Home | Society | Shqiptarët janë rrënjët e Maqedonisë

Shqiptarët janë rrënjët e Maqedonisë

image © Photo: Drita Klosi
Derisa shqiptarët nuk do të fitojnë liri dhe pavarësi në atdheun e vet, kurrë s’do të ketë siguri, paqe dhe stabilitet në Maqedoni.

 

 

 

Prof. Fadil Sulejmani


- Le të fokusohemi në shkaqet e rrethanave që sollën te lëvizjet e armatosura, e jo në efektet e tyre! -

Shqiptarët janë trashëgimtarë historikë dhe gjeografikë nga të parët e tyre të lashtë në Maqedoni, ku e kanë djepin dhe varret e baballarëve të vet dhe brez pas brezi ata kanë punuar, kanë luftuar dhe kanë vdekur për këtë atdhe, ndaj dhe kërkojnë të jenë edhe ata zot të këtij vendi dhe jo të trajtohen e të shfrytëzohen si të huaj, të diskriminuar e të zhvlerësuar.

Shqiptarët janë banorët më antikë, më autoktonë, më maqedonas dhe më evropianë se çdo popull tjetër në Maqedoni, ku ata i kanë lëshuar këtu shumë thellë rrënjët e tyre që nga krijimi i botës.

Gjurmët e tyre etnike i ndeshim sot çdokund në historinë dhe gjeografinë e Maqedonisë, në gjuhë, në etnokulturë, në onomastikë dhe gjithkund tjetër në arkeologji. Pra, të parët e Maqedonisë janë shqiptarët maqedonas, e jo sllavët e vetëquajtur maqedonas, që si pushtues ia vodhën asaj emrin dhe gjeografinë, kurse tash duan t’ia uzurpojnë edhe historinë, dhe kështu të vishen me një identitet të rrejshëm si maqedonas antikë, duke ua marrë nëntë popujve të tjerë të drejtën trashëgimore të këtij vendi.

Projekti i destabilizimit të Maqedonisë janë Kushtetuta dhe ligjet e saj diskriminuese.

Më vitin 1945 mbi trojet shqiptare u themelua shteti artificial i sllavëve maqedonas, i cili filloi ta pengojë zhvillimin e gjithanshëm kombëtar të shqiptarëve me anë të kushtetutave dhe ligjeve të tij diskriminuese, si në sistemin politik totalitar, ashtu edhe në atë pluralist demokratik, që si rrjedhojë sollën destabilizimin permanent të vendit dhe paraqitjen e lëvizjeve të armatosura nën emblemën e UÇK-së në vitet 2001 dhe 2010.

Maqedonia gjithnjë ka qenë e destabilizuar, në këtë vend asnjëherë s’ka pasur qetësi dhe siguri, si para luftës së dështuar të vitit 2001, ashtu edhe gjatë kësaj lufte dhe pas saj. Vazhdimisht situata ka qenë e tendosur, marrëdhëniet ndëretnike kanë qenë të acaruara, diskriminimi dhe shtypja kanë qenë të hapura ndaj shqiptarëve. Nuk ka pasur kurrë një gjendje stabile në Maqedoni që tash ajo të destabilizohet.

Andaj, UÇK-ja nuk është shkaktare e destabilizimit të Maqedonisë, përkundrazi, gjendja jostabile e prodhoi këtë lëvizje të armatosur, si efekt të saj, kurse shkaku është vetë shteti diskriminues maqedonas.

Shfaqja dhe rishfaqja e UÇK-së në Maqedoni është një dëshmi për gjendjen shumë të keqe të shqiptarëve në këtë vend dhe një transparencë e afirmimit të diskriminimit dhe të dhunës shtetërore që ushtrohet vazhdimisht mbi ta. Thjesht, ajo është një xixë që i dha kontakt motorit të durimit që të ndizet e ta alarmojë botën që të ndërmarrë diçka në mbrojtje të shqiptarëve nga represaljet, burgosjet e vrasjet në veçanti dhe përmirësimin e pozitës së tyre të rëndë shoqërore në përgjithësi.

Për këtë është përgjegjës jo vetëm faktori politik qeveritar maqedonas, por edhe ai ndërkombëtar evropian dhe amerikan si monitorues të situatës në Maqedoni dhe si nënshkrues të Marrëveshjes së Ohrit. Në këto situata ku sundon dhuna dhe terrori shtetëror ata nuk mund të rrinë indiferentë dhe t’ia mbajnë anën vetëm shtetit dhe politikës së tij diskriminuese ndaj shqiptarëve.

Ne nuk mund të presim më shumë prej faktorit ndërkombëtar nga ajo se sa do ta aktualizojmë dhe do ta bëjmë problem çështjen tonë nacionale në Maqedoni, sa do ta ngrenë zërin e arsyes përfaqësuesit tanë zyrtarë këtu në mbrojtjen dhe fitoren e kauzës sonë etnike. Nëse ne nuk i dalim zot vetvetes, përkatësisht popullit dhe vendit tonë, dhe nuk jemi këmbëngulës për vetëvendosje dhe këtë të drejtë natyrore nuk e internacionalizojmë, të huajt asnjëherë nuk do ta kthejnë kokën nga ne.

Derisa partitë e rrejshme shqiptare në pushtet nuk do t’i përkrahin njerëzit e vet, nuk do të na përkrahin as të huajt. Kur përkrahja jonë do të jetë unike dhe masive ndaj interesit tonë të përbashkët kombëtar, atëherë do të ndryshojë edhe përkrahja e të huajve ndaj nesh.

Faktori politik shqiptar në Ballkan e më gjerë duhet të luajë një rol pozitiv në ndryshimin e gjendjes së shqiptarëve në Maqedoni, t’ia mbajë anën popullit dhe jo liderëve të tij të dështuar politikë, të cilët, saherë që u lëkundet karriga e u prishet tymi i duhanit, vrapojnë në Shqipëri e Kosovë që të kërkojnë ndihmë e shpëtim, jo për popull, por për vete se si të dalin nga situatat e vështira që më shumë i kanë krijuar vetë ata me paaftësitë dhe lakmitë e tyre për interes e pushtet, duke lënë popullin në hendek.

Ky diskriminim shtetëror e ka mbushur kupën e shqiptarëve, të cilët sot i kanë çuar duart lart dhe kanë humbur çdo shpresë se një ditë do të bëhet mirë edhe për ta, se do të përmirësohet edhe gjendja e tyre e rëndë nacionale dhe sociale, dhe nga kjo gjendje e vështirë dhe e papërmbajtur ekzistencialisht dhe vazhdimisht e shkelur politikisht dhe juridikisht u lind organizata e armatosur e UÇK-së.

Prandaj, është absurde që dikush të thotë sot se duhet ta ruajmë artificialisht stabilitetin e Maqedonisë, kur atë s’e kemi pasur kurrë.

Stabiliteti i një vendi me një shoqëri multietnike, siç është Maqedonia, nuk mund të ndërtohet nga një shtet shovinist, siç është shteti njënacional, njëgjuhësor dhe njëkonfesional maqedonas, i cili me kushtetuta dhe ligje diskriminuese, mohon ekzistencën e popujve të tjerë, gjuhët, historitë, fetë dhe identitetet e tyre, pengon zhvillimin nacional dhe synon asimilimin e tyre në mënyrë sistematike që një ditë këtu të frymojnë vetëm maqedonasit sllavë.

Në Maqedoni jetojnë dhjetë popuj, etnitete, gjuhë dhe kultura të ndryshme: shqiptarë, maqedonas, romë, vëllehë, turq, torbeshë, boshnjakë, serbë, bullgarë, yrikë e të tjerë, nëntë prej të cilëve i janë nënshtruar një politike dhe sistemi të egër diskriminues të këtij shteti që i trajton si minoritete dhe nuk garanton as të drejtat më elementare për një jetë dhe jetesë normale.

Në kohën e sotme të kibernetikës dhe të kompjuterikes dhe në kontinentin e Evropës me një zhvillim aq të madh shkencor, teknik, kulturor dhe demokratik, shteti i vogël hegjemonist dhe unitarist i sllavëve maqedonas nuk mund të funksionojë dhe as të ekzistojë me një dominim absolut mbi shtatë popuj të tjerë jo sllavë në Maqedoni dhe me një ideologji shoviniste të asimilimit të tyre në ortodoksë sllavomaqedonas ose të pakësimit të tyre me anë mjetesh dhe metodash të ndryshme raciste të shfarrosjes ose të dëbimit nga ky vend.

Shqiptarët janë kafshata më e madhe e shtetit racist maqedonas që i ka mbetur në fyt dhe nuk po mund, as ta përpijë, as ta vjellë, dhe kjo po e pengon që t’i gëlltitë pas saj edhe popujt e tjerë.

Shqiptarët në Maqedoni përbëjnë realisht mbi 40% të numrit të përgjithshëm të banorëve të saj prej dy milionësh. Pra, ata janë më shumë sesa maqedonasit sllavë dhe çka sheh rreth e rrotull në këtë vend me ndërtesa e institucione të ndryshme shtetërore e shoqërore janë ngritur me mundin dhe paratë e shqiptarëve, të cilët po e ushqejnë dhe po e mbajnë gjallë këtë shtet bastard, pa të cilët ai qysh moti do të kishte vdekur.

Prandaj, shqiptarët në mënyrë të veçantë janë të diskriminuar, të shtypur dhe të rrezikuar nga ky shtet dhe ndaj të cilëve ai ka një qëndrim shumë armiqësor dhe kundër tyre vazhdimisht mbjell urrejtje te masa popullore maqedonase.

Shqiptarët asnjë faj nuk kanë pse lindin e shtohen, pse kërkojnë të arsimohen, të profesionalizohen, të punësohen e të përfaqësohen në mënyrë të barabartë me maqedonasit në institucionet e sistemit publik me punë, me gjuhë, me etnokulturë, me histori, me shkencë si popull i veçantë dhe autokton në vendin e vet, e jo si pakicë e huaj aty.

Ata asnjë të keqe nuk u bëjnë maqedonasve, po qe se më tej nuk pranojnë të sundohen e të shfrytëzohen nga ta, të jenë skllevër modernë të tyre. Përkundrazi, shqiptarët qe shtatëdhjetë vjet rresht po u shërbejnë në mënyrë besnike maqedonasve, po punojnë dhe po paguajnë për ta, po i dëgjojnë dhe po i durojnë me të gjitha të zezat që po ua bëjnë, dhe për këtë vetë maqedonasit janë fajtorë, mbajnë përgjegjësi morale dhe juridike, duhet t’u japin llogari shqiptarëve për të gjitha të këqijat e dëmet që u kanë bërë dhe për këtë duhet të përgjigjen para drejtësisë ndërkombëtare, e cila nëse nuk do t’i dënojë, të paktën të mos pengojë të drejtën natyrore të shqiptarëve që të çlirohen prej tyre dhe të jetojnë të lirë e të pavarur nga ta.

Prandaj, maqedonasit nuk duhet edhe më tej t’i drejtojnë ushtat dhe shigjetat kundër shqiptarëve, t’i mbajnë vazhdimisht në tehun e shpatës dhe tytën e pushkës, të mbështetur përherë për muri.

Shqiptarët sot nuk kanë ku të shkojnë, Turqia nuk i do, Shqipëria s’i pranon, Kosova s’ka vend për vete, Evropa s’u jep azil ekonomik, jeta skllavërore në atdheun e tyre antik të Maqedonisë është bërë e padurueshme, terr e ferr, racizmi, pansllavizmi e ortodoksizmi i kanë ngulfatur fare dhe s’u ka mbetur shteg tjetër përveç malit që të thithin atje pak ajër të lire për t’u kthyer pastaj në qytet më të kthjellët, më dinamikë e më aktivë.

Nga dëshpërimi dhe pakënaqësia e madhe e popullit ndaj padrejtësive të shumta që i bëhen dhe i shtyrë nga rreziku për vetëmbrojtje të qenies së vet fizike e të identitetit të tij kombëtar ky grup i armatosur i UÇK-së sado i vogël të duket në fillim, ai do të rritet shumë dhe konflikti apo lufta e tyre do të përfshijë më shumë territore e do të ketë përmasa shumë më të mëdha kombëtare sesa ato të vitit 2001.

Faktori politik shqiptar qeveritar për ta ruajtur pushtetin e vet fiktiv, komoditetin dhe interesin materialist edhe në këto situata tragjike për popullin tonë, ai, për fat të keq, bashkëpunon me faktorin politik maqedonas për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve e vendimeve kundër çdo shqiptari apo grupi shqiptarësh që përpiqen në mënyrën e vet ta japin kontributin e tyre me fjalë apo me armë për fitoren e kauzës kombëtare dhe zgjidhjen njëherë e përgjithmonë të çështjes shqiptare në Maqedoni.

Përfaqësuesit politikë shqiptarë në pushtet, si gjithmonë, edhe kësaj radhe na prezantojnë dhe reprezentojnë shumë keq para botës se kinse shqiptarët jetojnë shumë mirë në Maqedoni dhe se çdo gjë është në rregull me ta dhe në pajtim me të gjitha normat humane, demokratike dhe juridike.

Sipas këtyre politikanëve shteti maqedonas dhe populli shqiptar na qenkan shumë të mirë, e dashkan fort njëri-tjetrin dhe nuk paskan mes vete asnjë problem, por ata që e prishin këtë harmoni mes tyre na qenkan disa nacionalistë, ekstremistë dhe separatistë shqiptarë që saherë po bëjnë probleme, po i kapin edhe armët dhe po e çrregullojnë situatën; populli është në anën e shtetit dhe nuk i përkrah këta njerëz të këqij që prishin rendin dhe qetësinë e tij për interesa të veta.

Ata po sillen madje në atë mënyrë komode sikur në Maqedoni të jetë çdo gjë normale, sikur nuk po ndodh asgjë e veçantë, se kjo çka po dëgjojmë, shohim e lexojmë nuk është kurrgjë, se edhe kjo situatë pak e trazuar si ato të mëparshmet do të kalojë, do të qetësohet dhe se njerëzit do të bien prapë në gjumin letargjik, se harresa sërish do t’i fshijë këto ëndrra të tyre të trishtuara dhe këta pushtetarë do të vazhdojnë si gjithnjë jetën e tyre pa brenga e telashe hipur mbi shpatullat e popullit.

Këta politikanë të rrejshëm, hipokritë e manipulantë kurrë nuk ditën dhe nuk patën guxim, zemër e mend që opinionit botëror t’ia thonë të vërtetën se shqiptarët në Maqedoni janë të diskriminuar me ligj në të gjitha sferat e jetës së tyre vetëm pse nuk janë sllavë, se maqedonasit janë të privilegjuar e të favorizuar në zhvillimin e tyre shoqëror, se shqiptarët janë çuar në këmbë që ta luftojnë statusin e tyre diskriminues, ligjet e padrejta, gjenocidin shtetëror dhe ta ndryshojnë gjendjen e tyre të rëndë shoqërore.

Pra, duhet ta paraqesin në mënyrë të qartë realitetin se këta njerëz të UÇK-së askush nuk i ka detyruar dhe nuk i ka organizuar me forcë që t’i marrin armët për ndonjë interes të huaj apo të futen në një luftë për jetë a vdekje për ndonjë interes të vetin personal, familjar apo farefisnor.

Por, ata vetvetiu dhe në mënyrë spontane kanë dalë në shesh me emblemën ushtarake të UÇK-së të shtyrë nga një interes i përbashkët kombëtar që t’i dalin zot popullit të vet për të dalë nga vuajtjet dhe pakënaqësitë e një jete të vështirë okupuese, nga një situatë e rëndë skllavërie.

Ky është synimi kryesor i tyre që të bëjnë ndryshime në shoqërinë shqiptare nga një gjendje e keqe në një gjendje të mirë e meritore, ta luftojnë robërinë dhe ta shporrin sundimin e huaj si burim i ngulfatjes së shqiptarëve prej shumë vjetësh. UÇK-ja është aty, ku ishte edhe më parë, sot ka dalë me një komunikatë, nesër sigurisht me një mision.

Pse i frikësohemi të vërtetës dhe nuk e shohim në mënyrë objektive gjendjen e rëndë etnike dhe sociale të shqiptarëve në Maqedoni. Pse nuk merremi me shkakun që ka sjellë si pasojë radikalizimin e situatës deri në atë masë sa të vijmë te konflikti dhe lufta. Nuk bën apriori t’i shajmë këta djelmosha, t’i akuzojmë, t’i injorojmë e t’i shpallim “armiq” të popullit, duke i krahasuar madje edhe me kriminelë serbë. Edhe këta njerëz që kanë kapur pushkët janë si ne, të përbërë prej mishi e gjaku, kanë familje, fëmijë dhe as ata nuk e duan dhunën e luftën, por një gjë e tillë atyre u është imponuar.

Politikanët dhe partitë qeveritare maqedonase që flasin shqip për të jetuar vetë mirë e më mirë në vendet e tyre aty ku janë në Qeveri, Parlament e gjetiu në pushtet kanë pranuar që deri në vdekje të mbeten vasalë të shtetit të huaj e fanariotë të popullit të vet. Sa herë që shqiptarët protestojnë kundër padrejtësive dhe ngrenë zërin për liri e pavarësi, ata distancohen prej tyre, i frikësojnë dhe i kërcënojnë që të rrinë urtë e qetë, të mos ngrenë krye, të heshtin e të jenë të dëgjueshëm, të mos bien pre e provokimeve të “armikut”, të vazhdojnë bashkëjetesën dhe kërkesat e tyre për të mbetur gjallë t’ua drejtojnë institucioneve shtetërore antishqiptare që të shqyrtohen brenda kornizave të ligjeve diskriminuese, sepse në të kundërtën do ta pësojnë keq e më keq.

Këta shërbëtorë besnikë të Qeverisë maqedonase bashkë me padronin e vet për ta sunduar e shfrytëzuar më lehtë, më shumë e më gjatë shoqërinë shqiptare, duan që atë ta zhveshin nga çdo aktivitet revolucionar në vetëmbrojtje, ta mbajnë edhe më tej në një gjendje amorfe, të ngrirë, të droguar, të hipnotizuar e konfuze, duke mbjellë vazhdimisht tek ajo frikën e skllavit që ta humbë guximin e besimin në vetvete dhe të pranojë imponimin e mendimeve të tyre se nuk është keq edhe në këto kushte të rënda të jetës në robëri.

Deklaratat politike të krerëve partiakë qeveritarë maqedonas-shqiptarë përkitazi me destabilizimin e përhershëm të vendit, me krizat e vazhdueshme politike, situatat përherë të trazuara dhe përgjithësisht me lëvizjet e armatosura të UÇK-së janë dezinformata policore që rrejnë publikun me qëllim që ta ruajnë pushtetin e vet dhe paqen në mënyrë artificiale, duke shtrembëruar faktet dhe realitetin objektiv për gjendjen shumë të rëndë të shqiptarëve aty dhe për kërkesat e tyre për liri dhe pavarësi nacionale.

 

1. Bashkëjetesa kurrë nuk ka funksionuar midis shqiptarësh e maqedonasish dhe asnjëherë s’ka pasur harmoni midis tyre, me që ka munguar vazhdimisht toleranca dhe respekti ndëretnik i njërës pale superiore ndaj tjetrës inferiore.

Kjo fjalë për publikun tonë ka qenë gjithmonë e pakuptimtë dhe në rrethanat e stome kur shqiptarët ekzekutohen nga policia rrugëve në mënyrë spektakulare ta thërrasësh popullin për bashkëjetesë është njësoj absurde, e rrejshme dhe cinike si parullat komuniste Vëllazërim-bashkim dhe Një për të gjithë, të gjithë për një!

Absolutisht është e pamundshme jo bashkëjetesa, por as krahjetesa mes këtyre dy popujve. Me kohën kanë ndryshuar edhe shqiptarët, të cilët sot po e shohin dhe po e kuptojnë më mirë gjendjen e tyre të keqe dhe mundësinë për ta ndryshuar atë në të mirën e vet.

2. Liderët partiakë, sidomos të partive në pushtet, nuk mjafton vetëm të distancohen nga këto lëvizje të armatosura të shqiptarëve, duke dashur kështu ta mbrojnë veten dhe partinë e tyre se janë të pafajshëm dhe nuk janë të përzier në këto ngjarje që atyre u kanë sjellë kokëçarje dhe shtrëngim zemre.

Përveç këtyre deklaratave politike, ata nuk thonë asgjë më tepër për këto lëvizje ushtarake. Nuk ballafaqohen me realitetin dhe nuk japin kurrfarë arsyetimi për paraqitjen e këtyre personave me armë në dorë, kush janë ata, çka kërkojnë, cili është motivi, nevoja dhe misioni i tyre?

3. Shpallja e dikujt si komandant i përjetshëm i UÇK-së është tallja më e madhe që mund t’i bëjë viktimës së vet një ekzekutor.

UÇK-ja nuk i përket asnjë individi dhe grupi individësh, aq më pak atyre njerëzve të pandërgjegjshëm dhe të papërgjegjshëm që u vunë në krye të saj dhe e dëmtuan aq shumë saqë e shkatërruan krejtësisht. Kjo organizatë e armatosur është një lëvizje revolucionare kombëtare që ka dalë nga gjiri i një populli të përvuajtur historikisht, i takon këtij populli dhe i shërben vetëm atij. Çdo organizatë e këtillë që del prej një populli të shtypur nuk shuhet kurrë, ideja e saj jeton gjithmonë, ndaj dhe ajo u rishfaq përsëri dhe ekziston.

Deklarata e çmendur e kreut partiak vasal në pushtet se lufta paska mbaruar e komandanti i saj qenka ende gjallë ka për qëllim të shkaktojë konfuzion në popull që të mos përkrahet, por të injorohet e të sulmohet UÇK-ja dhe këta njerëz të pushtetit fiktiv të mos shihen si fajtorë kryesorë për dështimin e luftës më 2001 dhe për gjendjen e rëndë të shqiptarëve që e kanë shkaktuar për dhjetë vjet me radhë dhe si rrjedhojë e kësaj bëri që të dëgjohet përsëri zëri i saj i lirisë.

Këtë e dëshmon dhe e demanton më së miri edhe fakti se UÇK-në më së keqi e pritën partitë e koalicionit qeveritar të bllokut maqedonas-shqiptar dhe vetë këta njerëz që dje e çarmatosën dhe e nënshkruan MO sot po e dënojnë dhe po e luftojnë atë.

 

4. Shtabi ushtarak ishte ai që mori vendim për dorëzimin e armëve dhe njohu Marrëveshjen e Ohrit.

Nuk mund të jetë e vërtetë se më vitin 2001 UÇK-ja vullnetarisht i dorëzoi armët dhe e pranoi MO, kur dihet se udhëheqësia, shtabi i tyre ushtarak, është ai që merr vendime. Ushtarët nuk e përkrahën masivisht këtë aksion të kapitulimit, por vetëm një pjesë e vogël e tyre që shkonte pas liderëve ushtarakë. Kështu UÇK-ja u shpërbë, por ideja e saj mbeti, nuk u shua.

5. Rishfaqja publike e UÇK-së s’ka të bëjë me mungesën e rregullimit të statusit të saj, por me zgjidhjen e problemit diskriminues të popullit që e lindi dhe nevojën që ai ka për të.

Është e vërtetë se UÇK-ja më 2001 u mashtrua nga premtimet e kota të autoriteteve të saj se shqiptarët në Maqedoni do të jetojnë në liri, paqe e demokraci, se ajo e kreu me sukses misionin e vet patriotik, dhe se tash duhej të shpërbëhej.

Mirëpo, shumë shpejt u pa se meritat e saj dhe të popullit që e përkrahu atë u shpërblyen me urrejtje, përbuzje, hakmarrje, dhunë, vrasje e burgosje nga faktori politik maqedonas-shqiptar në pushtet. UÇK-ja u anashkalua dhe vlerat e saj nuk u trajtuan në mënyrë të barabartë me ato të armiqve të saj. Nuk pati kurrfarë dëmshpërblimi për të, as financiar, as material, as moral!

Ligjet diskriminuese maqedonase nuk e rregulluan statusin e ushtarëve të UÇK-së, të familjarëve të tyre dhe të invalidëve të luftës.

Por, kjo nuk është arsyeja e riaktivizimit të saj. Përkeqësimi i vazhdueshëm i jetës së shqiptarëve nën thundrën e huaj e motivoi atë të riorganizohet e t’i dëgjohet jehona përsëri. Kjo është e vërteta, kurse deklaratat politike të armiqve të UÇK-së se gjoja ajo këtë e bën nga dëshpërimi i mungesës së një ligji që do ta favorizonte e do t’i sillte benefite edhe asaj, janë spekulime të pabaza që nuk vlen të komentohen e t’u jepet përgjigje.

6. Lëvizja e armatosur nën emblemën e UÇK-së nuk është organizatë ekstremiste dhe as kriminele dhe pjesëtarët e saj nuk janë armiq të popullit.

Asnjë lëvizje dhe organizatë që del nga një situatë e rëndë e popullit nuk mund të jetë ekstremiste, kriminele dhe armike e tij. Ajo themelohet me një mision dhe program të caktuar, ka një emër, një simbol, një shkas, një ideal dhe një cak, të bëjë kthesa dhe ndryshime në përmirësimin e statusit të një populli të shkelur.

Prandaj, as UÇK-ja, që është ngritur si feniksi nga populli për ta ndryshuar mirësisht pozitën e tij inferiore, nuk mund të jetë lëvizje ekstremiste, dorë e armikut dhe e krimit.
Deri më tash bota nuk njeh ndonjë organizatë që të çohet prej qejfit, t’i kapë armët e të luftojë për interesa personale a grupore. Po të ishte ashtu, atëherë ajo organizatë do të merrej me veprimtari të tjera, do të plaçkiste ose të themi, do të formonte ndonjë parti e do të merrte pjesë në zgjedhje për t’u pasuruar ndryshe. Por, kjo doli spontanisht si efekt i gjendjes së rëndë të shqiptarëve në Maqedoni dhe pati një konflikt me forcat policore speciale maqedonase pa ndonjë aktivitet kriminel. Andaj, nuk mund të themi se ajo na qenka organizatë kriminele, sepse ajo nuk ka bërë kurrfarë krimesh. Ne vetëm ballafaqohemi me ligje antikombëtare, që veprojnë kundër zhvillimit të popullit tonë dhe kjo lëvizje doli në dritë prej këtij populli dhe u vu në mbrojtje të tij për t’i luftuar këto ligje të padrejta dhe diskriminuese që të mos bëhen normalitet i realitetit tonë të përditshëm.

7. Në botë kohët dhe njerëzit ndryshojnë, por luftërat asnjëherë nuk perëndojnë. Aty ku ka njerëz, ka dhe do të ketë edhe luftëra

Luftërat gjithmonë e kanë përcjellë njerëzimin dhe ato asnjëherë nuk marrin fund. Historia na tregon se saherë në botë kur dhe ku ka pasur robëri, ka pasur edhe pakënaqësi dhe padrejtësi të mëdha te populli i nënshtruar nga sundimi i huaj, ka pasur aksione dhe si kundër përgjigje edhe reaksione.

Individi për nga vetë natyra e tij është i prirë që të mos i durojë padrejtësitë dhe të reagojë ndaj çdo të keqeje. Deklaratat e çuditshme të disa politikanëve tanë se jetuakan në kohë të paqes dhe luftërat na paskan përfunduar nuk përkon me realitetin botëror dhe nuk i kontribuojnë paqes stabile, si dhe zgjidhjes së drejtë të problemeve ndëretnike, ngase kërkojnë padrejtësisht që një popull ta durojë tjetrin që të jetojë në kurriz të tij, që është absurde për kohën e sotme të mrekullive shkencore e teknike.

8. Marrëveshja e Ohrit mbushi dhjetë vjet dhe nuk e zgjidhi problemin nacional të shqiptarëve në Maqedoni dhe mund të kalojnë edhe njëqind vjet të tjera dhe prapë ky problem nuk do të zgjidhet, sepse objektivi i saj nuk është liria dhe pavarësia e shqiptarëve, por të drejtat universale ose barazimi i të drejtave të tyre me maqedonasit.

Kësaj marrëveshjeje i mungon edhe besimi tek ata që duhet ta zbatojnë atë që t’i bëjë të barabartë shqiptarët me maqedonasit, tek ata që kanë shkruar libra diskriminues dhe armiqësorë kundër çdo gjëje shqiptare, dhe kjo e bën këtë dokument artificial dhe të pamundshëm realizimin e qëllimit të tij inferior për palën shqiptare.

Deklaratat politike të disa politikanëve shqiptarë e maqedonas në pushtet për angazhim të mëtejshëm në zbatimin e MO kanë për qëllim ta pasivizojnë popullin dhe ta qetësojnë situatën me mashtrime të kota se tash gjoja do ta zbatojnë këtë marrëveshje dhe se shqiptarët do të jetojnë më mirë se më parë. Por, e vërteta është ajo se MO përkundër dëshirave të dikujt për ta mbajtur gjallë me deklarata partiake kurrë nuk do të gjejë terren për zbatimin e saj praktik, do të vazhdojë të mbetet vetëm në letër, të flitet vazhdimisht për të, të zvarritet pa kufi derisa një ditë do ta shohin edhe të verbëtit se ajo është e vdekur dhe nuk mund të ringjallet vetëm me lutjet e njërës palë ndaj tjetrës.

Kushtet e MO i diktuan ata që e fituan luftën, jo ata që e dorëzuan dhe e humbën, dhe ata që e patën dje, do ta kenë edhe nesër në dorë këtë marrëveshje. Pa e prishur deri në themel shtëpinë e vjetër, kurrë s’mund ta ndërtosh të renë.

Shqiptarëve dhe maqedonasve u duhet sa më shpejt dhe pa hamendje një marrëveshje e re, e cila do ta parashohë thelbin e problemit që i dallon maqedonasit prej shqiptarëve e që është liria dhe pavarësia, të cilat i kanë të parët, por u mungojnë të dytëve. Pra, paradoksi i problemit të shqiptarëve janë vetë maqedonasit që vazhdojnë t’i mbajnë robër bashkëqytetarët e vet shqiptarë me synim të përjetshëm që është absolutisht e papranueshme për botën e sotme moderne evropiane që pretendon liri dhe demokraci për të gjithë popujt e rruzullit tokësor. Derisa shqiptarët nuk do të fitojnë liri dhe pavarësi në atdheun e vet, kurrë s’do të ketë siguri, paqe dhe stabilitet në Maqedoni.

Marrëveshje e re midis këtyre dy popujve shumicë në Maqedoni mund të bëhet para ose pas këtij konflikti apo lufte të mundshme dhe shumë më të madhe se ajo e vitit 2001 mes shqiptarësh dhe maqedonasish sllavë që do të parashihte vetëvendosjen etnike dhe administrative të shqiptarëve me një republikë më vete ose në kuadër të një sistemi federativ me dy republika, njëra shqiptare dhe tjetra maqedonase sllave, njësoj si në Belgjikë, në Zvicër ose në ish-Jugosllavi. Pra, ka modele dhe për këtë duhet të ketë edhe vullnet politik nga ana e shtetit maqedonas.

Procesi i vazhdueshëm i shtypjes dhe i diskriminimit të madh etnik dhe social mbi shqiptarët përkeqësoi tej mase jetën e tyre dhe bëri që ata ta humbin plotësisht besimin te Qeveria dhe te partitë e saj të gjuhës maqedonase dhe shqipe.

Populli shqiptar mbeti vazhdimisht pezull, as në tokë, as në qiell, i pambrojtur etnikisht nga padrejtësitë e shumta e të ndryshme dhe i shfrytëzuar ekonomikisht deri në palcë nga regjimi shovinist maqedonas.

Nga kjo situatë e rëndë e një jete të vështirë që përjetonte me dekada populli shqiptar, kohët e fundit lindën njësoj si UÇK-ja edhe shumë organizata të tjera joqeveritare, të sektorit civil, shoqata dhe lëvizje për barazinë e femrës shqiptare, Këshilli i pavarur për depolitizimin e UT-së dhe të institucioneve të tjera me të vetmin qëllim që t’i ndihmojnë popullit të vet për ta nxjerrë nga kriza nacionale e sociale ku e kishin plandosur qeveritë dhe partitë politike maqedonase.

Mirëpo, duke parë se organizatat e ndryshme civile nuk po arrijnë sukses të duhurqë me mjete demokratike e metoda paqësore, me protesta të qeta, me kërkesa e ankesa drejtuar edhe faktorit ndërkombëtar të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes së keqe të shqiptarëve, atëhere dolën në shesh edhe organizata të armatosura nën simbolin e UÇK-së që synojnë në mënyrë radikale ta ndryshojnë situatën e rëndë e të pashpresë të popullit të vet në Maqedoni për ta nxjerrë nga errësira shekullore në dritën e diturisë e të lirisë.

Kukullat politike shqiptare të shtetit dhe të pushtetit maqedonas i shohin si rivale të tyre edhe organizatat civile dhe ato ushtarake të UÇK-së se mund të reformohen në parti politike dhe t’ua marrin popullin dhe se kështu u del nga dora edhe pushteti, meqë janë në Qeveri dhe në pushtet falë votës dhe besimit të popullit, kurse shteti maqedonas ekziston falë shqiptarëve, pa të cilët kurrë nuk mund të ekzistojë kjo Maqedoni, e jo më të funksionojë si shtet. Pikërisht, kjo është arsyeja kryesore pse njerëzit e interesave politike, karrieriste e materialiste të shtetit maqedonas duan me çdo kusht e çmim ta qetësojnë situatën, t’i zbutin shqiptarët si gjithmonë me premtime të kota, me mashtrime e rrena, dhe nevojat e tyre të vërteta nacionale t’i mbulojnë me kërkesa të rrejshme për të drejta universale, të cilat kurrë nuk mund ta zgjidhin problemin e tyre kombëtar në Maqedoni.

Partitë politike të ashtuquajtura shqiptare në pozitë dhe opozitë, brenda dhe jashtë pushtetit, Parlamentit dhe Qeverisë maqedonase, asnjëherë nuk mund ta zgjidhin problemin e shqiptarëve në Maqedoni për një jetë të lirë e të pavarur nacionale, sepse ky nuk është qëllimi dhe funksionimi i tyre. Ato veprojnë dhe janë themeluar që të veprojnë në kuadër të ligjeve dhe programeve diskriminuese ndaj shqiptarëve. Këto ligje janë të instaluara prej kohësh në të gjitha institucionet e sistemit shtetëror maqedonas që ta bëjnë të pamundshme funksionimin e një jete normale të shqiptarëve në Maqedoni, prosperitetin dhe zhvillimin e tyre kombëtar.

Këto parti të ashtuquajtura shqiptare vetëm e komplikojnë, e pengojnë dhe e bllokojnë procesin e kauzës sonë kombëtare në rrugën tonë të drejtë për liri dhe pavarësi në Maqedoni.

E vërteta sado e hidhur të jetë për dikë, megjithatë ajo duhet të thuhet.

Shqiptarët në Maqedoni kërkojnë liri dhe pavarësi. Ata nuk duan që edhe më tej të bëjnë jetë skllavërore e të poshtëruar. Prandaj, kërkojnë arsyeshmëri dhe mirëkuptim nga faktori ndërkombëtar dhe ai maqedonas, kurse nga faktori politik shqiptar në Maqedoni, në Shqipëri dhe në Kosovë presin përkrahje, të paktën morale.

Liria e shqiptarëve në Maqedoni me një republikë më vete apo me federalizim është fare natyrore, kur kemi parasysh se shqiptarët janë populli më i madh këtu dhe s’kanë asgjë të përbashkët me maqedonasit, si dhe është plotësisht e arsyeshme, kur dihet se si qeveritë maqedonase për 70 vjet me radhë i përjashtuan shqiptarët nga të gjitha të drejtat e tyre nacionale dhe ushtruan mbi ta në kontinuitet terror e gjenocid shtetëror të paparë. Maqedonia duhet të jetë një vend demokratik, ku do të jetojnë të lirë jo vetëm maqedonasit, por edhe shqiptarët dhe të gjithë popujt e tjerë.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00