Home | Society | Pushteti i pavlerë

Pushteti i pavlerë

image
Hapi tjetër që ne duhet ta bëjmë si qytetarë aktivë të një shteti është se duhet të mësohemi dhe duhet të guxojmë t’i denoncojmë të gjitha ato raste të keqpërdorimeve dhe të hajnisë nga ana e pushtetit. Dikush mund të thotë se nuk kemi gjykata që mund të merren me politikanët hajna.

 

 

 

 

Petrit Bajraktari

 

 


Apriori dihet se për ta realizuar një ide, apo projekt, duhet gjithsesi të posedohet një plan i qartë, i cili përfshin gjithë rrugën deri në detaje të mbarëvajtjes drejt realizimit të atij projekti. Politika në Kosovë dhe shoqëria në përgjithësi gjenden në një udhëkryq të mjegullt. Rrugët për të cilat na flet pushteti i tanishëm dhe këto institucione qeveritare, jo që nuk janë të mira, por madje ato edhe nuk janë aspak të qarta, ngase qëllimi fillimisht nuk është i qartë e as i drejtë.

Qeveria e Kosovës ndryshe mendon, ndryshe flet e shumë më ndryshe vepron. Kjo Qeveri dhe ky pushtet nuk ka ide e as koncepte të shtetbërjes dhe forcimit të shtetit. Kësaj Qeverie, përveçqë i mungon vullneti për të qenë afër qytetarëve dhe në një vijë me kërkesat e tyre, i mungon edhe legjitimiteti për të udhëhequr me vendin, ngase të gjithë e dimë se si i morën votat në zgjedhjet e fundit dhe si e formuan Qeverinë duke bërë pazare dhe koalicione interesash.

Dihet se qëllimet dhe qëndrimet e paraqitura në mënyrë deklarative dhe mediatike nuk paraqesin doemos edhe ndjesinë e as plotësimin e nevojës së brendshme të politikës tamam realiste. Qeveria e Kosovës ka humbur rrugën e drejtë, dhe në mungesë të vullnetit të gjetjes së saj po na dëmton pariparushëm me plane e projekte, siç janë negociatat me Serbinë, e të cilat duhet të ndalen menjëherë. Nuk mund të pritet ndonjë gjë e mirë apo ndonjë sukses nga një politikë e cila është tejet e padefinuar, të cilës i ka humbur orientimi kombëtar, dhe për më tepër, si mund të presim gjëra të mira nga një Qeveri me koncepte të gabuara politike, e cila vetëkënaqet me injorancën e vet të tepruar.

Ky pushtet po negocion me Serbinë pa na pyetur fare dhe në dëmin tonë. Marrëveshjet e arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë janë lajmi më i keq për vendin dhe të ardhmen tonë. Por do të jetë edhe më keq nëse këto negociata nuk ndalen. Kjo Qeveri duhet ta vë gishtin në kokë e të mendojë se sa të dëmshme janë këto negociata që po na e rrezikojnë jo vetëm të tashmen, por edhe të ardhmen e brezave që vijnë. A duhet ne të lejojmë që shkaku i katër apo pesë personave të pësojmë kaq shumë? A duhet që ne, populli, t’i durojmë këta politikanë që po na e shesin dinjitetin dhe lirinë vetëm pse këta janë vetë të shitur paraprakisht? A nuk është turp për Qeverinë që veteranët e UÇK-së të qëndrojnë nën tenda për dy muaj rresht dhe të heshtet? A duhet pajtuar që të jetojmë kështu siç edhe jemi në një varfëri kaq të madhe e me politikanë shumë të pasur? A është në rregull të heshtim përballë kësaj hajnie të madhe që na bëhet në mënyrë të organizuar institucionale? Për krejt këto dhe të tjera përgjegjëse është Qeveria e Kosovës. Por, pashmangshëm lind pyetja e radhës se si të veprohet kundër krejt këtyre, dhe cili mund të jetë roli dhe ndikimi ynë si qytetarë të këtij vendi?

Mbase është e lehtë t’u japim kah pozitiv krejt këtyre çështjeve që lidhen drejtpërdrejtë me fatin tonë nëse gjithsesi do të jemi më aktivë në kuptimin e asaj që t’i shohim të metat dhe të këqijat pa ndikime apo ngjyrime në baza partiake e politike. Për shembull: Qeverisë së Kosovës dhe, në veçanti Hashim Thaçit, duhet t’ia bëjmë me dije që ne, populli, jemi sovrani, dhe se puna e tij dhe e klikave të tij është e mbrapshtë dhe gjithsesi që po vëzhgohet nga ne. Ai këtë mund ta marrë si joserioze në këto moment, por që në kohën e zgjedhjeve të ardhshme do ta kuptojë se çka kemi dashur t’i themi saktësisht. Pra, nuk duhet ta lejojmë të na vjedhë sërish vullnetin dhe të drejtën e votës së lirë, siç bëri në zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën me 12 dhjetor të vitit të kaluar.

Hapi tjetër që ne duhet ta bëjmë si qytetarë aktivë të një shteti është se duhet të mësohemi dhe duhet të guxojmë t’i denoncojmë të gjitha ato raste të keqpërdorimeve dhe të hajnisë nga ana e pushtetit. Dikush mund të thotë se nuk kemi gjykata që mund të merren me politikanët hajna. Po, kjo mbase tani për tani është e vërtetë, ngase edhe këtë institucion Thaçi e ka futur nën ombrellën e tij. Por, do të ishte shumë e rëndësishme sikur dosjet të jenë të palosura, dhe një ditë kur në pushtet do të jenë forcat e reja politike që gjithsesi do të ndodhë, pa dyshim se do të merren me to, ngase do ta kenë guximin, por mbi të gjitha, nuk do t’u mungojë vullneti për ta çliruar vendin nga hajdutët e shumtë që sot janë në nivele të larta drejtuese të shtetit tonë, e deri në kryetarë komunash.

E kur jemi te komunat, mjafton ta shihni raportin e zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për pasqyrat vjetore financiare të Komunave të Kosovës për vitin 2010, ku gjenden shumë parregullsi dhe vjedhje të parasë së taksapaguesve në të gjitha komunat pa dallime nëse aty udhëheq PDK-ja, LDK-ja ose AAK-ja. Kjo tregon se kur është puna për koncesione të dëmshme për vendin tonë, dhe kur është puna për pushtet e hajni, të gjitha këto parti politike bëhen bashkë, siç edhe e kanë dëshmuar më parë. Gjithsesi ne nuk duhet të presim duarkryq e duke shpresuar se gjërat mund të ecin vetvetiu nga e mbara. Ne duhet të punojmë shumë duke besuar fillimisht se jemi ata të cilët mund ta ndryshojmë situatën politike dhe ekonomike për të mirë.

Situatën e tashme e kemi tejet sfiduese dhe të mjegullt, por të ardhmen mund ta kemi të ndritur nëse mësohemi t’i ndëshkojmë të gjithë ata që shkelin ligjin, keqpërdorin paranë e popullit dhe nuk i përmbahen idealeve të qarta kombëtare. Mjete demokratike janë aksionet qytetare dhe demonstratat masive për një të ardhme më të mirë. Kjo mbase shpreh qartë nevojën që Kosova duhet të ketë forca të reja politike në krye të saj që do ta forconin shtetin e do t’i jepnin kuptim dhe vlerë pushtetit.

Krejt në fund, një qytetar hallexhi me pyeti një ditë: “A thua do ta kemi ndonjëherë një pushtet i cili do të mund t’i japë kuptim dhe vlerë këtij vendi të katandisur në varfëri dhe në parregullsi?” Ndërsa përgjigjja ime ishte se kjo do të ndodhë vetëm atëherë kur ne e duam një pushtet të tillë dhe ia bëjmë hyzmetin.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00