Latest News
* * *
Dy vjet më parë, në Shqipëri ka nisur të funksionojë Qendra Kombëtare për rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje. Kjo qendër përbën nismën e parë shtetërore që i ofrohet kësaj kategorie, pas plotësimit të bazës ligjore, ngritjes së strukturave...
Adriatik Doçi
Qendra Kombëtare për Rehabilitimin e Viktimave të Dhunës në Familje, e njohur si qendra për mbrojtjen e grave të dhunuara, është përfshirë në afera korruptive dhe skandale, duke dhunuar gratë si dhe duke vjedhur fondet e akorduar nga organizmat ndërkombëtare. Respektimi i të drejtave të njeriut është kusht themelor për integrimin në BE dhe kjo qendër ka një rol kyç për plotësimin e këtij kriteri. Por, kjo qendër, ashtu si çdo dikaster tjetër, është kthyer në një çerdhe aferash dhe dhune, duke shpërdoruar paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe të qytetarëve të vendeve të BE. Drejtoresha zj. Dodona Kaloshi dhe stafi i Qendrës Kombëtare për Rehabilitimin e Viktimave të Dhunës në Familje kanë rrahuar, kërcënuar, lënë pa bukë dhe shantazhuar gratë e dhunuara. Skandali denoncohet nga Amnesty International, ku i bën thirrje qeverisë se zbatojë rekomandimet e Avokatit të Popullit, për shkarkimin e drejtoreshës së qendrës. “Amnesty International i bën thirrje qeverisë së Shqipërisë për të vënë në zbatim pa vonesa të mëtejshme rekomandimet e Avokatit të Popullit të bëra në mes të prillit, të cilat lidhen me masat për t’i dhënë fund dhunës në Qendrën Kombëtare për Rehabilitimin e Viktimave të Dhunës në Familje dhe për të përmirësuar mënyrën e trajtimit ndaj femrave, viktima të dhunës në familje, të strehuar në qendër. Këto rekomandime përfshijnë pushimin nga puna të drejtorit të qendrës si dhe masa të tjera për të siguruar mbrojtjen dhe respektin për femrat që strehohen atë qendër”, thuhet më tej. Amnesty International vë në dukje mungesën e kualifikimit dhe përvojës së nevojshme të drejtorit të qendrës dhe praninë e një personi në listën e personelit, kur ky nuk paraqitet asnjëherë në detyrë dhe nuk njihet nga pjesëtarët e stafit dhe për gratë e strehuara në qendër.
“Amnesty International është informuar se që kur ankesat e grave janë bërë publik në fillim të prillit, të vetmet masa që janë marrë deri tashmë kanë qenë emërimi i një juristi me kohë të pjesshme dhe një psikologu dhe shoqërimi i fëmijëve nga shkolla për në shtëpi e anasjellas”, thuhet në reagimin e Amnesty International.
Shpërdorohen fondet
Amnesty International rikujton se kjo qendër është ngritur me fonde publike dhe ndërkombëtare (PNUD) për të mbrojtur disa nga personat më të dhunuar të shoqërisë shqiptare dhe për t’u siguruar atyre të drejtat dhe liritë njerëzore, dinjitetin dhe je jetë familjare larg dhunës. “Këto abuzime që janë vënë në dukje në këtë qendër nxjerrin në pah nevojën urgjente për një vëzhgim të kujdesshëm nga institucionet publike si dhe atë për vënien në zbatim të kritereve të rekrutimit, të cilat sigurojnë një staf me cilësitë e nevojshme profesionale, përvojë, integritet, dhe kompetencë. Amnesty International është tej mase e shqetësuar nga rezultatet e nxjerra nga Avokati i Popullit pas inspektimit në Qendrën Kombëtare nga data 10 deri në datën 12 prill 2012. Këto rezultate konfirmojnë ankesat e bëra më parë nga femra të tjera të strehuara në qendër”, thuhet më tej.
Fyerjet
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare për Rehabilitimin e Viktimave të Dhunës në Familje, ka fyer rëndë gratë e dhunuara. Ky fakt konfirmohet edhe nga avokati i popullit. “Ajo tha se e kishte dëgjuar vetë drejtoreshën kur i fyente dhe ofendonte ato, dhe konkretisht kur njëra prej tyre i kishte kërkuar lekë për të vajtur në Elbasan për seancën gjyqësore, ajo i kishte thënë: Shko se të jep dashnori lek... Një tjetër fakt skandaloz që na vihet në dispozicion nga njëra prej punonjëseve, janë edhe pjesë të shkëputura të një “Ditari Bordi”, që mbahet rregullisht nga punonjës të qendrës. Në këtë ditar punonjëset përshkruajnë çdo ditë në vija të përgjithshme, çdo gjë që ndodh në këtë qendër duke pasqyruar edhe porositë e drejtoreshës, dhe firmoset nga edukatoret dhe kujdestaret turn pas turni. Konkretisht në proces-verbalin e dt. 10.10. 2011, te pjesa porosi për stafin shkruhet: Dy banoret H-ja dhe L-ja janë duke zbatuar kushtet e një mase disiplinore për shkelje të rregullave gjatë kohës së lëvizjes për në kurs. Nuk duhet të konsumojnë vaktet e ngrënies së ushqimit deri në një urdhër të dytë. Të monitorohen kur hanë fëmijët e tyre ushqim se mos abuzojnë me ushqimin e tyre”, thekson Avokati i Popullit.
Qendra për gratë
Dy vjet më parë, në Shqipëri ka nisur të funksionojë Qendra Kombëtare për rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje. Kjo qendër përbën nismën e parë shtetërore që i ofrohet kësaj kategorie, pas plotësimit të bazës ligjore, ngritjes së strukturave, trajnimin e tyre ndaj fenomenit të dhunës në familje dhe ofrimit të asistencës për viktimat. Qendra ofron për viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare shërbime këshillimi, psikosociale, programe rehabilitimi, asistencë mjekësore e juridike, në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës. Ajo shërben dhe si qendër kombëtare e trajnimit të specializuar për punonjësit që veprojnë në këtë fushë.
Shkeljet
-Masa të paligjshme dhe jo-kushtetuese mbi disa prej këtyre femrave, si, për shembull, mohimi i ushqimit, apo mohimi i të drejtës për të takuar fëmijët e tyre.
-Kufizime të së drejtës për të komunikuar në mënyre private me familjet e tyre dhe kufizimi i përdorimit të celularit brenda qendrës.
-Sjellje fyese dhe mungesë respekti nga ana e drejtorit kundrejt disa prej grave të qendrës
-Mungesë e sigurisë për gratë kur largohen nga qendra për në gjykata, duke i lënë ato vetëm, të pambrojtura nga sulmet e partnerëve.
-Mungesa e rregullave që shprehin qartë të drejtat dhe detyrat e personelit dhe grave të strehuara në qendër.
Propozimet e Avokatit të Popullit
1. Shkarkimin nga detyra të zj. D.K, duke zgjidhur menjëherë kontratën e punës, për shkaqe të justifikuara në bazë të nenit 153 të K. Punës.
2. Marrjen e masave për riorganizimin e stafit dhe shtimin në organikë si shumë të nevojshëm dhe domosdoshëm të një juristi dhe një psikologeje.
3. Marrjen e masave për ruajtjen dhe shoqërimin me njerëz të specializuar, me mjetin e institucionit te grave dhe fëmijëve kur ato dalin jashtë Qendrës.
4. Trajnimin e vazhdueshëm të stafit në lidhje me trajtimin dhe komunikimin që ato duhet të kenë me gratë dhe fëmijët e strehuar në këtë Qendër.
5. Hartimin e një rregulloreje të brendshme, shumë te nevojshme ku të përcaktohen qartë të drejtat dhe detyrimet e stafit dhe grave të strehuara, rregulla të cilat të mos bien ndesh me Kushtetutën dhe liritë themelore të njeriut.
6. Detyrimin e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, për nxjerrjen e udhëzimit për zbatimin e standardeve sipas VKM nr. 505, dt. 13.07. 2011.
7. Përmirësimin për trajtimin ushqimor konform kuotave me shumëllojshmërinë e produkteve stinore.
8. Verifikimin e mungesës fizike të zj.L.C, (e panjohur fare nga stafi dhe personat e strehuar) dhe nxjerrjen e përgjegjësive për një abuzim të tillë me postin e punës.
Në përputhje me nenin 22 të Ligjit Nr. 8454 datë 04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, plotësuar me Ligjin nr. 8600 datë 10.04.2000, ndryshuar me Ligjin nr.9398, datë 12.05.2005, ku thuhet shprehimisht se; “Organet të cilave Avokati i Popullit u ka drejtuar një rekomandim, duhet ta shqyrtojnë rekomandimin dhe të kthejnë përgjigje brenda 30 ditësh nga data e dërgimit të rekomandimit”, lutemi ndërhyrjen Tuaj për zbatimin e tij duke na vënë në dijeni brenda afatit ligjor.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment