Home | Society | “Thesi” i Amerikës

“Thesi” i Amerikës

image
Dominoja, kataklizma e krizës së borxhit sovran duket se po i përfshin edhe amerikanët. Asgjë nuk do t’i trondiste qeveritarët dhe ekonomistët amerikanë, nëse shumë investues të huaj do të vijonin të blinin bonot e tyre të thesarit. Mbi 60 për qind e transaksioneve (shitjeve dhe blerjeve) financiare dhe ekonomike sot në botë bëhen nëpërmjet dollarit.

 

 

Fatos Çoçoli 

 

 

 

Shprehja “në ç’thes je futur?” po përdoret me shqetësim për problemet ekonomike dhe buxhetore amerikane nga shumë prej qytetarëve tanë. Ata janë në merak për të afërmit e tyre atje se mos humbasin punën me këtë gjendje të papunësisë dhe të shtrenjtimit rreth 20 për qind të çmimit të karburanteve dhe të disa ushqimeve baze në SHBA. Por çfarë ka ndodhur realisht? Sipas kryeministrit të sotëm rus Vladimir Putin (që përgatitet të jetë sërish president dhe njeriu më i fortë i ekonomisë së katërt më të madhe të botës), “amerikanët jetojnë mbi mundësitë e tyre. Shumë shpejt ne do të jemi ekonomia e dytë e botës pas Kinës” (kështu është shprehur ai në një takim me të rinj në Arkangjelsk një javë më parë). Për fat të keq, ky rus i mprehtë ka të drejtë. Në çdo dy dollarë që amerikanët shpenzojnë për buxhetin e tyre të shtetit, një është i marrë borxh. Dhe SHBA-të kryesisht marrin borxh nga jashtë, nga të tretë (jo thjesht vetëm nga qytetarët amerikanë dhe bankat e tyre), duke shitur bonot e tyre të thesarit. Ka ndodhur që kanë marrë borxh shumë më tepër nga ç’kanë mundësi të paguajnë, të kthejnë mbrapsht.

Dhe tani ndodhen me një borxh publik mbi 14 mijë miliardë dollarë! Shumë kjo e paimagjinueshme. Rreth 3 mijë miliardë dollarë ia kanë vetëm Bankës së Kinës, bankës së vendit të parë eksportues në botë (vetëm katër muaj më parë Kina ia kaloi Gjermanisë me eksportet e saj, duke i çuar në 1,2 mijë miliardë euro në vit). Dominoja, kataklizma e krizës së borxhit sovran duket se po i përfshin edhe amerikanët. Asgjë nuk do t’i trondiste qeveritarët dhe ekonomistët amerikanë, nëse shumë investues të huaj do të vijonin të blinin bonot e tyre të thesarit. Mbi 60 për qind e transaksioneve (shitjeve dhe blerjeve) financiare dhe ekonomike sot në botë bëhen nëpërmjet dollarit. Monedha e gjelbër shërben si matës dhe depozitues i pasurisë.

Mirëpo një muaj më parë agjencia vlerësuese e financave të shteteve dhe kompanive të mëdha “Standard@Poor’s” e zbriti vlerësimin e saj për borxhin sovran amerikan. Investuesit e zakonshëm kanë filluar të mos blejnë më dollarë. Banka qendrore kineze kërkon një tjetër matës pasurie dhe rezervë valutore ndërkombëtare, jo më dollarin. Dhe inflacioni në SHBA ka nisur të bëjë kokë... Problemi me ekonominë amerikane është se nuk po rritet duke sjellë punësim. Papunësia është në nivele shumë të larta, gati rekorde, mbi 9,4 për qind e fuqisë së aftë për punë e këtij vendi. Janë mbi 10 milionë të papunë në SHBA. Sigurisht që kemi pse të shqetësohemi për qindra mijë emigrantët tanë të rinj (të këtyre 10-12 vjetve të fundit) në këtë vend. Ekonomia amerikane mund edhe të pushojë së rrituri në gjysmën e dytë të këtij viti, sidomos në këta katër muajt e fundit. Dhe mosrritja mund të sjellë pragun e një krize të dytë të madhe, ndoshta edhe më të madhe sesa ajo e shtatorit 2008. Po ashtu na duhet të bëjmë kujdes me monedhën e gjelbër. Ajo mirëfilli këto ditë është rritur paksa në raport me euron (pra dhe me lekun tonë, ka shkuar gati një dollar një mijë lekë të vjetra këmbimi). Por është një rritje e përkohshme. Ndoshta dhe e lidhur me datën 7 shtator, kur Gjykata e Lartë gjermane do të vendosë nëse është e ligjshme që taksapaguesit gjermanë të kontribuojnë për të shpëtuar financat e shtetit grek. Nëse ajo vendos për paligjshmërinë e këtij veprimi, euroja dhe tregjet evropiane të kapitalit do të marrin një goditje të rëndë.

Megjithatë, borxhi sovran amerikan është kaq i papagueshëm dhe që rritet me orë e minuta me miliona e miliarda dollarë, sa ditët e mira për monedhën e gjelbër, dikur zotëruese e botës së kapitalit, numërohen me gishta. Ndoshta problemet e mprehta të ekonomisë ende më të madhe në botë do të vijojnë të përkeqësohen edhe nga gara dhe ethet e zgjedhjes së presidentit të ri amerikan për vitin 2012. Askush në këtë tempull të demokracisë nuk po gjen kurajën t’u thotë qytetarëve amerikanë se ka ardhur koha e sakrificave të forta, e heqjes dorë nga mënyra amerikane e jetesës dhe e shtrëngimit të rripave për t’i dhënë mundësi biznesit të vogël dhe të mesëm amerikan të lulëzojë dhe të krijojë vende të reja pune. Duket se po perëndon koha e korporatave dhe bankave super të mëdha, që thjesht sot po e zhytin Amerikën drejt një honi të frikshëm me pazotësinë e tyre për t’iu përshtatur realiteteve të reja ekonomike.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00