Shtëpia e akullt
Nën hijen e njëjtë, por në një ulëse tjetër, nga druri më një tavolinë të vockël gjysmë të rrezuar, luanin shah dy pleq të tjerë.
Jeton Veliu
Nën hijen e një druri, të vjetër e me trung të përdredhur, të trash e gjysmë të tharë, që gjendej në oborrin e një shtëpie të vdekur, qëndronte ulur një plak, në fytyrën e të cilit vërehej një mërzi, dëshpërim, mall, dashuri dhe urrejtje për dikë, që aq shumë e donte. Buza ju dridhte, dhe pluskonin kristalet e lotëve kur kujtonte djalin dhe nipërit e tij, të cilët atë ditë të nxehtë gushti, që ishte e akullt për zemrën e plakut, e sollën atë në këtë shtëpi të vdekur, të pajetë dhe të pashpresë. Aty nuk dëgjohen më zërat e fëmijëve, nuk shijohen përqafimet e nipërve dhe mbesave, aty nuk dëgjohet gjë tjetër përveç heshtjes dhe vetmisë që reflektojnë fytyrat e përvuajtura të atyre të moshuarve që gjenden aty.
Nën hijen e njëjtë, por në një ulëse tjetër, nga druri më një tavolinë të vockël gjysmë të rrezuar, luanin shah dy pleq të tjerë. Njëri thatanik e mustaqe të çrregullta e të zverdhura nga tymi i duhanit, ndërsa tjetri barkaçokë, sa mëzi mbërthente xhamadanin. Ata sikur donin të harronin çdo gjë që kishin kaluar dhe bërë për djemtë dhe vajzat e tyre. Ishin të zhytur aq thellë në lojën e shahut, aq sa nuk e vërenin prezencën e të tretit që i shikonte lakmueshëm dhe më xhelozi për këtë “akomodim” të tyre. Potezat e tyre ishin të ngadalshëm, por të shoqërueshëm më batutat që tregonte herë njëri herë tjetri, e pastaj plasnin të qeshurat të cilat ishte e vështirë të dalloheshin nga të qarat. Ato përfundonin gjithmonë më një kollë që shkundte mushkëritë e tyre të rreshkura nga nikotina.
Në anën tjetër në dritaren e katit të dytë të asaj shtëpie, ishte një loke që nuk shkëpuste shikimin e saj drejtë asaj rrugës që për herë të fundit e pa djalin e saj kur u largua. Ajo akoma shpreson në kthimin e djalit të saj të vetëm, i cili që nga dita e dorëzimit në shtëpinë e akullt, më nuk ishte parë andej rrotull. Ndërsa ajo nuk hiqte dorë nga pritja, disa loke, të tjera që gjendeshin në dhomën përballë saj, flisnin me mburrje për të bëmat e tyre. Njëra që ishte më e zëshmja thoshte: “në kohen time, kur pata shku të burri, pas një jave pata hy në magje, ka 20 bukë në ditë i gatuaja, madje verës edhe në ara punoja”, e pastaj e mllefosur shtonte “e reja, tërë ditën rrinë, po s’ka faj ajo, faj ka ai (duke aluduar tek djali) dhe posa kujton atë i mbushen sytë më lot…! Të tjerat që gjenden aty mundohen ta ngushëllojnë, duke treguar diçka sa për të treguar.
Urdhri “koha e bukës, ejani të gjithë” i njërës nga punëtoret ndoshta kuzhinieres pushton qetësin që mbretëronte jashtë në oborrin e shtëpisë së akullt. Loja e shahut e filluar kohë më parë akoma nuk kishte përfunduar, mbeti ashtu për tu vazhduar pas buke. Të gjithë ata që ishin jashtë, filluan të hynë brenda, sa për të ngrënë po aq edhe për t`u takuar me të tjerët që shumë rrallë dilnin jashtë. Rruga e lugës nga pjata deri tek goja, ishte mjaftë e vështirë. Kur pjata ishte me supë, shumë herë ndodhtë që supa të mbetej rrugës, ndërsa luga mbetej e zbrazur. Sdiqoftë të moshuarit herë më lugë plotë, herë më atë zbrazët hanin disa kafshore bukë të cilat i sillnin nëpër gojë një copë-herë derisa përtypnin me ata pak dhëmbë që ju kishin mbetur. Ato kafshore tash nuk kishin aspak shije për pleqtë, për shkak të moshës së shtyrë të tyre. Megjithatë ata vazhdonin të hanin ashtu duke çapitur…
Pasi përfundonte, të ushqyerit ata shpërndaheshin nëpër dhomat e tyre dhe disa prej tyre merrnin ca hapa, për të lehtësuar dhe ndalur përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të tyre. Ata kishin një përkujdesje edhe nga infermieret që punonin aty, por ata kërkonin diçka tjetër, kërkonin përkujdesje nga djemtë dhe vajzat e tyre të cilat i rritën më aq vështirësi. Ndërsa ata sot aq lehtë heqin dorë prej tyre. Ajo që trazonte shpirtrat e tyre dhe që zinte kokat e tyre ishte pyetja “çfarë të keqe i bëra atij, që më la mua” kjo pyetje mbetej gjithmonë pa një përgjigje të kënaqshme…
Loja e shahut u vazhdua nga ata të dy, dhe ai “thataniku” pas shumë humbjeve kësaj radhe fitoj lojën, por të cilës nuk ju gëzua, në atë çast u rrëzua përtokë ai, i tretit i cili në fillim ishte i pavërejtur për këta të dy. Ai vdiq duke kujtuar çastet e vendosjes në shtëpinë e akullt nga biri i tij, të cilin e donte më shumë sesa veten. Përcjellja e atij, për banorët e tjerë ishte mjaftë e dhimbshme…! Ata e kuptonin se largimi nga aty do bëhej vetëm kur të vije vdekja, të cilën shumë herë e kërkonin, por aspak nuk e dëshironin.
Sa mirë një ditë do plakemi edhe ne!
Më këtë nuk dua të them se këto shtëpi pleqsh, azile pleqsh ose shtëpi për kujdesin ndaj të moshuarve quajë si të duash, nuk duhet të ekzistojnë. Jo, në fakt këto shtëpi janë vendstrehim i vetëm për disa të moshuar në shoqërinë tonë. E cila në dekadën e fundit është aq e zënë me absorbimin e “vlerave” perëndimore. E di, që shumë nga ne nuk e mendojnë, në realitet e kundërshtojnë dërgimin e prindërve të tyre në këto shtëpi, por në anën tjetër shumë të tjerë e përkrahin këtë, por duke përjashtuar prindërit e tyre. Disa të tjerë dërgimin e të moshuarve atje e arsyetojnë më shërbimet që ju ofrohen në këto shtëpi si ai mjekësor, e disa të tjerë kujdesin ndaj të moshuarve gjegjësisht prindërve e shohin si pengesë për zhvillimin dhe ndjekjen e karrierës së tyre profesionale. Do të ishte mirë sikur të ndodhte e kundërta.
Sidoqoftë, të moshuarit duhet lërë të vendosin vet, dhe nëse ata vërtet dëshirojnë të largohen nga shtëpia, nipërit dhe mbesat e tyre, për të shkuar e “kënaqur” me moshatarët e tyre siç thonë disa, atëherë lë ta bëjnë. Kundër vullnetit tonë. Sigurisht asnjëri prej tyre nuk do ta bënte këtë. Por, kurrsesi nuk duhet parë si pengesë, dhe të ju imponohet largimi nga shtëpia. E di që ata (perëndimorët) në një mënyrë e bëjnë, por ne jemi “na” sado të mundohemi të bëhemi si “ata” prapë mbesim “na”.
Po pra, sa mirë një ditë do plakemi edhe ne!
Comments (0 posted)
Post your comment