Lëkura e gjarprit
A ishte krejt kjo vetëm një lojë që gjarpri ta ndërrojë këtë lëkurë të rrjepur betejave publike me një prej burrështetasi modern, dhe për këtë e solli në lojë shqiptarin ndoshta më të pasur në glob...
Fadil Lepaja
A ishte krejt kjo vetëm një lojë që gjarpri ta ndërrojë këtë lëkurë të rrjepur betejave publike me një prej burrështetasi modern, dhe për këtë e solli në lojë shqiptarin ndoshta më të pasur në glob, apo ky i fundit po ia zhveshë atij lëkurën e vjetër prej politikanit konspirativ të dikurshëm dhe po e nxjerr në diell lakuriq? Krejt kjo do të shihet në muajt në vijim, ndërkohë që në të dyja variantet demokracia e brishtë kosovare u anashkalua turpshëm ...
A kishte komplot?
Kishte apo nuk kishte komplot, kjo është bërë pyetje në bazë të cilës bahet rreshtimi politik ditor? Natyrisht se kishte komplot. Në fakt krejt këtë version merreni si diçka hipotetike. Nëse e zvogëlon sadopak këtë tollovi që e keni në kokë pas krejt kësaj loje me popullin, atëherë ky shkrim e ka përmbushë qëllimin e vet.
Të shkojmë me radhë. A nuk ishte largimi i presidentit dhe vetëshkarkimi i qeverisë së kaluar një komplot tipik, shembull shkollorë i puçeve? Madje, ndër vëzhgues të vëmendshëm të proceseve politike ndër ne jo pa të drejtë thuhet se vetëm me një komplot të tillë mund të dilej nga ai rreth vicioz ku qytetarët dhe grupe idealistësh e kishin sjellë vendin, me shpresën e tyre se mund ta pastrojnë shoqërinë nga korrupsioni dhe ta ndërtojnë një shoqëri të tipit evropian.
Madje, disa idealist shkonin aq larg, sa mendonin se njëherë duhet bërë një shoqëri përfekte, e pastaj të mbarohet edhe një shtet ideal, të vendoset në rrotë e drejt e në Evropë. Ideja e lirisë dhe demokracisë, sado idealiste duken, janë shumë infektuese dhe përhapen shpejt. Prandaj këta, komplotistët, u kujdesën të mos e lënë situatën të dalë nga kontrolli. Një shoqëri e tillë dhe një shtet i tillë si duket nuk i duhet askujt.
Kështu, komplotistët, e krijuan gjendjen e jashtëzakonshme dhe e zhvilluan në rrethana të jashtzakonshme një proces zgjedhorë, krejtësisht arbitrarë, ku populli ishte vetëm një statist në një komedi me të cilën nuk qeshi askush. Edhe ata që qeshën u trajtuan si të lojtur.
Kontributi qytetar
Madje, nën diktatin e medias së kontrolluar, tash duan që qytetarët e këtij vendi t’i bëjnë të ndihen fajtorë që e dëshiruan një zhvillim tjetër të ngjarjeve. Por, qytetarët e këtij vendi, edhe pse u bindën në pafuqinë e tyre momentale, si duket nuk shohin se kanë ndonjë arsye për t’i brejt ndërgjegjja, sepse ata kishin ëndrra dhe shpresë se ishte momenti i kurorëzimit në përpjekjen e tyre për liri me një qeverisje vërtetë qytetare dhe demokratike. Ata me përpjekjet e veta legjitime, nuk i tradhtuan miqtë e tyre e as ëndrrat e veta. Në fakt, një pjesë e qytetarëve votuan edhe 140%, por këta, si u pa puna më vonë, e kishin edhe ndihmën e komplotistëve.
Zhvendosja strategjike drejt Lindjes
Karakteri ndërkombëtarë i këtij komploti nuk lidhet, as nuk ishte i përkrahur, aspak nga qeveritë e shteteve apo strukturat e tyre inteligjente, por ka të bëjë me konjuktura të fuqishme të biznesit ndërkombëtarë, para të cilit nganjëherë edhe qeveritë e tyre janë të pafuqishme, e mos të flasim për qeveritë tona. Edhe pse puçistët përpiqeshin të tregojnë se krejt botën demokratike e kanë mbrapa.
Fatkeqësisht ky komplot, e bëri një zhvendosje tektonike të qendrës së vendosjes, në drejtim të lindjes. Lindjes në kuptimin gjeopolitik të saj. Ashtu si u zhvendos Japonia me disa metra nga tërmeti i fuqishëm, ashtu duket të jetë zhvendosë Kosova nga kjo krizë që e kaloi. Veçse kjo zhvendosje ndodhi në hartën politike të Ballkanit dhe Evropës. Ky është dëmi më i madh i këtij komploti, i cili në fillim ngjante si vetëvrasje politike.
Nëse dyshoni në këtë pohim, veç mendojeni me kokë të kthjellët: Si është e mundur që pikërisht në këtë kohë, kudo që jetojnë shqiptarët ka krizë sistemore? A është kjo paaftësi gjenetike e shqiptarëve me u qeverisë, apo është një interes konjuktural, i cili ka frikë nga një politikë unike e shqiptarëve në Ballkan?
Potenciali i mekanizmave politikë e institucionale të shqiptarëve fatkeqësisht deri më tani është treguar i pamjaftueshëm për t’i mbrojtur interesa nacionale, apo për ta ndërtuar vizionin për pozitën e shqiptarëve në rajon dhe raportin e tyre me fqinjët. Deklarimet teatrale për orientim perëndimor nuk arrijnë ta fshehin konjukturën e interesave grupore e individuale që shkojnë drejtë lindjes dhe juglindjes gjeopolitike.
Ingranimi i strukturave joformale
Në Kosovë, projekti i zhvendosjes së strukturave jo-formale, sidomos atyre shqiptare, nëpër institucione legale tashmë ishte kryer dhe vetëm kishte mbetur për t’u bërë zyrtarizimi i tyre. Ndërmarrjet publike, administrata, infrastruktura, institucionet e sigurisë, pjesa dërmuese e shoqërisë civile, komunat, mediat publike dhe private, të gjitha tashmë ishin vënë nën kontrollin e këtyre strukturave. Po ashtu vendosja e tyre në ingranazhe ndërkombëtare të interesit, kryesisht korporative, tashmë ka marrë formën e marrëdhënieve vëllazërore ndërshtetërore me disa vende që nuk kanë perspektivë të qartë Evropiane.
Por, të kthehemi te komploti. Shikuar strukturalisht, pra personalitetet kyçe, mbase edhe mund të quhej triumvirat. Nuk po e quajmë kështu për ta theksuar faktin se ky, për dallim nga ai i Romës së lashtë, ishte një komplot pa gjak. Ishte një komplot me duar të pastra. Kjo, megjithatë është e arritura civilizuese e kësaj shoqërie. Sidoqoftë, mekanizmat demokratik arrijnë të bëjnë kombinime të cilat e ndërrojnë jo veç qeverinë, por edhe konjukturën. Duhet veç pak imagjinatë, shumë para dhe kontroll i plotë i medias dhe shoqërisë civile. Dhe grupi komplotist, i cili e bëri një komplot të suksesshëm, u pranua edhe nga faktori evropian, sepse pa dashjen e tyre të gjithë u shndërruan në instrumente të këtij komploti. Edhe përkrahësit edhe kritikuesit. Ishte një komplot perfekt. Në krye të vendit kanë ardhur të gjithë ata të cilët e bëjnë të mundur një marrëveshje me Serbinë dhe të cilët e shpërblejnë koalicionin “ndërkombëtarë” me disa nga kompanitë dhe resurset kryesore të vendit ku do të kenë edhe ata një pjesë të kulaçit.
Thyerja e vullnetit
Komplotistët pra, i kishin të gjitha. Veçse duhej fituar amnistia para se të kryhej komploti, i cili po të dështonte do të cilësohej si krim. U duhej bindur populli se është i pafuqishëm të rezistojë, se nuk meriton ma shumë. Prandaj me rregullat klasike të krijimit dhe menaxhimit të krizave, u krijua ajo që quhej situatë kaotike, kur e vetmja shpresë mbeteshin dy-tri figura që nuk luhateshin nga kursi i tyre. Kështu, u krijuan fushata, nga një pjesë e shoqërisë civile e cila pak a shumë , direkt ose indirekt financohej nga kjo konjukturë. U pa puna se asgjë nuk po jepte rezultate.
Shoqëria civile nuk kishte potencial për ta lëvizë qeverinë. Sepse, ajo duhej të krijonte sfondin kur gjarpri do të hiqte lëkurën e vet, të cilën e kishte bartur deri tash, dhe të dilte me një lëkurë të re e të shndritshme, si një lider modern. Por kjo, nuk u bë për shumë arsye, të cilat me gjasë do të jenë objekt i analizave të shumta. Kështu shefi vendosi t’i kërcej vetes në bark. Të bëj harakiri simulues. Të bëj diçka për ta rrëzuar vetveten, pastaj kur të ringrihet si feniksi nga hiri i vet, për çudi nuk do ta kishte në kabinet asnjërin nga ministrat që e pengonin, sidomos me imazhin e tyre. Ata ishin pjesë e lëkurës së moçme, të cilën tashmë e ka hedhur.
Zhvillimet e pritshme brenda grupit
Se si do të rrjedhin gjërat në këtë triumvirat mbetet të shihet. Pasojat ishin një president i shkarkuar, bashkë me disa ministra, një palë zgjedhje që na e rrënuan reputacionin ndërkombëtarë, një orientim i theksuar nga lindja dhe juglindja, premtime të pambajtura, një zhgënjim i madh në popullatë e cila po priste hapa edhe më të fuqishëm drejt Evropës, zhvillime negative në raport me fqinjin verior, edhe shumë pasoja tjera të cilat mbase do të shihen tek ma vonë.
Sa i përket komplotit, me gjasë, njëri nga të tre, shpejt do të shkoi në detyrë të re, në ndonjë vend me zhvillim të përafërt në Azi apo Afrikë. Tjetri i mbetur pa bazën e vetë, me reputacion të tronditur në shtëpi do të mbetet në dorën e biznesmenit të cilin e ka sjellë vet në pushtet. Tentativat për ta luhatur atë me akuza për të kaluarën do ta bindin shpejt se ka sjellë në pushtet një fuqi të cilën nuk mundet ta kontrolloj, sepse prapa tij, qëndron një fuqi shumë më reale sesa grupet militante. Derisa pak a shumë, i pari dhe i fundit e kanë një perspektivë të qartë edhe po të zhvendoseshin nga këto pozita që i kanë, ajo që është e paqartë është fati i gjarprit me lëkurë të re.
Me një diplomat tjetër, i cili do të merr gjithsesi direktiva të tjera nga ministria e vet e jashtme, dhe me një biznesmen të fuqishëm si kryet formal të vendit, duket sfiduese se si do ta mbajë kontrollin njeriu i cili megjithatë mbeti në shalë deri më tani, në lojërat që i filloi vet apo ia filluan të tjerët? Gjithsesi loja po merr përmasa krejtësisht të reja duke pasur parasysh lojtarët e rinj… dhe rrethanat e reja!
Dhe për fund: A ishte krejt kjo vetëm një lojë që gjarpri ta ndërrojë këtë lëkurë të rrjepur betejave publike me një prej burrështetasi modern, dhe për këtë e solli në lojë shqiptarin ndoshta më të pasur në glob, apo ky i fundit po ia zhveshë atij lëkurën e vjetër prej politikanit konspirativ të dikurshëm dhe po e nxjerr në diell lakuriq? Krejt kjo do të shihet në muajt në vijim, ndërkohë që në të dyja variantet demokracia e brishtë kosovare u anashkalua turpshëm ...
Comments (0 posted)
Post your comment