KE: Politikanët të angazhohen për zgjidhjen e situatës
"Politikanët të bëjnë atë që duhet të bëjnë dhe të tregojnë përgjegjshmëri”.
Ditën e sotme ka reaguar sërish Komisioni Europian për situatën politike në Shqipëri, nëpërmjet zëdhënëses Natasha Butler. “Dua të theksoj se kam bërë dy deklarime mbrëmjen e së premtes për humbjen e jetës së njerëzve. Kemi bërë një deklaratë të veçantë dhe pastaj një tjetër të përbashkët mes zotit Fule dhe zonjës Ashton. BE bën thirrje për përgjegjshmëri dhe zbatimin e shtetit ligjor. Kemi ndjekur situatën nga shumë afër dhe është e rëndësishme të shmangen rastet e dhunës që u panë të premten dhe që kanë disa të vdekur e të plagosur. Është e rëndësishme për politikanët shqiptarë të fokusohen në zgjidhjet që mund të gjejnë së bashku për të punuar bashkë dhe për të gjetur zgjidhjen.
Siç kemi deklaruar i takon liderëve politikë të demonstrojnë maturi dhe përgjegjshmëri, Shqipëria ka aplikuar për në Bashkimin Evropian dhe ju takon atyre të gjejnë zgjidhje. Në e kemi thënë për një vit e gjysmë dhe po e përsërisim sërish se duhet shmangur dhuna. E rëndësishme është që të gjithë politikanët të demonstrojnë përgjegjshmërinë politike”, u shpreh Butler. Duke komentuar sulmin ndaj prokurorisë dhe shërbimit sekret Natasha Butler u shpreh se “nuk i takon BE të tregojë se kush ishte përgjegjës për atë çka ndodhi. E rëndësishme është që të gjithë pjesëtarët e klasës politike të angazhohen për zgjidhjen e situatës. Prioritet i dytë që BE dha për ju ishte që të gjenin një zgjidhje për të miratuar ligjet që kërkojnë shumicën e cilësuar dhe bashkëpunimin mes palëve. Politikanët të bëjnë atë që duhet të bëjnë dhe të tregojnë përgjegjshmëri”. E pyetur se pse komisioni nuk shkon në Tiranë për të tentuar arritjen e një zgjidhjeje Butler tha se “Shqipëria ka kërkuar pranimin në BE dhe po e ndjekim këtë situatë shumë afër pasi Shqipëria është kandidate potenciale.
Komisioneri Stefan Fule ishte në një takim në Strasburg vitin e shkuar dhe e ka ndjekur situatën nga shumë afër. Ka mbajtur shumë takime me kryeministrin Berisha dhe me eksponentët e opozitës. Jemi përpjekur të ndihmojmë Shqipërinë në përpjekjen e saj për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian. I takon autoriteteve shqiptarë të tregojnë që nëse duan ti bashkohen BE kanë një sërë kriteresh të rëndësishme mes të cilave edhe kriteri politik. Hetimi ka nisur të premten dhe vazhdon. Prokuroria ka nisur hetimet dhe ka qenë vendimi i Kuvendit që të ngrejë një komision për të bërë këtë hetim. Është e rëndësishme për sistemin e drejtësisë të respektohet shteti ligjor dhe hetimi të bëhet i plotë dhe transparent. Qeveria shqiptare presim të bashkëpunojë për hetimin mbi atë çka ndodhi në 21 janar”.
Comments (0 posted)
Post your comment