Home | Society | A po e rikthen Rama, Nanon?

A po e rikthen Rama, Nanon?

image
Arsyetimi dhe gjykimi për gjendjen aktuale të PS-së të çon te kjo e fundit. Bile socialistët e ndershëm (duke përfshirë dhe ata të Mendimit Ndryshe) duhet të vënë alarmin: "Të shpëtojmë Partinë Socialiste!"

 

 

 


Hamit Taka

 

 

Dita-ditës po shtohen zërat për rikthimin e Fatos Nanos në jetën politike dhe drejtimin e PS-së. Nuk është një apo disa, por shumë socialistë, të thjeshtë dhe elitarë, në biseda mes tyre dhe në media. Interesant është fakti se midis tyre takon nga ata që i kanë qëndruar besnikë dhe kanë sakrifikuar për të, nga ata të tërhequrit, të cilët pranojnë pa dilema si udhëheqës të zgjedhurin e radhës dhe nga ata që e kanë siktirisur dhe kanë brohoritur për Ramën. Pyetja shtrohet: është nostalgji për liderin historik, rivlerësim racional pas mitizimit dhe mohimit total apo emergjencë për shpëtimin e PS?

Arsyetimi dhe gjykimi për gjendjen aktuale të PS-së të çon te kjo e fundit. Bile socialistët e ndershëm (duke përfshirë dhe ata të Mendimit Ndryshe) duhet të vënë alarmin: "Të shpëtojmë Partinë Socialiste!" PS është në krizë të brendshme, që në fakt është konvertim i krizës së lidershipit te partia. Dilema midis pjesëmarrjes në Parlament dhe bojkotit, midis opozitarizmit racional dhe absurdit bolshevik, midis protestave revolucionare dhe politikës realiste programore, që i përgjigjet sistemit të pranuar, anon nga logjika e realizimit të standardeve për integrimin e vendit në strukturat europiane. Kjo dëshmon se për një pjesë të mirë të anëtarësisë socialiste zoti Rama e mbylli ciklin e tij, si kapiten i një skuadre futbolli që nuk mundi të fitonte titullin e kampionit. Politika e tij abstraksionisto-futuriste e shkëputi nga realiteti dhe i imponoi kthimin në filozofinë e vjetër të konfliktualitetit dhe dhunës revolucionare. Për gati një vit PS dhe lidershipi aktual i saj realisht përdori një pjesë të madhe të potencialit ideor dhe strategjik të Guevarës me shokë për të përmbysur rendin kushtetues, për të krijuar një katrahurë dhe rebelim të ngjashëm me '97, me synimin e vetëm, marrjen e pushtetit. Vetë PS, e izoluar dhe e braktisur nga populli, u mbërthye në një luftë të vërtetë revolucionare dhe imagjinare. Anatemoi gjithë komisionerët e saj, tentoi të përdorë presionin e rrugës, aplikoi politikën e bojkotit, ngriti çadra në mes të Tiranës, ku u syrgjinosën deputetë dhe aktivistë të PS, u organizuan skuadronet e mosbindjes dhe bllokimi i jetës së qytetarëve… Përfundimi ishte logjik dhe i thjeshtë: dështimi i plotë i kësaj filozofie, si e papajtueshme me vullnetin e popullit dhe standardet e vendit tonë. Prej kësaj erdhi zhgënjimi i patolerueshëm i socialistëve të thjeshtë dhe të arsyeshëm nga gjithë ato gënjeshtra idealiste të promovuara në politikën "e re" të Ramës dhe squllja e ndërgjegjes së partisë.

Inati, thonë të urtët, dërrmon shpirtin dhe i nxjerr në dritë edhe fundin. Pas inatit të zotit Rama me kundërshtarët e vet brenda dhe jashtë partisë, socialistët e ndershëm panë egon e verbër të tij, lakminë, babëzinë e makutërinë për pushtet dhe delirin e madhështisë së rreme të një mbinjeriu pseudoniçejan të kohëve moderne. Në valën e zemëratës kolektive pas humbjeve në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 ata u përfshinë në vorbullën emocionale të kundërshtimit të verdiktit popullor, pranuan mashtrimet e Ramës për alibitë e humbjes së zgjedhjeve, për nevojën "e patjetërsueshme" të rizgjedhjes së tij në krye të PS dhe aksionin revolucionar politik. Por, pas çmendurisë njëvjeçare të trinitetit Rama-Ruçi-Ngjela, ata kuptuan dhe ndien rrezikun e asgjësimit politik të PS.

Aksioni politik njevjeçar i Ramës, veç dëmeve të pallogaritshme që i solli vetë PS, demokracisë ende të papërkryer dhe opozitarizmit parlamentar, pati një të mirë vetëm për Ramën. Ajo histori marroshe ishte një bankoprovë për rishtarët në radhët e PS-së, për të zbuluar përkrahësit e vendosur dhe kundërshtarët, për të njohur në thelb se çfarë bënin dhe çfarë mendonin partizanët dhe kundërshtarët kundër tij. Këtë e konfirmuan zgjedhjet e radhës në parti, të cilat u karakterizuan nga emërimet në krye të organizatave të rretheve, nga qejfmbetjet dhe krisjet midis bazës dhe instancave të larta. Nuk mjaftonin gjithë këto, por kryesocialisti paralajmëron përsëritjen e ritualit në shtatorin e ardhshëm, d.m.th. bën me dije për një valë marrëzish dhe absurditetesh të reja, gjë që duket se kryesocialisti po e kthen partinë jo më në një shoqatë për mbrojtjen e kapitaleve të karteleve ndërtuese, por në një formacion paramilitar. Këtë e dëshmon edhe vendosja e një polici në krye të socialistëve të Tiranës.…

Pikërisht qorrsokaku ku e ka futur partinë lidershipi rreth Ramës, e bën masën e madhe të socialistëve të humbasë toruan, të mos shikojë dritë në fund të tunelit dhe të rikthehet prapa, në gjurmë të vjetra dhe te lidershipi i vjetër. Kjo i ngjet historisë së skllevërve, që, kur kalonin te një padron i ri, dëshironin të ktheheshin tek padroni i vjetër, të cilit ia njihnin huqet. Në fund të fundit kjo tregon se Rama ua ka vrarë shpresën socialistëve të thjeshtë dhe tashmë ata e kërkojnë tek lideri historik i tyre, Fatos Nano, që do të thotë se Ramën e pret braktisja edhe e elektoratit tradicionalisht të majtë. Rikthimi i Nanos në gjirin e PS sigurisht që do të sillte parcelimin e përkohshëm të PS, por kërkesa për të është më tepër thirrje për ndryshim se sa parapëlqim për liderin. Një politikan i njohur thotë se, kush dëshiron të përforcojë nga brenda një parti duhet t'i afrojë rastin që kjo të trajtohet një herë me një padrejtësi të dukshme, sepse kështu ajo do të sigurojë një kapital ndërgjegjeje të mirë që deri atëherë ndoshta i mungonte…

Paralele midis Ramës dhe Nanos

Në shumë gjëra ata ngjajnë si vëllezërit siamezë. Pjesërisht ua ka imponuar subjekti politik, të cilit i kanë dalë për zot, ndonëse në periudha të ndryshme, ose më mirë mund të thuash se Rama imitoi pikë për pikë Nanon në linjat kryesore të filozofisë dhe strategjisë së PS. Ndonëse deklaroi se Ruçi i kishte mësuar filozofinë e të qenit anëtar i Partisë Socialiste, prej tij ka marrë vetëm patetizmin "patriotik" dhe veprimin e ashpër enverist. Litari nyje-nyje i frazave pa bukë, i frazave që nuk thonë asgjë, shpreh më së miri lidhjen e vazhdimësinë e detyrueshme, për të siguruar mbijetesën e partisë mëmë me anë të trukimeve e ngjyrimeve larashe nën pelerinën rozë të PS si dhe për një imazh ndryshe para ndërkombëtarëve. Së pari, që të dy përdorën të njëjtat slogane, gjoja nën një optikë të re politike, për t'u lidhur me elektoratin. Rama pështjelloi dynjanë me sloganin: "Përtej të majtës dhe të djathtës", ku nuk shpjegoi asnjëherë se ç'donte të thoshte me të, por ajo ishte identike me "gjithëpërfshirjen" e Nanos. I njëjti slogan me fjalë të ndryshme, që në aparencë motivonte bashkimin mbi partitë, por në thelb, donte të thoshte, të gjithë kundër Berishës. Në këtë plan Rama është pasqyrim pasqyror (term nga fizika) i Nanos. Zoti Rama futi në tregun politik "politikën e re". Edhe për këtë ende s'kemi marrë vesh se çfarë nënkuptonte ai vetë dhe as produktet e saj nuk i kemi parë. Por, substancialisht ajo zëvendësoi "meritokracinë" e Nanos, e cila degjeneroi me të drejtë në "shkërdhatokraci", pasi socialistët shpresonin të drejtën eksluzive për "merita" pas marrjes së pushtetit me anë të kallashëve. Edhe në këtë rast kemi pasqyrimin pasqyror të Ramës te Nano. Të dy këta liderë, në vazhdimësi, operimin me slogane demagogjike e kanë linjën e retorikës politike të tyre, ashtu si kumarxhinjtë e regjur luajnë me bllofin…

Përsa u përket ndryshimeve, ato nuk janë shumë substanciale dhe nuk përbëjnë risi të Ramës, por flasin për avance të Nanos. Të paktën formalisht, kur në krye të PS ishte Nano dhe kur Kryeministër ishte Nano, në çdo bisedë, në çdo diskutim, në çdo marrëveshje, në çdo investim njerëzor dhe politik, flitej në emër të Partisë Socialiste dhe idealeve që ajo përcillte, kurse për kryesocialistin aktual çdo gjë kryhet në emrin personal të Ramës. Ndryshimi i dytë i dukshëm është përdorimi i mediave. Nuk mund të themi se Nano ishte për lirinë e plotë të mediave, por nuk përpiqej shumë për të qenë mbizotërues i tyre, ndërsa Rama i ka bërë mediat ta njohin mirë censurën dhe gazetarët autocensurën. Janë të njohura urdhërat banale me celularë në studiot e televizioneve, për të mos thirrur apo për të larguar këtë apo atë të ftuar nga emisionet me karakter politik e polemizues. Përsa i përket përgatitjes së liderëve të rinj nga gjiri i PS-së, në kohën e Nanos, kishin dalë një grup elitar nga socialistët e rinj në moshë. Ndërsa Rama pranon shumë të rinj në moshë, por nuk nxjerr liderë të rinj. I vetmi lider "i ri" nën drejtimin e Ramës është vetë Rama. Kurse të rinjtë e pranuar i përdor me qëllime tejet personale, pasi janë më të dëgjueshëm dhe janë më të etur për përfitime vetiake të pamerituara dhe jo ligjore.

Nano regjisor, Rama aktor

Krahasimi midis drejtimit të Nanos dhe Ramës në Partinë Socialiste ka edhe shumë anë të tjera të çelura e të errëta, ku mund të gjesh edhe ngjashmëri e ndryshime të tjera (për shembull në marrëdhëniet familjare, ku Nano i përballet realitetit, Rama i ikën), por në substancë thelbi mbetet i njëjtë: Fatos Nano, me natyrën e tij disi moskokëçarëse e tkurrte dhe e bymente Partinë Socialiste si në ciklet kozmike. Shkurt, Nano ishte regjisor në parti. I mirë apo i keq, kjo nuk është objekt i këtij shkrimi, le ta gjykojnë socialistët dhe historia. Edi Rama me natyrën e tij mbytëse dhe mbizotëruese me çdo kusht veç po e shkatërron malinjisht Partinë Socialiste. Përsa i përket shtrirjes dhe demokracisë së brendëshme në parti, politika e Ramës ka një dimension: vetëm ata që janë me mua dhe vetëm ajo që them unë. Kohët e fundit Rama u përpoq t'i japë vetes dhe partisë pamjen e martirit, për të tërhequr drejt vetes zemrën e zemërmirëve, për të paraqitur vetë pamjen e shpirtmirësisë, duke përfituar kështu kapital politik për zgjedhjet e radhës. Pranimet mekanike të disa vajzave dhe djemve, punonjës në Bashkinë e Tiranës, duke mënjanuar mjaft socialistë me përvojë dhe premtues për lidershipin socialist, tregoi frymën sunduese të klientelizmit, diletantizmit dhe autoritarizmit ekstrem të njëshit në lidershipin socialist. Pra, Rama është aktori kryesor në Partinë Socialiste, por jo regjisor, as i mirë e as i keq.

Fatmirësisht vetë socialistët ose pjesa më e ndjeshme e kuptoi të vërtetën dhe e ndjen se kryefjala e sotme e gjithë socialistëve të ndershëm duhet të jetë e përsëritur: "Të shpëtojmë Partinë Socialiste!", rrjedhimisht dhe opozitën. Me Nanon apo pa Nanon, kjo varet nga vetë ata, është një çështje e brendshme e tyre. Pra me çdo kusht, me Nanon apo pa Nanon, duhet të shmanget rrënimi i partisë. Zërat që përmenda në fillim bëjnë një apel, të cilit i duhet përgjigjur. Alarmit të tyre PS duhet t'i thotë "PO" për rrezikun real që i paraqitet. Fundja më mirë një alarm i kotë dhe i parakohshëm se sa një alarm i vonuar. Profilaksia në vend të shërimit, do të thonin mjekët. Përvoja 20-vjeçare e socialistëve aktivë mund ta përcaktojë qartë diagnozën dhe terapinë. Por një gjë është e sigurt, shpëtimi i vërtetë i PS mund e duhet të vijë nga vetë PS. Sëmundja e vjetër: "t'i japim dhe një shans" nuk ka më shans për shpëtimin e PS. Këta zëra që sot kërkojnë Nanon kanë perceptimin e nevojës për ndryshime rrënjësore. Mbase një masë e mirë e socialistëve, pas dy dekadash, arriti në atë stad kuptimi të së vërtetës, që duhet ta kishte aplikuar që në qershorin e vitit 1991, me themelimin e saj, se besimi tek e vërteta fillon me dyshimin mbi të gjitha të vërtetat e besuara deri tani.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00