Latest News
* * *
Në pasaportën e gjyqtareve është vendosur shënimin “CHI”, i cili me pak fjalë do të thotë se janë persona të rrezikshëm për rendin kushtetues të shtetit fqinj, Greqisë.
Tre gjyqtaret shqiptare që vendosën për dënimin e dhunuesit të varreve në Boboshticë Naum Disho, nuk munden dot të hyjnë në asnjë vend të zonës “Shengen”. Këtë ka vendosur Greqia për gjyqtarët Afërdita Maho, Entela Prifti dhe Brunilda Malo kur në pasaportën e tyre ka vendosur shënimin “CHI”, i cili me pak fjalë do të thotë “persona të rrezikshëm për rendin kushtetues të shtetit fqinj”. Më shumë sesa një refuzim hyrjeje për tre persona që i shërbejnë drejtësisë në këtë vend, veprimi i palës greke duket se është një presion i drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit të vendit tonë. Nga të dhënat e siguruara mësohet se tre gjyqtarët janë futur në sistemin e refuzimit të hyrjes si persona non grata nga ana Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Punëve të Jashtme të Greqisë që pas vendimit që dhanë për Dishon. E njëjta gjë nuk ka ndodhur për gjyqtarin e Apelit Stavri Kallço, që nuk ka pranuar të firmosë dënimin e Dishos, që është lënë i lirë të kalojë në tokën greke.
Në doganën e Kapshticës ditën e hënë është paraqitur për të kaluar gjykatësja e shkalës së parë të faktit Afërdita Maho së bashku me bashkëshortin dhe vajzën e tyre. Maho udhëtonte në drejtim të Selanikut, por doganieri grek nuk i ka lejuar të kalojë, me pretendimin se Afërdita Maho është person që nuk mund të hyjë në tokën helene. Burime në doganën e Kapshticës shpjegojnë se në pasaportën e saj Maho dhe bashkëshorti i saj kishin dhe viza amerikane, ndërkohë që vajza e tyre ka lindur në SHBA. Por asnjë nga këto shpjegime s’ka mundur ta bindë doganierin grek, që me arrogancë i është përgjigjur: “Në Amerikë mund të bëni ç’të doni, por këtu është Greqi!” Me sa duket, Greqia nuk është mjaftuar me kaq, por ka marrë autoritetin të pengojë hyrjen e gjykatëses shqiptare në të gjithë zonën “Shengen”, njësoj siç bëhet me personat në kërkim. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me gjykatëset e tjera Prifti dhe Malo. Ironik është fakti se kapadaillëku vjen nga një shtet përgjegjës për futjen në kolaps të Europës për shkak të borxheve.
Ndërkohë përgjatë ditës së djeshme ka pasur heshtje nga ana e shtetit shqiptar. Interesimit tonë iu përgjigjën zyrtarisht se po marrin kontakt me konsullatën tonë në Greqi për të marrë vesh arsyet e këtij incidenti. Ndërkohë tre gjyqtaret kanë paraqitur dhe një notë proteste pranë Ministrisë së Jashtme shqiptare dhe janë në pritje të një reagimi të saj. Është ky institucion që duhet të sqarojë të gjithë kronologjinë e ngjarjes, por dhe të marrë përsipër pezullimin e vendimit grek që ka marrë në emër të BE-së për moslejimin e kalimit të kufijve nga tre titullarë të lartë të shtetit. Megjithëse janë njoftuar që ditën e hënë, kur ka ndodhur ngjarja, deri dje në orët e vona të mbrëmjes nga ana e këtij dikasteri s’ka pasur asnjë reagim, kur në fakt që atë ditë duhej të kishin udhëtuar drejt kufirit titullarët e saj për të mbrojtur sadopak dinjitetin e nëpërkëmbur të vetë shtetit.
Në pasaportën e gjyqtareve është vendosur shënimin “CHI”, i cili me pak fjalë do të thotë se janë persona të rrezikshëm për rendin kushtetues të shtetit fqinj, Greqisë.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment