Home | Society | Musine Kokalari...

Musine Kokalari...

image
 Nuk e di se çfarë i injektoj me gjilpërë infermieria, por atë natë Musineja nuk mbijetoi. Mbas disa minutash që iu bë injeksioni ajo vdiq. Ne e kemi veshur me një kostum të zi, më një bluzë të bardhë, me të gjitha. Kur e morën njerëzit e saj, thanë se ajo ishte e lidhur me kavo me tela me gjemba.
 
 
 
 
 
Agim Hoxha 
 
 
 


Një ndër ikonat më të mëdha të disidencës shqiptare antikomunistë ka qenë Musine Kokalari. Informacionet mbi të janë shumë të pakta për publikun shqiptar. Jo pa qëllim ditën e 20 shkurtit kam zgjedhur të flasim për një figure  kaq të shquar. Pa dyshim që hedhja e bustit përbën ngjarje shumë të rëndësishme, pasi shënon fundin e komunizmit në Shqipëri. Pa mohuar vlerën e atyre që hodhën bustin, unë dua të theksoj rolin e atyre që u përballën me diktatorin Enver Hoxha kur ai ishte gjallë. Mendoj se hedhja e bustit dhe krijimi i pluralizmit ishin rezultat i një kalvari të gjatë sakrificash, që vajzat dhe djemtë më të shquar të kombit shqiptarë pësuan në përpjekje, në sakrifica kundër diktaturës për një shtet të lirë dhe demokratik, siç ua kishin lënë të parët e tyre. Jam i nderuar që sonte kam në studio zotin Agim Musta, shkrimtar, historian, ish-i burgosur politik; zotin, Gjokë Beci, poet i njohur, autor i disa këngëve, që ka dhe një poezi të mrekullueshme kushtuar Musina Kokalarit. Edhe për faktin tjetër se Gjoka ka qenë dëshmitarë i vuajtjeve të saj, pasi ka jetuar 16 vjet në qytetin e Rrëshenit së bashku me të në internim. 

- Zotërinj, si fillim dua të më jepni një opinion tuajin për Musine Kokalarin... 

Agim Musta - Musine Kokalari ishte simbol i disidencës shqiptare. Në jetën e saj dallohen krime të komunizmit, që e internoi përjetësisht në Rrëshen, ku dha dhe jetën. 

Gjokë Beci - Gjithashtu dhe unë të njëjtin mendim kam, vetëm se dua të shtoj diçka. Unë do ta quaja Musine Kokalarin emblemë të frymës demokratike shqiptare, emblemë të luftës kundër komunizmit. 

- Ndoqëm një insert të përgjithshëm mbi jetën e Musine Kokalarit. Pamë që ishte një disidente e mirëfilltë e komunizmit. Aty paraqitëm një dokument të Departamentit të Shtetit amerikan, ku tregohet arrestimi i saj. 

Agim Musta - Këtu do të beja një sqarim. Musineja për mua është demokratja e parë politike, që kërkon zgjedhje të lira, që pushteti të ndërtohet në bazë të zgjedhjeve të lira. Kur komunistët kërkuan të bëjnë zgjedhje të lira më 2 dhjetor të 1945, Musineja, si përfaqësuese e një grupi opozitar, ku bënin pjesë jo vetëm socialdemokratët, mori përsipër të bëjë memorandumin, që ua dëgjoi misioneve anglo-amerikane me në krye kolonelin Palmer. Ajo i kërkoi që forcat anglo-amerikane të ndërhynin, sepse zgjedhjet e 2 dhjetorit të 1945 do të ishin të manipuluara. Është për të ardhur keq që anglo-amerikanët bënë vetëm një paralajmërim të zbehtë. Kështu, Enver Hoxha vazhdoi rrugën që kishte zgjedhur për të vendosur diktaturën komuniste. Zgjedhjet e 2 dhjetorit të vitit 1946 u manipuluan krejtësisht. Në ato zgjedhje u vunë dy kuti: një e kuqe dhe një e zezë. Për kutinë e zezë u thoshin se ajo ishte kutia e reaksionit dhe se kush votonte te kutia e reaksionin do të ndëshkohej. Ndërsa për kutinë e kuqe u thoshin se ishte kutia e Frontit dhe dihej që mbrapa Frontit ishte Partia Komuniste. Njerëzit që votonin te kutia e zeze, me dashje ose pa dashke, kur dilnin, i merrnin forcat e Sigurimit. Ka pasur dhe raste që i kanë çuar në internim dhe në burgim vetëm pse kishin votuar kundër Frontit. U zbulua “komploti” i këtij grupi opozitarë, që me anë të misioneve anglo-amerikane kërkonin rrëzimin e qeverisë komuniste. Në fakt, atë donte ta bënte populli me votë të lirë dhe nuk u la që të bëhej. Musineja dhe shokët e saj u arrestuan dhe misionet anglo-amerikane u larguan nga Shqipëria. 

- Zoti Beci, në insertin pamë që ajo ishte një shkrimtare. Librin e parë e ka botuar që në shkollë të mesme dhe për 3 vjet botoi 3 libra. E rrallë për një grua shqiptarë që për tre vjet të botonte 3-4 libra. 

Gjokë Beci - Fryma e thellë kombëtare e kësaj femre duket në librat e saj dhe sidomos në librin “Ç’më thoshte nëna plakë”. Gjenialiteti i saj duket në librat e saj, por që nuk e lanë që të zhvillohej. 

- Zoti Agim, në gjyqet që janë bërë kundër asaj ajo nuk pranon të marrë avokat. Pranon që të vetëmbrohet në gjyq. Nga dosja më ka bërë përshtypje fjalët: “Jam e pafajshme, nuk jam komuniste, por kjo nuk përbën faj.” 

Agim Musta - Unë e kam parë vetë figurën e saj kur del para gjyqit. Ajo ishte e veshur me të zeza. Kjo është simbolike për dy arsye. E para, sepse ajo mbante zi për dy vëllezërit e pushkatuar pa gjyq në hotelin “Bristol” të Tiranës bashkë me 11 qytetarë të tjerë tiranas; dhe e dyta, del me të zeza sepse Shqipëria ka rënë në zi, pasi po vendosej diktatura më e egër komuniste. Përpara trupit gjykues, i përbërë nga kryetari Frederik Nosi, nipi i Lef Nosit, një nga udhëheqësit e shtetit shqiptare, ministër në kohën e qeverisë së Ismail Qemalit. Frederik Nosi është një figurë enigmatike për mua, pasi vinte nga një familje patriotike dhe nuk mund të bëj lidhjen e tij me komunizmin. Ndërsa prokuror ishte xhelati i njohur Nezat Hasmedari, autor i qindra e qindra krimeve. Fjalët e Musinesë në gjyq ishin: “Unë nuk jam fajtore. Unë jam nxënëse e Sami Frashërit dhe Avdyl Frashërit. Duke më dënuar mua, ju dënoni Rilindjen kombëtare.” Kjo ishte një shuplakë për trupin gjykues dhe Partinë Komuniste. 

- Ajo vuajti shumë. Kaloi shumë peripeci. Ju jeni marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë me pjesën e burgut të saj. Zoti Gjoka njeh më shumë pjesën e internimit të saj. Një përshkrim ju lutem, zoti Agim, mbi këtë ngjarje. Agim Musta - Të vuaje në burgjet komuniste, ishte një llahtari e madhe. Fjalët “burg’ dhe “vuajtje” në burg janë të ndryshme. Burgimet në vendet demokratike ndryshojnë shumë nga burgimet komuniste. Në burgjet e vendeve demokratike vetëm të privohet liria, ndërsa Musineja me shoqet kanë vuajtur nga të gjitha. Që nga ushqimi, në torturat e përhershme, që vazhdonin edhe pas dënimit, në izolimin në masë sipas qejfit të gardianëve dhe të gjitha të zezat që mbante kjo tokë i provonte i burgosuri politik. Burgjet komuniste nuk kishin efektin e një burgu normal, që të edukohen njerëzit. Kishin qëllim eliminimi. Madje, kohët e fundit unë kam zbuluar diçka. Gjatë kohës që Musineja ka qenë në gjykim, në qeli i ka vajtur Nexhmije Hoxha së bashku me Fiqirete Shehun. Ato e kanë ofenduar dhe duke e goditur i kanë thënë: “Nuk deshe të bashkoheshe me ne më 1943-shin, kur u takuam, por deshe të bëjë parti më vete! Deshe të bëheshe kryeministre. Këtu do të ngordhësh tani!” Dhe e kanë qëlluar me shkelma dhe grushte. Pra, të tilla vuajtje ka kaluar Musineja në burg. Megjithatë, ajo kurrë nuk u mposht. Ajo u kthye në simbol të rezistencës për të gjithë të burgosurit. Dy janë simbolet e luftës ndaj komunizmit: Musine Kokalari nga gratë dhe patër Meshkalla nga burrat. Fillimisht Musineja vuajti në burgun e Tiranës, në burgun e ri të Tiranës. E kanë çuar edhe në burgun e artizanatit, ku përgatiteshin materialet për forcat e punëve të brendshme. Duke pasur frikë se mos Musineja organizonte ndonjë kryengritje, e çuan në burgun e Burrelit. Atje e izoluan me qëllim të vdiste. Megjithëkëtë, diktatori, me qëllim që ta thyente, shumë herë i kanë çuar njerëz të tij, që i thoshin t’i bënte një telegram Enve Hoxhës me dy fjalë, ku t’i thoshte: “Kërkoj falje”. Ajo nuk e pranonte, duke u thënë persekutorëve se nuk kishte bërë asnjë faj që të kërkonte falje dhe se Enver Hoxha duhej t’i kërkonte falje popullit shqiptarë për krimet që kishte bërë . Ata që e dëgjonin, tmerroheshin nga këto fjalë. 

Intervista e personave që kanë jetuar me Musinenë 

Shaban Doçi, ish-i burgosur politik: “Ne nuk e njohshim Musinenë. E kishim dëgjuar vetëm si emër. Një ditë vjen Musineja për të marrë qumështin, ne ishim në rradhë. Burrat rrinin më vete, gratë më vete. Për fat, unë isha i dyti. Përpara meje ishte një shef i operativëve. Operativi, sa më pa mua, mori shishet e qumështit dhe iku në fund. Musineja e pa dhe vuri buzën në gaz. Kur e kuptoi që unë nuk isha njeri i Sigurimit, filloi të na vinte për vizitë te shtëpia. Gjatë kësaj kohe u sëmur Musineja dhe ndjeu një dhimbje në gjoks. Ajo shkoi e u vizitua në Tiranë dhe doli me kancer në gjoks. Atë e çonin lart e poshtë, sepse nuk e donte asnjë. Ajo jetonte te një banesë në një pallat. Përpara dhomës së saj rrinte një invalid, që ruante se kush takonte Musinenë. Në këtë kohë, kur filluan t’i vijnë operativët te shtëpia, filloi t’i zhvillohej plaga. Mua më vunë kusht që, kur të lija punën, të shkoja të rrija me të deri në orën 9:00 të darkës. Në atë kohë shkoi kryetari i degës së brendshme dhe mori dorëshkrimet e Musinesë. Sipër dorëshkrimeve kishte vënë testamentin, ku më kishte lënë detyrim që ta varroja. Të nesërmen shoka te stacioni dhe më thanë që kishte vdekur Musineja. Sapo e mora vesh, ika direkt te dhoma e Musinesë. Pashë që dera ishte e mbyllur me çelës. Pyeta se kush e kishte çelësin dhe mora vesh se atë e kishte kryetari i këshillit. Shkova te kryetari i Këshillit dhe i kërkova çelësin e dhomës së Musinesë dhe i thashë se “nuk mbyllet xhenazeja në çelës”. Ai më tha se “çelësin nuk ta japim pa bërë deklaratë me shkrim” se unë do të mbaja të gjitha përgjegjësitë mbi dorëshkrimet e Musinesë. Në atë moment u irritova dhe i kërkova çelësin ose përndryshe do të thyeja derën. Prapë ai nuk ma dha çelësin dhe unë u detyrova të firmosja deklaratën që do të mbaja përgjegjësi për dorëshkrimet e Musinesë. Mora çelësin, hapa derën dhe e solla xhenazen në shtëpinë time. Në atë moment fillova të merresha me përgatitjen e varrimit të Musinesë. Shkova te komunalja dhe i thashë se duhej bërë varri i Musinesë. Asnjë njeri nuk pranonte me ardh në varrim. As makina e komunales, që ishte në dispozicion për këtë punë nuk pranonte të vinte. Ishte dhëndri i Beqir Ballukut, Gjergji Gjerko, dhe i tregova problemin. Ai pranoi të vinte me hap varrin. Gjeta dhe një person tjetër, një arsimtar Kosovar, që pranoi të vinte në varrim. E vendosëm dhe shkuam dhe hapëm varrin me ato. Problemi ishte se si do të gjenim një makinë. Këtu ka qenë një shofer që punonte në reportabël që trasportonte zhavorr. I thashë atij dhe ai pranoi, por makina ishte plot me zhavorr. Erdhi ai, nxorëm xhenazen dhe e vendosëm përmbi zhavorr. Kur dolëm nga shtëpia, doli e gjithë lagjja. Të gjithë po na shifnin, jo se donim me na ndihmuar, por për të na hëngër të gjallë, me një urrejtje të jashtëzakonshme. E morëm xhenazen, shkuam e varrosëm. Edhe te varri nuk më lanë, pasi doja ta varrosja afër nënës së saj. Ato e kishin caktuar që më përpara se ku do të varrosej Musineja. Mbas 3-4 muajsh vjen një kushëriri i Musinesë dhe i jap të gjitha materialet e saj në prezencë të kryetarit të këshillit. I dhashë edhe shumën e parave që kishte depozituar Musineja.” 

Ildishane Kalo, bashkëvuajtëse e Musinesë: “Kur bëra hetuesinë, më sollën një grua beratase. Në pyetje po më merrte Savri Xhari. Ai ishte prokuroi i çështjes. Në fund ai u nxeh dhe më tha “ik rri me Musine Kokalarin”. Në fakt, ajo nuk ishte Musineja. Nga Lushnja na çuan në Rrëshen. Pastaj në mars të 1961 ishte një ditë e ftohtë, vjen Musineja në Rrëshen. Kur hyra në dhomë, pashë Musinenë. Aty u prezantuam. Ajo kishte vetëm rrobat e burgut. Rreth 10-15 ditë ndenjëm bashkë. Më pas erdhi e ëma dhe i solli dyshekët, jorganët të gjitha. Ajo më pas ndenji me të ëmën. Nuk kam parë njeri më të mirë se ajo. Gjatë gjithë kohës Musineja shkruante. Donte të bënte historikun e ditës. Kur u lirua, Musineja shkoi tek i vëllai, ndenji atje rreth 4-5 ditë. Kur mori 15-ditëshin e pushimit, ajo vajti tek i vëllai përsëri. U nis në mëngjes dhe u kthye në darkë. Kur erdhi në shtëpi, nuk i foli as një njeriu, vajti u fut menjëherë në dhomë. Mbas disa orësh doli nga dhoma dhe na përshëndeti ftohtë. Që prej asaj here ajo nuk vajti më te njerëzit e saj. Më vonë kuptova se atë nuk e kishin pranuar njerëzit e saj, për arsye se nipit të saj nuk i jepnin bursë studimi. Përpara se të futej në burg, ajo shkon në ambasadë dhe thotë se pse duhej të kishte vetëm një parti dhe jo pluralizëm. Për këtë arsye e morën dhe e futën në burg. Musineja do të jetë gjithmonë e respektuar nga ne, sepse ajo ka qenë motër, ka qenë shoqe, ka qenë nënë. Musineja na mblodhi. Ne kemi qenë për luftën e klasës, për marksizëm-leninizëm. Në disa raste ne fajësonim babanë tonë për internimin që na ishte bërë. Ajo na mblodhi, na bëri njerëz 

Musineja ka pas një shoqe, Zi Nanoja, kanë qenë edhe në burg. Natën që Musineja u sëmur, ajo vajti në spital. Nuk e di se çfarë i injektoj me gjilpërë infermieria, por atë natë Musineja nuk mbijetoi. Mbas disa minutash që iu bë injeksioni ajo vdiq. Ne e kemi veshur me një kostum të zi, më një bluzë të bardhë, me të gjitha. Kur e morën njerëzit e saj, thanë se ajo ishte e lidhur me kavo me tela me gjemba. Ne do t’ia vimin kavot Musinesë? Janë gjëra që të irritojnë. Blendi Fevziu ka thënë se Musineja ka jetuar me një familje jo të mirë. Unë dua t’i bëj pyetjen Blendi Fejziut: ku e njeh ti familjen time? Në qoftë se do të na njohë neve, le të pyesë Tahir Muhedinin, Leonard Demin e të mësojë se cilët jemi ne.” Myzejete Kalo, bashkëvuajtëse e Musinesë: “Doli puna që ajo u sëmur. Ajo ishte vetëm. S’kishte njeri dhe unë me të thënë të vërtetën i kam bërë më shumë hyzmet asaj sesa nënës sime. U lidhëm aq shumë me njëra-tjetrën, sa ajo më njihte edhe nga hapat. Unë e ushqeja, unë e laja.” 

- Kjo ishte një intervistë e dhënë nga bashkëvuajtësit e Musinesë. I kam hequr shumë pjesë për të ruajtur etikën e gazetarisë, pasi në të ka shumë pjesë me dhunë të frikshme, për të mos thënë horror. Zoti Beci, ju keni jetuar atje. Mund të na bëni një përshkrim si e njohët ju Musinenë? 

Gjokë Beci – Natyrisht, të flasësh për krah zotit Agim është pak e vështirë, pasi është bashkëvuajtës, është historian, e ka studiuar. Unë do të flas vetëm për atë pjesë që kam jetuar me atë. Nuk do të flas si poet, por si dëshmitar i atyre episodeve të jetës së saj. 

Në fillin nuk e njihja Musinenë. Shikoja një zonjë me një pelush të zi, që shkonte vazhdimisht pas pune te një çezmë gati nja 500 metra më tutje, midis Rubikut dhe Rrëshenit. Mbushte ujë atje, pinte ujë dhe kthehej. Një herë rastisëm tek ura e Fanit. Unë e përshëndeta si bashkëqytetare dhe ajo më përshëndeti. Mbas dy ditësh më kanë kërkuar dhe më kanë thënë se pse unë i kisha folur asaj armikes. Mua më bëri përshtypje, pasi ajo ishte një person shumë i zgjuar. Ajo vinte shpesh në biblotekë dhe unë në atë kohë isha në bibliotekë e Rrëshenit. Ajo vinte dhe kërkonte libra. Kërkonte libra të historisë së Mirditës, se çfarë kishin shkruar për Mirditën dhe se çfarë kishin shkruar mirditorët për veten. Ajo më pyeste vazhdimisht se cilët ishin librat e fundit. Unë i jepja një tufë me libra. Ajo i merrte, i seleksiononte. Të gjithë librat e realizmit socialist i linte mënjanë dhe merrte vetëm librat e huaj. Më ka bërë përshtypje të jashtëzakonshme fakti që ajo ishte tendencioze në të lexuar. Vinte vazhdimisht. Në atë kohë më thërrasin në Komitetin Qendror të Partisë dhe më thonë se pse e pranoja Musinenë në bibliotekë dhe i jepja libra. Iu përgjigja se të gjithë që kishin një librezë të bibliotekës mund të merrnin libra. 

- A interesohej Sigurimi se çfarë librash merrte Musineja? 

Gjokë Beci - Natyrisht që po. Në mënyrë absolute i merrnin të gjitha librat që lexonte ajo, i analizonin: kur e kishte marrë librin, a e kishte kthyer në datën e caktuar, nëse e kishte shtyrë afatin e kthimit të librit. Të gjitha këto i merrnin në shënime. Jam përpjekur të jem i ndërgjegjshëm më ato që kam bërë. Informacione, gjëra të tilla s’kisha çfarë t’i jepja. Kishte diçka që me bënte përshtypje, se shkrimet që bënim ne ndryshonin shumë me shkrimet që bënte Musineja. Një herë i kam thënë, nëse mund të më jeto ndonjë shkrim që kishte bërë dhe ajo u përgjigj se kishte kohë që i kishte shkruar. Ajo nuk ka marrë asnjë libër të Enver Hoxhës. Nuk ka marrë asnjë libër të realizmit socialist. Operativët vinin dhe më pyetnin nëse Musineja merrte librat e Enverit dhe unë i përgjigjesha “jo”. Unë nuk mund të gënjeja, të thosha se merr kur nuk merrte. Të thosha se bën keq ose mirë që nuk merrte librat e Enver Hoxhës. Kjo për arsye se në pikëpamje isha njësoj me atë. 

- Zoti Agim, mund të na jepni një koment lidhur me intervistën e tre bashkëvuajtësve të Musinesë? Agim Musta - Me zotin Gjokë kam biseduar dhe shumë më përpara për Musinenë. Natyrisht që koha ka bërë punën e vet, por do t’i kujtoj Gjokës se më ka thënë dhe diçka shumë të bukur për shpirtin human të Musimesë. Shumë herë, kur vinte ndonjë film i ri në Rrëshen, kjo vinte e para. Te dera e kinemasë, ku ishin dhe nxënës të fillores, që kishin dëshirë të futeshin dhe ata për të parë film, por nuk kishin mundësinë e lekut. Musimeja hapte çantën dhe u jepte nxënësve nga një pesëlekësh që të futeshin në kinema. Nuk duhet harruar fakti se ajo ka pas jetuar me një gjysmë pensioni. 

Gjokë Beci - Unë kam pasur mundësinë që në një rast përkujtimor të Musonesë këtu në Tiranë të lexohej poezia dedikuar asaj. Atë e lexoi Margareta Xhepa. Dhe unë, të them të drejtën, u emocionova shumë. Ekziston një dashuri e madhe në popull për Musine Kokalarin. 

Agim Musta - Musineja në një poezi të saj thotë: “Rrëshen, që u rrite në krahët e mi..” Duke qenë punëtore ndërtimi, merrte pjesë në ndërtimin e pallateve. Duhet të dimë dhe se urdhri i internimit ka qenë që ta çonin në Kurbnesh. Atje ishte një fshat i humbur, krejtësisht në izolim. Më pas menduan se survejimi ishte i pamundur të bëhej, sepse donte një forcë të madhe që të survejohej natë e ditë, prandaj vendosën që ta mbanin në Rrëshen. Dega e Rrëshenit merrej vazhdimisht në pyetje nga Ministra e Mbrojtjes për qëndrimin e Musinesë. Ky qe urdhri i diktatorit. 

- Pamë një insert që fliste për jetën letrare të Musine Kokalarit dhe kritikat e saj mbi artin e shkruar. Aty kishte kritika mbi veprat letrare të Enver Hoxhës. Edhe pse ai kishte internuar të gjithë familjen, i kishte krijuar atij një mllef të jashtëzakonshëm. 

- Agim Agim Musta - Kjo i ka rrënjë te qëndrimet diametralisht të kundërta që kishte Musine Kokalari me Enver Hoxhën në lidhje me ngjarjet që po ndodhnin në Shqipëri. Musineja ishte me mendime properëndimore. Enver Hoxha u fut në historinë shqiptare në ujëra shumë të turbulluara, me shumë pikëpyetje në biografinë e tij, që arriti e u bë Sekretari i Parë. Musineja u përpoq në vitin 1943 që të krijojë një parti dhe e krijojë Partinë Socialdemokrate. Duhet të dimë që në këtë parti u grumbulluan intelektualët më të mirë të kohës. Këta ishin Isuf Luzi, profesor doktor me famë të madhe në Amerikë, Izet Bebeziqi, edhe ky profesor, Skënder Muço, një nga juristët më të mirë të Shqipërisë. Të gjithë ishin më mendime properëndimore aq të mëdha, sa në Dukat të Vlorës më 1943 u vendos pranë Forcave të Armatosura të Skënder Muços një mision Amerikan. Ky mision parashikonte se çfarë do të bëhej në Shqipëri, nëse do të bëhej një zbarkim anglo-amerikan. Kjo e tronditi shumë Enver Hoxhën, dhe jo vetëm atë, por edhe Gestapon gjermane. Gestapoja gjermane vihej vazhdimisht në dijeni për veprimtarin e Partisë socialdemokrate. Ato u kallëzua direkt te Gestapoja me urdhër të gjeneralit Fistun, që arrestohen në afërsi të Vlorës Skënder Muço, profesor Ismaili dhe Isa Komezini, tre udhëheqësit e Partisë socialdemokrate në Shqipëri. U behët një gjyq disaminutash në komandën e Gestapos së Vlorës, me një përfaqësues të gjeneralit Fiston dhe pushkatohen po atë ditë në fshatin Kallmë të Lushnjës. Musineja u trondit thellë dhe që atëherë u hodh në ilegalitet. Kjo gjë shqetësoj dhe Enver Hoxhën, sepse kjo forcë po njihej dhe në Perëndim dhe po bëhej forca e tretë në Shqipëri përveç Ballit Kombëtar dhe Partisë Komuniste. Partia Socialdemokrate u bashkua me Ballin Kombëtar, por nuk u shkri me Ballin Kombëtar. Ekzekutimi i Skënder Muços u bë në gusht 1944. Në këtë kohë pritej të bëhej zbarkimi anglo-amerikan. Fatkeqësisht, fatet e Shqipërisë qenë caktuar në takimin që bëri Titoja me Çurçillin më 1944 në Napoli të Italisë. Interesat e Anglisë ishin shumë më të mëdha ndaj Jugosllavisë sesa ndaj Shqipërisë. Po të bëhej zbarkimi në Shqipëri, komunistët nuk do të vinin dot në pushtet. 

- Gjokë Beci - Sapo na ua tha një informacion që “pantera e zezë” (Nexhmie Hoxha) së bashku me panterën tjetër (Fiqirete Shehu) e kanë torturuar me një mllef të tmerrshëm Musine Kokalarin. Ka shumë të ngjarë që të ketë pasur ndonjë mëri femërore veç ideologjive, veç partive politike. Këto janë fenomene njerëzore. 

- Zoti Gjokë, është një shfarosje që i është bërë një familjeje të tërë. Mund të shkojë mendja njerëzore për një incident deri në këtë lloj reagimi? Gjokë Beci - Këtu qëndron hasmëria më e madhe. 

Agim Musta - Kjo është një mister, ashtu siç është jeta e vetë Enver Hoxhës. Enver Hoxha ishte i pashëm, ishte një tip galant, futej në ta dhe i kishte kushërinj. Familja e Musinesë, dy vëllezërit që ishin juristë, hapën shtëpinë e parë botuese në Tiranë. Aty vinin librat më me vlerë: filozofia e Kantit, Platonit, shkrimtarët shqiptare më të dëgjuar perëndimorë. Enver Hoxha shkonte atje vazhdimisht dhe polemizonte me Musimenë. Ndoshta i është lindur dhe kjo, megjithëse ishin dhe kushërinj të largët. Megjithatë, thuhet, në qoftë se është i vërtetë ditari, se kur mori vesh Enveri që Musimeja vdiq, paska shkruar në ditarin e tij: “Unë nuk jam fajtor. Ajo nuk kërkoi kurrë falje. Por do të ishte më mirë ta dënonim me vdekje, ta pushkatonim, sesa të vuante kaq tepër dhe të kishte një fund tragjik.” 

- Dua të kaloj në anën tjetër të medaljes. Unë kam marr një libër të Enver Hoxhës. Me nënvizimet që ka bërë Musimeja, arrin të bësh një histori tjetër mbi librin. Ka pasur interes, zoti Agim, për nivelin e udhëheqjes. Diku thuhet se 90% e Partisë Komuniste ishin fshatarë. Ka një moment tjetër më mbrapa ku thotë një kritik të Enver Hoxhës, ku thuhet se “jam i shqetësuar për spastrimet në parti se po përjashtojmë fshatarët, të cilët janë shumica të pashkolluar”. Ka një moment tjetër që ajo ka nënvizuar se “nuk jam dakot me zotin Hysni, se duhen shtuar masat, se kleri katolik nuk luftohet vetëm me propagandë”. Pra, ka pas një interesi të vazhdueshëm të Musinesë për t’i bërë një lloj kritike në këtë mënyre. Kam gjetur edhe disa dorëshkrime, fleta të vogla, ku ajo jep versionin se saj se si duhet të jenë gjërat. Ajo ka bërë një kritikë të veprës së Enver Hoxhës. Zoti Agim, ju si e perceptoni këtë? 

Agim Musta - Me gjithë këtë, edhe krimineli më i madh ka një rimors në ndërgjegje. Ajo është marrrë deri në fund me kritikën ndaj Enver Hoxhës më një vizion të qartë. Enveri pati një lloj humbjeje. Ajo Hamitin, vëllanë e madh, i cili ishte për t’u pushkatuar, e shpëtoi tifoja, sepse kishte temperaturë të lartë kur shkuan për ta pushkatuar. Enveri e mblodhi në ndërvarjen e botimeve për përkthimin e veprave, sepse ishte një njeri shumë i përgatitur, madje e ka dërguar edhe jashtë shtetit për përgatiten e veprave të Enver Hoxhën në gjuhë të huaj. 

- Zoti Beci, mund të na jepni një mendimin tuaj se sa ka ndikuar të qenët një shkrimtare gjatë pwrsekucionit? Gjokë Beci - Për mendimin tim ka dy aspekte: njëra anë e ka favorizuar dhe një anë që e ka sulmuar. Ajo që e ka favorizuar ka qenë fakti se duke qenë e para femër krijuese në historinë e letërsie shqipe, ka pas përgjegjësin e madhe për t’u prirë rrugëve të reja letrare. Kjo ka qenë dhe ana e keqe që është sulmuar. Mos mendoni se nuk e kanë pasur inat edhe për këtë gjë njerëzit e tjerë. Jo më kot ajo e ka marrë në analizë edhe veprat e shkrimtarëve të tjerë, Kadaresë etj. Ajo e ndien që është një erë që nuk fryn mirë në krijimin letrat. Me keqardhje e them se ajo ka qenë viktima e parë në këtë histori. 

- Zoti Agim, sot jemi në demokraci. Ajo është nderuar zyrtarisht me titullin “Martire e Demokracisë”, heroin e kombit. Sa mendoni se ka ardh figura e Musine Kokalarit dhe të gjithë kundërshtarët komunist. Sa ka zënë vend në kohën e sotme në historinë, në opinion, në politik? Agim Musta - Unë mund të them këtë. Si kryetar i shoqatës së Musine Kokalarit, vë vendim të gjykatës së Tiranës që në vitin 1996 kam bërë mjaft aktivitete. Jemi ndihmuar deri diku dhe nga shteti shqiptarë, nga Partia Demokratike, kur erdhi në fuqi. Por jo krejtësisht ashtu siç duhet. Me ndihmën e dashamirësve kemi arritur të bëjmë aktivitete, të bëjmë bustin e Musine Kokalarit dhe e vendosëm në shkollën ë Kombinatit. Atje personeli arsimor nuk ishte shumë i predispozuar, por në fund u vendos aty. Gjithsesi, nuk pati ndonjë jehonë të madhe. Në librat e historisë janë shkruar shumë pak, është trajtuar jashtëzakonisht pak. As një shkrimtar i sotëm, ndonjë regjisor nuk ka marrë mundimin të shkruajë ndonjë pjesë për Musimenë. Gjëja më e madhe që është bërë për Musimenë është shpallja “Nder i Kombit”. Madje më kanë thënë se bibliotekës së Rrëshenit i ishte vënë emri i Musimesë për disa kohë, por më pas ia hoqën. 

Gjokë Beci - Unë jam absolutisht dakord me këto që tha zoti Musta. Unë ndihem shumë krenar që ajo ka titullin “Nder i Kombit”, është një titull shumë i lartë dhe shumë i nderuar. Gjithashtu them se figura e Musine Kokalarit nuk ndihet e qetë në qoftë se nuk do të punojmë në studimet e saj, në botimin e veprave të saj. Ka nevojë lexuesi, dëgjuesi, ndjekësi për të njohur sa më thellë jetën, veprën dhe sidomos frymën e Musine Kokalarit. 

- Një pyetje të fundit për të dy ju zotërinj, që ka lidhje edhe disidentët e tjerë të vendit. Jemi në 100-vjetorin e Pavarësisë së shtetit shqiptar, fatkeqësisht 50 vjet të këtij 100-vjetori kanë kaluar në diktaturë. Sa mendoni se duhet të zënë vend këto figura disidente në këtë histori që po rishkruhet? 

Gjokë Beci - Unë ju falënderoj shumë për pyetjen, sepse është një pyetje e duhur në kohën e duhur. Unë do të thosha që këto njerëz, këta martirë të mos harrohen nga historia jonë, pasi janë dëshmitarët e vetëm të krimeve të komunizmit. 

Agim Musta - Unë do të shtoja se përveç Musine Kokalarit ju keni trajtuar edhe personazhe të tjera të disidencës ndaj komunizmit. Mendoj se këta martirë të demokracisë që ju keni përmendur në emisionet tuaja janë një ndër njerëzit që nuk duhen harruar kurrë nga historia e vendit tonë.  

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00