Home | Society | Njerëzit e lumtur ...

Njerëzit e lumtur ...

image
Ata janë të rrethuar nga një rrjetë e fortë shoqërore. Njerëzit e lumtur janë të lidhur me familjet e tyre, fqinjët, vendet e kultit dhe bashkësitë. Këto lidhje veprojnë si një mburojë ndaj depresionit dhe krijojnë lidhje të forta dhe të rëndësishme. 

 

 


Nga Paula Davis-Laack

 

 

 

 

 

 

Deri në ç’pikë jeni të lumtur dhe përse ? Kjo është një pyetje së cilës i kam kushtuar jo pak kohë, jo vetëm ngaqë ka të bëjë me vetë vlerësimin tim të lumturisë, por edhe me familjen time, miqtë e mi dhe personat me të cilët punoj. Që prej marrjes së diplomës në psikologji pozitive, kam punuar me mijëra njerëz në rrethana tepër të ndryshme, i kam vëzhguar dhe vënë re se njerëzit e lumtur kanë një mënyrë të tyren për ta qasur jetën. Ja si veprojnë ata ndryshe.


Ata janë të rrethuar nga një rrjetë e fortë shoqërore. Njerëzit e lumtur janë të lidhur me familjet e tyre, fqinjët, vendet e kultit dhe bashkësitë. Këto lidhje veprojnë si një mburojë ndaj depresionit dhe krijojnë lidhje të forta dhe të rëndësishme. Përqindja e depresionit është rritur dramatikisht këto 75 vitet e fundit. Organizata botërore e Shëndetësisë parashikon që këtu e deri në vitin 2020, depresioni të jetë shkaku i dytë i vdekjeve në botë, duke prekur kështu rreth një madhor ndër tre. Megjithëse ka shumë arsye që mund ta shpjegojnë këtë rritje, njëra nga më të rëndësishmet mund të jetë shkëputja e njerëzve nga familjet dhe bashkësitë e tyre.


Ata merren me veprimtari që iu përshtaten forcave, vlerave dhe mënyrës së tyre të jetesës. Kur flasim për strategji të lumturisë, nuk ka vetëm një zgjidhje që t’iu shkojë përshtat të gjithëve. Ashtu siç ju i përshtasni ushtrimet tuaja ndaj synimit sportiv që i keni vënë vetes, edhe njerëzit e lumtur veprojnë në varësi të qëllimeve të tyre emocionale. Disa strategji të njohura për ta përmirësuar gëzimin e jetës më duken ca si tepër të shpëlara, por ato që ecin më mirë më lejojnë që ta ushtroj dashamirësinë time, ta shpreh mirënjohjen, dhe të zotohem plotësisht. Dr. Sonja Lyubomirsky, në librin e saj Si të jesh i lumtur dhe të mbetesh i tillë, propozon një test të mrekullueshëm vetëvlerësimi që mundëson përzgjedhjen e strategjive më të përshtatshme për temperamentin dhe vlerat tuaja.


Ata e shprehin mirënjohjen e tyre. Mirënjohja i bën mirë trupit. Ajo ju ndihmon ta kontrolloni më mirë stresin dhe traumatizmat, e përmirëson sedrën dhe vlerësimin e vetes kur shikoni se sa shumë keni kryer tashmë, dhe shpesh ju ndihmon t’i dëboni emocionet negative. Disa kërkime kanë treguar gjithashtu një lidhje ndërmjet shprehjes së një force mirënjohjeje dhe ndjesisë së kënaqësisë për jetën tonë.


Ata e qasin jetën në një mënyrë optimiste. Njerëzit e lumtur i frenojnë prirjet e tyre pesimiste në tre mënyra. Para së gjithash, e përqëndrojnë kohën dhe energjinë e tyre mbi atë që ata mund ta kontrollojnë. Ata dinë si të kalojnë në diçka tjetër nëse disa strategji nuk funksionojnë, ose nëse s’mund ta kontrollojnë një gjë në veçanti. Së dyti, ata janë të vetëdijshëm që « edhe kjo, do të kalojë ». Njerëzit e lumtur dinë t’i shtrëngojnë dhëmbët përballë vështirësisë sepse e kanë kuptuar që edhe pse jeta s’është një lumë i qetë, vështirësitë nuk zgjasin dhe do të kalojnë. Dhe së fundi, njerëzit e lumtur dinë ta ndajnë jetën e tyre në pjesë-pjesë. Ata nuk lejojnë që një problem në një fushë të caktuar, të vijë e t’ju infektojë pjesën tjetër të ekzistencës.

Ata e dinë se është mirë që të bësh mirë. Njerëzit e lumtur i ndihmojnë të tjerët duke u marrë me punë vullnetare. Disa kërkime kanë treguar një lidhje të thellë ndërmjet një sjelljeje altruiste dhe mirëqenies, shëndetit dhe jetëgjatësisë. Të vepruarit në mënyrë dashamirëse, ju lejon që të ndiheni mirë në lidhje me veten tuaj dhe të tjerët, dhe emocionet pozitive që dalin nga këtej e përmirësojnë qëndresën tuaj fizike dhe psikologjike. Një studim ka ndjekur pesë gra që vuanin nga skleroza, përgjatë tre vjetësh. Këto gra kanë dalë vullnetare që të ndihmojnë 67 persona të tjerë që vuanin nga e njëjta sëmundje. Rezultatet kanë treguar se këto pesë vullnetare kanë njohur ndryshime pozitive që kanë qenë më të rëndësishme se përmirësimet e shikuara tek pacientët e tjerë.


Ata e dinë se pasuritë materiale zënë vetëm një pjesë të vogël të ekuacionit. Njerëzit e lumtur e shohin në mënyrë të shëndoshë gëzimin që mund t’ua sjellin zotërimet materiale. Në librin e saj Si të jemi të lumtur dhe të mbetemi të tillë, Lyubomirsky shpjegon se më 1940, raporti i Amerikanëve që e deklaronin veten « shumë të lumtur » ishte rreth 7.5 ndër 10. Mirëpo, në sa e vlerësoni ju këtë raport sot, me iPodet, televizionin me ngjyra, kompjuterët, makinat më të shpejta, dhe një pagë që është më tepër se dyfishuar ? 7.2. Jo vetëm që të mirat materiale nuk e sjellin lumturinë, por janë madje faktorë të mëdhenj pakënaqësie. Një studim ka vëzhguar gjendjen shpirtërore të 12.000 nxënësve në vitin e parë të fakultetit, 18 vjeç, pastaj i ka pyetur mbi gjendjen e tyre të kënaqësisë në lidhje me jetën e tyre kur ishin bërë 37 vjeç. Ata që kishin shprehur dëshira materialiste në 18 vjeç, ishin më pak të kënaqur në jetën e tyre njëzet vjet më vonë.


Ata kanë zhvilluar disa strategji të shëndosha për t’i administruar të papriturat e jetës. Njerëzit e lumtur hasin në episode stresuese në jetët e tyre, por ata kanë përpunuar ca strategji fitimtare për t’i mposhtur këto episode. Të dish të ringrihesh në këmbë pas një traumatizmi, bën pjesë në ndryshimet pozitive personale që vijnë nga dikush i cili përpiqet të administrojë ngjarje ekzistenciale mjaft të vështira. Sipas kërkuesve Tedeschi dhe Calhoun, ka 5 faktorë përmirësimi pas administrimit të një ngjarjeje të vështirë : një mënyrë e re për ta vlerësuar jetën, zbulimi i mënyrave të tjera për t’iu qasur kësaj jete, një forcë më e madhe personale, marrëdhënie më të mira me tjetrin, dhe një rilindje e spiritualitetit. Njerëzit e lumtur arrijnë që ta shohin të mirën që mund të dalë nga disa çaste të vështira.


Ata përqëndrohen tek shëndeti. Njerëzit e lumtur bëjnë kujdes për trupin dhe mendjen e tyre dhe dinë ta kontrollojnë stresin. Të përqëndrohesh tek shëndeti, nuk kufizohet vetëm tek bërja e ushtrimeve. Njerëzit e lumtur veprojnë në fakt si njerëz të lumtur. Buzëqeshin, merren me gjëra, dhe sjellin një nivel të mirë energjie dhe zelli në atë çfarë bëjnë.

Ata i kultivojnë emocionet e tyre shpirtërore. Sipas Lyubomirsky, ka gjithnjë e më tepër kërkues që mendojnë se personat besimtarë janë më të lumtur, në shëndet më të mirë dhe e marrin veten më lehtë nga një traumatizëm sesa personat laikë. Për më tepër, autorët Ed Diener dhe Robert Biswas-Diener shpjegojnë në librin e tyre Hapiness : Unlocking the Mysteries of Psychological Wealth, se emocionet shpirtërore janë thelbësore për pasurinë psikologjike dhe për lumturinë, sepse ato na ndihmojnë të lidhemi me atë që është përtej nesh.

Ata e dinë ku shkojnë. Të ecësh përpara në qëllimin që të kesh një jetë e cila të ketë një kuptim, është një nga strategjitë më vitale të përdorura nga njerëzit e lumtur. Unë e kam nënvlerësuar  rëndësinë e kuptimit të jetës kur  isha avokate, por kur e kam parë veten shumë keq, ky kuptim është bërë tejet i dukshëm për mua. Sipas Diener dhe Biswas-Diener, njerëzit e lumtur kanë vlera të cilat ata i mbajnë fort, dhe kanë rezultate që ia vlen mundimi për t’i arritur.

I madhi Dr. Chris Peterson, që s’jeton më, e ka përshkruar udhën e vet drejt lumturisë me këto fjalë :
"Vitet e mia të para të moshës madhore, unë i kam kaluar duke shtyrë për më vonë shumë gjëra të vogla për të cilat e dija sidoqoftë se do të më bënin të lumtur. Kam pasur fatin që një ditë ta kuptoja se s’do ta kisha më kurrë kohën për t’i bërë, përveç nëse e gjeja kohën e nevojshme. Dhe pikërisht aty ka filluar pjesa tjetër e jetës sime."


Ndërsa koha kalon, njerëzit e lumtur kanë zhvilluar një larmi strategjish të cilat bëjnë që ta shohin jetën ndryshe – një larmi e barazpeshuar ndërmjet aftësive dhe emocioneve. Po ju, çfarë do t’i shtonit kësaj liste ?

 

Botuar në Huffington Post, 14 Janar 2013

 

 


Përkthyer nga Urim Nerguti

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
1.00