Home | Society | Për të mirën tonë - të ndryshojmë veten

Për të mirën tonë - të ndryshojmë veten

image
Papërgjegjësia, abuzimi, kapadaillëku, shkelja e çdolloj norme dhe kodeksi moral, profesional, njerëzor e shoqëror, mbretëron kudo në mjediset tona.

 

 


Mahi Nesimi

 

Zhvillimi i shpejtuar i shoqërisë si produkt i shpërthimit të energjisë së akumuluar, gjatë viteve të kaluara, në masë të konsiderueshme ndikoi që fantazitë dhe përpëlitjet shpirtërore po edhe fizike të individëve, të krijojnë raporte të një ambienti paksa të padefinuar jetësor ku dominon parregullsia dhe kaosi. Prandaj, sot është vështirë të bëhet dallimi ndërmjet; vlerës dhe antivlerës, ndërmjet profesionalizmit dhe improvizimit, ndërmjet origjinales dhe falcos, ndërmjet të ndersh(mit)mes dhe pandersh(mit)mes, ndërmjet reales dhe utopikes, ndërmjet sulmit dhe mbrojtjes, ndërmjet të drejtës dhe padrejtës, ndërmjet avangardës dhe dekadentes, ndërmjet demokracisë dhe diktaturës.

Është kështu sepse, në këtë hapësirën tonë, të vogël, këtu në Maqedoni, posaçërisht në mjediset tona shqiptare, shumëçka po zhvillohet sipas andrallave individuale, fantazive dhe masturbimeve; shkencore, politike, ekonomike, kulturore, sportive, mediatike, turistike, gastronomike etj. etj., të qenieve njerëzore. Një numër i madh i tyre, ashtu si i ka falë zoti, e mbushin hapësirën natyrore dhe kështu pa mëdyshje se e ruajnë baraspeshën e pasqyrës së përgjithshme të natyrës dhe shoqërisë. Por, për të kënaqur fantazitë dhe masturbimet e veta, jorrallë individë të pacipë, pavetëdijshëm e çrregullojnë funksionimin e shoqërisë duke ndikuar në prishjen e balansit të vlerave të përgjithshme shoqërore. Ky trend i jetesës aktuale, fuqimisht ka ndikuar në prishjen e koncepteve për vlerësimin po edhe dallimin e; kualitetit dhe jokualitetit; vlerës dhe antivlerës; të mirës dhe të keqes.

Për këto arsye, sot vështirë mund të dallosh shkrimtarin e mirë dhe më pak të mirë, sepse i miri nuk ka kushte elementare për të krijuar, nuk ka mjete të botojë, nuk ka tajfë të vete që ta promovojë. E kundërta e kësaj është promovimi i poetëve, shkrimtarëve, shkencëtarëve, ekspertëve ekonomik, politik, diplomatik etj. etj. që rendisin fjalë të veta, të pakuptueshme dhe me Copy paste, nga Interneti, në sytë dhe me ndihmën e mediokërve që po pushtojnë tavolinat e byrokracisë shtetërore, administrative dhe arsimore ngrihen dhe promovohen në vlera të lëmive përkatëse.

Arrivizmi i këtyre individëve, fatkeqësisht është ndihmuar dhe ndihmohet nga njerëz të ndryshëm me ndikim politik, financiar, shoqëror dhe shkencor, të cilët rëndë e keqpërdorin pozitën e vet, madje duke shkelur jo vetëm kodeksin e profesionit por edhe ligjet përkatëse. Një kategori tjetër e qytetarëve tanë, që vetëm se e kanë kaluar shkallën e analfabetizmit, bëhen lobist dhe mbështetës (nëse e do nevoja edhe fizik) të arrivistëve në realizimin e ëndrrave. Kështu në mjediset tona hasen edhe “fenomene shkencore” sepse fakulteti mund të kryhet shumë para afatit, se mund të doktorohet pa fakultet të kryer, pa magjistraturë. Pa kurrfarë punimi paraprak shkencor. Sepse tregtari, këngëtari, muratori, shoferi, kamarieri, mund të bëhet doktor shkence. Sa për të tjerët, ata me influencë e fuqi pushtetore të mos flasim, ato janë kategori e veçantë. Ndodh këtu edhe shumëçka e ngjashme e kësaj natyre. Në shoqërinë tonë, në mjediset tona shqiptare, prodhimet e ndryshme, ruajtja e të cilave kërkon higjienë të përkryer shiten në hapësira natyrore afër çdo ndyrësire.

Higjiena e përgjithshme ndodhet në nivelin më të ulët, njësoj si edhe kultura e shërbimit. Mashtrimet me çmime paraqesin fenomen në vete. Në mjediset tona, hapësirat shoqërore zaptohen me çfarëdolloj produkti dhe për çfarëdo nevoje. Në mjediset tona shenjat e komunikacionit nuk kanë kurrfarë rëndësie, sepse kalimi është përnjëherë i çelur edhe për këmbësorët edhe për makinat. Parkimi i makinave bëhet në çdo hapësirë të lirë, kryesisht nëpër trotuare duke u krijuar telashe jo të vogla qytetarëve që detyrohen të gjejnë kalime alternative-anësore me çka bëhen prishës të rendit. Fodullët e ndryshëm ta zënë derën e shtëpisë e të “burgosin” tërë ditën. Reagimi, me vend, i cilitdo pjesëmarrës në komunikacion mund të sjell deri në telashe të paparashikueshme sepse atëherë fodullëve mund tu shpërthejë mbarë potenciali fizik dhe oral.

Të gjitha këto, fatkeqësisht, ndodhin në sytë e policëve që nuk çajnë kokën për të kryer detyrën e vet. - Çka të bësh, kështu është te ne. Kështu është mentaliteti këtu, - është përgjigja e zakonshme e zyrtarëve të policisë të cilët paguhen për të ruajtur rendin. Prandaj, këtu te ne, çdokush vepron sipas asaj që i konvenon më së shumti, pa mbajtur llogari se me veprimin e vet i pengon, ose dëmton të tjerët. Te ne çdokush është i kënaqur sepse e realizon atë që e ka paramenduar. Te ne çdokush është i pakënaqur sepse të tjerët ia prishin rendin, synimin e tij.

Papërgjegjësia, abuzimi, kapadaillëku, shkelja e çdolloj norme dhe kodeksi moral, profesional, njerëzor e shoqëror, mbretëron kudo në mjediset tona. Në të gjitha institucionet. Prandaj, ne gjendemi në një kaos që funksionon në mënyrë të përkryer. Kjo mënyrë e funksionimit të shoqërisë sonë është dekadente, e palejueshme dhe shumë e dëmshme për vet ne. Për ardhmërinë tonë. Për qytetërimin tonë. Duhet njëherë e përgjithmonë të kuptojmë se qytetërimi nuk arrihet me regjistrimin në shkollë të mesme, në fakultet, me magjistrim e doktorim. Me vënien e kravatës, me “shkurtimin e flokëve” me “heqjen e dymijëve” me ngrënien në restorant etj. etj.

Ne nuk sillemi e nuk jetojmë sipas rregullave të botës së civilizuar. Ne e duam perëndimin por sipas tekeve tona, sipas rregullave të lindjes. Të kaosit, të anarkisë. Për këtë nuk mund të fajësojmë askënd jashtë vetes, jashtë sjelljes sonë. Prandaj ne duhet të njohim dhe ndryshojmë veten. Sjelljet tona. Për të mirën tonë, jo për të tjerët.
Por, dihet se rendin e vendosin organet përkatëse. Ato duhet të
ndërgjegjësohen, aftësohen dhe organizohen për përmirësimin e cilësisë së jetës shoqërore. Për këtë qëllim shoqëritë njerëzore zgjedhin udhëheqje që do të jenë në shërbim të qytetarëve.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00