Home | Society | Reciprociteti i mosbesimit midis popullit dhe intelektualëve!

Reciprociteti i mosbesimit midis popullit dhe intelektualëve!

image
Por edhe intelektualët kanë të njëjtën qasje për njerëzit (popull). Ata deklarojnë se me një popull si ky, çdo qeveri mbretëron sa ta ketë të shkruar pa i hyrë gjemb në këmbë. Me këtë duan të thonë se sensi i protestës, i revoltës, për padrejtësitë që i imponohen nga qeverisjet e papërgjegjshme është në nivelin zero.




Nga Luan Kurti
 
 
 
 
 



Populli ka humbur besimin tek intelektualët e vet, duke i quajtur të paaftë për ta ndryshuar rrjedhën e keqe të fatit, që e ka mbërthyer. Sot intelektualët, në më të shumtën e rasteve, shikohen si njerëz të vetmuar, rrogëtarë të shtetit, njerëz që nevoja dhe frika nga e nesërmja, mungesa e perspektivës, i ka bërë të heshtin, të ulin kurrizin përballë çdo padrejtësie, ose të rreshtohen me urdhër në njërin apo tjetrin krah të politikës, sipas rastit. Madje në një version tjetër thuhet se të njëjtët mbushin sallat e dy partive kryesore, duke u kthyer në një suitë shëtitëse, si karvane ciganësh që tërheqin me vete kudo që shkojnë rraqet e mbrame, për të ndërtuar një jetë të thjeshtë, pa shumë pretendime, pa e çarë aspak kokën për realitetin që i rrethon. Në një version gjithëpopullor intelektuali parafytyrohet si njeri statik, që ka pak më tepër arsim se të ngjashmit e tij, që përmbush disa funksione të caktuara akademike, teknike, administrative, por që nuk përmban detyrimisht edhe një sërë cilësish, vlerash, detyrash apo përgjegjësish në lidhje me komunitetin. 
 
Pra nga pikpamja sociale dhe historike ata shikohen me skepticizëm, si kategori jo fort e suksesshme, dhe roli vendimtar i lihet tribunit popullor, njeriut që vjen nga shtresat e vegjëlisë, që ndjen mbi shpatullat e tij barrën e rëndë të jetës dhe që në një moment të caktuar i ndizet gjaku dhe shpërthen në revolt, duke bërë që ta ndjekin mbrapa turmat e ekzaltuara. Në këtë moment, ky akt, ky shpërthim, kjo kokëkrisje, kthehet në kauzë dhe në aspiratë për çlirim. Transformimi, përmbysja, ndryshimi i realitetit nuk shihet si pjesë e vetëdijësisë, e mendimit të qartë të përpunuar, e një vendimmarrje kolektive të ndritur, por më tepër e një rastësie, e një koincidence, i disa rrethanave të caktuara që mund t’i japin një tjetër kahje situatës.
 
Pra tribuni popullor është një njeri karizmatik, njeri më tepër i veprimit se sa i fjalëve, që ka një raport të dyfishtë vajtje ardhje me turmën, ai qëndron mbi ta por njëkohësisht shkrihet, identifikohet, admirohet dhe merret si pikë referimi, kurse grupi i mendjeve të ndritura (intelektuale) është amorf, i pavendosur në kohë dhe hapësirë, një masë belbacake nga e cila s’mund të deshifrosh asgjë dhe ka nevojë për përkujdesje, për dhembshuri, për një sjellje të butë dhe mirëkuptuese. Ky është vendi i burrave të fortë që ulen në lugje dhe kuvende që bisedojnë, dredhin duhan prej kutive dhe vendimet i përshëndesin me krisma. Modeli ruhet akoma dhe sot e kësaj dite në mendjet e njerëzve dhe të gjithë janë në pritje të shpëtimtarit. Kjo simbolikë është ruajtur në psiqikën e njerëzve tanë dhe është përcjellë brez pas brezi. Deri pak vite më parë kur lindte një fëmijë (djalë) i vihej pranë shtratit një fishek, një libër, laps, apo një vegël artizanale, dhe kur ai me pafajësinë e vet prekte të parën gëzimi i prindërve arrinte kulmin dhe niste gostia për luftëtarin e ardhshëm. Mbas Skendërbeut, jeta e të cilit qe betejë e stërzgjatur lineare, figurat e tjera pasardhëse përfshirë edhe politikanët e sotëm të këtyre dy dekadave, shihen në minorancë, në zvetënim, në dritë hije, pa atë vrullin, karizmën dhe shkëlqimin e dikurshëm dhe janë të diskutueshme. 
 
Paqja që arrihet nëpërmjet luftës në konceptin tonë ka qenë një paqe më e qëndrueshme se ajo që arrihet nëpërmjet bisedimeve dhe diplomacisë. Kjo shpjegon veç të tjerash edhe klimën e tensionit, konfliktualitetit, mosbesimin dhe arritjen e një situate të qëndrueshme në ditët e sotme. Një pjesë jo e vogël e intelektualëve të sotëm janë bërë pjesë e partive, shoqatave, organizatave të ndryshme që në vetëdijen e publikut më tepër e kanë përkeqësuar klimën e demokracisë dhe zhvillimit dhe kanë bjerrur besimin tek e ardhmja. Kurse ca të tjerë që s’kanë patur mundësi apo s’kanë dashur të njollosen në pazare dhe allishverishe privatizimesh, përfitimesh të paligjshme, duke ruajtur të pacënuar figurën dhe karakterin e tyre, që shpresonin për një shtet të së drejtës, kanë ikur nga sytë këmbët pa asnjë shpresë rikthimi, duke manifestuar kësisoj zhgënjimin dhe pafuqinë e tyre totale. Vakumi që ata kanë krijuar ndihet sot e gjithë ditën dhe ka mundësuar terrenin e përshtatshëm për gjallimin e ta paaftëve dhe militantëve partiakë.
 
Por edhe intelektualët kanë të njëjtën qasje për njerëzit (popull). Ata deklarojnë se me një popull si ky, çdo qeveri mbretëron sa ta ketë të shkruar pa i hyrë gjemb në këmbë. Me këtë duan të thonë se sensi i protestës, i revoltës, për padrejtësitë që i imponohen nga qeverisjet e papërgjegjshme është në nivelin zero. Si argument shtesë, shumë syresh përdorin një sprovë që Harry Fulci paska bërë dikur me studentët e shkollës së tij teknike, që teksa ua shkurtonte përditë racionin e ushqimit dhe nuk gjeti asnjë lloj reagimi, paska deklaruar se ky vend është pa të ardhme. Po në këtë linjë arsyetimi citohet zhgënjimi i Konicës dhe ikja pa kthim drejt Amerikës, dhe të tjera episode si këto që mbrojnë argumentin e tyre. Duke anatemuar dhe vënë vazhdimisht në fokus publikun për gjithçka të keqe që ndodh dhe mos mbarëvajtjen e punëve, ata (intelektualët) justifikojnë apatinë që i ka mbërthyer, frikën që i karakterizon,mungesën e rolit udhëheqës që duhet të kishin, i shmangen përgjegjësive dhe marrin rolin e viktimës. Askund nuk është parë e dëgjuar që reagimet e grupeve shoqërore të jenë spontane, të rastësishme. Vetëm në teoritë e komunizmit thuhet se historinë e bëjnë masat. Teoritë e tjera bashkëkohore të sociologëve dhe ideologëve liberal, i japin rolin vendimtarë individëve të emancipuar, njerëzve të sferës së ideve, të cilët bëhen kallëzues të pakënaqësive shoqërore dhe i orientojnë grupet drejt epokave të reja. Natyrisht jo duke mohuar, jo duke shkatërruar, jo me pathosin dhe vrullin shkatërrimtar të një revolucioni proletarë, por me vetëpërmbajtje, me koherencë, me largpamësi, duke ruajtur dhe administruar gjithçka të mirë që është krijuar, duke patur respekt për trashëgiminë, duke përmirësuar modelin, dhe duke u prirur më tepër nga ndryshime cilësore se sasiore. 
 
Populli dhe intelektualët në këtë vend fatkeqësisht e projektojnë veten të ndarë, tepër të barazlarguar dhe pa asnjë mundësi përafrimi. Në nivel të atomizuar ne paraqesim një shthurje të qelizave bazë, shprishje të zinxhirit të proceseve apo hallkave favorizuese, përtëritëse të jetës, të trupave imun dhe me metabolizëm problematik. Kjo çon vetvetiu në sëmundshmëri dhe në mutacione të pakthyeshme. Të mirën dhe të keqen e shohim si diçka që varet nga të tjerët dhe nuk pranojmë t’i njohim vetes asnjë përgjegjësi për realitetin që na rrethon. E kemi shumë kollaj të ankohemi, të ulërasim, të përgojojmë, të thurim thashethemnaja apo intriga dhe përpara se të themi fjalën e mirë të shajmë me kuç e me maç. Ne jemi populli që karakterizohemi nga dyshimi, nga mosbesimi, nga një lloj frike e trashëguar se tjetri mund të përbëj rrezik, cënim të integritetit, pakësim të mundësive, shanseve për t’u rritur, përmirësuar statusin tonë social, për të zotëruar të mira financiare dhe pronësore dhe për të siguruar vazhdimësinë. Në një rrafsh më të gjerë, ky arsyetim vlen edhe për familjet, fiset, klanet, krahinat, duke prodhuar një situatë paradoksale të gjendjes shoqërore të paqëndrueshme, që vjen duke i theksuar gjithmonë e më tepër kufijtë e ndarjes.
 
Njeriu i mllefosur, atavik, i përngjan atij gjaksit që kërkon shpagim, që mbas kryerjes së aktit ngujohet brenda në kullë, duke shkëputur çdo lidhje me ambientin. Ajo që nevojitet në këto momente është rivlerësimi i rolit, i pozicionit të gjithsecilit në raport me interesat jo vetëm vetiake, por edhe komunitare. Intelektuali duhet të shfaqet në të gjithë përmasën e tij jo vetëm si njeri i mësuar, por si një kuvendar i zotë, si një prijës dhe frymëzues i popullit në udhën e progresit, kurse njeriu i thjeshtë (popull) të gjejë dhe të kryejë me devotshmëri rolin e qytetarit në një shoqëri të emancipuar. Aktorët tanë kryesorë politikë dhe të shoqërisë civile duhet të kuptojnë, se ne kemi nevojë jo vetëm për një rilindje kombëtare në terma ekonomik, programor, por në radhë të parë në terma social dhe shpirtërorë.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0