Home | Society | Estetizimi i vetëvrasjeve dhe dëmet sociale

Estetizimi i vetëvrasjeve dhe dëmet sociale

image
Shoqëria jonë është në një moment kur duhet të bëjë diçka me veten dhe të “tjerët” që ta çlirojë qytetërimin tonë nga kjo sindromë e “derdhjes së vullnetshme” të gjakut njerëzor. Kjo do të thotë se është detyrë imperative që të bëjmë çdo gjë që duhet me njerëzit tanë, që të bëjnë “zap” atë kafshë 

 

 

Gëzim Tushi

 

 

Ka disa muaj që po përballemi me një epidemi të pakuptimtë dhe anormale të vetëvrasjeve në Shqipëri. Të realizuara në mënyra të ndryshme, me mjete të larmishme. Nga analizat ligjore dhe mediatike që janë bërë, duket se ato kanë shkaqe sociale dhe individuale, të cilat thelbësisht janë pa vlerë justifikuese në raport me vlerën e madhe dhe të papërsëritshme që ka jeta e njeriut. Duke e parë situatën nga statistikat e krimit të vetëvrasjes, duke vlerësuar tipologjinë e larmishme e shkaqeve të përhapjes së saj në vendin tonë, duhet pranuar se ato e kanë bërë këtë vit “unikal”. Por nganjëherë nuk e di se për çfarë arsyesh media e trajton këtë dukuri me shumë mendjelehtësi. Madje ka raste kur në to dalin njerëz që e justifikojnë këtë situatë, me faktin që patologjia e vetëvrasjes është dukuri komplekse që në thelbin e vet është pasojë fatale e zhvillimit kulturor, teknologjik dhe industrial. Është e vërtetë që në kohë të ndryshme ka pasur një “profetizim” të tillë, sipas të cilit vetëvrasjet do të shtohen kur shoqëria arrin nivele të larta zhvillimi ekonomik dhe kulturor.

Por edhe në këtë këndshikim sikur ta vlerësojmë këtë dukuri, duket se shqetësimi ynë duhet të jetë sui generis, sepse në rritjen e vetëvrasjeve besoj nuk është vetëm ana sasiore e problemit, që lidhet me numrin e jetëve të humbura në Shqipëri për shkaqe të ndryshme që shpesh sjellin depresione dhe që i çojnë njerëzit drejt flijimit të pakuptimtë të jetës. Ajo që duhet të na shqetësojë, është kollajllëku me të cilin disa njerëz i marrin jetën vetes, duke bërë krim. Ndërkaq, më ka bërë shumë përshtypje një prirje e trajtimit joserioz të kësaj dukurie sociale. Sipas mendimit tim, është shumë shqetësues prania në opinionin publik dhe mediatik i një lloj shikimi semplist, që më shumë se e dënon, e “estetizon vetëvrasjen”.

Kjo do të thotë që së pari duhet të ndryshojmë qëndrimin social përballë kësaj dukurie, duke krijuar një barrikadë konceptuale dhe emocionale. Sepse fenomeni është në përmasa të tilla që na sinjalizon se nuk është koha për ta parë me lehtësi këtë fenomen, as të bëjmë lojëra mediatike, që më shumë e zbukurojnë këtë akt makabër, me mënyrat si përshkruhen aktet dhe si “estetizohen vetëvrasjet”. Vetëvrasja jo vetëm nuk duhet estetizuar por ajo kombëtarisht duhet dënuar dhe trajtuar si krim dhe turp social. Sepse ajo nuk është fenomen estetik, veprim spektakolar, por tërësisht kriminal. Nëse zbutim efektin social të vetëvrasjes, dhe ca më keq e trajtojmë si veprim spektakolar, duke përshkruar deri në detaje anën e jashtme të veprimit dhe jo me zbulimin dhe zbardhjen e shkaqeve dhe të esencës së tij, kjo do të thotë që padashur e nxitim atë. Estetizimi i vetëvrasjeve nuk duhet parë si veprim social i thjeshtë. Përkundrazi një situatë e tillë është tregues i prirjes së frikshme që po zhvillohet te disa individë në shoqërinë. Në thelb, pas mendjelehtësisë së vetëvrasjes, fshihet një e vërtetë që është substanciale, që tregon se në shoqërinë tonë po thellohet procesi i rrënimit të vlerës së papërsëritshme të jetës. Vdekja me vetëvrasje nuk ka asnjë ndryshim nga krimi i vrasjes, sepse në të dy rastet janë jetë njerëzish që humbasin. Por në vend që të merremi me përshkrime empirike të aktit të vetëvrasjes, të punojmë për të vlerësuar nevojën e ndërgjegjësimit të njerëzve për vlerën e jetës. Jeta e njeriut është një aset ontologjik që njeriut vetëm një herë i vjen.

Nuk është normale që shtimi i njerëzve që bëjnë ndërprerje brutale të jetës, e cila ka brenda vetes vlerën, të pavarur nga marrëzitë e individit. Ajo ka limitin e ekzistencës së arsyeshme, që fillon nga lindja dhe vazhdon deri në vdekjen natyrale. Nuk mund që kjo pasuri e papërsëritshme të jetë “plaçkë” dhe t’i lihet lojërave diabolike që vijnë prej rastësive të natyrshme apo të panatyrshme të jetës.

Shoqëria jonë është në një moment kur duhet të bëjë diçka me veten dhe të “tjerët” që ta çlirojë qytetërimin tonë nga kjo sindromë e “derdhjes së vullnetshme” të gjakut njerëzor. Kjo do të thotë se është detyrë imperative që të bëjmë çdo gjë që duhet me njerëzit tanë, që të bëjnë “zap” atë kafshë që fshihet dhe ngjallet në momente të caktuara në shpirtin e tronditur të njeriut, i cili, nga që nuk është në gjendje të gjejë rrugëdaljen e arsyeshme, dinjitoze dhe humane, gjen rrugën e shkurtër dhe më brutale të cenimit “vullnetar” të jetës.

Duke menduar për këtë dukuri të dendur sociale të shoqërisë sonë më erdhën në mendje mendimet e shqetësuara të filozofit të madh të kohës sonë, Karl Popper, i cili me shqetësim ka shkruar për “përdorimin e mbrapshtë” të lirisë së njeriut. Duke parë prirjen e krimit të vrasjes bashkë me atë të vetëvrasjeve, ai mendonte (në vitin 1992) se gradualisht po i afrohemi një shoqërie, ku vrasja dhe vetëvrasja mund të bëhen si “buka e përditshme”. Sepse, sipas tij, bota është nën kërcënimin e një “edukimi të marrë”, që ndikon në shtrembërimin e qëllimeve dhe motiveve të jetës së njerëzve. Ndaj problemi i vetëvrasjeve duhet parë në mënyrë të gjithanshme, duhet vlerësuar si pjesë përbërëse dhe ontologji e krimit.

Por ajo që është shqetësuese ka të bëjë me faktin që shoqëria jonë po mësohet me klimën e vetëvrasjeve, qoftë për motive të “forta”, apo të “dobëta”. Nga mënyra si perceptohen dhe si interpretohen mediatikisht dhe nga ana sociale, të duket sikur jemi në fazën kritike, kur shoqëria dhe njerëzit tanë kanë filluar të familjarizohen me modën e shëmtuar të “estetizimit të vetëvrasjeve”. Vetëvrasje me varje në litar, hedhje spektakolare nga katet e larta të pallateve, vetëvrasje duke pirë helme apo me forma të tjera, që kanë pasojë një lloj vdekjeje me natyrë dhe efekte ekzibicionale. Sepse shumë nga vetëvrasjet e realizuara kohët e fundit kanë shumë komponentë. Në disa prej tyre duket qartë se më shumë se njeriu synon t’i marrë jetën vetes, kërkon të bëjë edhe efekte sociale spektakolare dhe mediatike. Vetëvrasjet kanë si shkak mungesën e aftësisë për të përballuar konfliktet, problemet, hallet, varfërinë dhe papunësinë, divorcin, etj. Sepse për shumë shkaqe sociale dhe sidomos personale ka një shtim të njerëzve që kanë humbur ekuilibrat e brendshëm dhe për pasojë janë të kapluar nga pesimizmi social dhe individual në rritje.

Por ndërkaq situata kërkon që të vlerësojmë më shumë faktorët me sfond social, sidomos ato që kanë të bëjnë me zgjerimin e përdorimit të lëndëve narkotike dhe substancave psikotrope, siç janë shtimi i përdorimit të alkoolit dhe zgjerimi i përdorimit të drogave, etj. Ndërkaq e fundit nga radha, por jo nga rëndësia, janë deformimet e thella psikologjike, mungesa e aftësisë së njerëzve për të administruar stresin, për të mposhtur dëshpërimin, larguar mërzinë dhe “kuruar” monotoninë e jetës. Sidomos me rëndësi mbetet “beteja” me sëmundjet mendore, që tani janë bërë faktorë me ndikim të fortë socio-sanitar në shoqërinë tonë. Duhet punë me njerëzit për të shmangur situatat që sjellin vakum shpirtëror, dëshpërim ekzistencial, apo që e bëjnë njeriun qenie “bosh”, pa koshiencë dhe që e redukton subjektivisht veten në një sens pa vlerë. Dhe që pastaj me mendjelehtësi kriminale e vetëshkatërron. Këta njerëz janë në nevojë për t’i ndihmuar psikologjikisht, moralisht dhe ekonomikisht. Këto janë rrugët për t’i nxjerrë nga situatat fatale njerëzit që jetojnë pa shpresë. Këtë duhet ta bëjmë të gjithë. Në radhë të parë familja, shteti, institucionet fetare, shkolla, media, shoqëria civile, opinioni publik etj. Të mos harrojmë që nuk është e lehtë që të rregullosh gjërat që zhvillohen kaotikisht dhe në rrëmujë brenda njeriut. Të karikosh motive të shëndosha, të krijosh synime pozitive te njerëzit në një kohë që në mënyrë të natyrshme ka edhe “kriza” të identitetit dhe vlerave nuk është e lehtë. Por kjo është bota që do jetojmë. Por pavarësisht këtyre krizave që nuk varen nga individi, nuk është e pamundur t’i ndihmojnë njerëzit që me patjetër të largojnë mendjen nga vdekja...

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00