Lëvizje e lirë, jo azil dhe punë
Liberalizimi i vizave nuk mundëson punësim apo qëndrim të gjatë në vendet e BE.
Ministria e Jashtme ka nisur informimin zyrtar të qytetarëve për t’u bërë të qartë atyre se liberalizimi i vizave nuk mundëson punësim apo qëndrim të gjatë në vendet e BE. Nisur nga situata shqetësuese që solli në Bruksel, liberalizimi i vizave me Maqedoninë dhe Serbinë,ku një fluks i madh kërkesash për azil nga këto dy vende, Komisioni Europian ka kërkuar mes të tjerave nga Shqipëria të informojë shtetasit e saj.
Ministria e Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA), organizuan Konferencën me titull “Liberalizimi i vizave: Çfarë nënkupton në të vërtetë”. Konferenca kishte si qëllim hapjen e fushatës informuese të qeverisë shqiptare rreth domethënies së procesit të liberalizimit të vizave. “Qytetarët duhet ta kenë të qartë së liberalizimi i vizave ka të bëjë me një qëndrim në vendin që viziton jo më shumë se tre muaj, nuk do të thotë mundësi studimi afatgjatë dhe as bashkim familjar”, u shpreh Gazmend Turdiu, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Nëse qytetari shkel detyrimet që ka në këtë proces liberalizimi atëherë në bazë të marrëveshjes së ripranimit ai kthehet në vendin e tij dhe rrezikon të mos shkelë më në atë vend për një periudhë 5-vjeçare, shoqëruar dhe me gjobat përkatëse. Nëse qytetarit i nevojitet të qëndrojë më shumë se tre muaj në një vend të BE, atëherë sërish duhet të drejtohet në ambasadë ku pajiset me vize të tipit D. Në fjalën e tij, ndër të tjera, Turdiu vuri në dukje se Shqipëria ndodhet në hapat përmbyllës të procesit të liberalizimit të vizave, dhe se pjesë e tij është edhe angazhimi për të informuar të gjithë qytetarët shqiptarë rreth të drejtave dhe detyrimeve që ata kanë në kuadër të këtij procesi. Ai theksoi se kjo fushatë do të jetë e mirëorganizuar dhe koordinuar nga qeveria shqiptare duke synuar shpërndarjen e informacionit tek çdo qytetar shqiptar, deri në zonat më të largëta të vendit.
Comments (0 posted)
Post your comment