Latest News
A të shpëton pasuria nga jeta mediokre?
Sot është zgjeruar hapësira për njerëzit që në vend që të jenë zot të parasë dhe përdorues të qëllimtë të sendeve të konsumit, i bëjnë ato qëllim të vetëm të jetës dhe rrjedhimisht në mënyrë fatale bëhen vasal të tyre. Kjo është arsyeja pse po rriten nivelet e njerëzve që pasuria nuk i ndihmon të largohen nga gjendja mediokre e të jetuarit.
Gëzim Tushi
Nuk është e thënë dhe nuk ka ndonjë determinim materialist midis pasurisë që disponon dhe lumturisë që përjeton, apo ca më tepër pasuria nuk është në çdo rast imunitet social, që e mbron njeriun e pasur nga gjendja mediokre e të jetuarit. Koha po vërteton se tani, kur materializmi dhe konsumizmi janë bërë filozofi dhe qëllim i rëndësishëm i jetës, në mënyrë të gabuar kemi filluar të mendojmë se pasuria dhe lumturia janë ekuivalente me njëra-tjetrën apo se pasuria dhe konsumizmi janë të mjaftueshëm dhe të aftë të mbrojnë mënyrën e organizimit të jetës nga mediokriteti, sepse ka familje që, pavarësisht nga pasuria që kanë apo sasia dhe cilësia e nivelit të konsumizmit material, bëjnë jetë normale dhe me motive e qëllime të qarta. Ashtu si shumë të tjerë, që janë në po të njëjtën gjendje pasurore dhe e kanë mbuluar jetën e tyre familjare dhe personale me defekte, që vijnë nga mungesa e qëllimeve, vaniteti konsumistik dhe mediokriteti i të jetuarit, që shfaqet dukshëm dhe është shoqërisht i qartë.
Pa dyshim që nuk është gjë e keqe që në shoqërinë tonë më në fund pasuria, paraja dhe pushteti janë bërë lajtmotivi më i dukshëm i vlerës së jetës. Njeriu për të bërë jetë të mirë, cilësore dhe pa mungesa të dukshme ka nevojë të jetë ambicioz dhe të synojë që me punë e përpjekje të ndershme t’i zotërojë ato. Jetojmë në një shoqëri në të cilën, siç thotë Zhak Atali, “bollëku është i mundshëm, se është e mundur që gjithkush të jetojë më gjatë dhe më mirë”. (Zhak Atali, “Një histori e shkurtër e së ardhmes”, f.261.) Në këtë kontekst, në mënyrë absolute nuk mund të jemi kundër së vërtetës se është arritje e madhe e demokracisë që sot në shoqërinë shqiptare, pas një periudhe të shkretëtirës asketike materiale dhe gjendjes skandaloze të mungesës së thellë të ndjenjës konsumistike, kemi mbërritur në një etapë të re, në të cilën interesi ekonomik është bërë shtysë kryesore në jetën e qytetarit.
Pa dyshim, kjo tipologji shoqërie e ka në natyrën e saj nevojën e krijimit të etikës së re, në të cilën, siç thonë sociologët modernë të kohës sonë, “një ves - dashuria për paranë, pasioni për pasuri, lakmia e madhe për fitim - do të kthehet në një virtyt”. (Bernard Velade, Renaud Fillieule, “Hyrje në shkencat shoqërore”, f. 86.) Në të njëjtën kohë duket se kohët e fundit në shoqërinë tonë tendenca për para, pasuri është bërë ndjenjë e thellë, qëllim në vetvete, është shndërruar gati në sindromë individuale dhe sociale shumë të thellë dhe krejt dominante. Në një farë mënyre, pasuria dhe konsumizmi si qëllim në vetvete kanë dalë nga kontrolli social dhe personal. Në një farë mënyre ato janë bërë për shumë njerëz një patologji, që nuk e lejon njeriun e dhënë pas pasurisë që të shikojë dhe vlerësojë esencën e vërtetë të kuptimit dhe cilësisë së jetës, nuk e lejon të mendojë me ndjenjë realizmi human, se përtej sendeve që konsumon apo parave që zotëron shpeshherë fshihet dhe është prezente një cilësi e ulët jete, e mbuluar nga vaniteti dhe mediokriteti.
Nuk besoj se është normale situata sociale që po zhvillohet në shoqërinë tone, e cila ka krijuar të gjitha kushtet, që, për fat të keq, e ka bërë pasurinë dhe paranë të vetmin mjet afirmimi të njeriut. Pa dyshim, kjo pasojë është e natyrshme, që pritet të ndodhë derisa është zgjeruar tipologjia e njeriut që nuk mendon për gjë tjetër në jetë, të njeriut që dorëzohet pa kushte përballë parasë dhe sendeve të konsumit. Sot është zgjeruar hapësira për njerëzit që në vend që të jenë zot të parasë dhe përdorues të qëllimtë të sendeve të konsumit, i bëjnë ato qëllim të vetëm të jetës dhe rrjedhimisht në mënyrë fatale bëhen vasal të tyre. Kjo është arsyeja pse po rriten nivelet e njerëzve që pasuria nuk i ndihmon të largohen nga gjendja mediokre e të jetuarit. Është lehtësisht e konstatueshme krijimi i një shtrese sociale që “muri i parasë” dhe “mali i konsumit material” shoqërohet shpesh me mungesën e ideve të qarta për qëllimet tejmateriale dhe jo domosdoshmërisht materialistike të jetës.
Është vështirë të dalësh kundër apo të kundërshtosh këtë tipologji që ka marrë jeta në shoqërinë tonë. Nga një shoqëri dikur e tëra e rrafshuar nga paraja dhe qëllimet materialistike, sot është plotësisht nën peshën dhe ethet e pafundme të tyre. Natyrisht, asgjë në jetë nuk është perfekte dhe ca më pak gjërat nuk janë as ashtu siç duken, as ashtu siç shfaqen në formën e tyre të jashtme. Pas gjendjes së pasurisë dhe jetës me bollëk konsumistik ka gjëra që duhen vëzhguar më thellë, spse pas dukjes së familjes së pasur dhe të individëve të inonduar nga paraja dhe pasuria ka plot kontradikta të brendshme, që tregojnë se thelbi i asaj që duket është ndryshe nga ajo që është në të vërtetë.
Natyrisht, pasuria e vënë me djersë dhe punë të ndershme është pjesë e ligjshme e krenarisë dhe e njeriut të suksesit personal, të cilat pa dyshim që është gjë e mirë dhe kusht themelor për të bërë jetë normale humane. Paraja, pasuria është një kusht plotësues për jetën, që njeriu të mos bëjë një jetë mediokre, por një jetë normale, nxitëse dhe të plotësuar nga pikëpamja shpirtërore. Por në realitetin tonë po duken kontradikta dhe shpërpjesëtime që tregojnë se një pjesë e njerëzve të pasur dhe familjet e tyre, të obseduar vetëm pas pasurisë dhe parasë, po bëjnë një jetë mediokre, pa vlera sociale, me kontradikta e konflikte brenda familjes. Shpesh pasuria është shkak që njerëzit e pasur të zhyten në mediokritet, ngaqë jetojnë vetëm nën ethet e një vetëkënaqësie krenare, në shumë raste të pavlerë, pa parë dhe vlerësuar pasojat kontroversave të “mirëqenies së tepërt”. Shikoni problemet e shumta që kanë familjet e pasura, që fillojnë nga fëmijët e ushqyer keq dhe që janë bërë obezë, deri te gratë vanitoze të luksit, që kanë kohë që kanë harruar të punojnë, të ndiejnë shijen e të punuarit dhe të jetuarit aktiv (jo thjesht pas ekranit të televizorit, internetit dhe të obseduar pa rrjeteve sociale).
Kohët e fundit në shoqërinë shqiptare ka filluar për shumë arsye dhe shkaqe të situatës sociale dhe shtimit të kriminalitetit, por dhe si tendencë për ekzibicion social, fenomeni i bunkerizimit të të pasurve, që janë mbyllur nëpër kuvlitë e tyre, duke u kënaqur me pasurinë dhe konsumin dhe bashkë me të edhe me mjerimin e spektaklit konsumistik, a thua se njeriu ka vetëm nevojë të hajë, të konsumojë dhe të vegjetojë. Kjo është në thelb gjendja mediokre e të jetuarit, që doemos në shumë raste shoqërohet me të gjithë format dhe pasojat e mjerimit moral. Nuk është gjendje normale të jetuari për ata njerëz të pasur që nuk kuptojnë aliazhin e mediokritetit, që i detyron të largohen nga jeta e vërtetë, që bien në gjendjen e mjerueshme të izolimit social, të distancimit mekanik dhe të qëllimshëm nga qytetarët e tjerë, që sipas tyre, ngaqë nuk kanë pasuri dhe para, janë qenie të dorës së dytë. Po një gjë nuk duhet të harrojnë: ata që kanë pasuri nuk bëjnë jetë të vërtetë apo që atë e organizojnë në kushtet e bollëkut material dhe mediokritetit shpirtëror. Sociologët kanë parashikuar se pasuria e bashkuar me mediokritetin sjell tipologjinë e jetës limonti, e cila si rregull është jetë që i hap rrugën gjithçkaje që të ndodhë në të ardhmen e familjes së tyre dhe të shoqërisë tonë në përgjithësi.
Edhe njerëzit e varfër kanë dinjitetin e tyre social, edhe pse kanë mungesa të thella materiale dhe pengesa konsumistike.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment