Home | Society | Të bukurën, e bëjnë njerëzit humanë e të përkushtuar...

Të bukurën, e bëjnë njerëzit humanë e të përkushtuar...

image
 Në këtë kuadër, janë të shumta hapësirat e pa shfrytëzuara, që nga maja e deri poshtë, për të bërë shumë më tepër, për ta bërë edhe më të bukur jetën e qytetarëve dhe vendin ku jetojmë...





Nga Pandeli Bardhi 
 
 
 
 


E bukura merr vlera të shumëfishta, kur është puna, fjala vjen për të prezantuar Shqipërinë para të huajve, kur punon në interes të rritjes së mirëqenies së njerëzve. Vetëm njerëzit humanë e me zemër të madhe janë ata, që jo vetëm krijojnë vlera për vehten e tyre, por këto vlera i shumëfishojnë, kur ato i venë në dobi të shoqërisë, të rritjes së mirëqenies së tyre... Vetëm në demokraci, si në asnjë sistem tjetër, njerëzve u krijohen hapësira të mëdha që të shfaqin vlerat e tyre. Në këtë kuadër, edhe Shqipërisë, edhe shqiptarëve, nuk u mungojnë vlerat. Mbi të gjitha, jemi krenarë që jetojmë në një vend të mrekullueshëm, me të gjitha të mirat. Interesi na e kërkon, që këto të mira, këto të bukura, këto vlera, ti përsosim më tej, ti ruajmë e ti “zbukurojmë” më tej... Më e keqja është, kur këto vlera nuk i “prezantojmë” me atë madhështi që ato kanë... Madhështinë dhe bukurinë e bregdetit të mrekullueshëm që kemi, e prishim me ujrat e zeza dhe ua prezantojmë turistëve. Vlerat e mëdha kulturore dhe historike që shprehen në objekte të ndryshme, i prezantojmë para të huajve si “shkatërrime”! Jo vetëm që për ato nuk tregohet kujdes e nuk mirëmbahen, por u vidhen deri edhe tullat! Shqiptarët, tani shkojnë në çdo vend të botës, shumë prej tyre janë integruar në jetën ekonomike e shoqërore të vendeve ku jetojnë. Kur ata kthehen në vendin e tyre, bëjnë edhe krahasimin. Nuk të krijohet një shije e mirë, qoftë për vendasit, qoftë për të huajt, sapo të futesh në Doganën e Kapshticës. Aty ku ndahet kufiri me vendin fqinj, janë të vendosur flamuri ynë dhe ai grek. Ata janë larg, jo më shumë se 3-4 metra larg njëri tjetrit. Flamuri grek, është i vendosur në një vend të dukshëm, mbi një bazament betoni, me shkallë, i lyer me gëlqere dhe i vijëzuar.
 
Kjo pamje, nuk ja ngacmon sedrën, e nuk ja “vret” syrin njerëzve tanë dhe për pasojë nuk tregojnë edhe kujdesin e tyre për të prezantuar sa më mirë vendin e tyre! Shtiza e flamurit tonë është futur në një gëmushë dhe kush e di sa kohë, qëndron aty, pa treguar as më të voglin kujdes nga autoritetet. Çdo kalimtari, kjo i bie në sy, vetëm atyre që përgjigjen për këtë, jo... Kujdesi për flamurin, është kujdesi për Kombin, është kujdesi për Shqipërinë, e veçanërisht atje ku janë ballëpërballë dy shtetet fqinj! Por, kjo nuk mund të bëhet nga njerëz, si një punonjës i doganës, të cilit, kur ja bën prezent këtë vërejtje, përgjigjet: “Shqipëri hesapi...”! Po të futesh edhe më tej në Doganë, do të shohësh policin në shërbim, që e mban armën, ashtu si e mbajnë barinjtë kërrabën mbrapa kurrizit duke mbështetur dy parakrahët dhe thith cigaren që e fsheh poshtë mëngës së xhupit!... Këta nuk janë shumë të “vëmendshëm”, sa ata që e kanë detyrë të kontrollojnë bagazhet e makinave, atëhere kur nuk i jep gjë, mbasi në rastet e tjera, problemi është i zgjidhur!... Ky mund të jetë edhe një i vetëm, por ja që ky nuk le shije të mirë. Duken këto si gjëra të vogla në pamje, e duke qenë “të vogla”, nuk duan asnjë mundim për t’u korrigjuar, për të mos patur efekte “të mëdha”! Çfarë bëjnë më tepër fqinjët, ku të tilla gjëra nuk ekzistojnë? Dogana, është prezantimi i parë që bën i huaji me Shqipërinë dhe më tepër se kudo gjetkë, atje kërkohet korrektësi e seriozitet. Kur futesh në Doganë, futesh në shtetin përkatës dhe qysh këtu fillojnë edhe përshtypjet e para, për rregullin, disiplinën korrektësinë...“Sa shumë do të kishim ecur përpara, sikur të gjithë biznesmenët të kishin një përqindje të vogël të përkushtimit për punën dhe njerëzit që ka Maksi”! shprehet Klaudio Budo, një punonjës i njërit prej hidrocentraleve në Komunën Carcovë, në degën e lumit Vjosa në rrethin e Përmetit. Të tjerët pohojnë të njëjtën gjë. Maksim Fejzullaj është Presidenti i firmës “Korsel”. E ka filluar aktivitetin e tij qysh nga viti 1996, në fushën e ndërtimit dhe pastrimit. Me emrin e tij, janë të lidhura ngushtë, ndërtimi i shumë veprave... Fitimet i investon në aktivitete të tjera, të cilat kanë ardhur vazhdimisht duke u rritur dhe zgjeruar... I ndihmon më tepër njerëzit në nevojë, të cilët me të drejtë shprehen se për Maksin “lënë edhe kokën”! “Isha i papunë, bashkë me disa fshatarë të tjerë, thotë Spartak Xoga.
 
Emigracioni, nuk na eci. Por ja tek bëhet “vesite” Maksi, që ne të punësohemi. Para 4-5 vitesh ai mori rreth 4 ha tokë, që deri atëherë nuk ishin shfrytëzuar, ishin djerrë. I mbolli ato vreshtë. Ne që shërbejmë atje jemi gjashtë vetë. Asgjë nuk na lidh me Maksin, vetëm nga ajo, që ishim më fukarenjtë dhe na punësoi”! Ka dy vjet që vreshti jep prodhim. Një bukuri e rrallë, në një vend dikur të shkretë! Brenda një kohe rekord, u ndërtua hidrocentrali prej 1500 kë nga kjo firmë, ku janë punësuar 20 punonjës. Edhe dy të tjerë janë në ndërtim e sipër, ku së shpejti do të vihen në shfrytëzim dhe do të punësohen edhe shumë të tjerë. Në firmën “Korsel”, të çudit fakti se të gjithë punonjësit që janë mbi 250 dhe që shtrin aktivitetin e pastrimit në më shumë se 7 qytete, përfshi edhe një pjesë të kryeqytetit, janë të siguruar dhe flasin me respekt për drejtuesit e firmës me në krye Maksim Fejzullain. Të gjitha institucionet që kanë menaxhuar fondet e kësaj firme, flasin me vlerësimet më pozitive. Punonjësit janë të kënaqur dhe flasin me respekt për njeriun e palodhur, që i qëndron punës “mbi kokë”, që i përkrah e i stimulon dhe siç thonë edhe punonjësit Abas Ferjati e Gjergji Sterjo, “Për Maksin, ne hidhemi edhe në zjarr”!.. Sfida që i bëjnë njerëz si Maksi, shtetit, është se këta nuk punësojnë as militantë e as “ulërimsa” nëpër mitingjet, por njerëz hallexhinj e të përkushtuar për punën. Punës i duhet gjendur njeriu i përshtatshëm dhe jo një njeri sidokudo, vetëm e vetëm se ka “shkëlqyer” nëpër mitingje pranë “x” deputeti, që sot është ministër apo drejtor. Është e “papranueshme” për një ministër, deputet apo drejtor, qoftë ky i majtë apo i djathtë, që të mund të rrijë pa i shpërblyer me një punë, e me një rrogë të mirë, ata që kanë bërë “sakrifica” në fitoren e tij.
 
Sa për punën, nëse e bëjnë atë apo jo, kjo nuk ka rëndësi, mjafton që ... “të jetë Kola në punë”!Ajo ç’ka është më e bukur tek njeriu, është ajo, kur ai me humanizmin e tij, “investon” diçka për shoqërinë, e sidomos për njerëzit në nevojë. Njerëz të tillë, të cilët nuk janë të pakët, si edhe Maksi që përmendëm dhe njerëz të tillë si thonë i “shikon zoti”! Humanizmi fillon që nga maja e Piramidës, nga shteti e deri tek njeriu i thjeshtë. Një akt aspak human, është edhe ajo, ç’ka bëri shteti, kohën e fundit, për mosdhënien e shpërblimit pensionistëve për festat e fundvitit. Pensionistët nuk do të dilnin nga fukarallëku me një shpërblim 2 apo 3 mijë lekë dhe as me 2 apo 3 milionë. Mbi të gjitha është ajo më kryesorja, ana humane e shtetit për shtresën më të varfër të shoqërisë, në festat më të mëdha të vitit. Të thuash, që nuk ka fonde, ky është mashtrim. Fonde ka, por ato janë për atje ku nuk duhen, për atje ku shpërdorohen, për atje ku varret fati i “karrigeve” të pushtetarëve, që nga Kryeministri e deri te kryetari i komunës! Edhe vitin e kaluar, kur qeveria dha si shpërblim një “gjysmë gjeli”, fill mbas kësaj, ministri i fondeve Bode, deklaroi se “i vetmi deficit, që është krijuar në buxhetin e shtetit, është shpërblimi që ju dha pensionistëve”! Edhe këtë “thërrime” që ta jep, ta “ngec” në fyt! Por nuk është kjo kryesorja. Kryesorja është se “Kryekaposhi” i qeverisë, nuk e ka të sigurt se sa nga këta pensionistë, do të mbeten gjallë, deri në vitin 2013 për të votuar. Vitin tjetër, është e sigurt që do t’i japi një “thërrime”, mbasi është i sigurt që “shumica” e tyre do të “mbeten” për të votuar mbas gjashtë muajsh! Po sikur ta pyesim Boden për këtë vit, që nuk u dha shpërblim pensionistëve, kush e krijoi deficitin në buxhetin e shtetit dhe borxhin që po i afrohet shifrës prej 60%, çfarë do të thotë? Kaq “humanë” janë pushtetarët si Bode e të gjithë “Bodet” e tjerë pushtetarë, që drejtojnë një ekonomi, jo si dokudo, por një ekonomi, që tregon “epërsinë” e saj në të gjitha fushat dhe që “zhvillohet” me ritmet më të larta në Europë!
 
Ashtu si thamë më lart, demokracia i krijon të gjitha hapësirat, që njerëzit të bëjnë “mrekullira”, që njerëzit të bëhen më të dashur për njëri tjetrin, më humanë. Por duket sikur ne, demokracia, po na bën “keq”. Na ka bërë më të “egër”, më “antihumanë” me njëri tjetrin. Etja e disave për të fituar sa më shumë, nga njëra anë dhe përpjekjet e shumicës për mbijetesë nga ana tjetër, krijojnë disnivele në shoqëri. Diferencime ka e do të ketë në shoqërinë kapitaliste, por ajo c’ka është kryesorja, shteti. si rregullator, më tepër i kthen sytë më shumë, nga njerzit në nevojë, nga ata që nuk kanë mundësi ekonomike për të jetuar e për t’u strehuar. Politikat e deritanishme të ndjekura nga forcat politike, nuk i kanë shërbyer zbutjes së pakënaqësive të shtresave të ndryshme të shoqërisë, por thellimit të pakënaqësive. Kjo ka bërë që të pasurit të pasurohen edhe më shumë dhe të varfrit dhe ata që nuk kanë mundësi jetese, të varfërohen edhe më shumë. Shteti e di mirë se, rroga e shtetit sot është vetëm për të mbijetuar dhe jo për të vënë pasuri. Duke qenë se është kështu, ç’mund të bëjë ai, që nuk i krijohet asnjë mundësi për të punuar? Në këtë kuadër, janë të shumta hapësirat e pa shfrytëzuara, që nga maja e deri poshtë, për të bërë shumë më tepër, për ta bërë edhe më të bukur jetën e qytetarëve dhe vendin ku jetojmë...

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0