Mesazhi i Presidentit Topi për heqjen e vizave
Është një gëzim i shumëpritur që duhet ndarë si sukses i përbashkët, një sukses qytetar, i ëndërruar gjatë nga një prej popujve më të vjetër të kontinentit evropian.
Bamir Topi
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi përshëndeti sot vendimin historik të marrë gjatë mbledhjes së Këshillit për Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme të BE-së mbi regjimin e udhëtimit pa viza për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës.
“Të dashur bashkëkombas, motra e vëllezër kudo ku jetoni e punoni,
Sot është një ditë e madhe për të gjithë shqiptarët, brenda e jashtë vendit, pasi dy dekada pas rënies së mureve izoluese të sistemit komunist, për shqiptarët ra një tjetër mur, ai i vizave që i kufizonte në të drejtën e tyre themelore për të lëvizur lirshëm në familjen evropiane së cilës i përkisnin.
Është një gëzim i shumëpritur që duhet ndarë si sukses i përbashkët, një sukses qytetar, i ëndërruar gjatë nga një prej popujve më të vjetër të kontinentit evropian.
Kjo është data e tretë më e rëndësishme për shqiptarët, pas shpalljes së Pavarësisë dhe rënies së komunizmit. Kjo pasi shqiptarët pavarësisht se gjeografikisht e kanë pasur gjithmonë identitetin e tyre evropian, ndër vite siç, vëren shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, e kanë vuajtur mallin tragjik për Evropën e humbur, për shkak të pushtimeve të njëpasnjëshme e diktaturës komuniste, e cila e ktheu në strategji të vetën urrejtjen kundër Evropës, por fatmirësisht pa mundur ta çrrënjoste këtë identitet të shqiptarëve, identitet që u shpalos në dhjetor të 1990 me thirrjet e paharrueshme “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”
Që atëherë, qindra e mijëra shqiptarë kanë pasur mundësinë të shkelin e provojnë Evropën; tani këtë gjë do mund ta bëjnë lirisht të gjithë, e prandaj ky është një moment i gëzuar për çdo shqiptar, që kam besimin, se do të dijë të shfrytëzojë hapësirat që i sjell lëvizja e lirë, në respekt edhe të të gjitha detyrimeve që ajo mbart.
Të dashur bashkatdhetarë
Lëvizja e lirë është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin tonë, të cilin e meritojmë ta shijojmë, e gëzojmë plotësisht e bashkarisht. Por pa harruar se tjera sfida na presin. Ato kërkojnë impenjimin maksimal të gjithsecilit, të institucioneve në rradhë të parë, e të politikës në veçanti, si projektuese e vullneteve vendimmarrëse për procesin në vazhdim të integrimit të plotë të vendit në Bashkimin Evropian.
Si dikur në kohën e Rilindjes kur patriotët u bashkuan pa dallim feje e ideje, sot më shumë se kurrë kemi nevojë për harmoninë e komunikimit, kemi nevojë për dialogun konstruktiv e përgjegjshmërinë qytetare, në interes të së ardhmes Evropiane të Kombit tonë.
Edhe pse një vend i vogël, jemi të vetëdijshëm se kemi miq të mirë që na mbështesin e na inkurajojnë në rrugën e përpjekjeve tona për integrim e demokratizim. Edhe vendimin e sotëm për lëvizjen e lirë, duhet ta shohim në këtë këndvështrim, si një nxitje për të vazhduar më tej e për t’u përmirësuar, jo vetëm në angazhimet e marra me faktorët ndërkombëtarë, por edhe në zbatim të kontratës sociale me qytetarët. Atëherë le ta kapim këtë moment të artë, duke kapërcyer çdo ndasi, keqkuptim apo interes thjesht politik. Këto janë pengesa gjë gjenden brenda nesh, e që na frenojnë të përparojmë më tej drejt Evropës.
Kur kemi kërkuar të jemi pjesë e Bashkimit Evropian, kemi pranuar të respektojmë e të ndajmë edhe filozofinë e këtij Unioni: principet e lirisë, demokracisë, respektit për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Bashkëpunimi konstruktiv duhet të jetë filozofia udhëheqëse në aspiratën tonë, duke asimiluar plotësisht principet që bashkojnë të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Kjo pasi demokracia që po përpiqemi të ndërtojmë e të konsolidojmë në këto dy dekada, nënkupton mes të tjerash respekt për tjetrin dhe shndërrimin e diversitetit ideor, në element dialogu e tolerance për qëllimin madhor të përbashkët, integrimin e plotë në Bashkimin Evropian.
Pikërisht këtë filozofi, unë do vazhdoj ta mbështes, duke nxitur siç kam vepruar besoj edhe deri tani, të gjithë bashkëpunimin ndërinstitucional, në respekt të Kushtetutës së Shqipërisë, legjislacionit shqiptar dhe angazhimeve ndërkombëtare, duke promovuar lirinë e tolerancën qytetare, shtetin e së drejtës dhe standardet demokratike për vendin tonë, si bazat për një të ardhme të sigurt edhe për brezat që do vijnë.
Edhe njëherë gëzuar këtë ditë të shënuar, e cila vjen si rreze shprese për një të ardhme më të mirë për çdo qytetar shqiptar!
Comments (0 posted)
Post your comment