Home | Society | Marsi, muaj i shqiptarëve

Marsi, muaj i shqiptarëve

image
Ky duhet të jetë Marsi historik, Marsi i kompromisit, Marsi i paqes dhe stabilitetit në rajon. Marsi i hapjes së rrugës për t’iu bashkuar Europës.

 

 

 

 

Taulant B. Muja

 

Me të filluar muaji Mars, të gjithë e dimë se po vjen Pranvera dhe fillojnë të lulëzojnë fushat e malet. Muaji Mars, te ne shqiptarët, në shumë periudha të historisë, nuk na solli aromën e luleve dhe cicërimën e zogjve. Por aromën e barutit dhe krismat e pushkës. Thuajse çdo fletë e shkruar e historisë tonë kombëtare shqiptare e ka të shkruar nga një datë që i përket muajit Mars. Këto data kanë rëndësinë e vet secila. Këto data, për shqiptarët dhe kombin tonë kanë qenë vendime, disa pozitive e disa negative. Por të shoqëruara, me gjak, djegie dhe shkatërrime. Marsi është muaji i rrjedhës ndryshe të historisë kombëtare dhe shqiptarëve në përgjithësi.

Marsi (Ares) në mitologjinë greke njihet si Zoti i Luftës. Luftërat në mitologjinë kreke thuhet se zakonisht i kanë udhëhequr zotat. Ata vendosnin për fatin e luftës dhe luftëtarëve. Emërtimin Mars e hasim në dy kuptime: te grekët, që e identifikuan me perëndinë e tyre të luftës – Ares, dhe tek romakët, të cilët në fillim e njihnin si perëndi të vegjetimit të tokës e të maleve, e më vonë si perëndi lufte. Prandaj, edhe fillimi i vitit tek romakët fillonte me muajin mars, me 1 mars, në muajin e ekunikosit (barasnatës) të pranverës, në muajin e ringjalljes së natyrës, që marrë realisht, është shumë më e natyrshme sesa fillimi i viti, sipas kalendarit të krishterë, me 1 janar.

Krahasimi i marsit sipas mitologjisë greke, si Zoti i Luftës... Si planeti me ngjyrë të kuqe. Ngjyra të kuqe ka zjarri edhe gjaku. Ky planet ngjanë të jetë, simbol i luftës, shkatërrimit dhe djegies. Po të hymë thellë në kronologjinë botërore , na del se muaji Mars vërtetë është muaji i luftërave, shkatërrimeve dhe djegieve. Kemi rastin kur SHBA dhe Britania e Madhe, në një sulm të përbashkët, sulmuan Irak-un, më 20 mars 2003. Si dhe sulmi terrorist në kryeqytetin e Spanjës, në Madrid më 11 mars 2004.

Marsi te shqiptarët

Më 27 mars 1881, në atë kohë Qeveria e Stambollit dhe ajo e Athinës nënshkruan marrëveshjen e re kufitare, që i mundësonte Portës së Lartë veprime ushtarake ndaj autonomisë shqiptare. Po në këtë muaj, Qeveria e Stambollit, organizoi një ekspeditë ushtarake e përbërë nga 40 batalione të udhëhequr, në krye me Dervish Pashën që sulmuan forcat tona në krye me Sylejman Vokshin.

Më 18 mars 1908 forcat turke nisën ekspeditën ushtarake, pasi iu vra komandanti turk i xhandarmerisë në Gjirokastër, kundër luftëtarit të lirisë, Çerçiz Topulli, që njihet si Lufta e Mashkullores.

Më 24 mars 1911 Dedë Gjo Luli e filloi kryengritjen e madhe e cila shumë shpejt u shtri në gjithë Malësinë e Shkodrës. Luftime zgjaten dy jave, ata arritën që më 6 prill, ta ngritin flamurin shqiptar në majën e Bratilës së Hotit.

Më 22 mars 1913, ne Konferencën e Ambasadorëve në Londër, u vendos për copëtimin e trojeve shqiptare, duke shkëputur nga Shqipëria gjithë Kosovën dhe Çamërinë si dhe viset tjera shqiptare, si: Tetovën, Dibrën, Gostivarin etj. Që më pas pati kryengritje të shumta, të armatosura.

Më 7 mars 1914, arriti në Durrës, i zgjedhur nga fuqitë e mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, si princ i Shqipërisë, gjermani Vilhelm Vid.

Më 7 mars 1919, delegacioni i qeverisë shqiptare që shkoi në Konferencën e Paqes, që u mbajt në Paris (1919-1920), ia paraqiti kësaj konference propozimin që në krahinat shqiptare që kishin mbetur jashtë kufijve të vitit 1913, të vendoseshin forcat e SHBA-së për t’i administruar ato. Por pas 90 viteve forcat e NATO-s, të udhëhequra nga SHBA-ja, u vendosën në Kosovë. Por ndryshe, për të vendosur paqen dhe për ta siguruar popullin e Kosovës, qe gradualisht të rimëkëmbet dhe ta ndërtojë shtetin e vetë të pavarur dhe demokratik.

Në mars 1920, u krijuan disa komitete të “Mbrojtjes kombëtare” për çlirimin e krahinave të pushtuara nga Italia dhe Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene. Disa muaj më vonë filloi sulmi i kryengritësve shqiptarë në krahinën e Vlorës që së shpejti u shndërrua në një kryengritje të të gjithë popullit shqiptar.

Më 25 mars 1939, qeveria italiane ia paraqiti Ahmet Zogut një traktat për nënshtrimin e Shqipërisë. Më pas, trupat fashiste italiane sulmuan Shqipërinë.

Më 11 mars 1981, në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, filluan demonstratat e studentëve për lirinë e popullit shqiptarë të Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare në Jugosllavi e që u përhapën në shumë qendra të tjera të Kosovës, si më 26 mars në Prizren etj.

Më 23 mars 1989, Kuvendi i Kosovës, me direktiva nga Serbia, miratoi amendamentet kushtetuese nëpërmjet të cilave u hoq plotësisht subjektiviteti politik dhe ekonomik i Kosovës. Popullata shqiptare e revoltuar nga kjo tradhti (meqë prej 136 delegatëve shqiptarë në këtë kuvend, vetëm dhjetë prej tyre refuzuan këtë miratim) vërshoi rrugët me demonstrata masive që u shuan me gjak nga okupatori serbomadh.

Më 26 mars 1990, populli i Kavajës, për herë të parë, pas një periudhe të gjatë nën regjimin komunist, mori guximin dhe shpërtheu në një demonstratë të fuqishme antikomuniste, që u shtyp me dhunë, por që ndikoi dukshëm në ndryshimet pluraliste në Shqipëri, të cilat pasuan një vit më vonë. Shqipëria vazhdoi rrugën e saj, për në NATO, dhe synimin për të qenë pjesë e Familjes Evropiane.

Marsi brenda një dekade

Marsi i vitit 1998 që në Kosovë, ndryshoi rrjedhën e historisë. Ky ishte marsi, ku bota demokratike, fillojë ta kthejë vëmendjen, nga Kosova dhe populli i saj i shtypur e i torturuar, nga pushteti çetnik i Serbisë.

Më 5 mars 1998, forca të mëdha ushtarako-policore serbe rrethuan Prekazin legjendar. Epiqendër ishin kullat e Jasharajve ku u zhvilluan luftime të rrepta për tri ditë e net rresht mes forcave të UÇK-së, të udhëhequra nga Komandanti Legjendar, Adem Jashari, dhe makinerisë së rëndë serbe. Në këto luftim ra heroikisht komandanti, Adem Jashari, dhe 47 anëtarë të tjerë të lagjes Jasharaj.

Më 24 mars 1999, NATO filloi sulmet ajrore mbi ushtrinë, policinë dhe forcat paramilitare serbe, si kundërpërgjigje ndaj dhunës dhe masakrave që zhvillonin ato mbi popullatën shqiptare dhe, pas tre muaj bombardimesh, e detyroi Beogradin të kapitullojë. E detyroi atë që t’i tërheqë të gjitha forcat e armatosura nga Kosova.

Më 17 mars 2004 në Kosovë shpërthyen trazirat, ku humbën jetën me dhjetëra dhe u plagosën me mijëra protestues. Shkaktar i këtyre trazirave ishte mbytja e tre fëmijëve shqiptarë nga fshati Çabër në lumin Ibër, si pasojë e kërcënimit dhe ndjekjes nga ekstremistët serbë, si dhe bllokimi i aksit rrugor Prishtinë – Shkup në Çagllavicë, po ashtu nga ekstremistët serbë.

Më 8 mars 2005 Kryeministri i Kosovës dhe luftëtari i lirisë Ramush Haradinaj, bashkë me dy bashkëluftëtarë të tij, akuzohet nga Tribunali i Hagës për krime lufte, dhe me 9 mars 2005, ai shkon vullnetarisht në Hagë.

Këto janë disa data historike që kryesisht i përkasin kombit tonë shqiptar. Historia jonë në shumicën e rasteve është shkruar në muajin Mars. Ka edhe shumë data të tjera që i përkasin ndonjë ndodhie për kombin shqiptar.

Prapë Mars, shpresojmë ndryshe!

Rastësi, më 8 Mars këtë vit filloi dialogu ndërmjet grupit negociator të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Dialog i shumëpërfolur nga qarqet e ndryshme, vendore e ndërkombëtare. Dialog i cili shpresojmë se të dy palët të gjejnë gjuhën e kompromisit. Te dy palët të pajtohen për paqe dhe stabilitet. Të mbrojnë me gjuhën e arsyes të drejtat e tyre racionale. Të janë më praktik. Për të mirën e të dy popujve, shqiptar dhe serbë. Republika e Serbisë duhet ta njohë realitetin e krijuar në Ballkan dhe gradualisht të ecë drejtë njohjes së Kosovës, e pavarur, demokratike dhe e aftë të krijoj raporte fqinjësore më të gjithë, shtetet përreth.

Le të jetë ky mars, marsi i fundit, i mospajtimeve, urrejtjeve dhe synimit për prishjen e paqes dhe stabilitetit. Ballkani është ngopur nga këto dukuri. Ballkani ka nevojë për paqe dhe respekt fqinjësore, ndërmjet shteteve. Shtetet e Ballkanit të cilat ende nuk janë pjesë e Evropës së Bashkuar, të pranojnë kursin e politikave integruese dhe të janë pjesë e implementimit të standardeve të Bashkimit Evropian.

Ky duhet të jetë Marsi historik, Marsi i kompromisit, Marsi i paqes dhe stabilitetit në rajon. Marsi i hapjes së rrugës për t’iu bashkuar Evropës. Sërish e presim marsin, por jo kështu. Lutem për Paqe. Marsin tjetër të jemi duke shëtitur Evropën. Mos të kemi pengesa për viza. Kosova mos të jetë një vend i izoluar. Por qytetarët e Republikës së Kosovës të janë të lire për të lëvizur. Të shkojnë aty ku të dëshirojnë dhe prapë të kthehen.
Me shpresën se marsin e vitit të ardhshëm, Serbia është e gatshme ta njehë Republikën e Kosovës. Duhet!

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00