Home | Society | Depolitizimi i politikës siç e njohim ne

Depolitizimi i politikës siç e njohim ne

image
Një lloj i ngjashëm i barrikadimit bëhet edhe me vlerat e luftës apo lëvizjes paqësore. 

 

 

 

 


Armend Bekaj

 

 

Me datën e zgjedhjeve parlamentare afër nesh, qytetarët e Kosovës sot qëndrojnë më afër politikës se zakonisht. Ballafaqimi me politikën në Kosovë, bashkëjetesa me të, me pasojat dhe rezultatet e vendimeve politike, kanë ndikuar që qytetari i rëndomtë të ketë një mendim shpesh cinik për artin e së mundshmes. Përvoja e deritanishme ka dëshmuar se politika vështrohet (dhe mbase pranohet) si një arenë ku dominon mashtrimi, gënjeshtra, përfitimet personale, dhe e cila vepron në mënyrë të predestinuar që vazhdimisht të zhgënjejë qytetarin e rëndomtë. Ilustrimi më i mirë i këtij zhgënjimi tek ne është rënia e trendit të përqindjes së qytetarëve që dalin në zgjedhje. Përveç që dëmton legjitimitetin demokratik të të zgjedhurve, kjo apati është po ashtu e rrezikshme sepse tregon që te qytetari mbretëron përshtypja se vota e tyre është e kotë, dhe se rrjedha e proceseve politike do të vazhdojë ashtu për së keqi, pa marrë parasysh nivelin e pakënaqësisë së qytetarëve. Heqja dorë nga interesimi në politikë, apo konkretisht nga ushtrimi i të drejtës demokratike dhe qytetare për të votuar, është tejet shqetësuese, sepse tregon tëhuajësimin e qytetarit nga politika vendore.

Të marrim si shembull identifikimin partiak në baza rajonale. Shtrohet pyetja: çka e bën një parti të identifikohet më afër me një rajon dhe në dëm të tjetrit? Nga ç’burim ushqehet perceptimi (apo paragjykimi) se një parti bën për një rajon, kurse një tjetër është armik i përbetuar i saj? Duke e ditur se shpesh janë vetë partitë që bëjnë ndarje të tilla rajonale, atëherë shtrohet pyetja se pse manipulohet deri në këtë masë me qytetarët e rajoneve përkatëse, me frikat dhe pasiguritë e tyre? Pse bëhet e tërë kjo, kur ne po ashtu e dimë se ndarjet e tilla janë të imagjinuara dhe bien ndesh me pretendimin të paktën zyrtar të partive të vjetra për përfaqësim mbarëvendor? Në fund, ç’e bën një parti të caktuar të thirret në pasiguritë sociale e ekonomike të rajoneve të Kosovës, duke luajtur ato kundër njëra tjetrës, përveçse thjesht interesi meskin partiak?

Nëse pyet qytetarin në Drenicë, ai apo ajo mund të shfaqë lojalitetin për një parti të caktuar. Dhe natyrisht kjo është e drejta e tyre që duhet respektuar. Por pastaj kuptohet se ata mund të përkrahin atë parti dhe jo një tjetër, për arsye se kjo tjetra vështrohet si e huaj, armike. Për më tepër, edhe kur qytetari të jetë i vetëdijshëm për nivelin e keqqeverisjes nga partia e vet në Drenicë, ai mbase do t’i qëndrojë besnik asaj mu për shkak se tjetra shikohet si e painteresuar për atë rajon. Njëkohësisht, qytetari i Llapit do të përkrahë një parti tjetër, pikërisht për arsyen e ndjenjës së pasigurisë që ai mund të ketë për partinë e bashkëkombësit të vet drenicak. Në Dukagjin përsëritet i njëjti model, Gjakova përjeton izolim partiak politik, dhe me këtë logjikë ndarëse vazhdohet deri te stepat e Kazakistanit. Në një vend të vogël si Kosova, politika e gjertanishme ka dështuar së krijuari bazamentin e përfaqësimit me të vërtetë mbarështetëror nëpërmjet cilësdo parti politike. Për më tepër, është shqetësues ekzistimi i kulturës revanshiste që mbretëron në radhët e disa partive, revanshizëm ky i cili përkthehet pastaj në tërheqjen apo dhënien e përkrahjes për komunat apo rajonet, në varësi prej asaj se a konsiderohen “të partisë” apo jo. Ky barrikadim mbrapa vijave rajonale sjell benefite të caktuara për partitë, kurse ushqehet nga ndjenjat legjitime të qytetarëve, të cilët në këtë mënyrë dalin të manipuluar.

Një lloj i ngjashëm i barrikadimit bëhet edhe me vlerat e luftës apo lëvizjes paqësore. Ndërsa është e qartë që një parti mund të rrjedhë nga një krah e tjetra nga krahu tjetër i rezistencës, pretendimi për të monopolizuar plotësisht trashëgiminë e tyre brenda konturave të një partie apo tjetre, gjithsesi se tëhuajëson një pjesë të popullatës. Edhe këtu shpesh kemi të bëjmë me përdorimin e vlerave të së kaluarës të kufizuara në një rajon i veçantë për qëllime partiake. Në këtë mënyrë, nuk është çudi që qytetarët e asociojnë politikën si përçarëse, mashtruese, keqpërdoruese etj. Kështu, rritet cinizmi, mosbesimi, apatia elektorale.

Mirëpo, a është e thënë që politika që ne e njohim të jetë edhe soji i vetëm i politikës? A është e parasupozuar që politika dhe zgjedhjet të jenë të asociuara me manipulim, keqpërdorim dhe vjedhje votash? Ky është vërtetë një skenar i pashpresë, ndërsa për të stopuar këtë trend të gjertanishëm, qytetarit i nevojitet kthimi i besimit në politikë, duke i dëshmuar se politika duhet dhe mund të jetë ndryshe. Zgjedhjet para nesh kanë shansin që të na ndihmojnë në dekonstruktimin e konceptit të politikës të cilën fatkeqësisht e njohim ne, dhe ringritjen e saj mbi baza më solide të një legjitimiteti të vërtetë qytetar. Te ne paraqitet nevoja urgjente për hiç më pak se depolitizimin e politikës që ne jemi mësuar ta shohim, dhe prodhimin e një politike të re dhe demokracie të konsoliduar.

Një nga sfidat e politikës së re është të arrijë atë qëllim në të cilin ka dështuar politika e vjetër: që me programin e veprimet e veta të mëtojë përfaqësim mbarëvendor, duke vepruar sipër politikës përçarëse ndërmjet rajoneve e komunave, apo ndërmjet krahëve të ndryshëm të rezistencës. Arsyet se pse qytetari voton për një parti të caktuar politike përfaqësojnë një të drejtë plotësisht legjitime të tij/saj, ani pse ato arsye mund të jenë të ndërlidhura me interesat personale të individit, familjes apo komunitetit. Edhe në rastet kur votimi është i kushtëzuar ose i mbajtur peng nga nevojat dhe hallet e qytetarëve për një vend pune, vendimi se kujt t’ia japë votën mbetet e drejtë legjitime e vetë qytetarit. Mirëpo këtu qëndron edhe testi i demokracisë së pjekur dhe qeverisjes së mirë. Me dalje sa më masive në zgjedhje qytetarët kanë rastin të marrin pronësi më të afërt mbi demokracinë, gjë që absolutisht duhet të ndodhë. Ndërsa kur të votohet, sfida e secilit individ është që të eksplorojë dhe gjejë arsyet e vërteta të dhënies së votës partisë përkatëse. Nëse motivi për votim zhvishet nga kushtëzimet për favore, nga mbajtja peng e komunitetit pas realizimit të një projekti me paranë publike i cili prezantohet si akt bamirës i qeverisë, nëse qytetari lë mënjanë pasiguritë legjitime të tëhuajësimit dhe revanshit nga partia përkatëse në varësi të përkatësisë rajonale, atëherë pse votohet për dikë?

Thënë ndryshe, qytetari është i vetëdijshëm për tendencat përçarëse të partive të vjetra, por deri më tash ka munguar alternativa. Me ardhjen e politikës së re në skenë, qytetari tash e ka në duart e veta që të dëshmojë se a mund të rikthejë besimin në një politikë e cila është e vetëdijshme për këto përçarje dhe e cila është e vendosur që të përshkojë përtej ndasive rajonale, kundërshtive në mes krahëve të ndryshëm të rezistencës, të ngrihet mbi këto ndasi dhe të praktikojë politikë me të vërtetë unifikuese dhe gjithëpërfaqësuese. Dalja sa më e madhe e qytetarëve në votim dhe identifikimi i motivit të vërtetë për të votuar dikë kanë mundësi që ta rikthejnë besimin në politikë. Kanë mundësi që ta zhbëjnë konceptin e politikës së vjetër dhe të instalojnë një politikë të re dhe të besueshme.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00