Home | Society | Sythi nën pllangën e brymës!

Sythi nën pllangën e brymës!

image
Lot përmallimi! Rrëke lotësh edhe në lumenj të thatë. Ai që përmes tingujve të çrregullt të të qarit lajmëroi dikur për zbardhëllimën e një ditë të re, sot mallëngjeu atë që dikur në heshtje lotonte. E gjakosën atë që ende nuk ishte ngopur me bardhësinë e qumështit.

 

 

 

 

Iljasa Salihu

 

 

 

 


(Për fëmijët në Bosnje, Kosovë dhe Siri, të cilët, ende pa e shqiptuar mirë emrin nënë, ikën nga kjo botë e përkohshme, duke i mallëngjyer ato të cilët ende jetonin me gëzimin e çastit të lindjes)
 
Lot gëzimi! E qara e fëmijës në mungesë të lotit, lajmëroi një tufë rreze, brenda të cilave ngazëllehesh së sodisuri dhe shijuari shpresat shumëngjyrëshe. Nëna pas asaj sfilitjeje do të mbulohet prej lotit dhe do të mbushet e tëra me shpresë, duke mos bërë zë, vetëm duke falënderuar Krijuesin e gjithësisë në heshtje për këtë dhuratë të përkohshme me një vendtakim të përhershëm. Të rrahurat e zemrës së asaj zemre të porsa ndryshuar rrjedhat e jetës, do të qetësohet vetëm pasi nëna ta bashkojë trupin e tij me të sajën, bashkim ky që do të bëjë edhe njoftimin e erërave të ndërsjella, për të mos u harruar kështu asnjëherë, mbase edhe në mungesë të njëri-tjetrit, era e nënës dhe ajo e fëmijës që do të jetë uji që ujit mallëngjimin dhe rrënja që kërkon ujin.
 
Qumështi i nënës do të jetë kryefjala e kërkesës së fëmijës! Ai me fjalorin e tij pa shkronja dhe vetëm me pasthirrma, do t’i thotë nënës se edhe dy vjet dua që t’i shkumojë buzët e mia të thata me qumështin tënd, nëse do Ai që bëri të përshtatshëm qumështin për organizmin tim ende të njomë. Përpos thithjes, ai do të kënaqet me erën e këndshme të nënës dhe nëna duke ia ngacmuar me majat e gishtërinjve hundën e tij të vogël, përmes së cilës ia ngrohë gjoksin vogëlushit ashtu të mbushur gojën plot me qumësht. Do të kënaqet së qeshuri. Nëna, përmes puthjes në ballë, sikur dëshiron t’i thotë se mjaft qeshe. Mbase ky varg qeshjeje po shoqërohet edhe me gulç ngazëllimi!
 
Toka dridhet. Frutat prej pemëve nxitimthi ia mësynë tokës, edhe pse toka sikur dëshiron t’i thotë se tani jam e pafuqishme t’ju mbaj në shtratin tim, ngase të çarat e mia duan të gëlltisin gjithçka që gjendet mbi tokë. Zogjtë këngëtarë me shpejtësinë e dritës, pa dëshirën e tyre, trajtësohen në zogj shtegtarë. Cicërima e dallëndysheve manifeston mallëngjimin e braktisjes së foleve të tyre, të cilët me shumë mund i ndërthuren. Shushurima e barit dhe e gjetheve që krijohej prej rrymimit të murrlanit, mori trajtën e një hakërrime të lemerishme. Trëndafili që sivjet nuk kishte çelur sa duhet, përnjëherë u mbulua me një ngjyrë të kuqe, por që nuk ishte e ngjashme me asnjë lloj të ngjyrave.
 
Fjalët e njerëzve që dikur rravgonin nëpër fusha të ndryshme, tani fituan gjymtyrën e lutjeve për liri.
 Lot përmallimi! Rrëke lotësh edhe në lumenj të thatë. Ai që përmes tingujve të çrregullt të të qarit lajmëroi dikur për zbardhëllimën e një ditë të re, sot mallëngjeu atë që dikur në heshtje lotonte. E gjakosën atë që ende nuk ishte ngopur me bardhësinë e qumështit. Hunda që dikur e ëma e miklonte përmes majave të gishtërinjve, tani ishte bërë copë-copë prej atij që kishte vetëm pamje njeriu. Sot, po ato gishtërinj, tani të mbërthyer me drithërima të çakërdisura, po ia mbledhin copët atij që më nuk kishte mundësi t’ia ngrohë nënës gjoksin; që bëhej përmes lëshimit të ajrit, ngase bishat kishin ndërhyrë me lejen e Atij që i kishte sprovuar me përzgjedhje të lirë; në depon ku bëhej pranimi dhe dhënia e frymës; ku tregohej se jo të gjithë frymorët falënderonin për këtë begati, ndërprerja e së cilës një ditë do ta mundësojë përballjen e atij që frymonte me përbaltje të vlerave njerëzore me atë që frymonte njerëzi!
 
 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00