Home | Society | Kriza e familjes tradicionale

Kriza e familjes tradicionale

image
Familja tradicionale shqiptare ishte një strukturë komplekse ekonomike, sociale, shpirtërore, etike, morale, reproduktive, edukative; me role, funksione e marrëdhënie personale e kolektive të rregulluara brenda brezave, me kohezion e solidaritet familjar, me hierarki, autoritet të pakontestueshëm dhe disiplinë të fortë.
 
 

Adil Fetahu
 
 
 
 
 
 

Familja gjithmonë do të mbetet themel i shoqërisë. (Balzak)
 
Çdo ditë mund të lexohen a dëgjohen nga kronikat e zeza raste, emra e veprime krimesh të kryera në familje, në rrugë, në shkollë, në kafiteri, në disko-klube e vende të ndryshme. Të shumtën e tyre i kryejnë të rinjtë, adoleshentët, por edhe të rriturit. Kur këto ndodhin, pothuajse askush nuk merret më me shkaqet, veçse me pasojat. Ndërsa, shkaqet janë të shumta dhe nga më të ndryshmet, dhe ato duhet të kërkohen nga jeta dhe edukata në familje si celulë themelore, deri te niveli më i lartë i organizimit institucional të shoqërisë.
 
Familja tradicionale shqiptare ishte një strukturë komplekse ekonomike, sociale, shpirtërore, etike, morale, reproduktive, edukative; me role, funksione e marrëdhënie personale e kolektive të rregulluara brenda brezave, me kohezion e solidaritet familjar, me hierarki, autoritet të pakontestueshëm dhe disiplinë të fortë.
 
Tranzicioni që ka ndodhur në shoqërinë tonë, me kushtet e rrethanat e reja të krijuara në të gjitha segmentet e jetës ekonomike e shoqërore, me presionet e vrazhda transformuese të realitetit, ka ndikuar që familja si formacion themelor, të pësojë në strukturë, në përbërje, në koncept dhe në funksione, duke krijuar fizionomi, tipologji, funksione, moral e (pa)përgjegjësi tjera brenda familjes.
 
“Liberalizimi” i tepruar i funksioneve biologjike, ekonomike dhe sociale e ka thyer kohezionin dhe unitetin e brendshëm, i ka çrregulluar relacionet ekonomike e sociale dhe i ka degraduar vlerat, atributet dhe prerogativat e familjes.
 
Për një numër të konsiderueshëm të njerëzve (familjeve), disa funksione të familjes sot i kryejnë institucionet e reja: kopshti i fëmijëve, shkolla, internati, shtëpia e pleqve, shtëpitë e strehimit, deri te “monstrumi social e moral” i quajtur “Big Brother”!
 
Nga ana tjetër, migrimi i madh fshat-qytet, dhe emigrimi jashtë shtetit, e ka tronditur rëndë familjen tradicionale. Ardhja e shumë familjeve nga fshati në qytet, ka bërë “urbanizimin e fshatit” dhe “ruralizimin e qytetit” nga pikëpamja e konceptit tradicional të familjes. Emigrimi jashtë ka krijuar edhe familje të përziera e të përbëra me përkatësi të ndryshme etnike, kulturore, fetare, gjuhësore, në të cilat as nuk mund të pretendohet ruajtja e konceptit të familjes tradicionale shqiptare. Nga ana tjetër, emigrimi ka bërë që shumë bashkëshortë jetojnë të ndarë larg nga njëri-tjetri. Nuk janë raste të rralla edhe familje të ashtuquajtura “me bashkëjetesën” e çifteve (pa lidhur martesë), të cilat nuk kanë ndonjë lidhje të fortë, të qëndrueshme as obligime reciproke.
 
Prej tipit tradicional të familjes, që ishte një ambient i ngrohtë njerëzor, social, etik, moral dhe edukativ, familja është shndërruar në një anarki sociale, arenë konfliktesh, me tendenca individualiste e pavarësi ekonomike të pjesëtarëve të saj, qofshin ata edhe vetëm bashkëshortët, pa pjesëtarë tjerë të familjes më të gjërë.
 
Ky degradim i familjes ka shkaktuar kriza, ka bërë “atomizimin e familjes”, shtimin e divorceve, pakësimin e lindjeve, fëmijë të braktisur, shumë nëna-kryefamiljare, familje të varfra, shumë fëmijë pa edukatë, të cilët braktisin shkollën, qëndrojnë në rrugë, në internet-kafe, vjedhin nëpër dyqane, pinë duhan, konsumojnë drogë, alkool, merren me prostitucion. Nga familjet e shthurura, shumë pleq mbesin të vetmuar e pa kujdesin minimal të fëmijëve të vet.
 
Pasojë e çrregullimeve të familjes është edhe rënia e shtimit natyror të popullsisë së Kosovës. Sipas të dhënave të Entit të Statistikës së Kosovës, shtimi natyror i popullsisë së Kosovës ka rënë nga 15,4 në 12 promila, ndërsa prej vitit 2004 deri më 2010 janë shkurorëzuar 9810 çifte (vetëm në vitin 2010 janë shkurorëzuar 1453 çifte). Natyrisht, këto janë shifra zyrtare që i ka evidentuar statistika, ndërsa në realitet shifra e divorceve mund të jetë akoma më e madhe, sepse është e ditur se të gjitha divorcet reale nuk janë bërë edhe juridikisht përmes gjykatës.
 
Shkaqet më të shpeshta të divorceve janë: dhuna fizike ose psikike, ndryshimet në karakterin dhe temperamentin e çifteve, pabesia ose tradhtia, homoseksualiteti, prostitucioni, braktisja, konfliktet që shkaktojnë prindërit e burrit ose të gruas, vështirësitë ekonomike, alkooli, droga, bixhozi, steriliteti i njërit partner, diferenca në moshë, xhelozia, egoizmi, karriera. Përpos që bashkëshortëve të divorcuar ua ndryshon mënyrën e jetesës, divorci ndikon në mënyra të ndryshme edhe te të gjithë anëtarët e tjerë të familjes, ndërsa goditjen më të fortë dhe pasojat më të rënda i përjetojnë fëmijët e prindërve të divorcuar.
 
Fëmijët edhe ashtu janë të lënë pas dore, qoftë kur të dy prindërit janë në marrëdhënie pune, e nuk kanë kohë të merren me fëmijët; qoftë fëmijët e prindërve në emigracion; apo fëmijët pa prindër - që kanë rënë në luftë, janë të zhdukur që nga lufta, janë në vuajtje të dënimit me burg, apo që iu mungojnë për shkaqe tjera. Të mos flasim pastaj për mungesën e arsimimit pedagogjik të prindërve për të komunikuar si duhet me fëmijët. Mjetet e informimit publik fare pak i kushtojnë vëmendje edukimit të fëmijëve dhe të rriturve për një jetë të denjë e të harmonishme në familje. Është absurde që çdo ditë në programet televizive dhe në të gjitha mediat e shkruara fliten pallavra nga horoskopi, e shumë rrallë mund të dëgjosh apo të lexosh shkrime, këshilla, udhëzime për kujdesin ndaj fëmijëve me prindër a pa ta, për të moshuarit, të sëmurët, të varfrit, për problemet e familjes. Prandaj, nuk është çudi që ka dhunë e kriza në familje.
 
Problemet në familje janë të vjetra sa vet njerëzimi. Prandaj as ne në kushtet tona bashkëkohore nuk mund të presim harmoni perfekte në familjen bashkëkohore, as ruajtjen e tipit tradicional të familjes shqiptare, pasi që kanë ndryshuar kushtet dhe rrethanat rrënjësisht. Megjithatë, të gjithë në familje, në kopshte të fëmijëve, në shkolla të të gjitha niveleve, të gjitha institucionet e shtetit, organizatat fetare e të tjera, duhet të bëjnë përpjekje për edukimin, mbrojtjen nga sjelljet dhe veprimet e dëmshme, ruajtjen e traditave dhe vlerave të mira: harmonisë, solidaritetit, edukatës, respektit, besës, mikpritjes.
 
Duhet pasur takt e durim për tejkalimin e problemeve me mirëkuptim, e jo prirje për t’i zmadhuar edhe problemet më të vogla. Puna me fëmijët është si punimi i tokës: çfarë do të mbjellësh, aso do ta korrësh.
 
 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0