Gazetarët viktimë të elitës institucionale
Modeli i fuqisë nuk ndërtohet vetëm nga fjalët dhe përmbajtja e informacionit. Ky model ndërtohet po ashtu edhe nga autoriteti dhe “rrezatimi”, pra nga karizma e udhëheqësve...
Gëzim Mekuli
Fushata parazgjedhore po afron. Mediet po shpërdorojnë fjalën dhe fotografinë. Shqiptarët si asnjëherë më parë janë të rrezikuar nga propaganda dhe “keqinformimi”. Është mu kjo gjendje që më shtyri të përqendrohem në disa modele sqaruese që ndikojnë në ndërtimin e opinionit publik dhe në “bindjet” e individëve. Këto modele mund të konsiderohen si sqarime të pjesshme, por këto modele, sot, janë duke u zbatuar me turr nga gazetarucët e partisë.
Band-Wagon-effect
I pari prej tyre quhet “Band - Wagon – effect”. E veçanta e këtij modeli është se këtu regjistrohet një tendencë tek të dyshuarit dhe te të pavendosurit, të cilët duhet të zgjedhin mes dy pikëpamjeve apo personave me orientime të ndryshme partiake – të cilët turren dhe bashkëngjiten në “karrocat” partiake që kanë më shumë anëtarë. Kjo do të thotë se të dyshuarit dhe të pavendosurit rreshtohen më lehtë pas pikëpamjeve të cilat kanë dominim në opinion. Këtu mund të flitet për një “bashkëvrapim partiak”. Është me rëndësi të jesh në një tabor me ekipin fitues, prandaj gjithnjë e më shumë persona u turrën dhe iu bashkëngjiten pikëpamjeve apo politikanëve që kanë më shumë përkrahje.
Në hulumtimet e shkencave mediale teoria mbi "Band –Wagon-effect" është e vjetër. Që para Luftës së Dytë Botërore janë zhvilluar hulumtime mbi zgjedhjet e lira në SHBA. Kjo teori është “dopinguese” dhe efikase për individët dhe grupimet që nuk janë këmbëngulës dhe s’janë të qartë rreth ideve të tyre alternative, por janë të luhatshëm në pikëpamjet e tyre politike dhe në qëndrimet e tyre.
Në lidhje me këtë, unë do t’i referohem një studimi interesant që është zhvilluar në SHBA, në vitin 1989, gjatë zgjedhjeve presidenciale në mes Georg Bush dhe Michael Dukakis. Statistikat që tregonin rezultatet pozitive/prijëse për njërin nga kandidatët, e që transmetoheshin nga mediet, shkaktonin ndikim më të fuqishëm te shtresat e popullit me arsimim të ulët, sesa në ato me arsimim të lartë.
Modeli i fuqisë
Sqarimin e dytë e takojmë në teorinë e quajtur “modeli i fuqisë”. Shprehja “modeli i fuqisë” është instaluar në sociologji nga norvegjezi Braten. Aktorët model-fortë në opinion konsiderohen dhe respektohen shembuj të mirë për idetë, për opinionet dhe për “analizat e tyre të thella” politike. Ata që në fjalime janë të pasur me oratori dhe që kanë njohuri shprehjeje për një çështje të caktuar, fitojnë “simbolin e të fortit”. Në këtë mënyrë ata kontrollojnë model-dobëtit; pra kontrollojnë individët dhe grupimet të cilët janë dijeni-pakë dhe fjalë-varfër. Kështu model-dobëtit marrin, aprovojnë dhe thithin sqarime dhe informacione mbi botën reale nga model-fortët, duke mos qenë në dijeni se këta janë duke e përjetuar dhe kuptuar “realitetin” social, ekonomik e politik nga parimet e njerëzve të fortë.
Komunikimi dhe debati publik në Kosovë ka raste plot me elemente të kësaj teorie ku ngritja e elitës simbolike të “modelit të të fortëve” ka përparësi. Ata që paraqiten vazhdimisht në media dhe që “diagnostifikojnë” situatën sociale – ekonomike, politike e ushtarake, fitojnë modelin e të fortit.
Modeli i fuqisë nuk ndërtohet vetëm nga fjalët dhe përmbajtja e informacionit. Ky model ndërtohet po ashtu edhe nga autoriteti dhe “rrezatimi”, pra nga karizma e udhëheqësve, e cila vjen në shprehje nëpërmjet mënyrës së transmetimit të porosive të tyre në publik.
Udhëheqësi karizmatik është një person, i cili ka aftësi të largojë dhe të zhdukë distancën në mes ndjenjave dhe impulseve të tij dhe publikut. Mjeshtërisht, ky lider ia “vjedh” vëmendjen publikut më parë nëpërmjet motiveve të tij, sesa nëpërmjet veprimeve të tija konkrete. Në perspektivën politike vëmendja luan rol qendror sepse kjo është një instrument i fuqishëm politik. Vëmendja është e lidhur ngushtë me pasjen e fuqisë. Mospasja e fuqisë do të thotë izolim dhe i padukshëm në publik. Sipas Gentikow, vëmendja në opinion për politikanët dhe organizatat është çështje midis “jetës dhe vdekjes.”
Udhëheqësi ynë i sotëm karizmatik, duke arritur që opinioni publik të përqendrohet te dëshirat dhe te personaliteti i tij, pengon që kundërshtimet dhe kritikat objektive të depërtojnë në publik. Duke krijuar përshtypjen për një angazhim të sinqertë dhe për një vetëkontroll rreth asaj që “atë e mundon”, ai bën që individi dhe publiku “të dorëzojnë pavarësinë” e vet dhe t'i nënshtrohen autoritetit të tij. Veçanërisht sot gjatë fushatës parazgjedhore, përveç opinionit, edhe gazetarët janë viktimë e elitës institucionale. Përqendrimi i gazetarisë së lajmit në burime “të nxjerra” nga elita e ekspertëve ushtarakë, ambasadorëve, diplomatëve dhe politikanëve është i njohur. Në këtë mënyrë gazetarët e lajmit ndikojnë në përforcimin e monopolit të “modelit të të fortit”.
Në një situatë të tillë shqiptarët pyesin: Mos, vallë, mediat kanë lëvizur nga roli i tyre në mbrojtje të demokracisë në drejtim të kërcënimit të idealeve demokratike?
Comments (0 posted)
Post your comment