* * *
— Unë do të isha gati të punoja gjithmonë lart, në qoftë se për ortak do të kisha Sazanin. E di që puna atje është më e lodhshme, por preferencat do t'i ndajmë përgjysmë: unë i lejoj vetes të zgjedh ortakun, kurse ish-kolegu im ka të drejtë të zgjedhë vendin e punës më pak të lodhshëm. Apo ke kundërshtim ti, Sazan? e pyeti ai duke e shikuar në sy.
Nga Agim Hamiti
―Rasti është mbret i fatit.‖
Victor Hugo
Ndryshe prej minierës së Spaçit, ajo e Qafë-Barit e kishte brenda planin e pjerrët për ulje–ngritjen e vagonëve. Me sistem kundërpeshe, uleshin vagonët me mineral dhe ngjiteshin ata bosh. Në krahun e majtë të planit të pjerrët shquanin hyrjet e galerive horizontale, prej nga dilnin vagonët me mineral dhe hynin ata bosh.
Diksin e caktuan me organikë të punonte në planin e pjerrët. Së bashku me një të burgosur tjetër, ata duhej të hiqnin vagonin bosh prej shtratit lëvizës metalik dhe të fusnin në të vagonin me mineral. Kjo punë kërkonte shpejtësi dhe saktësi të madhe veprimesh. Përndryshe, ose do të mbeteshin frontet e punës pa vagonë bosh, ose mund krijohej ndonjë avari, deri edhe aksident. Diksi nuk ishte mjaft i shkathët, por këtë mangësi e kompensonte me saktësinë në veprime. Shumë rrallë mund t'i ndodhte ndonjë avari.
Me përjashtim të orës së parë të fillimit të punës, gjithë pjesën tjetër të kohës manovruesit e vagonëve e kalonin në lëvizje. Përveç mpirjes së këmbëve nga lodhja, lëvizja e përhershme kishte edhe të mirën e saj. Lagështia e madhe e minierës të ftohte menjëherë, po të uleshe i djersitur nga puna. Aq më tepër që edhe ajri që thithej ishte i mbingarkuar me avuj uji. Edhe në ato raste, kur gjatë orarit të punës krijoheshin pauza të vogla pushimi, Diksit i ishte bërë zakon të lëvizte nëpër galeri. Ai ulej rrallë dhe për një interval të shkurtër kohe.
Puna e manovrimit të vagonëve kishte një gjë pozitive: po ta kryeje normalisht detyrën, pa avari, i shpëtoje përplasjes me policinë. Shmangia e provokimeve të policisë përbënte një prioritet të preokupimeve të Diksit dhe për këtë ai sakrifikonte shumë. Edhe në ato raste kur policë të veçantë krijonin marrëdhënie të pazakonta mirësjelljeje me një pjesë të të burgosurve, Diksi nuk e ndryshonte qëndrimin ndaj tyre. Ai nuk dëshironte të shkëmbente qoftë edhe një përshëndetje të thjeshtë me gardianët e robërisë së tij. Policët e kuptonin mirë këtë gjë dhe nuk e falnin kurrsesi, po t'iu dilte sadopak në shteg. Kjo ishte një arsye më tepër që atij i diktonte një disiplinë të rreptë personale, e cila nuk i kishte munguar.
*
Për manovrimin e vagonëve në planin e pjerrët punonin katër persona. Diksi me një të burgosur tjetër punonte lart, kurse dy të tjerët punonin në fund të planit të pjerrët. Lart puna ishte pak më e lodhshme, mbasi duheshin kryer shumë ngjitje e zbritje nga njëra galeri horizontale tek tjetra.
Një muaj pasi Diksi kishte filluar punë në manovrimin e vagonëve, ortaku i tij u kërkoi dy të burgosurve që punonin poshtë ta bënin me radhë punën lart, meqenëse në organikë nuk përcaktohej kush duhej të punonte poshtë e kush lart. Kur u shtrua kjo çështje për diskutim midis katër të burgosurve, për çudinë e të tjerëve, njëri nga ata që punonin poshtë u hodh e tha:
— Unë do të isha gati të punoja gjithmonë lart, në qoftë se për ortak do të kisha Sazanin. E di që puna atje është më e lodhshme, por preferencat do t'i ndajmë përgjysmë: unë i lejoj vetes të zgjedh ortakun, kurse ish-kolegu im ka të drejtë të zgjedhë vendin e punës më pak të lodhshëm. Apo ke kundërshtim ti, Sazan? e pyeti ai duke e shikuar në sy.
— Për mua është njësoj – u përgjigj Diksi. – Në të vërtet unë nuk kam ndonjë preferencë as për ortak e as për vend pune.
Dy të burgosurit e tjerë u habitën me këtë lloj propozimi, aspak të dobishëm për atë që e bëri. Ai zgjidhte vullnetarisht vendin e punës më të lodhshëm dhe një ortak më pak të shkathët prej atij që kishte pasur më parë. Mirëpo interesi e eklipsoi shpejt kureshtjen dhe propozimi u miratua dhe u vu në zbatim qysh atë ditë.
*
Në këtë periudhë Diksi kishte vuajtur pesë vjet burg dhe zor se i kishte mbetur ndonjë gjë e errët në njohjen e rrethanave dhe parashikimin e çdo të papriture nga prapaskenat e kampeve të punës. Këtë ndërrim ortakësh ai e priti thjeshtë, pa i kushtuar aspak rëndësi në dukje, por në vetvete e analizoi thellë.
Të burgosurin që bëri propozimin Diksi e kishte në dhomën e fjetjes qysh prej dy muajsh. Ai ishte nga Gjirokastra. E quanin Hamit Meli. Disa cilësi të tij ia kishin tërhequr vëmendjen. Si edhe vetë Diksi, marrëdhëniet e tij me të burgosurit e tjerë Meli i kishte të kufizuara dhe të kontrolluara mirë. Pjesën më të madhe të kohës e kalonte vetëm. Herë pas here shoqërohej me nja dy të burgosur nga rrethi i tij. Kafen dhe duhanin i pinte shumë. Kohët e fundit nuk linte rast pa shfrytëzuar, për t'i ofruar kafe Diksit, ose të lidhte muhabet me të. Nga ana e tij Diksi, pa e fyer aspak, mundohej që të mos i jepte shkak zgjerimit të mëtejshëm të marrëdhënieve me Melin. Megjithatë, edhe ai e kishte ftuar për kafe atë, por zgjidhte një orë të tillë që të kishin pak kohë të lirë: para se të fillonte leximi i detyruar kolektiv i shtypit, ose ndonjë veprim tjetër i parashikuar prej rregullores së regjimit të brendshëm të kampit.
Meli e mbante veten me kujdes; natyrisht brenda kushteve tepër të kufizuara të burgut. Rrobat e trupit i mbante të pastra dhe rruhej rregullisht. Kujdesej për një palë mustaqe të shkurtra, ngjyrë gështenjë, të cilat i shkonin mjaft fytyrës së tij brune me sy të kaltër. Krevatin e rregullonte më mirë se bashkëvuajtësit e tjerë. Ishte i vëmendshëm në bashkëbisedim. Ai e përqendronte shikimin e mprehtë mbi bashkëfolësin, pa ia ndërprerë asnjëherëfjalën. Pjesën më të madhe të kohës së lirë e kalonte duke lexuar. Adhuronte Zhyl Vernin.
Ka disa libra para të cilëve njeriu duhet të përkulet – i kishte thënë ai një ditë Diksit.
Ky ia kishte aprovuar mendimin.
Kur Diksi gjente rastin të shkëputej prej tij, largohej natyrshëm, pa i lënë shkak për fyerje bashkëvuajtësit jo fort të njohur. Kuptohej që Meli nuk e dëshironte ndarjen, por ai nuk e jepte veten kurrsesi dhe vazhdonte të shëtiste i vetëm. Këtë sedër të atij Diksi e vlerësonte shumë, por në heshtje.
*
Në sjelljen në tërësi të ortakut të ri të punës në kamp, në minierë, me të burgosurit, apo karshi policisë, Diksi dallonte një karakter të fortë, të vendosur dhe rezistent në vështirësi. Meli ishte i pajisur me raport mjekësor, për të mos punuar në minierë. Kishte qenë operuar në stomak dhe vuante nga zemra e veshkat. Ndihma ekonomike nga familja nuk kishte. Mirëpo e pinte shumë duhanin dhe pa kafe nuk bënte dot. Për të mos kompromentuar personalitetin e tij, duke pritur ndihmë prej të tjerëve [gjë që ai si tip nuk do ta pranonte kurrë], Meli kishte zgjedhur rrugën më të vështirë: futjen vullnetarisht në punën e rëndë të minierës. Vetëm ata që e kishin në shpinë barrën e rëndë të punës së detyruar e kuptonin vërtet madhështinë e kësaj sakrifice, për hir të dinjitetit.
Meli kishte qenë i martuar. Kishte një vajzë. Pak para se të binte në burg, e kishte divorcuar gruan. Fill pas divorcit, ai kishte ndihmuar vëllain e tij për tu arratisur bashkë me një shok. Kufirin e njihte mirë, mbasi i kishte qëlluar të punonte në zona kufitare. Meli vetë kishte planifikuar të arratisej të pasnesërmen e ditës që përcolli vëllain matanë kufirit. Kjo shtyrje afati kishte ndodhur ngaqë priste të kthehej një shok prej Berati, i cili kishte shkuar atje për ta lënë të shoqen tek prindërit e saj. Kur të vinte ai, do ta kalonin kufirin bashkë. Meqenëse shoku ishte vonuar të kthehej sipas fjalës, Meli ishte detyruar të shkonte vetë në Berat, për ta takuar. Atje e kishin arrestuar.
Këto të dhëna Meli ia kishte bërë vetë të njohura Diksit, kur merrnin kafe bashkë. Ato i vërtetonin edhe dy bashkëqytetarë të Melit, të cilët e kishin njohur atë në jetën e lirë. Për më tepër, njëri prej atyre kishte asistuar në seancën e fundit të gjyqit të Melit. Kjo kishte qenë e vetmja seancë e gjyqit të tij që ishte zhvilluar me dyer të hapura.
Diksi e kishte njohur para disa vjetësh në kampin e Spaçit njërin prej këtyre bashkëqytetarëve të Melit. Ditën e parë që ai e pa Diksin të rrinte me Melin, i ishte afruar, kur kishte gjetur rastin, dhe i kishte pëshpëritur:
— Hamiti, me të cilin ti rrije qëparë, është djalë i mirë. Unë e kam njohur familjarisht qysh në jetën e lirë, megjithëse ai vetë ka punuar e ka jetuar në Tiranë. Por ... më duket se ka qenë ca kohë oficer sigurimi.
Natyrisht, këtë sinjalizim ai ia bënte me qëllim të mirë Diksit, i cili i ishte përgjigjur duke buzëqeshur:
— E kuptoj ç'do të më thuash; të faleminderit.
*
Në fillim, kur i kishin vendosur në dhomat e fjetjes sipas brigadave të punës, Meli kishte zënë një vend të mirë pranë dritares, në katin e dytë të krevateve. Kur kishte hyrë në dhomë, Diksi kishte pyetur për kureshtje:
— Kush e zuri këtë vendin tek dritarja?
— Unë – i ishte përgjigjur Meli. – Unë e zura, por nuk kam qejf të jem në kat të dytë me krevat. Prandaj, po të duash, i ndërrojmë bashkë vendet e fjetjes.
— Jo, jo, pyeta kot; të faleminderit. Unë mirë jam edhe këtu – e kishte mbyllur bisedën Diksi.
Por Meli i kishte shkuar tek krevati dhe, pasi i kishte dhënë një cigare, i kishte thënë:
— Ai vend fjetjeje nuk është i përshtatshëm për mua. E zura vetëm se nuk doja që të shkonte ai spiuni që fle në krye të radhës përballë. Prandaj më bën nder të ma lëshosh këtë vendin tënd këtu pranë derës e në katin e parë të krevateve.
— Po të jetë ashtu, dakord – i ishte përgjigjur Diksi.
Dhe në çast i kishin ndërruar vendet e dyshekëve.
Meli ishte inteligjent dhe me eksperiencë në jetë. Këtë e tregonte qartë aftësia e tij për tu orientuar drejt nëpër labirintet e vështirë të jetës së burgut. Do të ishte utopi për një person me një intelekt e përvojë të tillë, që të mendonte se do të gjente shteg në vigjilencën vetëmbrojtëse të Diksit, për ta dëmtuar atë. Aq më tepër që ky i fundit, shpejt a vonë, diçka do të mësonte për të kaluarën e ish-oficerit të Sigurimit nëpërmjet bashkëqytetarëve të tij të burgosur, me të cilët edhe Diksi rrinte nganjëherë.
Diksi e ndiente se afrimi i Melit me të ishte një kërkesë shpirtërore e këtij të fundit, motivet e së cilës mbetej t‘i vërtetonte koha. Sa më shumë që po e njihte Melin me kalimin e javëve, aq më tepër Diksi po bindej se qëllimi i afrimit të tij me të nuk frymëzohej nga synime të ulëta keqbërjeje. Por një vlerësim i tillë paraprak nuk bëhej shkak pakujdesie në asnjë rast. Ndarja e egjrës prej grurit nuk ishte aspak e lehtë në një kamp pune të detyruar. Gjithmonë i matur e depërtues në vëzhgimet e tij të posaçme, Diksi hidhte hapa të kujdesshëm drejt konkretizimit të parashikimeve të tij, për qëllimin jo keqdashës të Melit për t'u afruar me të.
Fragment nga "Odiseja e një Dedektivi"
Comments (0 posted)
Post your comment