Home | Society | Presidenti Obama dhe roli (i zvogëluar) amerikan në botë

Presidenti Obama dhe roli (i zvogëluar) amerikan në botë

image
Kritikët e Zotit Obama thonë se ai i përket një rryme intelektualësh liberalë që sipas tyre, nuk kanë qenë kurrë në pajtim me një Amerikë që luan rolin kryesor në botë.

 

 

 

Frank Shkreli

 


Festat e Krishtlindjes dhe te Vitit te Ri po marrin fund dhe amerikanët janë duke u kthyer në punë dhe në rutinën e zakonshme të jetesës dhe halleve të përditshme. Ky vit i ri shënon gjithashtu edhe fillimin e një stine të nxehtë politike në Washington, ku Partia Republikane, në zgjedhjet e fundit të Nëntorit që kaloi, siguroi një shumicë dërmuese në Dhomën e Përfaqësuesve dhe forcojë pakicën republikane me gjashtë anëtarë të ri në Senat. Ligjvënësit e rinj kanë premtuar se po shkojnë në Washington me udhëzime të qarta nga populli amerikan, që të pakësojnë kompetencat e qeverisë federale, që të mos shpenzojnë fondet që vijnë nga taksa-paguesit amerikanë për programe të qeverisë federale që nuk funksionojnë më dhe në përgjithësi për të rimëkëmbur ekonominë amerikane nëpërmjet shkurtimit të taksave, duke shtuar kështu edhe mundësinë e punësimit të amerikanëve të pa-papunë me krijimin e vendeve të reja të punës.

Këto janë çështje të brendshme që preokupojnë shumicën e amerikanëve, pasi, në një mënyrë ose në një tjetër, ato prekin jetën e përditësime të çdo qytetari amerikan. Mirëpo, një çështje tjetër me rëndësi në rëndin e ditës të ligjvënësve të ri është edhe politika e jashtme e administratës së Presidentit Obama dhe roli i Amerikës në botë. Se cili duhet të jetë roli i Amerikës në botë, sot dhe në të ardhmen, është një çështje që preokupon shumë amerikanët. Gjatë fushatës elektorale Nëntorin që kaloi, kandidatët e ndryshëm debatuan në lidhje me faktin nëse Amerika është një vend me të vërtetë ndryshe dhe i jashtëzakonshëm nga çdo vend tjetër në botë, parimet e të cilit kanë krijuar një komb të drejtë e të pasur, me ekonominë me të madhe në botë dhe me aftësi ushtarake si asnjë vend tjetër në historinë e botës, apo Amerika është si çdo vend tjetër në botë, asgjë më shumë as më pak. Ky debat u frymëzua nga kritikat ndaj politikës së jashtme të Presidentit Obama gjatë dy vjetëve të administratës së tij. Kritikët e kanë akuzuar Presidentin Obama se po ndjekë politika që nuk janë në përputhje me qëndrimin e shumicës dërmuese të amerikanëve të cilët besojnë se Amerika dhe kombi amerikan janë të jashtëzakonshëm dhe unik në krahasim me çdo vend e komb tjetër në botë.

Republikanët akuzojnë Presidentin Obama se është e qartë nga politika e brendshme dhe e jashtme që ndjekë administrata e tij, se mendimet e tij nuk përputhen me pikëpamjet e 80% të amerikanëve - që sipas një sondazhi të kohëve të fundit nga organizata Gallup dhe gazeta USA Today - ata besojnë se Amerika është unike, ndryshe nga çdo vend tjetër dhe është vendi më i mirë në botë. Nga deklaratat e konservatorëve të dalluar amerikanë – disa prej të cilëve kanë aspirata për të kundërshtuar Zotin Obama në zgjedhjet e vitit të ardhshëm - duket se çështja nëse Amerika është një vend i posaçëm e i jashtëzakonshëm në historinë e njerëzimit, por në të njëjtën kohë edhe cili do të jetë roli i saj në arenën politike, ekonomike dhe ushtarake ndërkombëtare në të ardhmen - do të jetë një ndër çështjet kryesore që do të vendosë se kush do të udhëheqë Amerikën pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.

Kritikët e Zotit Obama thonë se ai i përket një rryme intelektualësh liberalë që sipas tyre, nuk kanë qenë kurrë në pajtim me një Amerikë që luan rolin kryesor në botë. Ata pretendojnë se Zoti Obama është i kënaqur me një botë që vendosë rregullat, të cilat Amerika duhet t’i zbatojë. Për të mos përmendur presidentët republikanë si Ronald Reagan, ata venë në dukje se Zoti Obama duhet të mësojë nga para-ardhësit e tij demokratë – si Franklin Roosevelt, Harry Truman, John Kennedy dhe Bill Clinton, të cilët me fjalë e me vepra, i prinë botës dhe i treguan njerëzimit se Amerika mbron dhe lufton për lirinë e njerëzve të shtypur, anë e mbanë botës. Mirëpo, tani duket se, për një arsye ose për një tjetër, besimi se Amerika është me të vërtetë një vend unik, sipas kritikëve, ka filluar të lëkundet në radhët e amerikanëve, për arsye të politikës së Zotit Obama.

Deri tani përgjithësisht besohej se të dy partitë kryesore në Amerikë, përkrahnin nocionin se ky vend është me të vërtetë i jashtëzakonshëm, dhe i cili sipas Presidentit John F. Kennedy posedon “një besim të patundur në rolin unik për të udhëhequr botën”. Shtëpia e Bardhe i ka kundërshtuar akuzat e kritikëve duke i cilësuar ato si absurde dhe ka venë në dukje se Presidenti Obama beson se ai vetë është provë se ky vend që zgjedhë për president një afrikano-amerikan, është në vet-vete i jashtëzakonshëm dhe unik. Presidenti Obama është cituar të ketë thënë se ai “është shumë krenar për rolin (që Amerika) ka luajtur në historinë e botës”.

Por pa marrë parasysh nëse këto akuza kanë vlerë ose jo, një shumicë e opinionit amerikan duket se është bindur se Presidenti Obama, me fjalë dhe me vepra, gjate dy vjetëve të administratës së tij, jo vetëm që nuk ka përfillur, por mund të ketë hedhur poshtë idenë se Amerika është një “sinjal ndriçues” i demokracisë, fuqisë financiare dhe ushtarake anë e mbanë botës, si një vend unik që luan një rol të posaçme për të mirën e njerëzimit. Nga sondazhi i lartpërmendur vihet re se një shumicë dërmuese e amerikanëve, në të vërtetë tre në katër, sipas Gallup/USAToday, besojnë se karakteri unik i Amerikës po zhduket dhe se një gjë e tillë është shumë shqetësuese për shumicën e amerikanëve, si dhe për miliona njerëz të vullnetit të mirë anë e mbanë botës, të cilët sipas fjalëve të Abraham Lincolnit e shohin Amerikën gjithnjë si “shpresën e fundit më të mirë në botë”.

Themeluesit e këtij kombi, që quhet Amerikë, besonin se liria është një standard universal dhe i përhershëm. Xhorxh Uashingtoni me rastin e inaugurimit të tij deklaroi para pothuaj 300 vjetësh se “Roli i Amerikës në botë është për të mbrojtur dhe për të përhapur – me shembull dhe me vepra – flakën e shenjtë të lirisë”. “Të jesh amerikan… do të thotë të besosh se të gjithë njerëzit janë krijuar të lirë dhe me të drejta të barabarta”, sipas ish-presidentit demokrat Harry Truman. Dhe ish-presidenti republikan, Ronald Reagan pat thënë se “Kushtetuta amerikane i deklaron botës se LIRIA nuk është vetëm për disa të privilegjuar. Ajo është një e drejte universale për të gjithë bijtë e bijat e Perëndisë”.

Sot e kësaj dite, këto parime themelore janë pjesë e pandarë e kombit amerikan. Kjo është edhe arsyeja që përkrahësit e lirisë anë e mbanë botës kanë kërkuar dhe kërkojnë ndihmën e Shteteve te Bashkuara në luftën e tyre kundër despotëve dhe diktatorëve. Asnjë politikan serioz amerikan nuk mund të mohoj rolin kryesor që ka luajtur dhe duhet të luaj Amerika në botë, pasi shumica e popullit amerikan beson gjithnjë në misionin dhe frymën unike, si edhe në rolin e posaçëm që Amerika duhet të luaj në botë, tani dhe në të ardhmen. Kjo, jo vetëm për faktin se Amerika është një vend pa të meta dhe pa gabime, por për arsye se është një vend që si bazë të ekzistencës së vet ka parimet universale të lirisë, si aspekte të përhershme të natyrës njerëzore.

Politikanët amerikanë tani dhe në të ardhmen do të bënin mirë të mendojnë thellë rreth fjalëve te ish-kryeministres britanike Margaret Thatcher e cila ka thënë se “Amerikanët dhe evropianët shpesh harrojnë se sa unike janë Shtetet e Bashkuara. Asnjë vend tjetër nuk është themeluar mbi një ide - idenë e lirisë. Asnjë vend tjetër nuk ka bashkuar aq popuj e raca të ndryshme brenda një kulture të vetme. Qoftë të arratisurit nga shtypjet ose ata nga varfëria, të ardhur nga e gjithë bota, të gjithë - me ndonjë përjashtim të vogël -kanë mirëpritur dhe përvetësuar vlerat amerikane, mënyrën e jetesës amerikane, si dhe mundësitë që shoqëria amerikane i jep çdo individi. Dhe vetë Amerika i ka bashkuar të gjithë me lidhje të forta patriotizmi dhe krenarie”.

Udhëheqësit dhe politikanët amerikanë - sot dhe në të ardhmen - e kanë për detyrë që të mbrojnë dhe të promovojnë imazhin moral të kombit të vet, si një vend i cili prej fillimit të shekullit të kaluar, nga Lufta e dytë Botërore dhe gjatë luftës së ftohët, e deri tek lufta për çlirimin e Kosovës – duke fituar kundër nazizmit e komunizmit dhe diktatorëve të lloj-lloj ngjyrash - Amerika ishte dhe mbetet simbol dhe mbrojtëse e lirisë dhe e demokracisë për popujt e shtypur anë e mbanë botës. Kjo për arsye sepse vet populli amerikan kërkon një gjë të tillë.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00