Aritmetika e thjeshtë e “kostos” së deputetit
Një barrë edhe më e rëndë, dhe një taksë edhe më e madhe paguhet nga taksapaguesit shqiptarë për deputetët e qeveritarët tanë të nderuar. “Çmimi” i tyre është shumë i lartë, ndër më të lartit që paguan populli fukara.
Nga Pandeli Bardhi
Të gjitha çmimet e mallrave të konsumit të përditshëm kanë ardhur vazhdimisht në rritje, Nuk kanë mbetur prapa edhe faturat e energjisë elektrike, të ujit e kështu me rradhë të gjitha llojet e taksave që paguajnë qytetarët. Në fund të fundit, kriza vepron dhe si e tillë, edhe çmimet do të rriten, Po të konsumojmë, në fund të fundit, do të paguajmë edhe çmimet e larta, aq sa të jenë, po të duam të jetojmë. Por kjo nuk është e keqja e madhe, përpara asaj të “çmimit” të deputetëve tanë dhe qeveritarëve, që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë si “frëngu pulën” Dhe “cmimi” i tyre nuk është si dokudo, por është çmimi më i lartë. Dhe përse? Për gjëra që as “ndezin” e as “shuajnë”. Kësaj i thonë “të blesh belanë me para”, “Bela” është edhe taksa që paguhet për Televizionin Publik Shqiptar, nga 100 lekë në muaj. Jo se kjo është ndonjë taksë e madhe, por të paguash për të dëgjuar “serenata” qeveritare, për të “mpirë’ trurin e çdo shqiptari, kjo është pa ç’është. Do të ishte në nderin e atyre zotërinjve dhe do të ishte shumë herë më e ndershme që tu thonë shqiptarëve që këtë taksë do ta paguani për “nderin” që i bëni duke mos e hapur asnjëherë, por vetëm duke e ditur që edhe ai ekziston!.
Një barrë edhe më e rëndë, dhe një taksë edhe më e madhe paguhet nga taksapaguesit shqiptarë për deputetët e qeveritarët tanë të nderuar. “Çmimi” i tyre është shumë i lartë, ndër më të lartit që paguan populli fukara. Të gjithë jemi njohur me vendimin e fundit të Parlamentit, jo me të gjitha votat e deputetëve, por vetëm me ato të mazhorancës për ngritjen e ndërtesës së parlamentit të ri Kjo do të kushtojë jo shumë, por 110 milionë euro. Thuhet që është kaq, por ekzaktësisht, askush nuk e di... Po të llogaritësh shumën që i bie të paguajë populli, për çdo deputet, është afërsisht 786 mijë euro për çdo zotëri ligjvënës të cilët i kemi si “ujët e pakët”. Kjo është një shumë që paguhet cash, me para në dorë dhe vetëm për ndërtimin e një ndërtese të re që siç e quajti një deputet i mazhorancës është “fytyra” e Shqipërisë. Kjo shumë është veç atyre që u shpenzuan për kompletimin dhe modernizimin e sallës ekzistuese parlamentare që në mos gaboj kushtoi rreth 700 mijë euro. Kjo shumë është veç atyre që u shpenzuan për kthimin e Piramidës në qendër kulturore, që, qofsha unë i gabuar ishin rreth 3 milionë euro.
Sikur këtyre shumave ti shtojmë edhe ato të vilave, të trojeve e shumave marramendëse që kanë depozituar nëpër banka e llogarira të ndryshme, deputeto-qeveritarët, merret me mënd se sa i kushton një deputet popullit shqiptar. Këtu, nuk llogariten makinat. e shpenzimet e tjera që ata bëjnë. Po mirë, do të thotë dikush, të rrimë pa parlament? Nuk themi që parlamenti të mos bëhet, por gjërat bëhen të pjekura e me laps në dorë. Përderisa do të bëhej Parlamenti i Ri përse ishte e domosdoshme të bëheshin shpenzime në atë ekzistues, dhe në piramidë? Po ajo piramidë, që do të prishet, nuk don shpenzime? Ka edhe kjo një domethënie. “Faraoni” i sotëm do ti tregojë gjithë botës, tani jo me fjalë, por me vepra, se ne nuk pyesim kur është puna për para, se me këtë rritje ekonomike që kemi ne, bëjmë jo një por disa parlamente “Miss Bota” i do të gjitha të bukura. Kur natyra ja dha dhuratë bukurinë Missi-t, ne ja prishëm. Tani, duam ta zbukurojmë duke prishur!.
Por të mos mendojmë se me kaq u “shlyem” me deputetët. Jo, jo, ata vazhdimisht kërkojnë, sepse forca e tyre “buron” nga populli, nga ai, që ata “përgjërohen” aq shumë. Para fushatës zgjedhore Parlamenti, me një ligj të posaçëm, miraton edhe shumën e parave për fushatën zgjedhore. Këto para jepen që ata të shkojnë e të “qajnë” hallet me popullin. Të japin drita atje ku nuk ka, të bëjnë rrugë atje ku mungon, të ndihmojnë fshatarin atje ku i bie “bretku” për të prodhuar për vehte e për shoqërinë, ti shpien ujë të pijshëm atje ku nuk ka, pa le më pastaj ujë për të vaditur…
Edhe në zgjedhjet e fundit, jo pak, por 40 milionë euro u shpenzuan, Përse? për ti mbushur mendjen votuesve që të votohet ai që thonë qeveritarët. Për të bërë një propagandë bajate e për të mbushur muret me fotografitë e atyre që pasurohen. Për ti bërë pankarta e billborde, stacionare e të lëvizshme nëpër makina e autobusë!. Malli i mirë shet vetvehten, thotë populli. Lëreni popullin të qetë zotërinj qeveritarë, se ai e din vetë kujt t’ja japi votën. E megjithatë Basha u bë Kryebashkiak nga “drejtësia”. Drejtësi zeza, që kurdoherë i ka vënë pikat mbi “I. Gjithë këto para, harxhohen për më pak se një muaj. Pas kësaj, çdo gjë bie në qetësi. Edhe deputetët, edhe kryetarë, nuk kujtohem më, me përjashtim të ndonjë rasti të rrallë, nëse ka elektorat apo jo. Deputetëve nuk u del koha më, sepse duan të përgatiten për diskutime në Parlament, sepse atje duhet të shkosh, jo me një diskutim dosido, për hallet e zonës, por për të sajuar gënjeshtra e “broçkulla”. Nuk i del koha mbasi duhet të përgatiten se sit ë shajnë e diskriminojnë kundërshtarin, si e si të bëhen qesharakë në sytë e botës. Atyre nuk ju del koha mbasi e vrasin mendjen se si do të bëjnë vila, të blenë toka e të bëjnë pasuri, sepse në fund të fundit, nuk mund të ketë mirëqenie për të gjithë pa mirëqenien e individit!.. Njëra anë është të bësh pasuri e katandi, në një kohë që populli, vuan për kafshatën e bukës, për pikën e ujit, për një copë rrugë. Ajo ç’ka është më kryesorja, duhet të dish edhe ta mbrosh atë, dhe për të mbrojtur atë duhet të mbrosh karrigen, ajo të sjell të ardhurat. Sapo një deputet, bëhet ministër edhe të ardhurat dyfishohen. Ka një faj edhe Kryeministri këtu,që gjatë mandatit të kësaj mazhorance që ai shpreson të jetë i gjatë, të kalojë në “sitën” e rotacionit sa më shumë ministra, në mënyrë që sa më shumë njerëz të pasurohen aq më mirë është për shoqërinë!
Parlamenti i vjetër u bë si u bë, po e mbyll ciklin e tij. Atje nuk dëgjuam ndonjë debat, midis deputetëve që të bëjnë sherr, fjala vjen, për ta venë Qeverinë në “mengene” për të investuar në zonën e x deputeti, ku ka më tepër shqetësime, Sherret, atje janë bërë, për “mustaqet e Çelos”, që jo vetëm nuk kanë zgjidhur hallet e njerëzve por përkundrazi, i kanë stresuar ata, me “gallatën” që bëjnë duke filluar që nga Kryeministri. Kryeministrit i ikën “syri” kur opozita e akuzon për korrupsion, por nuk i bën syri “tërr” kur është puna për elektoratin... Se sa punoi ai në zonën e tij në Kavajë, kjo u pa qartë. Atij i intereson jo zona ku është deputet, por vënia në vend e “nderit të nëpërkëmbur” të tij! Edhe Iliri, që megjithëse i shkurtër, ka për borxh të kërcejë jo mbi tavolina, por të bëhet edhe “kampion” në kërcim së larti, vetëm e vetëm që të mbrojë “sarajet” e tij dhe jo ato të zonës, ku ai është deputet. Ai ka dëgjuar që mbrojtja më e mirë është sulmi. Ai sulmon Prokurori e me ç’ti dalë përpara, vetëm e vetëm që të shpëtojë edhe këtë radhë nga bataku, ku është futur, pa di vetë ai pastaj si “nusëron” për elektoratin! Kështu, vijnë të gjithë me radhë deri te Halimi e Bumçi që u bënë ministra ditët e fundit. Ata u bënë jo se dinë ‘shkrim e këndim”, jo se elektorati është i kënaqur nga puna e tyre, por ata ishin të parët që “shpartalluan” pa nam e nishan “puçin”që “organizoi” opozita më 21 janar. Pritet tani të “gradohet” edhe krahu “I armatosur” Hysni Burgaj, mbasi Luli, do të “lulëzojë” në Bashki. Po ti hedhësh një sy lajmeve që jepen, dëgjon vetëm ankesa për ujë e për drita. Ankohen po kush i dëgjon? Ata kërkojnë zgjidhje nga gazetarët, mbasi deputetët nuk bëhen të “gjallë”. Si për ironi të fatit ata kanë lënë fotografitë dhe billbordet nëpër muret e ndërtesave të Komunave e Bashkive, me shpresë që të mos i nxjerrë “jashtë loje” erozioni derisa të vijnë zgjedhjet e ardhshme, kur ata të venë për t’u qarë hallin, tu “japin” para, edhe nëqoftëse nuk ka shteti, t’u japin nga “kursimet” e tyre! Ky është “çmimi” më i madh që elektorati paguan, për ata që ka zgjedhur për ti “qeverisur” hallet e tyre, por që ata e përdorin besimin e tyre për të “qeverisur” vetvehten, mbasi sot nuk ka siguri, sot janë, por nesër nuk i dihet…
Comments (0 posted)
Post your comment