Besa - Besë
Mjaft punove për të tjerë, o fatkeq! Kujto vendin tek ke lerë dhe tek heq.
Andon Zako Çajupi
Gjithë vendetë gëzojnë,
ti, Shqipëri, pse pushon?
Gjithë njerëzit këndojnë,
ti, shqiptar, pse rënkon?
Gjithë duanë lirinë
dhe pa të njeriu s'rron;
ti, shqipëtar, Shqipërinë
në zgjedhë si e duron?
Zgjohuni, o shqipëtarë,
erdhi dita për liri!
Zini luftë me barbarë,
përpiqi për Shqipëri!
Të krishter' e myslimanë,
të tërë një sua kemi;
gegë, toskë, dibranë,
gjithë shqipëtarë jemi.
Mblidhuni te bëjmë benë,
të gjithë dorë për dorë:
Të duamë mëmëdhenë,
edhe malet me dëborë.
Që ditën që u shkeli
robëria dhe gjer sot
nukë bën më bar Dhëmbeli
dhe Tomori qan me lot.
Male me krye në qieli,
si duroni robërinë?
Ju që shihni drit' e diell,
pse s'ndrini dhe Shqipërinë?
Ku janë vaftet e parë,
që kini dhënë yrnek?
Ku jini, o shqipëtarë,
pse s'dëgjohet një dyfek?
Apo humbi trimëria,
apo s'doni mëmëdhenë?
A u shua Shqipëria,
që ka pjellë Skënderbenë?
Pse rrini lidhur me lak?
Pse s'shpëtoni vënd' tuaj?
apo s'u mbeti më gjak,
se e derdhtë për të huaj?
Mirri pushkëtë në duar
edhe bëni besa-besë:
Shqipëria do shpëtuar,
kokë turku të mos mbesë!
Varfëria dhe Liria
Jam i varfër, po i lirë,
ndaj më pëlqen varfëria;
kush do të rrojë më mirë,
s'urdhëron dot veten e tia.
Mbreti, sikur të më thotë:
"Hajde në pallat me mua,
të gëzosh dhe ti në botë,
do t'i them: "Zot, nukë dua;
për të ngrën' e për të pirë
nukë mund të shes lirinë;
i varfëri rron më mirë
s'ai që do madhërinë.
S'më duhet ergjëndi mua,
dua lirinë dhe nderë,
dua të bëj si të dua,
jo si të duan të tjerë.
Kush mund e bën si do vetë,
bën si thotë Perëndia,
nukë ka në këtë jetë
gjë m'e vyer se liria.
Shqipëtar
Shqipërin' e mori turku,
i vu zjarr!
Shqipëtar, mos rri, po duku,
shqipëtar!
Mjaft punove për të tjerë,
o fatkeq!
Kujto vendin tek ke lerë
dhe tek heq.
Të ka bërë perëndia
luftëtar,
si s'të lodhi robëria,
shqipëtar!
Erdhi dita të ngresh kokë,
të kërkosh
lirinë, bashkë me shokë
të lëftosh!
Mos bëni si keni bërë
gjer më dje,
por të lëftoni të tërë
për Atdhè.
Pesëqind vjet kemi rruar
me pahir,
Lidhurë me këmn' e duar
me zinxhir!...
Myslyman' e të krishterë
jemi keq!
Të ngrihemi që të tërë,
djem e pleq!
Të ngrihemi të dëftojmë
trimëri;
ja të vdesim ja të rrojmë
për liri!
O moj Shqipëriz' e dashur,
memëdhè,
Të shoh me buzë të plasur,
si më sheh.
U shkretove anembanë,
Shqipëri,
se shqiptarët s'kanë
dashuri.
Gjithë djemtë që ke qarë
dhe mban zi,
për Morenë janë vrarë,
për Turqi!
Zhvish rrobat e robërisë,
memëdhè,
vish armët e trimërisë
se ke ne!
Comments (0 posted)
Post your comment