Home | Society | Për Nënë Terezën

Për Nënë Terezën

image
Gandi thoshte “Nderi më i madh që mund të më bëjnë miqtë e mi, është të zbatojnë në jetën e tyre programin që mbështes unë, ose të më kundërshtojnë deri në fund, në qoftë se nuk besojnë në të”. Nënë Tereza nuk ka nevojë për ceremonitë që drejtuan udhëheqësit tanë. Ajo ka nevojë që ata të bëjnë që ne ta njohim atë dhe të vëmë në jetë mësimet e saj.

Indira Gandi

Në Shqipëri u përkujtua 100-vjetori i lindjes së Nënë Terezës, përkujtim që u zhvillua dhe në shumë vende të botës. Vendet që kanë njëfarë lidhje me të, si në garë me njëri-tjetrin, u përpoqën të përvetësonin sa më shumë prej meritave të saj. Shqipëria, që i ka dhënë asaj genin, e përkujtoi në mënyra nga më të ndryshmet. Udhëheqësit, me hipokrizi të plotë, bënë garë me njëri-tjetrin se kush do të fliste më mirë për të. Gazetarë e shkrues të ndryshëm në gazeta u ndanë në dy pjesë: një pjesë me sinqeritet vinin në dukje vlerat e Nënë Terezës, të cilat i shërbenin edhe Shqipërisë, dhe një pjesë tjetër e kritikonin atë në mënyrë të tërthortë apo edhe të drejtpërdrejtë. Janë pikërisht shkrimet e këtyre të fundit, si dhe hipokrizia e politikanëve në lavdet për Nënë Terezën, të cilat duhej të ishin të fundit që ta përmendnin, që më nxitën të lija punët që kisha në duar dhe të bëja këtë shkrim, për të paraqitur disa mendime, pjesë të të cilave i kam dhënë pak a shumë edhe në shkrime të tjera në të shkuarën.

Kryeministri Berisha, mjeshtri virtuoz i përfitimit në çdo situatë, si gjithnjë, më i shquari në protagonizëm, më i shquari në lavde, qe më aktivi, a thua se i ndjente dhe i vlerësonte vërtet virtytet e Nënë Terezës. Ai e ktheu ditën e përkujtimit të Nënë Terezës në promovim të vetes. Në pllakatet që kishte përgatitur, emrin e tij e kishte shkruar me germa më të mëdha se atë të Nënë Terezës. Presidenti Topi dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, lajmëruan së bashku se do të ndërtonin një rrugë të re, kushedi se ku dhe kushedi se kur dhe do t’i vinin emrin e Nënë Terezës. Gandi thoshte “Nderi më i madh që mund të më bëjnë miqtë e mi, është të zbatojnë në jetën e tyre programin që mbështes unë, ose të më kundërshtojnë deri në fund, në qoftë se nuk besojnë në të”. Nënë Tereza nuk ka nevojë për ceremonitë që drejtuan udhëheqësit tanë. Ajo ka nevojë që ata të bëjnë që ne ta njohim atë dhe të vëmë në jetë mësimet e saj.

Gjatë pushimeve të verës që bëra në Shqipëri në muajin gusht, pashë nja dy gjëra në lidhje me Nënë Terezën që nuk më lanë përshtypje të mirë. Në oborrin e Ministrisë së Kulturës në Tiranë ishte vendosur një pllakat i madh i Nënë Terezës, i shoqëruar me fjalët e saj, natyrisht të përkthyera, se Nënë Tereza nuk fliste shqip. Pikërisht në atë ministri, ku çdo gjë duhet të ishte kulturë, përkthimi i fjalëve të Nënë Terezës ishte bërë prej një personi që nuk e njihte shqipen standarde!

Kur zbret nga aeroplani në Rinas, për t’u futur në godinën e aeroportit, lexon lart në murin e saj të shkruar në anglisht: “Tirana International Aeroport”. Edhe pse ka disa vite që atij aeroporti i është vënë emri i Nënë Terezës, ai vazhdon të njihet nga ata që zbresin në tokë aty thjesht si aeroporti ndërkombëtar i Tiranës dhe jo si “Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës Nënë Tereza”. Asnjë nuk kujtohet t’i shkruajë atij aeroporti emri që ka, për të mos përmendur pastaj përmendoren e saj të vendosur në atë aeroport, që është një shëmti më vete.

Gjatë shekullit të kaluar, bota, krahas monstrave të njohura, të cilat i shkaktuan asaj qindra miliona viktima, ka nxjerrë edhe humanistë nga më të mëdhenjtë. Ndërmjet tyre zënë vend emra të tillë si Nënë Tereza, Mohandas Gandi, Martin Luter Kingu, Nelson Mandela, Papa Gjon Pali II e të tjerë. Të gjithë këta e kanë pasuruar botën tonë, i kanë dhënë asaj kuptim, e kanë bërë atë më të moralshme e më humane. Megjithatë, edhe këta njerëz të mirë nuk u kanë shpëtuar kritikave që në shumicën e rasteve kanë qenë të padrejta.

Nënë Tereza është kritikuar, kryesisht nga disa të huaj, të cilët pretendojnë se ato që ka bërë, i ka bërë për famë. Nuk ka logjikë të pretendosh që për të fituar famë, të shkatërrosh me dashje jetën tënde. Nuk di të ketë njeri që ta ketë bërë këtë. Megjithatë, edhe sikur ky të ketë qenë motivi i mënyrës së jetës dhe punës që zgjodhi Nënë Tereza, që të fitonte famë duke sakrifikuar veten për t’u shërbyer të varfërve, të braktisurve dhe të sëmurëve, prapë merita e saj do të ishte shumë e madhe. Le të dalë ndonjë nga ata që e kritikojnë Nënë Terezën pikërisht për këtë dhe le të shkojë sot përkohësisht vullnetar në Darfur, në Hondura apo në Pakistan, të sakrifikohet për nevojtarët e këtyre vendeve dhe, pavarësisht se përse do ta bënte atë punë, të ishte i sigurt se, pa hezitim, bota do ta quante hero. Një pjesë tjetër, përsëri nga të huajt, e kritikon Nënë Terezën nisur nga motive fetare. Janë kryesisht protestantët që, duke goditur Nënë Terezën, kërkojnë të godasin katolicizmin.

Nga vendasit prej atyre që kritikojnë Nënë Terezën, në radhë të parë janë së bashku antishqiptarët, cinikët, mendjemëdhenjtë, të cilët duke e kritikuar atë nisur gjoja nga motive nacionaliste, i heqin asaj çdo vlerë, pasi, sipas tyre, ajo nuk ka bërë asgjë drejtpërsëdrejti për Shqipërinë, por ka bërë për Indinë dhe krishterimin. E kanë krejtësisht gabim. Nënë Tereza ka bërë për Shqipërinë shumë më shumë nga ç’ka bërë Shqipëria për të. Mjafton që ajo pranon që është me gjak shqiptar, pra me gen shqiptar, dhe Shqipërisë i shtohet një përmasë humane shumë e rëndësishme në sy të botës, ndonëse ajo nuk e meriton plotësisht. Ish-presidenti amerikan Klinton, pat thënë se u bë më i ndjeshëm ndaj çështjes së Kosovës, pasi njohu më mirë Nënë Terezën. Duke përdorur një gjuhë dhe logjikë fetare mund të themi se për ne Nënë Tereza është një dhuratë nga qielli, për të na dhënë nder dhe për të na bërë të njohur në komunitetin botëror. E këtë gjë nuk e ka bërë asnjë shqiptar deri më sot.

Një pjesë e shqiptarëve janë myslimanë fanatikë dhe, të nisur nga motive fetare, nuk vlerësojnë asnjë që nuk është nga feja e tyre e kështu nuk mund të pranojnë vlerësime e nderime as për Nënë Terezën.

Një pjesë tjetër janë të fantaksur që përpiqen të duken interesantë e të ditur dhe kërkojnë me qiri se mos ndonjë i huaj thotë ndonjë fjalë të keqe për të, e përkthejnë atë aty për aty dhe ia paraqesin popullit shqiptar si një të vërtetë absolute. Prej tyre, sot me Nënë Terezën po ndodh po ajo që ndodhi pak kohë më parë me Skënderbeun, të cilit iu vërsulën me tërbim, sikur të ishte ai përgjegjësi i të gjitha fatkeqësive të sotme që ne ia krijojmë vetes. Vështirë të ketë popull tjetër në botë që të ketë nxjerrë më shumë mohues e kritikues të historisë më të mirë të vet sesa shqiptarët.
Shumë, nëpërmjet kritikave që u bëjnë politikanëve që shfrytëzojnë Nënë Terezën për promovimin e vetes, godasin vetë Nënë Terezën. Politikanët e sotëm, është e vërtetë, kanë më pak të drejtë se të gjithë të tjerët t’ia përmendin asaj emrin, sepse ata janë të kundërtit e saj, por kjo nuk do të thotë se është fajtore Nënë Tereza.

Nënë Tereza nuk është thjesht një bamirëse e zakonshme, ajo është edhe një mendje e madhe. Fjalët e saj në formë të maksimave hijeshojnë fjalimet e njerëzve të mëdhenj dhe zënë vend kudo në faqet e internetit. Ato nuk janë thjesht fjalë të bukura, ato përmbajnë vlera të mëdha filozofike.
Dy raste nga përvoja ime në Amerikë. Kur po bisedoja një herë me një amerikan, ai më pyeti: “A ka Shqipëria njerëz që i njeh bota”? Aty për aty i thashë: “Po ka. A e keni dëgjuar Nënë Terezën? Ajo është shqiptare”. Ai u çudit dhe më tha se atë e njihte, por nuk e dinte se ishte shqiptare. Duhet shënuar këtu se amerikanët pak dinë për njerëzit e shquar të botës që nuk janë amerikanë.

Një rast tjetër. Në ceremoninë që u zhvillua në shkollën e mesme “Teodor Rusvelt” në Jankes, në Nju Jork, me rastin e mbarimit të vitit shkollor, në vitin 2002, shkollë prej së cilës mbaroi vajza ime, mora pjesë edhe unë si prind. Gjatë asaj ceremonie, e cila u zhvillua e bukur dhe me gjithë seriozitetin që meritonte, diku nga mesi i programit, një prej drejtueseve, pasi thirri një nxënëse, filloi të thoshte, sikur po recitonte, fjalët: "Ndershmëria dhe sinqeriteti të bëjnë të brishtë" dhe nxënësja, e thirrur pranë saj, vazhdoi: "Megjithatë, ji i ndershëm dhe i sinqertë". "Të kujt janë këto mendime?" pyeti drejtuesja. "Të Nënë Terezës", iu përgjigj nxënësja. "Pa dyshim", tha drejtuesja. Dhe më pas ato së bashku recituan të gjithë poemën e shkurtër, “Megjithatë”, të Nënë Terezës, e cila krijoi vërtet një atmosferë të jashtëzakonshme emocionale. Poema ishte vërtet një koncentrat mendimi e urtësie i shkallës më të lartë. Ajo përmblidhej në tetë vargje dhe kishte të bënte me sjelljen e mirë të njeriut në një botë të keqe. Si shqiptar, nuk mund të mos ndiheshe krenar në atë sallë të mbushur plot me nxënës amerikanë, së cilës tonin solemn ia jepte një shqiptare.

Nuk e kisha dëgjuar kurrë atë, ndonëse dija një tjetër poemë të ngjashme, apo gjerdan maksimash po të Nënë Terezës, që quhej "JETA" dhe që në Tiranë e kisha vendosur në xhamin e bibliotekës së laboratorit ku punoja.

Pasi dëgjova poemthin, u interesova të mësoja diçka më shumë për të. Dhe ja se ç’mësova:
Origjina fillestare e atyre vargjeve duhet të jetë nga urtësia e fesë së lashtë indiane, Xhain, e cila është një fe me parime shumë interesante dhe tejet humane. Në citatet që jepen për të njëjtin subjekt nga ajo fe, përveç vargjeve që përmbahen në poemën e Nënë Terezës, janë edhe dy vargje të tjera që nuk ndodhen në thëniet e saj. Ato janë: "Njeriu më i lartë me idetë më të shquara, goditet nga njeriu më i ulët me idetë më të errëta. Megjithatë, përpiqu të lartësohesh", si dhe "Në qoftë se mendon ndryshe, mund të kritikohesh nga të tjerët. Megjithatë, përpiqu të mendosh ndryshe". Mundësinë më të madhe të prejardhjes ato vargje duket se e kanë pikërisht nga kjo fe, por Nënë Tereza u dha atyre një formë tjetër dhe një përhapje e njohje universale. Këto vargje, Nënë Tereza i kishte vendosur në një mur të shtëpisë së të vegjëlve jetimë, “Shishu Bhaven”, në Kalkuta, por sot ato vargje gjenden të vendosura kudo nëpër botë: në mure, në zyra, në dyer frigoriferi, në dollapë, në biblioteka etj. Ndikimi i tyre në edukimin moral të popullit, duket se është i fuqishëm. Uein Daier (Waine Dyer) i quan ato: "Plani me tetë pika i Nënë Terezës për shndotizim”.
Më poshtë po japim thëniet e Nënë Terezës:

“Megjithatë”
Njerëzit janë shpesh të paarsyeshëm, të palogjikë dhe egocentrikë. Megjithatë, fali.
Kur je i mirë, të tjerët mund të të akuzojnë për egoizëm. Megjithatë, ji i mirë.
Në sukses fiton ca miq të rremë dhe ca armiq të vërtetë. Megjithatë, ji i suksesshëm.
Po të jesh i ndershëm dhe i sinqertë, të tjerët mund të të mashtrojnë. Megjithatë, ji i ndershëm dhe i sinqertë.
Atë që ndërton me vite, mund të ta shkatërrojnë brenda natës. Megjithatë, ndërto.
Kur gjen qetësi dhe lumturi, disa mund të bëhen xhelozë. Megjithatë, ji i lumtur.
E mira që bën sot, shpesh harrohet. Megjithatë, bëj mirë.
Jep më të mirën që ke dhe prapë nuk do të jetë e mjaftueshme. Megjithatë, jep më të mirën që ke.


Nuk duhet që Nënë Tereza të na shërbejë vetëm si një zbukurim. Nuk duhet vetëm që të organizojmë festa në kujtim të saj. Nuk mjafton të shqetësohemi, kur nga indiferenca jonë Nënë Terezën na e marrin të tjerët. Nuk mjafton të kritikojmë komunizmin që u tregua aq i padrejtë e mizor ndaj saj. Nënë Tereza duhet bërë e njohur në masa. Ajo duhet të bëhet pjesë e kulturës dhe shpirtit tonë. Duhen përhapur mendimet, idetë dhe praktikat e saj në popull, duhen edukuar nxënësit me veprën e saj.

Nënë Tereza dhe humanistët e tjerë që përmendëm më lart, duhen futur vërtet në shkolla, në spitale, në politikë, në sjellje e kudo. Dhe, po të bëhet kjo, me siguri Shqipëria do të ndryshojë. Do të ketë më shumë shërbim, më shumë dhembshuri, më shumë empati; do të ketë më pak vrasje, do të ketë më pak dhunë, do të ketë më pak nga ajo që me eufemizëm e quajmë korrupsion, por që në të vërtetë duhet ta quajmë me emrin e vërtetë: vjedhje e grabitje e popullit dhe e vendit. E kjo u takon drejtuesve që ta bëjnë. Por a duan vërtet drejtuesit tanë që të ketë më shumë humanizëm, më pak vrasje, më pak dhunë, më pak demagogji, më pak korrupsion? Eh, këtu ngec puna.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0