Home | Society | Shantazhimi, falja, besimi, agjërimi dhe përfitimi!

Shantazhimi, falja, besimi, agjërimi dhe përfitimi!

image
Manipulimi me ndjenja fetare i nxënësve të paformuar emocionalisht pashmangshëm krijon kushte të intsrumentalizimit të tyre dhe martirizimit (shehitizmit) të tyre! Përpjekjet tona duhet të bëhen në drejtim të formimit, forcimit dhe afirmimit të vlerave universale njerëzore, atyre kombëtare e pastaj edukimi fetar nuk do të paraqiste fare problem!

 

 

 


Behxhet Sh. Shala

 


Prishtina, Kandahari, Bagdadi, Peshavari dhe Gostivari: Çka në fakt i bashkon këto qytete e që gjeografia i ka shpërndarë në shtete të ndryshme? Infrastruktura që i përmbush nevojat e qytetarëve? Jo. Civilizimi i lashtë? Bagdadi po, të tjerët jo? Të ardhurat e larta për kokë banori si përcaktues i një standardi ekonomik të dëshiruar dhe sigurie sociale? Jo. Shërbimet e mira publike? Jo. Qytete tërheqëse për të jetuar? Jo, aspak. Qytete të sigurta ? Jo. Madje, pasiguria e madhe në të gjitha qytete është shenjë identifikuese; ku më shumë dhe ku më pak! Karakteristikë e përbashkët e këtyre qyteteve është numri i madh i xhamive përjashtuar Prishtinën e cila ka qenë e diskriminuar. Tjetër karakteristikë është ekstremizmi radikal islamik i theksuar në shtetet arabe dhe në rritje e sipër në Prishtinë dhe Gostivar. Nuk kalon ditë e Zotit që nuk ka shumë viktima në njerëz, në emër të fesë dhe të Zotit, në Kandahar, Peshavar dhe Bagdad, ndërsa në Prishtinë dhe Gostivar fatmirësisht nuk ka! Së paku jo, aktualisht! Është problem të parashihen zhvillimet në të ardhmen! Në këto dy qytete!

Është gjithashtu e çuditshme se myslimanët vrasin myslimanët duke kurdisur bomba dhe mjete tjera shpërthyese në vende publike ku frekuentojnë shumë njerëz, duke mos i përjashtuar as xhamitë apo shtëpitë e Zotit! Në emër të besimit dhe Zotit! Edhe në Kosovë është në rritje ekstremizmi fetar apo besimi i importuar nga Bagdadi, Kandahari dhe Peshavari! Ky besim po u imponohet besimtarëve tradicionalë kosovarë duke e shkelur kështu të drejtën e këtyre besimtarëve. Ky imponim nuk ka të bëjë fare me traditën, kulturën, mjedisin, rrethanat dhe vullnetin e besimtarëve myslimanë kosovarë! Këta “islamistë” të importuar janë përjashtues, kërcënojnë dhe shantazhojnë ata që nuk u binden dogmave të tyre fetare jo rrallë edhe duke i sulmuar fizikisht dhe duke ua rrezikuar jetën. Në emër të të drejtave dhe lirive fetar të projektuara sipas kritereve të përcaktuara nga ata! Në fakt, këta nuk kanë të bëjnë fare me fenë dhe besimin! Këta bëjnë një propagandë kundër fesë dhe përçojnë mesazhe të dhunës duke u bërë një shërbim shumë të keq qytetarëve të besimit islam! Këta, kinse gardianë të besimit dhe fesë, “mbrojtës” të moralit islamik janë, në fakt e kundërta e saj! Ata që vrasin, nuk mund të jenë besimtarë dhe fetarë të mirë sepse nuk janë njerëz të mirë! Ata që shantazhojnë nuk mund të jenë besimtarë të mirë e as njerëz të mirë! Ata janë kriminelë që duhet të përgjigjen para ligjit dhe gjithsesi edhe para Zotit!

Xhamia, posta dhe “Gëzimi Ynë”: Qytetarët e besimit islam, menjëherë pas përfundimit të luftës kanë kërkuar një lokacion për ndërtimin e një Xhamie të Madhe në qendër të Prishtinës. Kjo kërkesë ka qenë plotësisht e arsyeshme nëse kemi parasysh faktin se mbi 90% të qytetarëve të Republikës së Kosovës janë të besimit islam. Kërkesa e tyre u injorua dhe mbi themelet e gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë u ndërtua Katedralja, për qytetarët e besimit katolik! Ishte ky një vendim krejt i pamoralshëm i atyre që e ndanë këtë lokacion, por edhe më i pamoralshëm i atyre që pranuan që shkolla të zëvendësohet me objekt kulti. Arsyetimi se katedralja politike paraqet vlerë evropiane është i barabartë me arsyetimin se në Alaskë do të bëhet plantacion i frutave tropikale! Gjithashtu, arsyetimi se me ndërtimin e kësaj katedraleje do të plotësohen kushtet që Vatikani do ta njeh pavarësinë e Kosovës dha rezultate të menjëhershme; miqësia e Vatikanit me Serbinë vetëm sa u forcua dhe as që ka shenja se papati i Vatikanit do ta njeh Kosovën. Ky investim ishte pa asnjë mbulesë pavarësisht se fotografia e Papës, për vite me radhë ishte varur në murin e zyrës së presidentit!

Nga aspekti parimor BIK-u ka të drejtë të kërkojë lokacion për Xhami të Madhe në çdo vend në qendër të Prishtinës. Nga aspekti moral është shumë e papranueshme dhe e pamoralshme që xhamia të ndërtohet mbi themelet e ndonjë objekti shkollor apo parashkollor. Prandaj, në asnjë kontekst nuk do ta pranoja që Xhamia e Madhe të ndërtohet mbi objektet e çerdhes “Gëzimi Ynë”. Kjo do të konsiderohej xhami politike e cila nuk do të kishte lidhje me përmbushjen e nevojave të besimtarëve islam! Arsyetimi se nuk mund të tërhiqen paralele midis këtyre dy objekteve është i paqëndrueshëm për vet faktin se që të dy këto lokacione janë ndarë ose do të ndahen me vendime politike, për qëllime politike dhe si rezultat i shantazhimit! Prandaj, fuqishëm e kam kundërshtuar ndërtimin e Katedrales mbi themelet e një shkolle siç e kundërshtoj edhe më fuqishëm ndërtimin eventual të Xhamisë së Madhe mbi themelet e çerdhes “Gëzimi Ynë”.

Përfituesit nga mishmashi politiko-fetar: Jam shumë i brengosur që shantazhimi është legjitimuar dhe legalizuar si mjet i realizimit të qëllimeve politike. Instrumenti më efikas dhe më i fuqishëm kohëve të fundit për realizimin e këtyre qëllimeve është bërë keqpërdorimi i ndjenjave fetare të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Nisma e arsyeshme për ndërtimin e një Xhamie të Madhe në Prishtinë u zgjerua me kërkesën e ndërtimit të një qendre islamike. Pastaj kërkesa për lejimin e shamive në shkolla dhe lënda e mësimit apo edukimit fetar në institucionet arsimore parauniversitare! Prej këtyre kërkesave ndërtimi i xhamisë është çështje që duhet të realizohet ndërsa për kërkesat tjera është dashur të organizohet një debat i gjerë dhe jo që, përmes shantazhimit të bëhen ndryshime kushtetuese dhe ndryshimi i planprogrameve shkollore. Në kohën kur arsimi në Kosovë prodhon analfabetë serikë të pajisur me dëftesa dhe diploma, lënda fetare do të ishte ngarkesë e cila do të krijonte konfuzion shtesë.

Është paradoks i llojit të vet që nxënësit në shkolla fillore, të mesme dhe studentët në fakultete nuk e njohin gjuhën amtare ndërsa u imponohet mësimi i gjuhës angleze që nga klasa e parë! Kësi diskriminimi gjuhës shqipe mund t’i bëjnë vetëm shqiptarët dhe askush tjetër! Kjo është një lëvyrje e pashembullt e cila nuk mund të arsyetohet me asgjë! Arsyetimi se me futjen e lëndës së edukatës fetare do të eliminoheshin dukuritë negative (përdorimi i drogës, korrupsioni, imoraliteti etj) dhe se do të afirmohen vlerat e mirëfillta njerëzore dhe morale është krejt i paqëndrueshëm! Shembull për këtë i keni vendet islamike si: Libia, Egjipti, Siria, Jemeni, Iraku, Irani, Afganistani, Pakistani e shumë shtete të tjera ! Pikërisht janë këto shtete nga po na importohet dhe imponohet një besim tjetër. Prandaj edhe nuk do të ketë përkrahje! Ky importim i një besimi të imponuar do t’i sjell shumë dëme pikërisht qytetarëve të besimit islam të Republikës së Kosovës! Në planin afatshkurtër do të krijojë një lëmsh të mosmarrëveshjeve ndërfetare ndërsa në planin afatgjatë do të shndërrojë Prishtinën dhe Kosovën në Bagdad, Peshavar, Kandahar, Tripoli etj.

Manipulimi me ndjenja fetare i nxënësve të paformuar emocionalisht pashmangshëm krijon kushte të intsrumentalizimit të tyre dhe martirizimit (shehitizmit) të tyre! Përpjekjet tona duhet të bëhen në drejtim të formimit, forcimit dhe afirmimit të vlerave universale njerëzore, atyre kombëtare e pastaj edukimi fetar nuk do të paraqiste fare problem! Kështu, përsëritja e imazheve të Kandaharit në qendër të Prishtinës, me slogane që nuk i kupton askush, me flamuj që gjithashtu janë të huaj për ne, me paraqitje përjashtuese dhe kërcënuese për ata që nuk i përkrahin, kam frikë se do të kurthohemi në një rrugë qorre nga do ta kemi vështirë të dalim!

Kosova e ka një kushtetutë të cilën e ka dhe ajo duhet të respektohet. Së paku nga ata që janë deputetë të Kuvendit. Diskutimi i fundit për propozimin e një subjekti me 1% të votave për amandamentimin e këtyre propozimeve ngriti tensionet, brenda dhe jashtë Kuvendit! Tensione të panevojshme! Përsëri u aktivizua kërcënimi se: do të dalim nga koalicioni, do të bllokojmë rrugët të premten, do të përdorim mjete të tjera, do ta radikalizojmë veprimin, etj. etj. Prapa këtyre shantazheve qëndrojnë politikanët, të dështuar dhe asi që do të dështojnë së shpejti! Atyre nuk u intereson feja, besimi, por vetëm karrigia e tyre! Promovimi dhe sigurimi i mbijetesës së tyre politike! Duke i njohur shumë mirë këta që qëndrojnë prapa këtyre kërcënimeve, jam krejt i sigurt se nuk do të ketë krizë qeveritare! Disa që kanë mbetur jashtë loje, mjafton t’u lirohet pak kohë që të bëhen pjesë e lojës! Ndërsa atyre që do t’i “radikalizojnë” qëndrimet dhe veprimet, mjafton t’u bëhen lëshime kozmetike, aq sa për t’u arsyetuar para votuesve të tyre! Sepse, karriera dhe karrigia janë fe e tyre, besim i tyre!

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë votuar me ndërgjegje ndërsa disa kanë hipur në: “një tren për në… Prizren” duke iu shmangur votimit dhe duke shkuar drejt stacionit të fundit të tyre, falimentimit politik! Lëvizja Vetëvendosje ka luajtur me dy palë letra duke i djegur që të dyja! Janë munduar ta ruajnë elektoratin e besimit islam mirëpo mendoj se kanë rrëshqitur në këtë drejtim! Jo që nuk do të fitojnë nga ky elektorat por do ta humbin edhe mbështetjen e elektoratit të tyre! Mashtrimi, edhe në lojën e bixhozit, edhe në lojën politike kushton shumë! Dhe e ka një kufi!

“Oj Shqypni e mjera Shqypni, kush të ka qitë me krye në hi, disa horra të politikës në Kosovë dhe Shqipëri….”!

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0