* * *
Falë autoritetit të tij, që një jetë të tërë pat punuar me mençuri, nder e atdhetari, teksa e caktuan zyrtarët që të punonte hamall në stacionin e trenit, u drithëruan jo më ata që e pritën, por dhe shinat e çelikta të hekurudhës.
Nga Lirim Deda
Tani ai nuk ishte më oficer. Nuk ishte më i besuar. Po ç'djall kishte ai që, një e më dy, ia vërsulte letrat ankimore Komitetit Qendror të PPSH ? Përse ngulmonte ai se e keqja e vatanit patjetër kishte hedhur rrënjë pikërisht në selinë e KQ?. Kishte gjë vallë për Enverin, ndonjë vrojtim kritik për të, ndonjë pakënaqësi? Jo, kurrsesi, por ama Hekuran Bida e pat kuptuar që herët, që gjithë merimangat e zeza që ia pinin gjakun vatanit kush më shumë e kush më pakë, folezën e kishin atje, në KQ të PPSH. Nuk ish as i pari, as i fundit kryengritës, por patjetër që ky ishte i pamposhturi.
Gjithsesi, edhe pse kur dilte në xhiron e mbrëmjes, në bulevardin përgjatë shëtitores së Elbasanit, sado që shumë e vështronin, por ndër ato shikime fare pak vërente dashamirësi, ai kryet e mbante si malet e Këndrevicës dhe as e bënte qejfin qeder, tek ndeshej me partiakët kryesorë, apo me spiunët më të rafinuar. Ngjante se vështrimi i Hekuran Bidës u thoshte atyre: "Jam unë zot këtu, jo ju o sahanlëpirës!" Është e sigurt që në mendësinë e Hekuranit, për të mos thënë në tërë fijet nervore të trurit të tij mohues, edhe sigurimsat depërtonin, jo vetëm se për atë punë paguheshin, por edhe pse ligësia ishte lënda e tyre shpirtërore.
I papërkulur siç ishte, në prill të vitit 1963 dha edhe tre provimet e fundit në fakultetin e matematikë-fizikës në Universitetin e Tiranës, diplomë që i dha të drejtën e mësuesit në këtë lëndë. Po në ato mote ishte dhe një kërkesë, që kuadrovikët të vijonin studimet me korrespondencë, për t'u kualifikuar, ose më saktë për të siguruar vendet e punës, në udhëheqje të përparimit të vendit. Hekuran Bida, pa paragjykuar asnjërin prej studentëve, i mëshironte nga që në cilindo fakultet mund të vijonin studimet, por, oh, për matematikë fizikë, formimi i tyre i gjertanishëm, ishte bruto kashtë elbi. Dhe pikëllohej gjer në shpirt dhe nuk mund të miklonte e përkrahte udhëzimet se kuadrot kryesore të rrethit, të emëruar sipas farefisnisë partiake, na qenkëshin edhe shkencëtarët e ardhshëm. Mirëpo kërkesat e mësuesit pedagog, teksa nuk përafronin me synimet e Komitetit të Partisë, për të bërë me grada shkencore ca derdimenë, vetvetiu lindën konflikte dhe pedagogu i matematikë fizikës, kur "nuk kuptonte vijën e partisë për të bërë kalorës ata që s'ia kishin hipur as gomarit", vetvetiu duhej qëruar ky soj pedagogu. Pushohet nga puna dhe pas shumë rropatjeve e caktojnë të punojë si hamall në stacionin e trenit, bashkë me 5 të tjerë.
Falë autoritetit të tij, që një jetë të tërë pat punuar me mençuri, nder e atdhetari, teksa e caktuan zyrtarët që të punonte hamall në stacionin e trenit, u drithëruan jo më ata që e pritën, por dhe shinat e çelikta të hekurudhës. Pedagogu, i diplomuar me tre fakultete, oficeri madhor, ja, pra, se na qenka katandisur i barabartë me punëtorët e pashkolluar të krahut. Po cilët ishin në këtë rast të barabartët me të dhe ortakët bashkëvuajtës? Skuadra e këtij grupi përbëhej nga 6 vetë, të cilët duhej të shkarkonin dy vagonë me 30 ton me gurë, si dhe një vagon me çimento me peshë 20 ton. Një thes me gurë peshonte rreth 100 kg, ndërsa me çimento 50 kg. Çdo punëtori, hamall, i duhej të bënte 3.5 km në 1 orë, i ngarkuar pra secili do të transportonte 100 kv gurë dhe 170 thasë me çimento. Puna kryhej pa asnjë pushim dhe një distancë 25 km.
Një zot e di se si e përballoi këtë punë Hekuran Bida, bashkë me punëtorët e tjerë -hamallë, por nga që atij nuk iu nda gazi nga buza, ngaqë edhe midis hamallëve shpërthente shpirti i bardhë i njeriut qytetar, ata që prisnin që Hekurani të protestonte, deri sa të rrasej në burg, gjykuan dhe vendosën që të mos e lejonin të punonte në atë kolektiv hamallësh që kishin simpati për të, por ta transferonin ca më larg e ca më tutje - në Krastë të Elbasanit. U përlotën hamallët punëtorë që po ndahej nga gjiri i tyre, ish pedagogu dhe oficeri i lartë, 40 vjeçar, që ngrinte mbi supe nga dy thasë me gurë e me çimento për të tejkaluar planin, por ja pikërisht kjo nuk u pëlqente partiakëve drejtues, që merrnin udhëzime nga KQ i PPSH, ku Hekurani vijonte të niste letra në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve. Por dhe në Krastë, teksa u njoh me rregullat e rëndomta të punës, teksa dinte t'i kuptonte ligjet e shkruara dhe zbatimin e tyre gjysmak, i revoltuar Hekuran Bida me letrën dërguar Komitetit të Partisë të rrethit, gjykon se me këtë praktikë pune po skllavërohen punëtorët! Jo, more, po pse nuk e ditka partia që punëtorët janë të lumtur? Cili je ti që na tregon se ata po rropaten e nuk shpërblehen sipas djersës së derdhur kur të gjithë janë për socializmin? Mos na kërkon ti, filozofi dhe matematicieni që ne të hapim rrugë për ekonominë e tregut? Bo-booo, ky nuk është thjeshtë revizionist, por adhurues i sistemit kapitalist.
Arrestojeni tradhtarin!
Por pak më përpara se të jepej ky urdhër, bubulliti vet Komiteti i Partisë në rreth: mblodhi të përzgjedhuri, ku duhej demaskuar revizionisti dhe imperialisti. Ja ligjërimi i sekretarit të KP të rrethit, në rropatje për demaskimin e Hekuran Bidës:
- Shokë komunistë, shokë punëtorë... Atje në Krastë juve po ju shfrytëzon i porsaardhuri Hekuran Bida. Ju, shokë punëtorë, jeni të bindur se partia ju mban në pëllëmbë, se ju jeni lokomotiva e revolucionit, ndaj duhet që ju të jeni vigjilentë. Askush nuk beson se ju mund të ngrini krye kundër partisë. E, pra, ato që u ka mësuar Hekurani juve, gjoja duke zbërthyer Kodin e Punës, synojnë që t'u bëjnë kundërrevolucionarë...
- Sa vija në udhëheqje ka Partia e Punës? - ish zëri i Hekuran Bidës, kur të tjerët ishin stepur. Sekretari i KP të rrethit ishte mbledhur e bërë një grusht. Ligjet, që shprehen në Kodin e Punës janë sinteza e vijës së partisë. Ndërkaq sekretari u vuv. Nuk dinte ç'të thoshte. Lajmërohet urgjent zv. kryetari i Këshillit të Ministrave, Adil Çarçani, i cili i shoqëruar nga Jashar Menzelxhiu provokojnë një mbledhje në Krastë, me synim të hidhnin poshtë "parullat armiqësore" të punëtorit me tre universitete...
Edhe pse gjatë këtyre muajve Hekuran Bidën, me sebep e fare pa sebep e thërrisnin në degën e PB, a thua ai kalonte nga njëra kafene në tjetrën, për asnjë sekondë nuk e uli "hundën", që kish nuhatjen e qytetarit të Republikës përballë zagarëve dhe hafijeve, që edhe pse ishin paguar për të nuhatur, nuk kuptonin se vet brekët e tyre ishin të shurrosura. Kështu që sërish iu desh Hekuranit t'i bënte telegrame edhe vet Mehmet Shehut. Në selinë e kryeministrisë ai qyshkur pat qenë i pranishëm me ankesat plot revoltë dhe gjatë kësaj kohe, në unison edhe me hallet e gjendjen e vendit, desh nuk desh edhe Mehmeti e gjykoi se ishte më mirë të shuhej revolta e Hekuran Bidës se sa të shpallje luftë me të. Dhe, si u shkarkua edhe nga detyra në Krastë, aparaçikët e KE të rrethit, më në fund, me dhelpëri, për ta mikluar me shpresë se do të heshte, e caktuan ekonomist në degën e planit, në Letan. Që këtej do furnizohej fabrika e çimentos me gurin gëlqeror të atjeshëm. Tërë kjo ish pjesë e punës për funksionim dhe prodhimin e çeliqeve në Kombinatin Metarlugjik, vepër e ngritur me ndihmën e Kinës. Teksa e filloi këtë detyrë, Hekuran Bida, kokëkrisur e vullnet madh për dije, siç ish ai e askush tjetër, gjen kohë dhe shkon e jep edhe provimet për fakultetin e tretë: fakultetin ekonomik, dega e planit, Universiteti i Tiranës. Dhe profesionalizmi i tij në Letan sahkëlqeu në luftë ballëpërballë me mediokritetin aq sa iu kundërvu edhe inxhinierëve kinezë, të cilët edhe pse s'kërkuan falje, këshilluan që punët në Letan të vijonin sipas vërejtjeve dhe propozimeve të Hekuran Bidës. Kuptohet se sërish u rrudhën buzët, u hapën dosje dhe u arrit edhe deri atje sa ta cilësonin si armik të miqësisë shqiptaro-kineze, por...shyqyr që pak më pas kinezët i mohuan edhe ata që e patën lidhur atë miqësi dhe veç vuajtjeve shpirtërore Hekurani nuk pësoi një tjetër burgim.
A i bihet murit me kokë?
Këto fjalë të urtësisë popullore, Hekuran Bida i pat dëgjuar qysh në vogëli, paçka se një kokë si ajo që kish mbi supe, e mbushur plotpërplot me dituri, nuk pyeste për mure, kurthe e prita. Kështu edhe kur pat dalë në pension. Për ditë synonte të jetonte kohën, sado në varfëri, si gjithë të tjerët, ndaj edhe kërkonte e debatonte me të gjithë ata që kur e shihnin i ndalnin këmbët e shkëmbenin dy fjalë me të. Dikush, në një bisedë të tillë, e pyeti nëse e kish dëgjuar fjalimin e Presidentit Ramiz Alia, që trajtonte problemet ekonomike dhe, aty, veç të tjerave, guxoi t'u tërhiqte vëmendjen ekonomistëve: "Ekonomistët nuk flasin, kanë frikë se bëjnë gabime..." - pat qortuar ai. Dhe si i mendoi punët, u ul e i shkruan që atë ditë Ramiz Alisë një letër, ku nënvizonte: 'Nuk janë ekonomistët që kanë frikë, por është shteti që ka frikë...se mos na dëgjon hasmi..." Dhe më poshtë: " Para pesëdhjetë vjetëve, në çdo fshat kishim 1-2 spiunë, sot, në çdo tre vetë, njeri është i tillë. Vlera e pagës së punëtorit në ditë është sa vlera e një gjysmë pjate me gjellë, në një restorant të kategorisë së parë... Për punë jo të barabartë, jepet afërsisht pagë e barabartë. Për shembull: një punëtor që konsumon 5000 kalori në ditë paguhet 21.5 lekë, një punëtor që konsumon 2500 kalori në ditë paguhet 19.5 lekë. Norma kolektive, lehtëson punën e administratës, por fut në grindje me njëri-tjetrin punëtorët dhe nga kjo fiton shteti. Ç'duhet bërë? Të lirohen të burgosurit politikë. Të zhvlerësohet ligji për dënimin me motivin për Agjitacion e Propagandë. Nëpunësit e shtetit të jenë të depolitizuar. Partia, nga një parti fisesh a familjesh, të shndërrohet në parti klase. Veprat e Enver Hoxhës kanë mangësi. Për t'i lexuar ato duhen 10 vjet, gjë që askush s'mund ta bëjë sot e jo më nesër. Ato mund të përmblidhen në pak vëllime..."
Kjo letër iu nis Ramiz Alisë më 31 Tetor 1986, ditën në prag të Kongresit të PPSH. S'kaluan ditë dhe ja e kërkojnë në prokurori, vet prokurori. Mbi tavolinë, Hekurani vuri re letrën që i pat dërguar Ramiz Alisë dhe një shënim mbi zarf: "Të ndiqet penalisht". S'kaluan veçse disa minuta dhe ai tek pa policët e hetuesit e hakërryer, dëgjoi urdhrin: "Në emër të popullit, jeni i arrestuar!" Popull ziu, shfryu Hekurani. - Sot më arrestuat mua, por mos harroni, nesër e keni radhën ju!
Kështu në birucën Nr.8 do të ngryste ditë e muaj, siç do të vuante më vonë edhe në spitalin e burgut, me synimin që nëpërmjet injeksioneve t'ia mpinin kujtesën, në mos t'ia merrnin edhe jetën. Ja, këto ishin grimca nga jeta e një njeriu të pamposhtur, i cili çuditërisht, edhe kur e prunë nga SHBA këto ditë, tek prehej në arkivolin frigorifer, ngjante se fytyra e tij nuk dukej as e lodhur, as e pezmatuar, por në të kundërt ajo ish tejet e qetë, me një nënqeshje të mençur, a thua ish i vetëdijshëm se në luftë e në jetë pat mbijetuar si një qytetar i nderuar i kombit shqiptar, të cilin e deshi aq shumë dhe aq furishëm.
E, i dashur lexues, a e përqas dot me një figurë të tillë të madhërishme dikë tjetër nga bashkëqytetarët tanë? Unë e kam të vështirë, por nëse diku në një familje, lagje a qytet jeton dhe punon ende një njeri i tillë, ai patjetër që do ketë ngrënë bukë me Hekuran Bibën, do kenë pirë gjak si vëllezër, ndryshe varfëria jonë do të ishte më e tmerrshme dhe mjerimi do na përpinte.
Comments (0 posted)
Post your comment