Nënë Tereza, kokulur dhe vepërngritur
Nëna Terezë kishte një shpirt të madh, por mbi të gjitha ishte e thjeshtë dhe modeste. Këtë e tregoi me vepër në Kalkutë të Indisë.
Avzi Mustafa
Sot në këtë përvjetor kaq të rëndësishëm për gjithë botën e humanizmit, bamirësisë dhe ndihmës, kur ne më shumë se kurdoherë kemi te drejtë të mburremi që jemi shqiptarë, nuk mund të mos kujtohemi në faktin madhështor se figura që sot po e përkujtojmë – Nëna Terezë – mbetet gjithnjë paradigma udhërrëfyese për gjithë njerëzimin, aq më tepër për shqiptarët, kudo ku flitet dhe shkruhet shqip, në hapësirat shqiptare, por edhe në ato të shpërndara anekënd botës. Shqiptarja nga Shkupi Gonxhe Bojaxhiu, përkatësisht Nëna Terezë, është një ndër hallkat më të rëndësishme të identitetit shqiptar, duke ndikuar në përmasa të mëdha funksionale edhe në mbarë kulturën shqiptare si tërësi.
Të përkujtosh humanisten e madhe Nëna Terezë në 100-vjetorin e lindjes dhe të përpiqesh ta rrokësh personalitetin e saj madhor me një fjalim modest, është thjesht ambicie e parealizueshme. Prandaj do të duhet t’i referohemi asaj që ajo e mbolli në jetët tona – dashurisë – që të mund të thithim diçka nga nektari i jetës që ajo ia fali kësaj bote. Sepse, në filozofinë e Nënës Terezë, dashuria është jetë, ndërsa bota nuk është asgjë tjetër, pos një rrënjë pa dashuri. Në këto botë të çoroditur e vrazhdë, ku e keqja është kudo, e paprekur mbetet vetëm dashuria për njeriu që gëlon në zemrat e njerëzve të mëdhenj. Se, njerëzit e mëdhenj janë para së gjithash të dashuruar me njerëzimin. Ata janë të përkushtuar në përpjekjet e tyre për ta mbajtur dinjitetin njerëzor, të cilin e konsiderojnë të shenjtë.
Nëna Terezë e kishte fituar të shenjtën shumë herët, që në familje e në kishë, duke vizituar freskat e kohës, altarët e simbolet e krishterimit, ndërsa më vonë edhe duke lexuar libra fetare e duke u ngjitur rrugës së përshpirtshme të shkrirjes me dashurinë e Krishtit.
Kështu nga qyteti i lindjes, Shkupi, Nëna Terezë që në fëmijëri u njoftua me strukturën klasore të qytetit, me të huajt që vërsuleshin si lukuni ujqish për të okupuar e gllabëruar sa më shumë nga trungu shqiptar dhe aty u mbrujt me atdhedashuri dhe dashurinë për vendlindjen. Nga ambienti familjar tradicional shqiptar ajo e mësoi besën dhe humanizmin. E besa, si një sintezë e virtyteve të çiltërsisë, drejtësisë, zemërbardhësisë. solidariteti e premtimit, te Nëna Terezë ishte kthyer në një detyrim moral. Nga kisha u frymëzua me dashurinë, vuajtjet dhe dhimbjen për të afërmit, si dhe me nënshtrimin e vullnetit të plotë ndaj Krijuesit. Nga librat që kishte lexuar, por edhe nga shpirti që ajo e kishte, kurrë nuk u hamend që krahas emrit të plotë Anjezë Gonxhe Bojaxhiu ta mbajë edhe emrin e dytë NËNA TEREZA, të huazuar nga shenjtorja e përvuajtur franceze, Teresa Lisieox (Teresa Lisio).
Lidhja e vërtetë shpirtërore e Nënës Tereze me Zotin ishte një virtyt vlerash, por mbi të gjitha tek ajo ishte forcuar shpresa, durimi e toleranca. Ajo e shihte veten vetëm si një instrument në dorë të Krijuesit. - “Unë jam një laps në dorën e Zotit.”, thoshte ajo.
Nëna Terezë me vizionin e saj, me pastërtinë shpirtërore, si dhe me bindje e besim të plotë te Krijuesi, nuk e kishte rëndë të përcaktohet për detyrën e të mjerit, ashtu siç e përshkruan Paul Chetcuti (Paul Shetkuti) në veprën e tij të quajtur “Dëshmi për Nënën Terezë dhe punën e saj”, ku flet gjerësisht për punën e saj bamirëse në Kalkutë të Indisë. Nga ky biograf i Nënës Terezë gjithçka kuptojmë nga pyetja e tij retorike: “Si është i mundur qëndrimi i gëzueshëm në rrethin e njerëzve “të thyer” dhe të plagëve evoluese, në mes të britmës, dhimbjes dhe vdekjes?! Për të qenë fitues në këtë, duhet të jesh ose i pandjeshëm ose i shenjtë”. Koha dëshmoi se Nëna Terezë ishte e dyta e kësaj përgjigje, do të kishim shtuar ne.
Nëna Terezë kishte një shpirt të madh, por mbi të gjitha ishte e thjeshtë dhe modeste. Këtë e tregoi me vepër në Kalkutë të Indisë. Qe ditën e parë kur këmba e saj shkeli në tokën e Indisë, kur karrocieri që e tërhiqte karrocën duhej ta dërgonte deri në destinacionin e duhur, ajo nuk u ngjit në karrocë, por eci bashkë me të. Zaten ashtu eci gjithë jetën – kokulur dhe vepërngritur. Gjatë rrugës ajo pa njerëz që ishin fundosur në greminën e skëterrës, fatkëqij, të sëmurë, pleq, të gjymtë e çka jo. Edhe pse ishte në moshë shumë të re, ajo gjithnjë në mendje e kishte formulën e arritjes së kënaqësisë së Zotit - “Vetëm dashuria mund ta shpëtojë botën”, thoshte ajo.
Duke i tejkaluar përmasat kombëtare dhe fetare, Nëna Terezë kërkonte një doktrinë të re, një filozofi të re, një civilizim të ri, kërkonte që në instancën e fundit të jetë Njeriu, të cilin biografi i Nënës Terezë, Dom Lush Gjergji, e quan QYTETËRIMI I DASHURISË. Nëna Terezë këtë dashuri e tregoi me butësinë e saj, me humanizëm e me përkëdhelje. Ajo gjunjëzohej në ballë të altarit të dashurisë së skamnorit, të sëmurëve, pleqve, të papërkujdesurve dhe të gjymtëve pa dallim race e feje. Ajo nuk bënte statistika, e as nuk mbante shënime se sa hallexhinj e fatkëqij ka nëpër rrugët e Kalkutës, por angazhohej me gjithë çka kishte në dorë për strehimin dhe përkujdesjen e tyre. Ajo përpiqej që edhe me buzëqeshje e me fjalë përkëdhelëse, që dilnin nga goja e saj, të dukej qartë zëri i dashurisë, i butë dhe i ëmbël, i cili u ngjallte shpresë të vuajturve, ngase fjalët e saj u tingëllonin atyre si një ninullë e një nëne të vërtetë. Siç e dimë, ajo lëshoi kushtrimin më të bukur të dashurisë të shprehur në kohën tonë “Bota nuk është e uritur vetëm për bukë, por edhe për dashuri”, kishet thënë në një rast. Tashmë nuk ka fije dyshimi se Nëna Terezë ishte e blinduar me dashuri e humanizëm. Prandaj kësaj nëne nuk i duhej arme tjetër. Sepse, fjala e saj dhe dashuria njerëzore që shkëlqente prej saj ishte më e fortë se cilado armë tjetër.
Nëna Terezë me vizionin e saj gjatë gjithë jetës kishte besim te Krijuesi se heronjtë e saj do të mbeten njerëzit e zemrës, të bashkuar mendërisht dhe shpirtërisht,
Njerëzit me besim dhe veprime, që jetojnë sipas besimit të tyre, shfaqin një personalitet shembullor për të tjerët. Ata janë të gatshëm që fjalën “unë” ta zëvendësojnë me fjalën “ne”. Prandaj lumturia e tyre për të tjerët është sakrificë.
Prandaj sot, kur vlerat njerëzore janë dëmtuar seriozisht, kur në sferat e ndryshme shoqërore hasen mendime të krisura, kur nga indiferenca po shpërthejnë trazirat, ne më shumë se kurrë kemi nevojë për njerëz të zemrës, ashtu si nëna jonë, Nëna Terezë.
Comments (0 posted)
Post your comment