Home | Society | Të “lodhesh” duke u çlodhur…

Të “lodhesh” duke u çlodhur…

image
Mbetet shumë për të bërë në këtë drejtim, nga shteti e shoqëria, duhen mëndje të zgjuara e jo thjesht kronikanë për të mbushur faqet e gazetave...Një tjetër, problem, është edhe ajo që, media e shkruar sikur po “ha si shumë racionin” e mjeksisë. Të gjitha gazetat, na japin receta për të gjitha llojet e sëmundjeve... 

Nga Pandeli Bardhi

Ndodh nganjëherë, që njeriu të ndjehet më tepër i “lodhur” mbas një çlodhjeje se sa nga një punë e çfarëdollojshme. Kur isha i ri, shpesh, mendoja se e vetmja gjë që do të pëlqej kur të dal në pension, është se do të rri të çlodhem. Këtë mendoja në vitet e rinisë, kur i ishim përkushtuar punës ditën e natën, herë me gjumë e herë pa gjumë, herë i gëzuar e herë i nevrikosur. Por në fund të fundit, puna më jepte kënaqësi dhe në vitet e rinisë, me një shoqëri të mirë, ajo ishte e përballueshme. Mendoja kështu, mbasi mendoja sikur nuk do të vinte kurrë, mosha e pensionit, prandaj edhe i “gëzohesha”. Është e natyrshme, mbasi kur vitet i ke përpara, duket sikur nuk do të kalojnë kurrë. dhe kur ata i le mbrapa habitesh se si ata kaluan kaq shpejt, sa hap e mbyll sytë! Të mos zgjatem, ja tek erdhën edhe vitet e pensionit. Duke parë nga këto “lartësi” me të drejtë them se “beterri nuk paska fund”! E them këtë, mbasi me nostalgji i kujtoj ato vite të punës, kur me gjithë vështirësitë, edhe punoja, por edhe kënaqesha kur çlodhesha mbas pune, ndjeja edhe gëzim kur bëja diçka. Kurse sot e them me plot gojën, se lodhje më të madhe që ndjej në këto vite që jam në prag pensioni, nuk kam ndjerë ndonjëherë në jetën time.

Sot, njerëzit, me të drejtë kërkojnë punë, kërkojnë punë që të çlodhen, dhe nuk duan të rrinë të papunë, përndryshe do të jenë më të lodhur se kurrë. E them këtë, dhe e them me bindje, dikush edhe mund të ma kundërshtojë, por nuk jam i bindur se çfarë mendojnë ata që janë të rinj, si ndjehen ata që janë të papunë dhe si mendojnë ata për perspektivën e tyre në të ardhmen.Unë do të prek, minutë pas minuti, aktivitetin normal që bën çdo njeri, që është i papunë për të argumentuar se sa të lodhur e të stresuar janë pikërisht këta njerëz që nuk merren me punë, jo më tepër nga ana ekonomike se sa nga ana psikologjike, e cila është, lodhja më e madhe edhe nga ajo e punës më të rëndë fizike. Këtë lodhje nuk e ndjejnë vetëm ata që janë të papunë, por edhe ata që janë në punë, dhe kjo qysh nga moment që hapin sytë nga gjumi i natës. Në jetën e tij njeriu zhvillon aktivitete nga më të ndryshmet, të lidhura me punën, me shoqërinë apo familjen. Kthehet nga puna apo nga shëtitja për tu çlodhur por çlodhja nuk i shijon. Këtu nuk e kam fjalën për ata që kanë fatin të ndjejnë kënaqësi nga sjellja e mirë e fëmijëve të tyre në punë apo në shkollë, as për ata që ndjejnë shqetësime kur fëmijët e tyre nuk shkojnë mirë me mësimet, në punë apo në shoqëri. Jeta është ndërtuar në atë mënyrë që njeriu të mos rrijë asnjëherë “rehat” si i thonë. Populli me drejtë thotë: “I zoti e di ku i pikon çatia”… Në këtë këndvështrim, unë nuk do të hyj në të gjitha detajet, mbasi sipas rastit, i kam renditur ato në kapitujt e tjerë..Këtu, do të mundohem të argumentoj sadopak, “lodhjen” që ndjejnë njerëzit, pikërisht në ato minuta çlodhjeje. kur u duhen për të rimarrë forca për të punuar apo për të “mos punuar” në të ardhmen… Dua ta filloj këtë qysh nga moment që hapim sytë nga gjumi, aspak komod i natës, për të cilin do të flas në mbarim të të gjithë aktiviteteve, është bërë zakon tashmë, që sapo hap sytë në mëngjes, dora të shkon tek pulti i komandimit të televizorit, si për të sfiduar “lodhjen” nga ëndrrat e mërzitshme...

Kjo, jo për faj të kushteve komode në shtëpi se sa për faj të një dite, të ngarkuar ashtu si gjithë ditët e tjera,plot stres dhe ankth, herë i qeshur e herë i zymtë, herë i gëzuar e herë i hidhëruar, herë optimist e herë i zhgënjyer... Po ti shtosh këtyre edhe kushtet objektive e subjektive të ambientit, mbyllet i plotë cikli i “traumave” psikologjike. Nga njëra anë është lagështia e madhe e ajrit, të cilës nuk kemi çfarë ti bëjmë, por ata që vuajnë nga spondeliatroza, burra apo gra qofshin, ata e dinë se ç’heqin nga dhimbja e kockave, shpinës apo qafës... nuk kemi çfarë ti bëjmë gjithashtu, as të nxehtës përvëluese të verës apo të ftohtit të dimrit. Por, më shqetësuese nga këto,janë ato që i krijojmë vetë ne, me indiferentizmin e organeve kompetente, për kujdesin e pakët ndaj qytetarëve. Kemi shumë për të bërë në këtë ambient ku pluhuri na rri si mjergull mbi kokë, pluhuri i rrugëve, i ndërtimeve që bëhen, që fillojnë por që nuk mbarojnë kurrë, i kanaleve që hapen për shtrimin e kabllove, por që nuk mbulohen kurrë ose mbulohen shkel e shko. Pluhuri i përzier me tymin e makinave, tashti kanë fituar të drejtën e qytetarisë jo vetëm në shtëpi, por edhe në mushkëritë tona. Duke i shtuar këtyre edhe ajrin e ndotur që vjen nga hedhurinat rreth e qark çdo pallati, nga boritë e makinave që ulërijnë në çdo orë të natës, nuk ke se si të bësh një gjumë të rehatshëm... Megjithatë, nata kaloi, dhe ja ku erdhi koha për të hapur sytë. Kërkon, që për një moment të harrosh dhimbjet e natës, dhe kërkon të gjitha kanalet televizive me rradhë.

Sipas “midesë” së drejtuesve të tyre, të gjitha lexojnë shtypin sipas mënyrës së vet. Disa i nxijnë i skuqin apo i zverdhin titujt kryesorë me gisht nëpër komjutera, disa të tjerë lexojnë horoskopet sipas mënyrës së vet. Disa të tjerë, thonë që sjellin zërin e qytetarit në ekran, por kalojnë minuta të tëra dhe përveç një zhurmuesi që të “mpin” trurin asgjë tjetër nuk merret vesh. Thonë që sjellim në ekran zërin e qytetarit dhe sjellin vetëm zhurmë linjash dhe telefonash. Një tjetër, “Aldo morning show”,që nuk ja kemi parë fytyrën se kush e drejton, mbasi qëndron i fshehur... Ai ashtu e ka pjesën, por nuk e dimë pse rri i fshehur. I kalon të gjitha më rradhë kështu, dhe bën një pauzë, sa për të përgatitur kafenë. Duke qenë se s’ke me se të merresh tjetër, i merr përsëri me rradhë. Kësaj rradhe, ata, kanë ndërruar rolet, ata të shtypit të lexojnë horoskopin dhe anasjelltas, i vetmi ndryshim midis tyre është se disa, i kushtojnë rëndësi titujve, disa të tjerë faqeve se ku duhet të përqendrohet lexuesi, disa të tjerë nuk “frenojnë” fare dhe nuk merret vesh se ku fillon një artikull e ku mbaron tjetri... I përsërisin kështu në çdo gjysmë ore ku përveç të tjerave i bëjnë edhe një dëm të madh medias së shkruar, që gazetat të mbeten stoqe. Edhe ata lexues të rregullt, që blejnë gazetën, më shumë se kaq sa i lexojnë televizionet ata nuk lexojnë. Televizionet, në këtë mënyrë, japin “kontributin” e tyre që gazetat të mbeten stoqe..Ka edhe disa të tjerë, që japin disa reklama, si Neës24, që sikur të mos mjaftonin të njëjtat lajme që jep gjatë 3 ditëve, ditë e natë non stop, kërkon nga qytetarët, që ti marrin ato edhe në celular, për t’u bërë qytetarët më të informuar në botë!.. Duhet të kesh nerva prej “çeliku” të dëgjosh në çdo 5 apo 7 minuta reklama të tilla, apo si ajo e sallamit EHV, “A e pe…”.

Nejse, këtyre, edhe i gjendet ilaçi, por po kaq të mërzitshëm janë bërë edhe lajmet, edhe politikanët... Berisha sot, e Berisha mot, Rama sot e Rama mot. Arvizu sot e një qind e një mot!... Kjo është njëra anë. Ana tjetër është, se mbushen faqet e shtypit vetëm me kronika të zeza, u vranë, u varrën, u hodhën nga kati x, u aksidentuan… Nuk them që ato të mos thuhen, por si nuk shikojmë e dëgjojmë një gjë të mirë, që sadopak të na sjellë humorin e mëngjesit, mbase kush e di, mund të eci e gjithë dita mbarë. Nuk dëgjon një bisedë, nuk dëgjohen ata burra me mënd të na flasin se ku e kanë shkakun që na ndodhin tërë këto humbje jetë njerëzish, që ti parandalojmë sadopak, pa bërë fjalë që ti eliminojmë... Mbetet shumë për të bërë në këtë drejtim, nga shteti e shoqëria, duhen mëndje të zgjuara e jo thjesht kronikanë për të mbushur faqet e gazetave...Një tjetër, problem, është edhe ajo që, media e shkruar sikur po “ha si shumë racionin” e mjeksisë. Të gjitha gazetat, na japin receta për të gjitha llojet e sëmundjeve... Këtë punë ato nuk e bëjnë se duan t’u vijnë në ndihmë qytetarëve për të shëruar sëmundjet që ata kanë, por që këta të sëmurë të japin “kontributin” e tyre, për të blerë gazetat. Pra nuk u vjen, në “ndihmë” shtypi të sëmurëve, por të sëmurët t’i vijnë në “ndihmë” shtypit. E themi këtë, mbasi në sipërfaqe, duken sikur shkruajnë gjëra të rëndësishme kurse brenda… Nuk dua të përdor shprehjen: “Jashtë një kut e brenda...”. Le të marrim një shembull.

Gazeta, “Republika”, si zëdhënëse e Partisë Republikane, në themel të saj duhet të ketë pronën, që ajo të shkojë tek i zoti, dhe jo tek më i zoti, kurse ajo merret me këshilla për sëmundjet,me nota provimesh e me gjithçka tjetër, por jo me atë që ka detyrim për qytetarët. Në këtë rast, shtypi, nuk ka ndërmend ti vijë në ndihmë mjekësisë së “sëmurë” dhe krejtësisht të paralizuar. Fakt është se në spitalet tona, mungojnë, jo vetëm ilaçet duke filluar që nga aspirinat, Jodi e gërshërët për të prerë fashot, por edhe ajo, për të cilën nuk është bërë asnjë shpenzim, njerëzillëku i mjekëve ndaj qytetarëve. Për këtë shtypi, ka shumë për të bërë, por ai nuk po jep kontributin e vet, por shikon “hallin”, e vet, se si ta bëjë sa më tërheqëse gazetën, pikërisht mbi këto dobësi të kësaj mjekësie. E në këto kushte, tek shikon e mendon të dëgjosh diçka të mirë, jo vetëm që nuk qetësohesh sadopak, por shqetësimeve të gjumit të natës i ke sjellë edhe shqetësime të tjera... Nuk të mbetet gjë tjetër përveç asaj që, i nervozuar, të fikni televizorin, për të parë në se do të “qetësohemi” diku tjetër, mbasi kemi edhe shumë minuta të tjera në dispozicion, derisa të plotësohen 24 orë!...

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0