Latest News
Ta marrësh fenë seriozisht
Ne kemi nevojë për demokracinë miqësore me fenë dhe fenë miqësore me demokracinë. Në kohërat e festave të krishtera ky është një mesazh i rëndësishëm, të cilin Jezu Krishti, besoj, do ta kishte aprovuar.
Tony Blair
Termi “Pranvera arabe” tashmë është më se i kontestuar. A paralajmërojnë revolucionet përreth botës arabe ditët e lavdishme të verës, apo një kalim nëpër dimrin e acartë? Një gjë është e qartë: ndikimi i besimit dhe i fesë po e përcaktojnë përfundimin.
Kijeni parasysh shkallën e asaj çfarë po ndodh tani. Përreth Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, partitë islamike po ngjiten lart. Ndasitë sunitë-shiitë janë po ashtu në krye. Terrorizmi, i bazuar në çoroditjen e fesë, po e shëmton politikën jo vetëm në vendet familjare, por po ashtu edhe në Nigeri, Rusi, Kazakistan, Filipine dhe në vende të tjera. Më se gjysma e konflikteve të sotme në botë kanë dimension kryesisht fetar.
Shumica (edhe pse jo të gjitha) e besimeve fetare sot përmbajnë grupe ekstremiste, që të gjitha të afta të prodhojnë mosmarrëveshje në komunitetet e zgjedhura më herët. Ç’është e vërteta, pjesa më e madhe e këtij ekstremizmi ka për bazë çoroditjen e islamit; mirëpo çoroditje të tilla të fesë janë po ashtu shpesh të drejtuara kundër myslimanëve. Në disa pjesë të Evropës islamofobia tani i bën rivalitet antisemitizmit dhe ka fuqi dhe joshje të rrezikshme politike.
Thënë troç, feja ka rëndësi. Tre vjet e gjysmë më parë, kur e themelova një fondacion dedikuar përmirësimit të marrëdhënieve ndërfetare, disa e cilësuan veprimin donkishotesk, apo të pazakontë: Pse një ish-kryeministër do të dëshironte të bënte diçka të tillë?
E bëra për një arsye të thjeshtë. Përvoja ime si kryeministër më ka mësuar se asnjë prej problemeve të Lindjes së Mesme dhe përtej – përfshirë Iranin, Afganistanin, Pakistanin dhe Somalinë – nuk mund të kuptohet përderisa nuk kuptohet edhe rëndësia e fesë. Nuk e kam fjalën për politikat e besimit, por të besimit si fe. Nuk mund ta trajtojmë rëndësinë e besimit fetar vetëm me terma sekularë. Duhet t’i adresohemi si një çështje e sinqertë e fesë.
Në fakt, dobësia fundamentale e politikës së jashtme, veçanërisht në Perëndim, është supozim i asaj se vetëm zgjidhjet politike sigurojnë një shteg të ndjeshëm drejt së ardhmes. Por jo. Ata që e ndiejnë se besimi i tyre i detyron që të veprojnë në mënyrë shkatërruese për respektin e dyanshëm, duhet të binden se ky është një lexim i gabuar i fesë së tyre; në të kundërtën, një detyrim i tillë në emër të fesë do të bëhet gjithnjë atu e argumenteve sekulare politike.
Shikojini Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore sot. Na pëlqeu apo jo, vëllazëria myslimane dhe partitë e tjera fetare do të dominojnë pothuajse sigurt. Ato janë afatgjate, të organizuara mirë, të rrënjosura thellë nëpër komunitete dhe, mbi të gjitha, më se të motivuara – që është një kombinim triumfues gjithandej. Të rreshtuar karshi tyre janë politikat e diskredituara të regjimeve të vjetra dhe grupet kuptimmira, shpesh të numërta, mirëpo më se të paorganizuara mendjeliberale.
Rreziku me të cilin përballemi është shumë lehtë i përshkruar. Sfida e këtyre demokracive në lindje është që të mbesin demokratike me gjithë traumat e ndryshimit gjithëpërfshirës. Në veçanti, ekonomitë e tyre kanë nevojë për reforma, hapje dhe rritje me qëllim të përballimit të pritjeve në rritje të qytetarëve të tyre.
Në të vërtetë, rajoni ka një prej popullatave më të reja të botës, me moshën mesatare shpesh nën 30-vjeçare. Popullata e Egjiptit ishte rreth 30 milionë në vitet ‘50; tash është 90 milionë.
Popullata e re, aspiruese, kritika e së cilës për regjimin e vjetër ishte sa ekonomike aq edhe politike, ka nevojë për ringritjen e industrisë së turizmit në këmbët e veta, që ndërmarrjet e biznesit të ndihen të sigurta dhe të hapura për investuesit e huaj. Atyre u nevojitet arsimim fundamental dhe reforma në sistemin e mirëqenies. Dhe prijësit e rinj politikë duhet ta dinë se nëse nuk korrin sukses, është e drejtë e popullit t’i votojë për t’i dëbuar. Mirëpo demokracia nuk ka të bëjë vetëm me zgjedhjet e lira dhe me sundimin kushtetues të shumicës në liri. Ka të bëjë me lirinë e shprehjes, lirinë e fesë dhe të tregjeve, të cilat, megjithëse të rregulluara, janë po ashtu të lira dhe të parashikueshme. Me fjalë të tjera, demokracia nuk ka të bëjë vetëm me sistemin e votimit, por edhe me një qëndrim mendjehapur.
Ky dallim – e hapura karshi të mbyllurës – është po aq politikisht i heshtur sot sa edhe dallimet tradicionale e majtë-e djathtë. A e shohim globalizimin – që me teknologji, komunikim, emigrim dhe udhëtime na shtyn më afër njëri-tjetrit – si diçka që duhet përqafuar, për të punuar me drejtësi, apo si një kërcënim për mënyrën tonë tradicionale të jetesës që duhet rezistuar? Unë mendoj se e ardhmja u takon mendjehapurve. Mirëpo mendjembyllurit kanë një ndikim të fuqishëm, dhe kësaj i kontribuon feja.
Janë dy fytyra të fesë në botë sot. Njëra shihet jo vetëm në veprimet e ekstremizmit fetar, por po ashtu edhe në dëshirën e njerëzve fetarë për të veshur fenë e tyre me petkun e identitetit në kundërshtim të atyre që janë ndryshe. Fytyra tjetër definohet me akte të jashtëzakonshme të sakrificës dhe të dhembshurisë – për shembull, me përkujdesjen për të sëmurët, të paaftët dhe të varfrit.
Njëra fytyrë ka të bëjë me shërbimin për të tjerët; fytyra tjetër nuk i pranon ata. Njëra pranon se dinjiteti i barabartë duhet akorduar sipas të gjitha qenieve njerëzore dhe kërkon ndërtimin e urave të mirëkuptimit ndërmjet feve. Tjetra i sheh ata që nuk e ndajnë besimin e njëjtë si jobesimtarë të padenjë dhe kërkon të ndërtojë një mur mbrojtës përreth tyre, apo madje të jetë aktivisht armiqësor ndaj “autsajderëve”.
Gjithkund nëpër botë, kjo betejë ndërmjet dy fytyrave të fesë po luhet. Ajo që duhet bërë janë platformat e mirëkuptimit, respektit dhe tejkalimit të kufijve në mbështetjen e këndvështrimit mendjehapur të besimit.
Arsimimi luan një rol vital në këtë fushë. Sa të krishterë e dinë se Jezusi është i nderuar nga myslimanët si profet, apo se nëpërmjet islamit mendimtarët e krishterë të shekullit të njëmbëdhjetë rimësuan rëndësinë e Aristotelit dhe të Platonit? Dhe sa myslimanë e kuptojnë plotësisht reformimin e krishterë dhe çfarë u mësoi ai besimtarëve për filozofinë dhe religjionin? Sa dinë vërtet, qofshin ata myslimanë apo të krishterë, për borxhin e tyre ndaj judaizmit? Dhe a kemi ne në Perëndim ndonjë vlerësim real për natyrën e vërtetë të indianëve apo të besimit budist? A e kuptojmë se si sikhizmi e zhvilloi hapjen e jashtëzakonshme ndaj të gjitha feve, apo kush janë bahait dhe në çka besojnë?
Poenta është se feja është kulturë; dhe, në botën e së sotmes, njerëz të kulturave të ndryshme po vijnë në kontakt më shumë se kurrë më parë. E nëse kjo gjë prodhon harmoni apo mosmarrëveshje varet nga përkufizimi ynë mendor – hapur apo mbyllur. A mund të bashkëjetojë një besim i fuqishëm fetar me një pluralizëm të tillë?
Kjo është pyetja kryesore e kohërave tona. Ende shumë njerëz mendjehapur vazhdojnë të jenë pasivë përballë ekstremizmit fetar. Ndonjëherë ne e injorojmë këtë, me shpresën se mund ta trajtojmë atë si diçka tjetër e jo fe. Ndonjëherë ne thjesht dorëzohemi dhe e përqafojmë sekularizmin. E para injoron esencën e problemit; e dyta rrezikon besimin, i cili ende ka një rol më se të rëndësishëm për të luajtur në globalizimin civilizues dhe në injektimin e tij me shpirt.
Shkurt, ne kemi nevojë për demokracinë miqësore me fenë dhe fenë miqësore me demokracinë. Në kohërat e festave të krishtera ky është një mesazh i rëndësishëm, të cilin Jezu Krishti, besoj, do ta kishte aprovuar.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment