Home | Society | Pajtimi për marrëveshjen

Pajtimi për marrëveshjen

image
Kosova do të duhej pa humbur kohë të fillojë negociatat me NATO-në dhe BE-në për të ridefinuar prezencën e misioneve të tyre në Kosovë. Nuk mund të kemi një Kosovë të pavarur përderisa i kemi misionet ndërkombëtare ekzekutive që nuk na njohin. 

 

 

 

Sokol Bylykbashi

 

 

 


Pajtimi i Qeverisë se Kosovës për marrëveshjen ndërmjet KFOR-it dhe Serbisë për veriun e vendit tonë shënon ndërprerjen e veprimeve shtetërore të Kosovës për të shtrirë juridiksionin në terë territorin e Kosovës. Qeveria e Kosovës bëri vetëm një hap dhe u zmbraps pa vënë ligjshmëri në veri. Hashim Thaçi nuk u tregua i vendosur për zgjidhjen e problemit të veriut. Vendosmëria politike nuk matet me deklarata marketingu, por me koherencë veprimi.

Marrëveshja 10 pikëshe në mes të KFOR-it dhe Serbisë ka tri të meta thelbësore: E para, pamundëson veprimin e mëtutjeshëm të Qeverisë në veri. E dyta, i mundësohet KFOR-it që të jetë autoriteti suprem për pikat kufitare 1 dhe 31. Dhe e treta, lejon që të futën mallrat serbe me automjete 3.5 tonesh, kinse për çështje humanitare. Kjo marrëveshje me këto parime ia zgjate jetën strukturave paralele në veri. Dhe kjo do të thotë se në ketë pjesë të territorit nuk do të mungojnë veprimet e paligjshme dhe kriminale si deri më tani. Pra, strukturave paralele serbe praktikisht i është mundësuar që ta cenojnë sovranitetin dhe integritetin e shtetin tonë edhe në të ardhmen.

Gatishmëria dhe uniteti politik e qytetar për të ndihmuar Policinë e Kosovës nuk rezultuan me një strategji dhe veprim të përbashkët. Fajet për ketë i ka Qeveria gjegjësisht udhëheqësi i saj Hashim Thaçi. Profili politik i Thaçit konsiston në negociata dhe koncesione e jo në veprime konsistente politike. Kur pothuajse të gjithë filluan të mendojnë se Thaçi seriozisht do të vepron në harmoni me kërkesat e qytetarëve, ai filloi negociatat me mekanizmat ndërkombëtarë ekzekutivë në Kosovë. KFOR-i dhe EULEX-i nuk kanë mandat nga populli i Kosovës. Kësisoj nuk i përgjigjën dhe nuk e realizojnë vullnetin e popullit tonë.

Qeveria e Kosovës pajtimin për marrëveshjen KFOR - Serbi e quajti si fitoren më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë. E vërteta është që pranimi i kësaj marrëveshjeje është dëmi më i madh që i bëhet Kosovës që nga shpallja e pavarësisë. Për më tepër, Thaçi në ç’do deklaratë ka thënë që doganierët dhe policët kufitarë të Kosovës janë në pikën 31 dhe shumë shpejt do të vendosen edhe në pikën 1. Pak kohë më parë një zyrtar i lartë i KFOR-it në kushte anonimiteti iu tha medieve tona se në pikën kufitare 31 janë vetëm pjesëtaret e KFOR-it. Hipokrizia e qeveritarëve do të vazhdon për aq kohë sa do të jenë në pushtet, sepse qeverisja e tyre është e stërkeqe dhe e padrejtë.

Janë të padurueshme deklaratat e KFOR-it, EULEX-it dhe të Qeverisë se Kosovës, ku gjendja në veri vlerësohet si e qetë dhe nënkontroll. Edhe më të padurueshme këto deklarata të papërgjegjshme janë për qytetarët shqiptarë në veri, të cilët janë të tmerruar nga prania dhe veprimet e grupeve kriminale serbe, të armatosura deri në dhëmbë. Mekanizmat ndërkombëtarë dhe vendas të sigurisë asnjëherë nuk kanë ndërmarrë veprime për të çarmatosur dhe për t’i vënë para drejtësisë grupet kriminale serbe në veri. KFOR-i dhe EULEX-i po zbatojnë standarde të dyfishta në lidhje me sigurinë. Kjo për faktin se nuk po i luftojnë kriminelët e shumtë në veri.

Qeveria e Kosovës nuk është e vendosur që Kosova të bëhet shtet funksional, por është e vendosur që negociatat që i ka filluar me Serbinë t’i çon deri në fund. Negociatat edhe pse kanë kornizë të padrejtë, tema të dëmshme dhe pabarazi te pozicioneve, nuk përbëjnë problem për Qeverinë tonë. Përkundrazi, negociatat e tilla si ato të Vjenës quhen nga Qeveria si vlera dhe standarde evropiane. Kjo i bie që sjelljet e Serbisë ndaj Kosovës janë evropiane. Mbase Qeveria e Kosovës e ka fjalën për atë Evropën e shekujve të kaluar, ku shtetet evropiane luftonin kundër njëra tjetrës, për tu zgjeruar territorialisht. Shtetet e Evropës se sotme e njohin njëra tjetrën dhe bashkëpunojnë ngushtë për të mirën e përgjithshme evropiane.

Kosova do të duhej pa humbur kohë të fillojë negociatat me NATO-në dhe BE-në për të ridefinuar prezencën e misioneve të tyre në Kosovë. Nuk mund të kemi një Kosovë të pavarur përderisa i kemi misionet ndërkombëtare ekzekutive që nuk na njohin. Nuk mund të jemi pjesë e NATO-së dhe e BE-së nëse jemi të varur. NATO pranon shtete me ushtri moderne, ndërsa BE-ja shtete demokratike dhe të zhvilluara ekonomikisht.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0