe shumë, me reformat të cilat dalëngadalë po zhvillohen dhe jetësohen në vend me qëllim të arritjes së standardeve për anëtarësim në institucionet dhe sistemet evro-atlantike, do të rritet niveli mesatar i vetëdijes dhe kulturës politike tek votuesit i ndjekur me rritje të nivelit të moralit politik të subjekteve politike. Pa dyshim se në një të ardhur të afërt do të kemi mundësi të ndjekim fushata politike të cilësuara me pjekuri dhe përgjegjësi të lartë në të cilat elektorati do të mund të identifikojë kualitetin dhe prosperitetin e vërtetë e jo premtimet boshe. Elektorati duhet të mos lejojë që të manipulohet gjë që ka ndodhë në ciklet e kaluara zgjedhore, por duhet të jetë monolit në insistimin për plotësim të premtimeve të dhëna gjatë fushatave. I patundshëm jam në mendimin se elektorati veç e “ka lexuar” strategjinë e manipulimit të kombinuar politiko-sentimental të masave të gjëra si dhe të demagogjisë socio-ekonomike të cilën në mënyrë të pamëshirshme e përdor establishmenti ekzistues politik në vend për ti arritur objektivat e veta.

Kjo çështje është ngushtë e lidhur me shumë çështje dhe kategori tjera siç janë: morali politik, edukimi, niveli mesatar i ulët i kulturës së përgjithshme politike, gjendja socio-ekonomike dhe standardi jetësor, niveli i evropeizimit të vendit, ideologjizimi dhe profilizimi i partive politike, zhvendosja e besimit në institucione në kahje pozitive, ndërtimi i kapaciteteve të vet shtetit dhe institucioneve të tij, edukimi i elektoratit,  sundimi i ligjit, etj. E njëjta vlen edhe për mediumet vendore të cilët janë ana e tretë dhe jo më pak e rëndësishme e këtij sistemi. Ekziston nevojë urgjente për ristrukturim të brendshëm të vet mediumeve të cilitdo lloji me qëllim të informimit sa më objektiv, pa paragjykime dhe stereotipa të mbetura nga sistemi i kaluar. Evropeizimi dhe demokratizimi i mediumeve, duke përjashtuar të gjitha ndikimet joparimore mbi veten, duhet të ndihmojë në procesin e eliminimit të populizmit nga agjenda politike e partive si dukuri e dëmshme për zhvillimin e përgjithshëm politiko - shoqëror të vendit.
Morali politik vjen në krye të radhës së faktorëve të cilët do të ndihmojnë në çrrënjosjen e përdorimit të populizmit si mjet për të përfituar trupin votues. Vlerat e larta morale duhet të jenë atribute të të gjithë subjekteve serioz politik të cilët synojnë të udhëheqin shtetin në emër të popullit. Aspekti i moralit politik duhet të jetë princip themelor i fushatave dhe aksioneve postzgjedhore të partive politike. Nuk do të ishte e dëmshme edhe përfshirja e këtij parimi në platformat politike të partive me çka automatikisht do të rritej besimi i tundur i votuesve ndaj partive si dhe numri i pakët i qytetarëve në format e ndryshme të participimit të tyre në jetën aktive politike.         

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00