Pasuria nga varfëria
Korrupsioni ka pasoja negative për ekonominë, ngase është shkak dhe pasojë e moszhvillimit ekonomik.
Sokol Bylykbashi
Shoqëria e Kosovës vuan prej shumë dukurive negative. Ndër to janë korrupsioni dhe krimi i organizuar. Këto dukuri janë bërë sëmundje të rënda, të cilat po shkaktojnë shumë të këqija sociale, ekonomike e politike. Për më tepër, këto dukuri po i dëmtojnë fijet morale të shoqërisë sonë. Korrupsioni dhe krimi i organizuar si dukuri negative lulëzojnë aty ku institucionet janë të dobëta ose pothuaj joekzistente. Dhe kjo është e lidhur ngushtë me keqqeverisjen. Pra, këto dukuri negative lulëzojnë aty ku kontrollet e duhura ligjore mungojnë, ku nuk ka gjyqësi të pavarur ose mbikëqyrje, si dhe ku mediat e pavarura profesionale dhe agjencitë e shoqërisë civile janë të brishta.
Korrupsioni dhe krimi i organizuar shfaqen në shumë forma si: ryshfet, grabitje, reketim, mashtrim, trafikim, shpërdorim por edhe nepotizëm dhe favorizim.
Korrupsioni ndahet në dy grupe: korrupsion i vogël dhe i madh. Grupi i parë zakonisht përfshin shuma të vogla të paguara për zyrtarët e nivelit të ulët, ndërsa grupi i dytë përfshin pagesat e mëdha, të paguara për zyrtarët e lartë publikë ose politikëbërësve (duke përfshirë ministrat, kryetarët e agjencive të Qeverisë apo, madje, edhe presidentët e shteteve).
Korrupsioni ka pasoja negative për ekonominë, ngase është shkak dhe pasojë e moszhvillimit ekonomik. Një vend i korruptuar i dekurajon investitorët e huaj potencialë dhe donatorët e ndryshëm publikë. Njohësi i ekonomisë nga instituti francez për Studime Politike, Serge Michailof thotë se “suksesi i tërheq paratë, kurse dështimi dhe kaosi i përzë ato”.
Politikëbërësit e Kosovës populli i quante “peshq të mëdhenj” sepse zhvatnin qindra mijëra euro. Por sot ata mund t’i quajmë “peshkaqenë”, sepse po keqpërdorin miliona. Këta politikanë janë pasuruar nga varfëria e popullit, duke e varfëruar edhe më shumë Kosovën. Në Kosovë ekzistojnë dy shtresa shoqërore, shtresa e pasur dhe shtresa e varfër. Grupit të parë i përkasin politikanët dhe bizneset që i kanë mirë punët me ta, ndërsa grupit të dytë i përket populli. Një shoqëri që nuk ka shtresë të mesme është sikur një njeri pa bosht kurrizor.
Politikanët e Kosovës, përveç që janë të shkëputur nga populli politikisht, ata madje janë të shkëputur edhe në aspektin social e ekonomik. Pra, dallimi ndërmjet popullit dhe politikanëve është skajshmërisht i thellë. Politikanët bëjnë jetë luksoze, populli bën jetë të mjerueshme. Pelikanët kanë vila dhe vetura të shtrenjta, populli me vështirësi e siguron bukën e gojës.
Institucionet më të korruptuara në Kosovë, sipas sondazheve ndërkombëtare e vendëse, janë KEK-u, Agjencia Kosovare e Privatizimit, gjykatat, doganat dhe administrata qendrore. Sigurisht që Qeveria është koka e korrupsionit. Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin vjetor për gjendjen e të drejtave të njeriut thekson se korrupsioni dhe ndërhyrja e Qeverisë në forcat e rendit e sigurisë dhe në gjyqësor, mbeten ndër problemet kryesore në Kosovë. Të njëjtën gjë e thotë edhe organizata Freedom House në raportin e saj që u bë publik në javën e kaluar.
Institucionet e korruptuara i udhëheqin njerëzit që marrin direktiva nga partitë politike. Këta njerëz punojnë për interesa partiake e jo për interesa qytetare, publike e shtetërore. Janë pikërisht këta njerëz të këtyre institucioneve që financojnë partitë politike në fushatat zgjedhore që janë shumë të kushtueshme.
Partitë opozitare po e kritikojnë ashpër Qeverinë për korrupsion e krim të organizuar, ata që po quhen liderë të opozitës, nuk ishin hiq më ndryshe se kjo Qeveri. Mbase dallimi mund të jetë vetëm në numra, ngase në kohën kur kanë qeverisur buxheti i Kosovës ka qenë më i vogël. Kësisoj ata nuk kanë mundur të vjedhin aq sa po vjedhin qeveritarët tani. Po të ishin në pushtet këta që tani po e kritikojnë qeverinë e tanishme, do të vidhnin popullin po aq sa këta që po qeverisin. Përvoja e hidhur na këshillon për këtë qëndrim.
Kryeministri e shpalli veten prijës të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por qeveria e tij ka ministra e zyrtarë që njëmend janë prijës të këtyre dukurive negative, dhe këta janë shokët e bashkëpunëtorët më të mirë të kryeministrit dhe nuk bëjnë gjë pa dijeninë dhe miratimin e tij. Të korruptuarit nuk e luftojnë korrupsionin, sepse kjo do të ishte luftë kundër vetvetes.
Sistemin që e krijoi UNMIK-u në Kosovë, përveç që ishte jodemokratik, ishte i korruptuar dhe i inkriminuar. Ky mision i OKB-së mbolli farën e korrupsionit, dhe lejoi që krimi i organizuar të lulëzojë.
EULEX-i, si UNMIK-u, bashkë më politikanët e Kosovës po e pamundësojnë zhvillimin ekonomik, dhe në çdo aspekt e degradojnë jetën e popullit të Kosovës. EULEX-i që nga instalimi në Kosovë nuk ka bërë asnjë hap serioz për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Këtij misioni iu deshën më shumë së dy vite që të arrestojë disa zyrtarë të nivelit të ulët. Deri më tani asnjë zyrtar i nivelit të lartë nuk është arrestuar dhe as që pritet që EULEX-i do të prangosë ndonjërin prej tyre. Para pak kohësh, Pieter Feithi tha se do të kishte arrestime të “peshqve të mëdhenj” gjatë javës. Më pas thanë në muajin e ardhshëm. Kurse tash së fundi, Van Vreejsëijk tha se të korrat do të vijnë në vitin 2011.
Sa i përket zyrtarëve të lartë të cilët janë të përfshirë në korrupsion dhe krim të organizuar vlen slogani famëkeq “hetimet vazhdojnë”. Po pra, hetimet po vazhdojnë pikërisht për të mos përfunduar. Dhe nuk do të përfundojnë deri sa faktori ndërkombëtar të mos bindet me hir a pahir se koncesionet politike për Kosovën më Serbinë kanë marrë fund. Kjo është arsyeja pse për zyrtarët e lartë nuk ka pranga: për ta do të ketë pranga kur Kosovës t’i hiqen prangat.
Politikanët zgjidhen nga populli për popullin, duke qenë të njëjtë më popullin. Në të kundërtën, nuk mund të flasim për demokraci e barazi.
Comments (0 posted)
Post your comment