Latest News
Opozitarët, ëndrra apo beteja vazhdon…
“Ëndrra vazhdon” është një gjendje që nuk e kalon cakun e ëndërrimit, një gjendje midis gjumit dhe zgjimit, ku asosacionet bashkëshoqëruese të qenies humane nuk i tejkalojnë caqet e iluzionit.
Nga Astrit Kosturi*
Pas një lufte të improvizuar si stuhia në gotën e ujit, Rama ka disa kohë që ka hedhur në qarkullim një ide-devizë gjysmë romantike, gjysmëiluzive se “ëndrra vazhdon” dhe se socialistët e progresistët e vërtetë të këtij vendi, me të cilët ai presupozon ata që vërtiten rreth tij si në një karusel gjigand, do të dalin diku, në bregun e kësaj ëndrre. Kanë kaluar gjashtë vjet që kur socialistët humbën pushtetin, në zgjedhjet e verës 2005 dhe ata nuk bëjnë gjë tjetër veçse shajnë sa për sy e faqe qeverinë (Fajin e ka Saliu), ndërkohë që sillen si fluturzat rreth dritës rreth hijes së Doktorit, duke e ndërtuar gjithë skemën e luftës opozitare si luftë kundër kreut të selisë blu dhe të qeverisë. Sigurisht, që këta të fundit as që e vënë ujin në zjarr nga kjo luftë sa virtuale dhe e pakuptimtë, po aq absurde, prej së cilës nuk iu hyn asnjë gjemb në këmbë, përveçse iu trashet lëkura dhe iu bëhet e pandjeshme ndaj çdo lloj kritike apo demaskimi. “Ëndrra vazhdon” është një gjendje që nuk e kalon cakun e ëndërrimit, një gjendje midis gjumit dhe zgjimit, ku asosacionet bashkëshoqëruese të qenies humane nuk i tejkalojnë caqet e iluzionit. Rama i mëshon këtij iluzioni, pasi në të gjitha deklarimet e tij, nuk bën gjë tjetër veçse mbulon gabimet dhe mëkatet e qeverisë, ngaqë kërkon që nesër, nëse do të vijë të pushtet, të njëjtën gjë të bëjë dhe opozita e nesërme ndaj tij. Njëzet vjet pas nisjes së Shqipërisë në rrugën e një shoqërie të hapur, ndihet një tejngopje e shqiptarëve nga politika, një farë neverie, që po pasohet nga një apolitizëm që shkon deri në menefregizëm ndaj politikës dhe rrisqeve që na ofron ajo, kryesisht gjatë fushatave elektorale (pasi më pas gjithçka harrohet dhe vijon qeverisja vetëm për hir të klaneve politike).
Dy Oborret e mëdhenj të politikës sonë Blu dhe Rozë i kanë shërbyer me zell të njëtrajtshëm këtij qëllimi, pra krijimit të një neverie kolektive të shqiptarëve ndaj politikës, ndërkohë që makina e tyre propagandistike ka punuar dhe vazhdon të punojë me zellin e një grushti militantësh e fanatikësh, të gatshëm për çdo marrëzi, në emër të interesave të ngushta, me të cilat i lidhin këto oborre politike. Ky realitet cinik, kjo ngrirje e madhe, nuk ka ardhur vetëm për faj të keq-qeverisjeve që kanë pasuar njëra tjetrën. Nuk ka ardhur vetëm për faktin se deri më tani politikanët iu kanë treguar shqiptarëve se si duhet të veprojnë në mënyrë ligjore e demokratike për gjithçka, por vetë kanë vepruar e veprojnë me “duar të forta”, pa pyetur askënd dhe pa u ndalur para asgjëje për interesat e tyre të ngushta private. E gjitha kjo ka ardhur, përveç të tjerave, për faj të vetë shoqërisë, të elitës së kësaj shoqërie, që nuk ka denjuar të reagojë sa dhe si duhet ndaj kësaj batërdie me emrin politikë.Qeverisjet në këtë vend, qoftë të ashtuquajtura të majta, qoftë të djathta, duke ushtruar ndikimin e tyre, në bazë të interesave më shumë se kolektive mbarëqytetare klanore e klienteliste, në vitet pas përmbysjes së shtetit komunist (një përmbysje që solli rrënim e shkatërrim dhe jo rindërtim), kanë lejuar boshllëqe të mëdha në të gjitha fushat e jetës së shoqërisë shqiptare. Këto mangësi janë evidentuar në momente dhe rrethana të caktuara në të dy rastet, edhe kur në pushtet ka qenë e vetëquajtura e majtë dhe po aq dukshëm dhe sot, kur qeverinë aktuale e drejton Partia Demokratike.
E gjithë lëvizja e rrotacionit politik në këta njëzet vite, ku më shumë e ku më pak, ka qenë e prekur nga filozofia e qeverisjes për hir të Oborrit, duke hedhur në praktikë, në kulmoret e kohës dhe veprimeve, ide dhe praktika që kanë rezultuar të dështuara për shumicën e shqiptarëve.Rama kërkon t’iu injektojë shqiptarëve (përtej të majtës e të djathtës) energji qëndrestare me anë të devizës “ëndrra vazhdon”, por ata kanë të drejtë që ta pyesin liderin e selisë rozë: për çfarë ëndrre e keni fjalën, zoti Rama? Për ëndrrën e karriges suaj të lartë të kryeministrit, nga e cila druajmë se nuk do të na vijë asnjë e mirë, veç në na u shtofshin hallet e telashet? Opozitarët, qëndrestarët dhe të gjithë ata që nuk duan vijimin e kësaj maskarade “demokratikase”, duhet të kenë një devizë tjetër nga ajo që proklamon zoti Rama: jo “ëndrra vazhdon”, por “beteja vazhdon”. Beteja për dinjitetin e humbur. Për kthimin e legjitimitetit të fjalës Njeri me shkronjë të madhe. Për një shoqëri ku të sundojë ligji dhe e drejta e jetës, e drejta e normalitetit jetik dhe jo “lufta ndaj proteinës”, me anë të formave të maskuara të genocidit deri nën lëkurë, siç ka ndodhur këto njëzet vjet të trishtë me ne shqiptarët, për shkak të një klase politike shpirtkazmë e të paprinciptë.
Beteja duhet të vazhdojë për të të mos lejuar që një grusht njerëzish, që kanë marrë përsipër të kullandrisin jetën tonë, të na e kthejnë këtë të fundit në një ferr të të gjallëve. Që të mos na rrëmbejnë gjënë e fundit që na ka mbetur, shpresën e një ndryshimi, shpresën e një rilindje kombëtare. Për këtë betejë ia vlen të jetosh si opozitar, në të gjitha kohërat, zoti Rama!
*Kryetar i Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment