Sa është e sigurt posta elektronike?
BA për Liritë Qytetare kërkon që interneti të mos shkelë privacinë e individëve. Kjo organizatë bën pjesë në Koalicion e të Drejtave Digjitale të Qytetarit dhe po përpiqet t’i përmirësojë ligjet e privacisë në internet.
Deborah Bllok
Shumë njerëz mendojnë se përmbajtja e postës elektronike, dokumentet, fotografitë dhe të dhënat tjera në internet janë private. Por, kjo mund të mos jetë e vërtetë nëse informatat ruhen në serverat e kompanive të internetit. Disa organizata të përkushtuara ndaj privacisë dhe teknologjisë po përpiqen për mbrojtjen e shënimeve personale në Shtetet e Bashkuara.
Njerëzve u pëlqen të përdorin internetin për shkak të përparësive që ofron komunikimi përmes postës elektronike dhe qasja ndaj të dhënave në rrjetet elektronike shoqërore. Një anketë e kohëve të fundit tregon se afro 70 përqind e amerikanëve përdorin së paku një nga shërbimet kompjuterike në internet.
Ligji për Privacinë e Komunikimit Elektronik i vitit 1986 mbron komunikimin elektronik. Megjithatë, ligji ka mbi 20 vjet që është miratuar dhe nuk mbulon përdorimin e shërbimeve kompjuterike në internet sepse këto nuk ekzistonin në atë kohë.
Bashkimi Amerikan për Liritë Qytetare kërkon që interneti të mos shkelë privacinë e individëve. Kjo organizatë bën pjesë në Koalicion e të Drejtave Digjitale të Qytetarit dhe po përpiqet t’i përmirësojë ligjet e privacisë në internet. Xhej Stenlli është ekspert i çështjeve të privacisë i Bashkimit Amerikan për Liritë Qytetare:
“Duhet që ligji i tanishëm që ka miratuar Kongresi, Ligji për Privacinë e Komunikimit Elektronik, të bëhet më i ashpër dhe në përshtatje me kohën.”
Zoti Stenlli thotë se mangësitë e ligjit kanë bërë të mundshme që autoritetet shtetërore të kërkojnë nga kompanitë e internetit shënimet e përdoruesve, të cilat ruhen në serverat e tyre.
Rajën Radia punon për Institutin për Sipërmarrje Konkurruese në Uashington. Ai thotë se kompanitë e internetit i japin të dhënat nga serverat e tyre pa dijeninë e konsumatorëve.
“Sa më shumë të dhëna që të ketë qeveria, aq më mirë do të mund të luftojë krimin. Por, kjo ka edhe të metat e veta. Ç’është më e rëndësishme, shpeshherë informacioni që i jepet qeverisë nuk ka të bëjë me krimin.”
Radia thotë se koalicioni nuk po përpiqet të pengojë autoritetet nga sigurimi i informacionin për kapjen e kriminelëve apo terroristëve, por për t’i dhënë qytetarit të thjeshtë të drejtën e privacisë.
Ryan Radia
“Kjo nuk ka për qëllim pengimin e forcave të rendit ose t’i mundësojë kriminelëve të shpëtojnë nga denimet për krimet e bëra. Kjo ka për qëllim sigurimin e kufizimeve të arsyeshme që nevojiten për mbrojtjen e lirive qytetare.”
Një anketë e qendrës Pju thotë se 65 përqind e amerikanëve druajnë se forcat e rendit mund të kenë qasje në arkivat e tyre. Drejtuesi i anketës Lli Rejni thotë se shumica e njerëzve nuk janë të vetëdijshëm sesa lehtë mund të hapen a vëzhgohen postat e tyre elektronike.
“Kur, në fakt, të dhënat vendosen në serverin e dikujt tjetër, ato vendosen në një hapësirë që mund të vëzhgohet. Kështu që, është e mundshme për forcat e rendit të kenë qasje në këto të dhëna dhe t’i analizojnë.”
Disa kompani interneti shqetësohen se diskutimet rreth privacisë mund të dëmtojnë zgjerimin e shërbimeve në internet.
Berin Soka nga Fondacioni Liri dhe Përparim në Uashington thotë se kompanitë mund të ballafaqohen me humbje.
“Na kap frika dhe s’mund t’i përdorim ato shërbime. Nuk i besojmë faktit se kur vendosim të dhënat tona në internet, ato do të jenë të mbrojtura me të vërtetë.”
Kritikët thonë se postat elektronike dhe informacionet tjera të dërguara përmes internetit nuk janë më private, vetëm për shkak se ndodhet në rrjet. Mirëpo, anëtarët e Koalicionit për të Drejtat Digjitale të Qytetarit thonë se dërgimi i një emaili nuk duhet të dallojë nga dërgimi i një letre me postë, që është e mbrojtur nga ligji dhe nuk mund hapet nga dikush tjetër.
Deri tani, nuk është hartuar projektligj për përmirësimin e Ligjit të Privacisë së Komunikimit Elektronik. Por, anëtarët e koalicionit po zhvillojnë bisedime me ligjvënës lidhur me mundësinë e ndryshimit të këtij ligji.
Comments (0 posted)
Post your comment