* * *
Funksionarë të policisë së shtetit po bejnë thirrje për qetësi dhe mospërdorimin e dhunës.
(I Rifreskuar)17:30
Konfirmohen tre të vdekur në Spitalin Ushtarak, ndërsa vijon në rritje numri i të plagosurve. Dy nga viktimat e identifikuara janë Zyber Veizi dhe Hekuran Deda.
17:00
Njoftohet se shkon në dy numri i të vrarëve nga policia përpara kryeminsitrisë ndërkohë që numri i të plagosurve rezulton të jetë mbi 20. Një gjë e tillë konfirmohet nga burime spitalore të Spitalit Ushtarak. Mësohet se personat janë vrarë me armë zjarri pistoletë dhe janë qëlluar nga afër. Një nga viktimat identifikohet si Zyber Veizi, 47 vjeç, nga Gjirokastra.
16:30
Vijojnë të shtënat e armëve me breshëri, ndërkohë që në vendngjarje gazetarët raportojnë për rritjen e numrit të personave që ndodhen të shtrirë në bulevard para Kryeministrisë. Vazhdon të përdoret edhe gazi lotsjellës përveç armëve. Dyshohet për rritje të numrit të viktimave. Ndërkohë protestuesit nuk po tërhiqen nga ndërtesa e Kriministrisë.
16:05 - Policia ka hapur zjarr në drejtim të protestuesve, ndërsa gazetarët në vendngjarje raportojnë se një person ka humbur jetën, ndërsa tre të tjerë janë në gjendje të rëndë. Lajmi konfirmohet nga gazetarët e "Shekulli"-t në vendngjarje, por edhe nga Ardian Klosi, i cili rrëfen se njeriu që u vra ndodhej pranë tij dhe se janë qëlluar me armë nga ana e policisë, me breshëri.
16:00- Përkeqësohet situata përpara Kryeministrisë, të shtëna nga ana e forcave të policisë para kryeministrisë, ndërsa ende nuk dihet nëse po qëllohet me plumba të vërtetë apo me plumba gome. Të shtënat vijnë nga brenda Kryeministrisë, ndërsa raportohet për dy persona të shtrirë përtokë.
15:47- Protesta tashme është zhvendosur nga nga sheshi para godinës së kryeministrisë në krah të saj, ngjitur me godinën e Piramidës. Ndërkohë, ka edhe një tërheqje të forcave të policisë. Janë pakësuar forcat e policisë, ndërsa ka vetëm një kordon forcash policore përballë kryeministrisë.
15:32- Vazhdon situata kaotike në sheshin para Kryeministrisë dhe Piramidës. Ndërkohë vazhdojnë të jenë në flakë një makinë e policisë dhe tre makina të tjera private. Gjithashtu në flakë janë edhe palmat para godinës së Kryeministrisë.
15:13- Kryeministria rrethohet me tel me gjemba nga forcat e policisë, ndërkohë që para Piramidës vazhdojnë të digjen makinat e policisë. Pas zbrapsjes, demonstruesit rimblidhen përpara kryeminstrisë duke hedhur thirrje kundër qeverisë
15:08
Pas një tërheqjeje, forcat e policisë janë rikthyer sërish në konfrontimin me protestuesit.
15:03
Protestuesit qëllojnë me gurë në drejtim të forcave të policisë dhe djegin një makinë policie. Parullat e hedhura nga protestuesit janë "Fitore, fitore!".
14: 55- Situata sa vjen e përkeqësohet ndërsa aksioni i policisë për shpërndarjen e protestuesve vazhdon. Demonstruesit sapo mbërriten në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" nisën konfrontimin me forcat e rendit. Pak minuta më vonë policia ndërhyri për shpërndarjen e tyre me ujë, gazlotsjellës dhe granata tymuese. Pamjet e drejtëpërdrejta televizive tregojne nderhyrjet brutale te policisë ndaj disa protestuesve.
14: 30- Funksionarë të policisë së shtetit po bejnë thirrje për qetësi dhe mospërdorimin e dhunës. Ndërsa vazhdon marshimi I protestuesve të cilët kanë rrethuar thuajse nga të katër anët selinë e kryeministrisë. Qe ne momentet e para te mberritjes se tyre perpara Kryeinistrise, jane shenuar disa incidente, perplajsje te qytetareve me forcat e policise.
Gazetaret e Shekulli-t ne terren njoftojne per dy police te plagosur dhe disa demostrues.
13:30
Kanë nisur grumbullimet e para të demonstruesve në pjesë të ndryshme të kryeqytetit. Janë me qindra qytetarët që janë mbledhur sidomos në zonën e Zogut të Zi dhe tek stacioni i trenit, të cilët sapo kanë nisur rrugën drejt qendrës së Tiranës. Bëhet e ditur se në këto rrugë, trafiku është tërësisht i bllokuar. Deri në këto momente, protestuesit mbajnë në duar vetëm parulla me emrat e qyteteve nga vijnë. Udhëtimi i tyre drejt qendrës kulmon para Kryeministrisë, ku sipas planit të organizuar nga PS-ja dhe forcat e tjera përkrahëse të opozitës, në orën 14:00 do të fillojë demonstrata.
Gazetarë të "Shekulli"-t shprehen se të gjitha dyqanet dhe bizneset përreth Kryeministrisë janë mbyllur dhe kanë mbetur të hapura vetëm lokalet.
12:00
Ndërsa që në orët e para të ditës ka nisur organizmi i nisjes së protestuesve që do të marrin pjesë në demonstratën e parashikuar, korrespondentët e "Shekulli"-t njoftojnë se nuk kanë munguar edhe kontrollet e policisë. Kështu autobusët e nisur nga Shkodra, si dhe furgonët janë ndalur nga postblloqe të policisë me qëllim kontrollin e tyre.
Bëhet e ditur se kontrolli ka qenë vetëm me kërkim dokumentacioni, megjithatë një gjë e tillë është parë si një presion për shkak se nuk ka ndodhur më parë ndalimi I autobusëve. Mësohet se janë ndaluar edhe të gjithë furgonët, të cilët dihet që ishin të linjës për në Tiranë. Sipas të dhënave të fundit, bëhet me dije se nga të gjitha rrethet është bërë nisja me autobusë dhe makina private. Korrespondentët tanë njoftojnë për një organizim paqësor të protestuesve nga ana e degëve lokale të PS-së.
11:00
Policia e Shtetit ka rrethuar Kryeministrinë. Gazetari i "Shekulli"-t Denis Dedej, i cili ndodhet në vendin ku pritet të mblidhen gjithë protestuesit raporton se përpara institucionit policia është bërë gardh me 4-5 rreshta
"Ka në të policë të thjeshtë e deri te forcat speciale, të cilët janë të pajisur me skafandra dhe mburoja", raporton Dedej.
Mësohet se ndërkohë deputetët socialistë i janë drejtuar pikave përkatëse të kryeqytetit nga ku do të udhëheqin protestuesit drejt qendrës e më pas kryeministrisë. Mësohet se çdo grup do të shoqërohet nga një makinë me megafonë.
Shekulli
Comments (0 posted)
Post your comment