Shkolla, problemet dhe sfidat
Të gjithë e pranojmë se arsimi është shtylla e kombit, dhe të gjithë po ashtu e pranojmë se kombi ynë shqiptarë ka ngecur, stagnuar dhe se nuk është atje ku duhej të ishte.
Jeton Veliu
Megjithëse viteve të fundit ka pasur një fokus më të madh nga shteti në shkolla gjegjësisht në arsim, ënde ka shumë gjëra për tu dëshiruar. Në fakt fokus më i madh ka qenë në infrastrukturën shkollore, gjë kjo që është e domosdoshme për të realizuar një proces aq kompleks sa është mësimdhënia. Por, edhe këtu ënde ka shumë për t`u bërë, kur dihet fakti se në të shumtën e shkollave numri i nxënësve arrin deri në 45 në klasë, këtu bëjnë përjashtim ato shkolla qe gjendën në zonat e thella rurale, zona këto të cilat pothuajse janë boshatisur, për shkak të “emigrimit” të banorëve drejt zonave urbane.
Të gjithë e pranojmë se arsimi është shtylla e kombit, dhe të gjithë po ashtu e pranojmë se kombi ynë shqiptarë ka ngecur, stagnuar dhe se nuk është atje ku duhej të ishte. A thua kjo ngecje dhe ky stagnim është si rrjedhojë e problemeve në “shtyllën” e tij? Është e kuptueshme se arsimi dhe në përgjithësi Kosova ka pasur një të kaluar të hidhur. E kaluar kjo që ka ndikuar më shumë se çdo gjë tjetër në mos zhvillimin e vendit. Robëria shekullore ka pasur dhe vazhdon të këtë akoma pasoja të rënda për shoqërinë tonë. Sidoqoftë, Kosova ka 11 vite që është e lirë, pra 11 vite jo ditë, javë as muaj, janë vite. Gjatë këtyre viteve është punuar, por jo aq sa është dashur dhe aq sa ka pasur mundësi të punohet. Është bërë “diagnostifikimi” i problemeve. Por, diagnostifikimi nuk është problemë aq sa është terapia. Duhet pranuar që ka pasur përpjekje për të zgjidhur problemet, megjithatë ato ende janë prezente, të pazgjidhura. Thënë ndryshe, “tortës” ju është dhënë forma, por jo edhe shija. Klasa e IX, e X, XI, XII dhe XII; ndryshimi i teksteve shkollore; përdorimi testeve për vlerësim të brendshëm e po ashtu edhe për atë të jashtëm (testi kombëtar për kl. e IX dhe ai i maturës); puna në grupe janë disa prej ndryshimeve që u bënë në arsim gjatë dekadës së fundit. Fatkeqësisht këtu kemi të bëjmë më bërjen e disa hapave dytësor para atyre parësor, thelbësor apo bazikë. Kjo do të thotë se ka pasur ngatërrime gjatë proceseve reformative në arsim, e në veçanti në atë fillorë dhe parauniversitar.
Përveç problemeve infrastrukturore rrjedhimisht atyre hapësinore, shkolla ballafaqohet edhe më një sërë problemesh të tjera. Zbatimi i reformave, cilësia, vlerësimi, edukimi, “thyerja” e trekëndëshit pedagogjik ,dhuna, mungesat e shumta të nxënësve, rënia e interesimit apo e motivit për të nxënë, si dhe mossuksesi i nxënësve janë një ndër problemet më madhore në shkollat tona. Sigurisht për t`i zgjidhur të gjitha këto problem duhet angazhim maksimal i profesionistëve, kohë, mjete material dhe mbi të gjitha vullnet. Ajo që duhet të jetë shqetësues për shoqërinë tonë e në veçanti për mësimdhënësit, prindërit dhe ministrinë e arsimit është fakti që për shumë nxënës, shkolla është gjëja më e mërzitshme dhe e neveritshme, që ata duhet bërë. Orët mësimore, janë orët më të gjata për ta, ndërsa zilja është tingulli më i ëmbël me gjithë vrazhdësinë e saj. Andaj, Ministria e Arsimit duhet të zhvillojë politika dhe të hartoj plane, zbatimi i të cilave do të bëjë shkollën një ambient më të dashur, atraktiv dhe stimulues për nxënësit. Kjo do të kishte një impakt direkt në ngritjen e cilësisë, rritjen e interesimit dhe në rezultate më të kënaqshme në përmbushjen e objektivave të parapara në korrikolumin e hartuar nga ministria e arsimit.
Një gjë tjetër që vërehet në shkollat tona është, së nxënësit stimulohen në nxënien përmendësh “bilbilistikë” apo “papagallistikë” të lëndëve mësimore, gjë kjo që është e mundimshme, e lodhshme dhe më e keqja jo e dobishme për shoqërinë dhe vetë nxënësit. Nëse qëllimi është vetëm të memorizuarit e të dhënave, atëherë nuk është etike të mundohen nxënësit, këtë gjë tash shumë mirë mund t’a bëjnë kompjuterët. Ndërsa në anën tjetër nuk vlerësohet, stimulohet dhe “kultivohet” të nxënit logjik, të menduarit kreativ, dhe të menduarit e pavarur. Ka përjashtime por, shumë nga mësimdhënësit kërkojnë të thuhen, riprodhohen të gjitha ato që janë në tekst pa ndryshuar pikë as prejse.
Ka nxënës në klasën III, IV që akoma nuk kanë përvetësuar shkrim-leximin. Kjo vërtetë është e turpshme. Jo vetëm për mësuesit, por edhe për Ministrinë e Arsimit dhe prindërit e papërgjegjshëm. Ndërsa në anën tjetër bëhet obligative gjuha angleze madje nga klasa e parë. Nuk është askush kundërshtues i të mësuarit të gjuhës angleze, por së pari duhet lëvruar ara, pastaj të hedhet fara. Sigurisht nëse duam që ajo të bijë. Përndryshe fara e hedhur mbetet vetëm e hedhur, asgjë më shumë.
Duhet të këtë kriter më të lartë për regjistrimin e nxënësve në gjimnaze. Sipas statistikave të nxjerra nga: http://www.masht-gov.net/advCms/documents/Shenime_Statistikore_2010-11-Arsimi Publik_Parauniversitar.pdf, janë 106.924 nxënës që vijojnë shkollimin e mesëm të lartë ku 44% e tyre vijojnë gjimnazet ndërsa pjesa tjetër shkollat profesionale. Natyrisht, ata që mbarojnë gjimnazin do të duhej të vazhdonin studimet më tej, ndërsa ata të cilët mbarojnë shkollën profesionale do duhej të ishin të gatshëm për tregun e punës. Por, jo gjithmonë gjërat rrjedhin ashtu si duhet. Këtu është një problem mjaftë serioz, jo të gjithë gjimnazistët arrijnë të pranohen në Universitetin Publik, dhe një numër shumë i vogël i atyre që mbarojnë shkollimin e mesëm profesional, mund të sigurojnë një vend pune. Realisht problemi është edhe më i thellë së kaq, dhe përcjellët edhe pas përfundimit të studimeve. Thënë ndryshe i riu kosovar pas përfundimit të shkollimit të mesëm, pa dallim gjimnaze apo shkolla profesionale, është i imponuar ose të vazhdojë studimet më shpresë së pas përfundimit të tyre të gjej një punë, ose të gjejë “fatin” “me letra” diku në Evropë dhe të ikë nga vendi ose të rrijë në shtëpi dhe të bëjë çfarëdo pune që ju ofrohet, nëse ju ofrohet ndonjëherë. Kjo nuk është aspak e këndshme. Gjithsesi duhet bërë një kanalizim dhe menaxhim i drejt i “pasurisë” më të madhe të vendit – rinisë. Përndryshe injorimi i saj mund të sjellë pasoja të rënda për vendin. Sa më parë duhet bërë hapa preventivë në këtë aspekt.
Vërtetë në vendin tonë më shumë po krijohen probleme sesa vende pune. Fajtor jemi të gjithë për këtë gjendje të krijuar, por sigurisht dikush më shumë e dikush më pak. Sidoqoftë është koha të zgjohemi nga gjumi, të këndellemi, t`i hapim sytë “më gishta” dhe të shohim së ku jemi dhe ku dëshirojmë të shkojmë. Më herët për shkak të rrethanave historike, kemi qenë të arsyeshëm, por tani gjërat kanë ndryshuar dhe çuditërisht po vërehet se fajtor për ngecje, stagnim dhe mos zhvillim të vendit më shumë se vetë ne shqiptaret nuk është askush tjetër. Më nuk “pinë ujë” arsyetimet më okupim, robëri etj, etj., nuk ka justifikime më, duhet ecur përpara.
Comments (0 posted)
Post your comment