WikiLeaks, fundi i lavdisë?!
Publikimi i kabllogrameve sekrete amerikane rëndon jo vetëm marrëdhëniet diplomatike të Shteteve të Bashkuara me vendet e tjera, po rrezikon edhe jetën e njerëzve...
Një katastrofë e madhe për platformën e zbulimeve WikiLeaks: i gjithë arkivi i kabllogrameve sekrete të ambasadave të SHBA-së qarkullon në internet plotësisht i paredaktuar. Edhe emrat e informantëve janë bërë publike. Dikur ata ishin një "dream team" - skuadër ideale: platforma e zbulimeve WikiLeaks dhe gazeta e njohur për gazetarinë investigative. Por zënka për fajin pas avarisë me kabllogramet konfirmon edhe njëherë çarjen e thellë mes WikiLeaks dhe “Guardian”.
Është një dramë me tre akte: në nëntor të vitit të kaluar Julian Assange i vuri në dispozicion 251000 kabllograme diplomatike gazetës “Guardian”, të cilat dyshohet se WikiLeaks i kishte marrë nga ushtari amerikan Bradley Manning. Sipas perceptimit të Assange-it, gazeta në mënyrë të pajustifikuar ka menduar se mund të bënte çfarë të donte me dokumentet me përmbajtje delikate:
“Më 1 Nëntor filloi zënka juridike me “Guardian”, e cila ia kishte përcjellë të gjithë bazën e të dhënave të kabllogrameve gazetës “New York Times”, megjithëse me shkrim ishte rënë dakord se dokumentet duhej ti merrte gazeta “Washington Post”.
Për këtë Assange bën përgjegjës drejtuesin e seksionit të hulumtimeve investigative në Guardian, David Leigh. “Që atëherë ne nuk kemi folur më me z. Leigh”, - thotë Assange. Vetë Leigh e konfirmon zënkën: “Ai (Assange) ishte i inatosur, pasi ne donim të përfshinim “New York Times”. Ai ishte i zemëruar, pasi gazeta kishte bërë një portret tejet negativ për të, çka ishte e vërtetë”.
Akuza të ndërsjella
Akti i dytë: në Dhjetor të vitit të kaluar Assange u zemërua me “Guardian”, pasi gazeta kishte botuar material konfidencial të hetuesve suedezë kundër Assange-it, në lidhje me akuzat për përdhunim. Shefi i platformës së zbulimeve, thotë: “Akuza në Suedi në një farë mënyrë ka arritur ti kalojë shtypit pjesë nga dosjet e saj të hetimeve”.
Akti i tretë: në Shkurt të këtij viti u publikua biografia e Assange nga David Leigh. Në të përmendet edhe fjalëkalimi, që Assange kishte krijuar për kabllogramet e paredaktuara. Sot WikiLeaks thotë se është faji i “Guardian” që të dhënat qarkullojnë tani në internet. Gazeta kundërpërgjigjet: libri është në treg prej shtatë muajsh, kohë e mjaftueshme për të ndryshuar fjalëkalimin. Veç kësaj Assange kishte thënë se bëhej fjalë për një fjalëkalim të përkohshëm. Në të vërtetë varianti, që qarkullon tani, nuk vjen nga vetë WikiLeaks, por nga një server i rrjetit BitTorrent. Sulmi ndaj “Guardian” tregon, se sa të nervozuar janë tek platforma e zbulimeve, thotë David Leigh: “WikiLeaks dhe Julian ishin dikur një trupë sekrete piratësh interneti. Tani ata kanë famë botërore”.
Për reputacionin e WikiLeaks avaria me kabllogramet është një katastrofë, pasi duket se organizata nuk mund të ofrojë asnjë mbrojtje të besueshme për informantët. Ndërsa për gazetën “Guardian” katastrofa me të dhënat sekrete nga WikiLeaks është burim për një tjetër artikull të mirë mbi Assange.
Rrezik
Publikimi i kabllogrameve sekrete amerikane rëndon jo vetëm marrëdhëniet diplomatike të Shteteve të Bashkuara me vendet e tjera, po rrezikon edhe jetën e njerëzve, kritikoi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Amerikane, Victoria Nuland, ditën e Martë në Uashington.
SHBA i ndjek me vëmendje zbulimet e reja të Wikileaks, ato po përpiqen ta mbajnë sa më të vogël dëmin e shkaktuar për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, theksoi Nuland. Nga ana tjetër po bëhet gjithçka për ti ndihmuar njerëzit, që janë prekur nga këto publikime.
Nëntë muaj pas zbulimeve të para të Wikileaks me të dhëna diplomatike sekrete, raportimet e fundit në media po shkaktojnë dallgë të reja. Në internet janë shfaqur edhe tekste origjinale të paredaktuara. Sipas raportimit të "New York Times", publikimet e fundit përmbajnë rreth 134.000 dokumente sekrete dhe për përdorim të brendshëm, përfshirë këtu edhe emrat e burimeve, persona dhe firma. Vitin e shkuar Wikileaks filloi me publikimin e 250.000 kabllogrameve të diplomacisë amerikane. Dokumentet e publikuara së fundmi janë pjesa e dytë e serisë.
Portali amerikan për politikën, politico.com raporton se emrat që më parë ishin fshirë me të zezë në publikimin e ri janë të lexueshëm, kjo ka rritur shqetësimin e autoriteteve amerikane. Revista gjermane "Der Spiegel" raporton se ekzistenca e dokumenteve të paredaktuara në rrjet dihet prej muajsh. Kjo po përdoret nga administratori në largim i Wikileaks, Daniel Domscheidt-Berg për të mbuluar akuzën se materialet e platformës nuk janë të sigurta.
Shtohen kritikat
Edhe Australia akuzoi Wikileaks se po sillet "në mënyrë tepër të papërgjegjshme" me burimet e dokumenteve. Kështu përmendet publikimi nga kjo platformë i kabllogrameve amerikane që përmbajnë të dhëna të sakta mbi australianët që dyshohen për lidhje të mundshme me terroristët jemenas. Kritika erdhi nga Prokurori i Përgjithshëm australian, Robert Mçlelland.
Wikileaks i hodhi poshtë akuzat si "totalisht të gabuara" dhe se nuk është përgjegjës për këto gabime". Platforma bëri të ditur përmes Twitter se nuk ka gabime tek Wikileaks, por tek raportimi i "mediave opinionbërëse". Platforma njoftoi se të Martën në mbrëmje është bërë viktimë e një sulmi hakerësh. Për këtë arsye ajo u bllokua për disa orë.
Raportimet e mediave për tekste të paredaktuara në internet po e ndezin debatin mes themeluesit të Wikileaks Julian Assange dhe administratorit në largim Domscheidt-Berg. Assange akuzoi Doimscheidt-Berg "për një dozë të lartë dashakeqësie" sepse, sipas tij, ai ka shkelur ujditë dhe detyrimet. Domscheidt-Berg i ka dhënë gazetarëve të dhëna për të hapur faqet e koduara, thuhet në një letër të avokatit berlinez të Assangit, Johannes Eisenberg. Ai po përhap informacionet me "qëllim të dëmtimit të reputacionit të Wikileaks, thuhet në letër. Wikileaks dhe disa media që kooperojnë me Assange, sipas të dhënave të veta, kanë fshirë emrat e informatorëve në disa publikime për ti mbrojtur ata nga sulmet.
Comments (0 posted)
Post your comment