Home | Society | Për një grusht dollarë

Për një grusht dollarë

image
Prandaj, gazetarë e analistë, profesorë e sportistë… sot janë shndërruar në “specie në zhdukje”. Kështu siç ka nisur, është e mundur që një ditë të mbetemi edhe pa priftërinj e hoxhallarë.

 

 

 


Muharrem Nitaj

 

 


Gazetarë ustallarë, sportistë dallkaukë e tregtarë dhe të të gjitha ngjyrave profesorë, qofshin ata dhe në vjeshtën e jetës së tyre, ia kanë mësyrë pushtetit, duke mos zgjedhur as rrugë as parti, veç diqysh me hy. Tashmë as konceptet politike, as parimet emrat e partive, as programet e tyre, nuk janë pengesë për të shfrytëzuar afatin kalimtar, “o burra të hyjmë në pushtet se po thuhet se aty ka pare”.

Është bërë shumë e dhimbshme të shohësh se si ish-sportistë kulmorë, por diletantë edhe të politikës, apo profesorë me tituj dhe pleq të motmuar që s’po u del hesapi vetëm me punën akademike, apo edhe gazetarë deri dje “analistë e opinionistë të pavarur” apo “shërbëtorë besnikë të partisë”, ia mësyjnë garës politike duke harruar krejt e gjithçka, për një “grusht dollarë”. Dikush do ta quaj aderim në forcat politike, dikush forcim të njërës ose partisë tjetër, dikush pasurim të jetës politike dhe dikush i fundit, por jo më pak i rëndësishëm do ta quaj “prostitucion politik”. Partia e biznesmenit më të madh në Kosovë, ua ka mësyrë partive me nga një autobusë anëtarë, që kanë telashe të mëdha jo vetëm me identitetin por edhe me bukën e gojës, në mesin e të cilëve edhe pensionistëve që duket se i shohin ëndërr paratë e zotit Pacolli. Një model ky i sprovuar edhe tre vjet më parë i një partie që po shndërrohej në një azil të hallexhinjve.

Një tjetër parti, që tashmë e ka marrë epitetin “streha e të pakënaqurve” AAK, i ka hapur dyert për të gjithë ata që i kanë thyer hundë e buzë në partitë tjera dhe kanë mbetur pa plang pa shpi. Sa keq që u shpërnda parlamenti, sepse kjo parti, qysh ka nisur t’i marrë të gjithë ata që nuk kanë mundur të realizohen në partitë e tyre, ka mundur të ishte partia më e madhe parlamentare. Dhe dy partitë e tjera që sot shihen si më të mëdhatë, PDK dhe LDK, garën për lista e kryesi e kanë ndërtuar me mjaft vështirësi dhe me plot kundërshtime nga njerëz që përpilimin e këtyre listave e kanë cilësuar të jenë bërë edhe mbi pazare e ndonjëherë edhe mbi shantazhe. Sikur po luajnë “cic-mic dhe herë i largojnë e herë marrin eksponentë të rëndësishëm të partive të tyre. Njëherë janë jashtë kryesive dhe të nesërmen kthehen.

Me gjasë politika sot është shndërruar në biznesin më fitimprurës dhe të gjithë e kanë marrë vesh se aty ka para, aty ka pushtet, aty bëhet pallë. Prandaj, gazetarë e analistë, profesorë e sportistë… sot janë shndërruar në “specie në zhdukje”. Kështu siç ka nisur, është e mundur që një ditë të mbetemi edhe pa priftërinj e hoxhallarë.
Raportet e atyre që e përcjellin funksionimin e Kosovës po thonë se ka dy fusha dështimi të madh, që janë lufta kundër korrupsionit dhe liria e medias. Ndoshta këtu mund të jetë dhe çelësi, pse plot gazetarë po e braktisin fushën e tyre dhe po i vërsulën politikës.

Partitë dhe politika, duke qenë biznesi më fitimprurës, kanë yshtur dhe njerëz të tjerë, deri dje përfaqësues të shoqërisë civile, që të heqin dorë nga donacione nga më të ndryshmet dhe ta marrin rrugën e pushtetit. Ndoshta atje nuk kanë nevojë të japin llogari për parat që i harxhojnë, ose jo sipas modelit të OJQ-ve ku kanë qenë.
Dikur moti këndohej…ku shkojnë kosovarët, pse në Kosovë nuk rrinë. Edhe atëherë kosovarët shkonin në fund të dynjasë për një “grusht dollarë”. Por sot duket se kanë ndryshuar kohët dhe për një grusht dollarë nuk shkohet në fund të dynjasë, por aty ku është partia, aty ku është politika, aty ku është pushteti.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0