Home | Society | Zemërimi i Ambasadorit Grek

Zemërimi i Ambasadorit Grek

image
Pas një sërë bisedimesh intensive, qeveria shqiptare kishte pranuar t’i jepte vizën të strehuarit në ambasadë, për të ikur në Greqi. Për këtë ai duhej të plotësonte një kusht: të largohej dy ditë nga selia e ambasadës, ku kishte hyrë ilegalisht.

Nga Agim Hamiti

―Argëtimi më i preferuar i grekëve
është ngritja e kurtheve.‖
Homeri

Këngët e kurbetit janë më melankoliket e folklorit të çdo populli, që e ka provuar këtë plagë të rëndë shoqërore. Ato u ngjajnë vajeve të kënduara. Ndarja për së gjalli e njerëzve është më dridhmuese se ajo e shkaktuar prej vdekjes. Vdekja është fund i natyrshëm i një jete, ndërsa emigrimi është një frakturë e saj. Emigrimi ilegal është dy herë më i trishtuar ai është një udhëtim drejt së panjohurës përmes ftohtësisë së huaj; një hedhje e zareve symbyllas.
Janë të rralla shikimet që ledhatojnë një klandestin; akoma më të rralla buzëqeshjet dashamirëse. Njeriu detyrohet ta braktisë symbyllas vendlindjen, kur atje ka vdekur shpresa dhe ai nuk ka më ç’të humbasë veç jetës, që i është bërë një barrë e padurueshme. E tanishmja e pasigurt dhe e ardhmja e dyshimtë e errësojnë jetën e një klandestini. Ai endet si një hije midis të gjallëve, fajtor i pafajshëm.
Shoqëritë moderne bëjnë sikur harrojnë, se shkelja e ligjit nga ana e tyre është shumë më e rëndë nga ai i klandestinëve, që depërtojnë ilegalisht në to. Bota e qytetëruar pretendon se e ka varrosur skllavërinë dhe mbyll sytë përpara këtyre skllevërve modernë të thirrur klandestinë, që rropaten ta shesin me çdo çmim djersën e tyre, por nuk ua blen njeri kollaj. Pjesa më e madhe e këtyre klandestinëve vjen prej ish-kolonive, me shfrytëzimin e të cilave janë pasuruar shtetet më të fuqishëm të botës. Këta i presin krahëhapur edhe sot pasuritë e këtyre vendeve, por banorët e tyre të varfëruar i shikojnë vëngër, i quajnë klandestinë. Cilët janë fajtorët e vërtetë, matur me kutin e së drejtës e jo të forcës?
*
Një ditë në sheshin Omonia Diksi takoi një ish-të burgosur politik, i cili në mars 1990 kishte hyrë fshehurazi në ambasadën greke në Tiranë, ku kishte kërkuar strehim. Ai ishte ortodoks dhe e fliste mirë gjuhën greke. Megjithë përpjekjet e shumta të autoriteteve të Tiranës, për ta bindur ambasadorin ta dorëzonte qytetarin shqiptar, qeveria greke i njohu këtij statusin e azilantit politik.
Pas një sërë bisedimesh intensive, qeveria shqiptare kishte pranuar t’i jepte vizën të strehuarit në ambasadë, për të ikur në Greqi. Për këtë ai duhej të plotësonte një kusht: të largohej dy ditë nga selia e ambasadës, ku kishte hyrë ilegalisht. I shoqëruar prej dy punonjësve të personelit të ambasadës greke, ai duhej të shkonte në hotel Dajti, ku ishte vendosur provizorisht personeli i reduktuar i ambasadës gjermanoperëndimore, në pritje të ndërtimit të selisë së tyre të re.
Sapo kishte nënshkruar këtë marrëveshje me përfaqësuesit e MP të Jashtme të Shqipërisë, ambasadori grek, shumë i kënaqur, i kishte dhënë një kopje të saj azilantit politik. Duke lexuar tekstin e marrëveshjes, ish-i burgosuri politik e kishte pyetur ambasadorin i tronditur:
— Në cilin hotel duhet të qëndroj unë gjatë dy ditëve të ardhshme?
— Në Dajti, pra, bashkë me personelin e ambasadës gjermanoperëndimore. Atje do të jenë edhe dy persona të ambasadës sonë.
— Por sipas tekstit të marrëveshjes, që keni nënshkruar ju, unë duhet të qëndroj në hotel Tirana, i cili është një hotel publik.
— E pamundur, – kishte thirrur ambasadori, duke ia rrëmbyer letrën nga dora.
Mbasi e kishte lexuar me vëmendje tekstin e nënshkruar në mirëbesim, ambasadori kishte kërcëllitur dhëmbët i revoltuar:
— Ç’mendojnë diplomatët shqiptarë, se mund të jenë më të djallëzuar nga një grek? Nuk e paskan lexuar mjeranët këtë thënie të Homerit tonë: Argëtimi më i preferuar i grekëve është ngritja e kurtheve. Mos u mërzit fare për këtë, djalosh. Tani do të shkoj urgjentisht ta gris marrëveshjen në sy të tyre dhe çështja jote do të zgjidhet, ashtu siç dimë t’i zgjidhim ne grekët mosmarrëveshjet me lëngaraqët e Tiranës.
Ambasadori kishte dalë duke folur me vete nga inati.
Në darkë, një avion i nisur posaçërisht nga Athina me një njësit të Asfalisë, ishte ulur në aeroportin e Rinasit. Ndërkohë pesë vetura të ambasadës greke – në krye ambasadori me mysafirin e tij – u nisën për në aeroportin e Rinasit. Regjimi diktatorial, i cili tallej me ligjin por respektonte shumë frikën, kishte qëndruar gojëkyçur përballë këtij provokimi flagrant të autoriteteve të Athinës.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0