Home | Society | Reciprocitet edhe për fusnota

Reciprocitet edhe për fusnota

image
Është absurde që Kosova në tubime ndërkombëtare krahas emrit të pranojë një fusnotë që thotë “pa paragjykim të statusit” e të mos kërkojë së paku që edhe Serbia të prezantohet njëjtë, me një fusnotë, për të siguruar se emri i Serbisë nuk nënkupton se Kosova është pjesë e saj.

 
 
 

Agron Bajrami
 
 



Dialogu i imponuar me Serbinë, i propaganduar gjatë prej Prishtinës deri në Bruksel, si një proces “teknik” që trajton vetëm çështje praktike dhe që nuk prek në çështjet thelbësore politike e statusore, tani duket qartë se do ta fusë Kosovën edhe më thellë në mohimin e pavarësisë së vet, si rezultat i marrëveshjes për prezantim të Kosovës në nismat rajonale, që është paralajmëruar se do të arrihet javën e ardhshme.
 
Kjo jo vetëm për arsyen se negociatorja Edita Tahiri dhe shefi i saj, kreu i Qeverisë Hashim Thaçi, tashmë janë dakorduar që Kosova në paraqitjen e saj në takime rajonale të mos prezantohet ashtu si është deklaruar me shpalljen e pavarësisë – Republikë - por edhe për shkak se qeveritarët tanë pranojnë që përmes një fusnote pavarësia e shpallur më 17 shkurt 2008 të mbetet çështje interpretimi individual i shteteve të ndryshme. Kjo, në praktikë, do të thotë akomodim i pozicionit të Serbisë, por edhe të shteteve të tjera që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet dhe vazhdojnë ta kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës.
 
Ndoshta një zhvillim i tillë i ngjarjeve, sado dëshpërues, ka qenë për t’u pritur, marrë parasysh mënyrën se si Qeveria e Kosovës ka hyrë në dialog, dhe paaftësinë e delegacionit tonë që të imponojë agjendë, ide dhe zgjidhje edhe në kuadër të këtij procesi përplot defekte.
 
Por, edhe në një situatë të tillë, ku, të supozojmë, Thaçi e ka futur veten, Qeverinë,  por edhe tërë vendin, pa mundësi për rrugëdalje pozitive – sikur që pa dyshim do të ishte heqja dorë nga dialogu i tillë me Serbinë, apo insistimi që të diskutohet për çështje të tjera, prej të pagjeturve deri te dëmet e luftës – e pakuptueshme është pse Kosova, së paku, nuk insiston në reciprocitet të fusnotave.
 
Është absurde që Kosova në tubime ndërkombëtare krahas emrit të pranojë fusnotën që thotë “pa paragjykim të statusit” e të mos kërkojë së paku që edhe Serbia të prezantohet njëjtë, me një fusnotë, për të siguruar se emri i Serbisë nuk nënkupton se Kosova është pjesë e saj – ashtu si shkruan në Kushtetutën serbe.
 
Apo, siç e tha një mik amerikan, “fusnota ‘pa paragjykim për statusin’ krahas emrit të Kosovës mund të mos jetë fundi i botës, por njëkohësisht edhe Kosova duhet të kërkojë që të gjitha referencat për Serbinë në të njëjtat dokumente e takime ndërkombëtare të kenë po ashtu fusnotën, ashtu që shtetet që e njohin Kosovën të mos komprometohen nga pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës”.
 
Çështja, pra, nuk është aspak teknike, e as dytësore. Është esenciale, sepse nëse Kosova do të pranojë t’i kontestohet shtetësia, ndërsa Serbisë të mos i vihet në pikëpyetje pozicioni ndaj Kosovës, atëherë procesi i dialogut në Bruksel nuk është një ku marrin pjesë palë të barabarta, por është një që Kosovës ia identifikon statusin si të pazgjidhur, ndërsa Serbinë e respekton ashtu si e deklaron ajo veten. Me Kosovën si pjesë të saj!
 
Kjo, ndoshta, mund të jetë edhe synimi i Brukselit, sidomos i ndërmjetësit Cooper, i cili edhe publikisht e ka thënë se do të kërkohet zgjidhje që respekton Kushtetutën e Serbisë, derisa nuk e ka thënë një gjë të tillë edhe për Kosovën.
 
Por një gjë e tillë nuk mund të pranohet nga ata që thonë se e përfaqësojnë Republikën e pavarur të Kosovës. 

Së paku jo, sa të kenë pozita zyrtare dhe sa të flasin në emër të shtetit. Në cilësi private, dhe në emrin e tyre personal, janë të lirë të pranojnë e në nënshkruajnë çka të duan.


 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0