Home | Society | Në vigjilje të një përvjetori të gjymtuar

Në vigjilje të një përvjetori të gjymtuar

image
Do të jetë një përvjetor që do të manifestohet nga ana e shqiptarëve të Shqipërisë politike tok me “fqinjët e tyre natyralë, gjuhësorë, shpirtërorë, gjeografikë, po edhe politikë”, nga ata që quhen shqiptarë pavarësisht se gjenden andej apo këtej gardhit ndërshqiptar. 


Nga Fadil Lushi


Në këtë “dynja” ka njerëz që duke qenë të ngarkuar me atë modestinë e tyre të rrejshme politike dhe intelektuale, shpesh devijojnë edhe nga ai pak moral që u ka ngelur. Tipa të tillë politikanësh jetojnë gjithandej në hapësirat e Ballkanit Ilirik (siç do të thotë Ali Podrimja). Ata asnjëherë nuk pandehin që të këqijat t’ia “dhurojnë” dreqit, përkundrazi me ato të këqija do ta ushqejnë megalomaninë e tyre. Kur do ta vërejnë se megalomania e tyre nuk i shpie gjëkundi, ata do të orvaten që njerëzit të harruar e të lënë pas dore (në aspektin ekonomik, kulturor, po edhe politik) si dhe ata që nuk i takojnë “kodit” dhe hapësirës së tyre të ashtuquajtur “sui generis”, ashtu thjeshtë do t’i gjykojnë ose edhe do t’i konsiderojnë vetëm si numra për gjithfarë “statistikash” dhe qëllimesh të tjera djallëzore.

Sot e gjithë ditën e Perëndisë këtej në Tetovë, nga njerëzit të cilët “hokatarinë e kanë zanat”(!?), flitet e përflitet ose edhe qarkullon një barsoletë interesante. “Kryeautori” i saj është, kush tjetër në mos, “haxhi baba i mëhallës sonë”, të cilit kohë më parë i kishte vdekur “haxhica”, ndjesë pastë! Po “haxhi baba”, në vend që të ndërgjegjësohej a edhe të pajtohej me “vakinë” që i kishte ndodhur, prej djemve dhe vajzave kishte kërkuar që ta (ri) martojnë!?Po ja që djemtë dhe vajzat e tij, kërkesën as që ia kishin “përfillur”, duke menduar se kjo ishte një “shaka” e tij e radhës. Mirëpo ai këmbëngulte pareshtur për ta jetësuar kërkesën e tij, paksa jo “serioze”! Dhe një ditë i kishin “gjetur një nuse”!? Vajza e madhe i tha: “Ta kemi gjetur një zonjë, por ama problemi qëndron se mosha e saj me moshën tënde as për së afërmi nuk “përputhen”! Ndërkaq “haxhi baba”, që (kinse) ishte rënduar shumë nga veshët, fillimisht kishte “gëlltitur” atë parashtesën “për” që më pastaj fëmijëve t’ua jepte si prej pushke atë hazër-xhevapin: “puthet, puthet”!? Duke dashur që vështrimi im gazetaresk i radhës të mos “përputhet” me këtë barsoletë dhe për të mos u keqkuptuar nga zonja..., (së cilës mund t’i shkojë mendja se unë ia mbaj anën “haxhi babës”), do të bëj përpjekje që ta lë mënjanë me qëllim që këtij vështrimi t’i siguroj një vazhdim paksa më serioz.

 E gjithë kjo (mos) “përputhje” mbase do të dalë në pah në fund të shkrimit.Kohë më parë, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, “..., konfirmoi ngritjen e një Komisioni shtetëror për kremtimin e 100-vjetorit të shtetit të Shqipërisë, duke theksuar se në të do të marrin pjesë përfaqësues të shquar të fushave të ndryshme dhe përfaqësues të shquar nga Kosova, nga Mali i Zi, nga shqiptarët e Maqedonisë dhe të diasporës...,”, më pas theksoi se “..., pavarësia e Shqipërisë ishte një vepër mbarëkombëtare dhe kjo është një e vërtetë botërisht e njohur..., se 100-vjetori i shpalljes së pavarësisë do të shndërrohet në ngjarjen më të rëndësishme kombëtare të vitit 2012 dhe do të pritet me dinjitet të madh”. Në fund z. Berisha tha gjithashtu se 100-vjetori i shpalljes së pavarësisë së shtetit të Shqipërisë, kërkon një trajtim në rrafshin historik, kulturor, shkencor dhe artistik.

(Kryeministri në deklarimet e veta, me siguri pa qëllim, i kishte anashkaluar shqiptarët e Serbisë, gjegjësisht ata të Luginës..., nuk besoj se i kishte munguar vëmendja e tij ndaj tyre, thjeshtë sipas tij dhe sipas neve, shqiptarët e Luginës nuk do privohen nga e drejta e tyre për të marrë pjesë në këtë manifestim, andaj luginasit, në krahasim me shqiptarët e tjerë, meritojnë një ftesë paksa më ndryshe, ata duhet të marrin një vend më dinjitoz në 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, sepse Lugina është produkt i harresës sonë kolektive, po qoftë ajo edhe politike!? Sipas historianëve si dhe qytetarëve të rëndomtë, 28 nëntori 2012 do të jetë 100-vjetori i shpalljes së Shqipërisë së cunguar, njëkohësisht do të jetë një përvjetor që do festohet “nën hijen e asaj londineze” (sipas vendimeve të ambasadorëve të Konferencës së Londrës të vitit 1913), kurse e gjithë kjo gjithsesi është një e vërtetë e njohur botërisht. Unë nuk e di se sa është i përshtatshëm dhe po aq i qëndrueshëm profesioni im për ta llafosur historinë e shpalljes së mëvetësimit politik të Shqipërisë, qoftë ajo natyrale a edhe londineze!? Ky përvjetor do t’i dedikohet Shqipërisë së 1912, 1913 dhe 2012, Shqipërisë së Ismail Qemal bej Vlorës, kësaj Shqipërie që edhe sot përlotet, kësaj Shqipërie që ia “morën” e ia gjymtuan krahët, kësaj Shqipërie që ia gjymtuan sytë, kësaj Shqipërie që për çdo ditë zgjohet e zhgënjyer dhe e dëshpëruar nga një histori e saj e sajuar me lloj-lloj vendimesh gjysmake dhe skandaloze të miratuara a edhe të ndërtuara nga ana e ambasadorëve sherrxhinj dhe “munafikë”, të atyre që banonin në bordellot e Londrës. Ku ta dijë njeri, ndoshta shqiptarët edhe pas një shekulli nuk arrijnë dot që me lehtësi ta ftillojnë dhe ta kapërdijnë këtë kurvëri politike të njerëzve, që me pa të drejtë vendosën për fatet e kufijve natyralë të Shqipërisë..., të atyre që mëtuan këtë histori ta konceptojnë si “qaramane, hileqare, të lebetitur dhe të përçarë”!? Se a do përçahemi a jo, kjo është puna dhe e drejta jonë dhe jo e kundërshtarëve tanë!?

Do të jetë një përvjetor që do të manifestohet nga ana e shqiptarëve të Shqipërisë politike tok me “fqinjët e tyre natyralë, gjuhësorë, shpirtërorë, gjeografikë, po edhe politikë”, nga ata që quhen shqiptarë pavarësisht se gjenden andej apo këtej gardhit ndërshqiptar. Hë tani ti, i nderuar lexues, unë dhe gjithsecili shqiptar a duhet detyrimisht ta lexojmë këtë “logjikë” të mbrapshtë!?..., këtë “logjikë” që mëton të diktojë atë të vërtetën si vijon: “Përkëndej kufirit administrativ do duket një doganier a polic shqiptar, do shihet një katund a kasaba shqiptare..., prandaj kufirit administrativ i njëjti doganier a polic shqiptar me kostum paksa tjetërfare..., një qytet a fshat shqiptar..., një xhami, një teqe, një kishë a një katedrale tipike” për Shqipërinë, Kosovën a për Maqedoninë... dhe kur, në vigjilje të 100-vjetorit, shqiptarët do të marrin udhë për në Tiranë a Vlorë, do të duhet të shkelin mbi kufijtë e tyre disfatistë dhe anakronikë!? Në instancë të fundit, shqiptarëve nuk u ngel kurrgjë tjetër, pos ta refuzojmë këtë pohim që diskuton dhe llafos të keqen dhe të shëmtuarën e kësaj meseleje.

Mos vallë i gjithë ky paragraf është një përgjigje ekzotike karshi njëmijë pyetjeve të parashtruara idiotike..., pyetje këto që janë në pronësi të mbamendjes sonë kolektive!Të thuash se ky konfirmim i Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, sa i përket kremtimit të 100-vjetorit të shpalljes së mëvetësimit të Shqipërisë është një ide biblike, nuk ka kurrfarë dyshimi, por kjo ide sa biblike po aq edhe e bekuar, sa emancipuese po aq edhe humane, mos vallë do “mjekërrohet”, shtrembërohet, paragjykohet e edhe shpërfytyrohet para se ajo të jetësohet a të realizohet, mos vallë do të plaket nga politikëbërja jonë provinciale, e përçarë e cinike pa marrë parasysh se cilës parti politike do t’i takojë, asaj që sundon të drejtën e pushtetmbajtësit apo edhe atij në opozitë. Janë parti politike dhe politikanë që nuk “shkëputen” dot kollaj nga ngatërresa, nga e keqja dhe nga “ortakëria me djallin” dhe kështu kanë mbetur “skllevër” të atij inati djallëzor dhe histerik ndërshqiptar apo edhe të asaj mendësie të mbrapshtë.A mos vallë e gjithë kjo mendësi e mbrapshtë shqiptare, edhe kësaj radhe do të “fus hundët” në protokollin se në cilat hapësira do të organizohet ky manifestim..., kush do të duhet ta organizojë këtë eveniment mbarëkombëtar..., a mos vallë kjo e drejtë e organizimit të këtij evenimenti do të duhet t’u dedikohet politikanëve aktualë të Tiranës apo do jetë në pronësi të të gjithë shqiptarëve!?

A mos vallë, e gjithë kjo do t’i adresohet vetëm kësaj qeverie apo tjetrës qeveri në vijim, a mos vallë, do duhet t’i dedikohet vetëm Tiranës apo edhe Prishtinës, Luginës a edhe Tetovës, a mos vallë ky eveniment do të duhet të organizohet në Tiranë (po pse jo edhe në Prizren) apo në Vlorë, të cilën poeti ynë i madh Lasgush Poradeci e quajti “thelbi i Shqipërisë”! Që kjo të mos kalojë në oborrin e asnjërës qeveri, partie politike a edhe ndonjë kryeministri, shpalljen le ta bëjnë krerët e dy akademive, asaj të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës..., sepse akademikët në krahasim me politikanët nuk gënjejnë. Sot do të parashtrohet pyetja (pa vend, pa kuptim dhe pa moral) se vallë shqiptarët do të jenë toptan në hapësirat e Tiranës a edhe të Vlorës, a do të jenë tok djathtistët me majtistët, a do të jenë tok ballistët me ish-komunistët, a do të jenë tok kosovarët me ata të Maqedonisë a edhe me ata të Shqipërisë politike, vallë do të duken atypari shqiptarët që e ëndërrojnë oksidentin, gjegjësisht Shqipërinë Evropiane, vallë do të duken atypari edhe ata që e kanë shikimin nga orienti, a do të duken vallë atypari edhe monarkistët (zogistët), a do të duken atypari çamët, kosovarët dhe të tjerët, të tillë si ata, të cilët sot e kësaj dite i ëndërrojnë shpërnguljet e tyre të dikurshme sa të dhimbshme, po aq edhe biblike, shpërngulje këto që “kishin për qëllim” t’i përgjysmonin familjet dhe fiset shqiptare, a mos vallë do të duken atypari shqiptarët e mërgatës..., ata të Turqisë?...

Apo, tekefundit, të gjithë do të jenë të shkapërderdhur. Shqiptarët, gjithandej ku jetojnë dhe veprojnë, sot nuk kanë të drejtë morale ta anashkalojnë, ta paragjykojnë e as ta konceptojnë si të mangët kërkesën e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berishës, sa i përket formimit të këtij komisioni mbarëkombëtar që do të ketë për detyrë të bëjë kumtimin e 100-vjetorit të kujtesës sonë kolektive. Dhëntë Zoti që ky 100-vjetor të mos “përputhet” me atë kërkesën e “haxhi-babës së mëhallës sonë”, dhëntë Zoti që në këtë përvjetor të mos hetohen gjymtimet dhe hilet tona, të mos hetohet ajo ndasia jonë, qoftë partiake a edhe territoriale... Kjo festë madhështore nuk duhet t’u dedikohet vetëm shqiptarëve të Shqipërisë politike, nuk duhet dedikuar vetëm principatave të caktuara shqiptare..., ajo le t’i dedikohet edhe Shqipërisë londineze, atyre të Kosovës, të Malit të Zi, Maqedonisë, Çamërisë, Luginës po edhe mërgatës. Ndoshta dikush do të parashtrojë pyetjen se vallë a nuk është herët për ta diskutuar çështjen e 100-vjetorit. Unë nuk kam përgjigje!Thonë se nëse je i pari apo je në krye të një hierarkie (qoftë ajo arsimore, kulturore, politike), ose edhe në krye të familjes sate, duhet të jesh i ndërgjegjshëm se një ditë do të bartësh gjithë (pa) përgjegjësinë. Se ç’kuptim do ketë kjo dhe deri ku do degdisë (pa) përgjegjësia e të parit të kësaj hierarkie, do të varet kryekëput nga ndërgjegjja e tij, e imja dhe e të gjithëve!

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0