Ligji “Scoria”...
Në guidën për “Përafrimin e Legjislacionit Mjedisor të Bashkimit Europian”, përcaktohet kështu: “Atje, ku legjislacioni i BE-së për sektorin mjedisor, përmban një përzierje të direktivave me rregulloret, vendet duhet të bëjnë një kujdes të veçantë për të siguruar, që masat kombëtare për zbatimin e direktivave të jetë e integruar në mënyrë të plotë dhe të mos konfliktojë me rregulloret e BE-së”.
Nga Përparim Halili
Importi i plehrave, tashmë i ligjëruar prej qeverisë “Berisha” dhe parlamentit është realitet që po shqetëson shqiptarët. Dje, Gjykata Kushtetuese Shqiptare, ka nisur gjykimin mbi ankimimin e “Aleancës Kundër Importit të Plehrave”, aleancë kjo e përfaqësuar nga shoqëria civile që operon në mbrojtje të mjedisit dhe që ka kërkuar bllokimin e këtij importi nëpërmjet referendumit popullor. Këtë referendum e ka vonuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke nxjerr si shkak bllokimi, pretendimin se listat e 62 mijë firmëtarëve, kanë patur probleme falsifikimi firmash e kodesh të dokumenteve identifikuese.
Ligji shqiptar i importit të plehrave, kundër direktivës së BE
Janë 62 mijë ambjentalistë shqiptarë, të cilët kanë kërkuar referendum popullor për shfuqizimin e ligjit “SKORIA” të importit të plehrave. Por këtë kërkesë qeveria “Berisha” e ka shpërfillur, mbasi ka bërë më parë pazar me mafien e importit të plehrave, për ta kthyer Shqipërinë në “kosh” plehrash të botës. Për herë të parë në historinë e shtetit 100 vjeçar shqiptar, do të kishim një referendum të kërkuar nga populli për një çështje jo politike, për një çështje ambjentaliste, shëndeti, jete që i intereson në mënyrë absolute çdo qytetari që jeton në Shqipëri. Futja e dy neneve të importit të mbetjeve në ligjin për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve (MIM) veç të tjerash është jo e drejtë nga pikëpamja ligjore. Qeveria shqiptare, deklaron se ligji i importit të mbetjeve është në përputhje të plotë me direktivën e BE-së për “Menaxhimin e Mbetjeve”. Në fakt qeveria “Berisha” mashtron dhe mbron interesat e mafies rajonale, evropiane e botërore të biznesit të plehrave, duke e kthyer Shqipërinë në destinacion të tyre. Sipas direktivës së BE për “Menaxhimin e Mbetjeve”, nuk flitet për import të mbetjeve, por direktiva i referohet rregullores përkatëse të BE-së për importin dhe eksportin. Në guidën për “Përafrimin e Legjislacionit Mjedisor të Bashkimit Europian”, përcaktohet kështu: “Atje, ku legjislacioni i BE-së për sektorin mjedisor, përmban një përzierje të direktivave me rregulloret, vendet duhet të bëjnë një kujdes të veçantë për të siguruar, që masat kombëtare për zbatimin e direktivave të jetë e integruar në mënyrë të plotë dhe të mos konfliktojë me rregulloret e BE-së”. Në ligjin shqiptar, jo vetëm që nuk është bërë kujdes që rregullorja të integrohet në mënyrë të plotë me direktivën (pra në rastin e Shqipërisë me ligjin MIM), por rregullorja është injoruar fare dhe nuk ekziston. Pra, nenet e importit të plehrave, që janë futur arbitrarisht në këtë ligj, funksionojnë pa rregulloren e detyrueshme, që do të thotë që të gjitha rrugët e keqpërdorimit janë të hapura. Kjo hapje ndaj importit të plehrave, dhe pse me disa barriera të vendosura në ligj, shpërfill gjithë ligjin, duke orientuar përpunuesit e mbetjeve drejt importit të tyre, pra sipas skemës që ka parashikuar qeveria, duke nxitur dhe ligjëruar këtë import shkatërrues të mjedisit shqiptar. Mjafton të kujtojmë, që zbatimi i 2 neneve të ligjit të importit të plehrave, komprometon të gjithë ligjin, objektin dhe qëllimin e tij.
Ligji “Scoria” i importit të plehrave, biznes “vrasës” i pushtet-familjes “Berisha”
Sipas projektit “SCORIA”, të paraqitur në projekt-ligj në parlament, në Shqipëri do të këtë 8 qendra të mëdha për depozitimin e plehrave dhe konkretisht në qytetet Vlorë (2 qendra), në Elbasan, Berat dhe Gjirokastrës, me investim 150 milion dollarë. Por projekti që gjendet në dosjet e qeverisë shqiptare, të doganave dhe prefekturave rajonale reciproke Shqipëri-Itali, konfirmon se qytetet që do të mbushen dhe helmohen me plehra janë shumë më tepër. Me synimin paraprak e djallëzor, që ligji mafioz anti-shqiptar i importit të plehrave të votohej “lehtësisht”, qeveria “Berisha” në bashkëveprim me trustin “Camorra- Ndragheta” ka bërë një tjetër makinacion në lidhje me numrin dhe hartën e qendrave të depozitim-përpunimit të plehrave në Shqipëri. Sipas projektit real “SCORIA” të aktivitetit të plehrave “Camorra- Ndragheta”, që nuk është paraqitur për debat në parlamentin shqiptar, por që është futur në zbatim nga qeveria, do të ngrihen 16 qendra depozitimi kryesore dhe 21 qendra dytësore në të gjithë vendin. Projekti real, i hartuar vetëm për Shqipërinë, përcakton se qendrat e importim-depozitimit të plehrave, do të ngrihen në qytetet Berat, Korçë, Maliq, Shkodër, Vlorë, Lushnjë, Elbasan, Tiranë, Fier, Lezhë, Mallakastër, Peqin, Sarandë, Gjirokastër. Fushë-Krujë, Kurbin. Brenda këtyre qyteteve, do të ngrihen dhe “rezervate” dytësore depozitimi plehrash importi, për ndarje të tyre sipas llojit. Këto qendra komunitare, ekonomike, shoqërore e kulturore, sipas ligjit të plehrave do të kthehen në “gropa të zeza” të plehrave të Ballkanit dhe Europës. Tashmë, qeveria shqiptare ka pranuar dhe ka miratuar, që epiqendrat e këtij krimi ekologjik me pasojë vrasjen e jetës së popullatës e të mjedisit shqiptar, të jenë me afat minimal paraprak 30 vjet, me kapacitet fillestar 15 milionë metër/kub plehra dhe me densitet të ngarkesave kompakte në masën 0.9 ton/m³. Sipas projektit, pas 3 vitesh kjo sasi depozitim-përpunimi plehrash do të jetë 3 herë më e madhe dhe pas 10 vitesh, do të jetë pa kufizim sasie, madje me tolerancë 28% ndotje më të lartë se norma e lejuar në ligj për 3 vitet e para. Sipas hartës gjeografike të depozitimit të plehrave të importit që ka miratuar qeveria “Berisha” dhe sipas shkarkimit të ndotje-helmeve në mjedis nga depozitimi dhe përpunimi i tyre, rezulton se qeveria shqiptare në bashkëveprim me mafien e plehrave “Camorra- Ndragheta”, do të mbush dhe helmojë afro 68% të sipërfaqes së Shqipërisë me këto plehra.
Plehrat e mafies “Camorra-Ndragheta”, aktivitet në 9 qytete muzeale e turistike
Gjithë propagandë-demagogjia e kryeministrit Sali Berisha, për kthimin e Shqipërisë në “destinacion të turizmit botëror”, sipas ligjit “SCORIA” të importit të plehrave, tjetërsohet në demogogji. Me ligjin e importit të plehrave në Shqipëri, qeveria “Berisha” po organizon një ofensivë shkatërruese për turizmin kombëtar. Janë 9 qytete kryesore muzeale e turistike, të cilat mafia rajonale shqiptaro-italo-ruso-serbe “CAMORRA-NDRAGHETA”, i ka përcaktuar t’i kthejë në qendra dhe impiante grumbullim-përpunimi të plehrave të Ballkanit dhe Europës. Ja cilat janë këto qendra urbane e turistike që do të kthehen në depozitë plehrash të importit, të cilat do të vijnë nga vendet e botës.:
BERAT: Do të ngrihet qendër dhe impiant kryesor plehrash me kapacitet 1 milion ton/metër kub plehra në vit, me sipërfaqe 23 hektarë. Po kështu do ngrihen dy qendra ndarjeje të llojit të plehrave, me sipërfaqe nga 8 hektarë. Pas këtij aktiviteti, qyteti muzeal 2400 vjeçar, i futur nën kujdesin ndërkombëtar të UNESKO-s, do të jetë qytet-qendër plehrash, i helmuar dhe i qelbur.
KORÇË: Do të ngrihet impianti gjigand i plehrave në Maliq, me kapacitet 2.2 milionë ton/metër kub plehra në vit, me sipërfaqe 33 hektarë, 17 hektarë nga të cilët do të shërbejnë si qendra grumbullim-ndarjeje për llojet e plehrave. Korça dhe zonat e saj, do të kenë tashmë si tregues “turistik” plehrat dhe ndotjen prej tyre.
SHKODER: Do të ngrihet një impiant qendror me 9 hektarë dhe me kapacitet 1.8 milion ton/metër kub, si dhe 2 qendra për ndarjen e llojit të plehrave, me nga 7 hektarë secila. Pas tre përmbytjeve, plehra dhe helmet e tyre, do të jenë “turizmi europian” i premtuar për Shkodrën.
VLORE: Do të ngrihen 2 impiante gjigande, me kapacitet 1.9 milion ton/metër kub plehra në vit dhe me sipërfaqe prej 46 hektarë, brenda të cilave do të jenë dhe 4 qendrat e ndarjes së llojit të plehrave, me nga 6 hektarë secila. Pas TEC-it, ky është “investimi turistik gjigand” që i ofron qeveria Vlorës .
ELBASAN: Do të ngrihen 2 qendra kryesore përpunim-depozitimi plehrash, me sipërfaqe 29 hektarë dhe me kapacitet nga 1.2 milion ton/metër kub plehra në vit, si dhe 3 qendra për ndarjen e llojit të plehrave.
TIRANE: Do të ngrihen 4 qendra plehrash, me sipërfaqe 42 hektarë dhe me kapacitet 2.6 milion ton/m3 plehra në vit, brenda të cilave do të jenë edhe 6 qendra ndarjeje të llojit të plehrave, me nga 4.5 hektarë secila.
SARANDË: Do të ndërtohen 3 qendra depozitim-përpunimi plehrash, me sipërfaqe 5.3 hektarë secila dhe me kapacitet 750 mijë ton/metër kub plehra në vit, si dhe 2 qendra ndarjeje të llojit të plehrave, me sipërfaqe nga 3.3 hektarë secila.
GJIROKASTËR: Do të ngrihen 2 qendra plehrash me sipërfaqe 17 hektarë dhe me kapacitet 1.3 milion ton/metër kub plehra në vit, brenda të cilave do të ketë 2 qendra ndarje të llojit të plehrave, me sipërfaqe nga 3.2 hektar secila.
LEZHE: Do të ndërtohet nga 1 qendër plehrash në Shëngjin, Balldren e Tresh, me sipërfaqe nga 7 deri në 9 hektarë secila dhe me kapacitet 920 mijë ton/metër kub plehra në vit, si dhe nga 5 qendra ndarjeje të llojit të plehrave, me sipërfaqe nga 2.8 hektarë secila.
Masakrën me plehrat nuk e ka bërë as pushtuesi italian në vitet 1914-1920
Në vijim të ligjeve zaptuese e shkatërruese territoriale, ekonomike e politike, qeveria “Berisha” përgatiti dhe aprovoi ligj-krimin mjedisor kombëtar, për futjen e plehrave të Ballkanit dhe Europës në Shqipëri. Ky është krimi më i rëndë social-ekologjik, i bërë kundër mjedisit në 100 vitet e fundit në Shqipëri, krim që nuk e kanë bërë as pushtuesit e huaj, megjithëse si pushtues, kishin gjithë fuqinë dhe lirinë për të vepruar. Në arkivat e shtetit shqiptar, ka një fakt të tillë: Pushtuesit italianë, në vitet 1914-1920 zhvilluan aktivitetin e nxjerrjes së kromit e bakrit në Bulqizë dhe Rubik, të naftës në Kuçovë dhe të ziftit në Selenicë të Vlorës. Sipas dokumenteve të këtyre viteve, rezulton se pushtuesit italianë, nuk i linin dhe nuk i groposnin mbetjet teknologjike të naftës, kromit, bakrit, ziftit e hidrokarbureve të tjera në Shqipëri, por i eksportonin ato rregullisht dhe pa asnjë tolerancë në Itali. Këtë praktikë kanë ndjekur italianët edhe në veprimtarinë e tyre koncesionare ekonomike industriale në Shqipëri gjatë viteve 1939-1943. Ndërsa mbetjet teknologjike të lëngshme, të pa eksportueshme, sipas marrëveshjes me qeverinë shqiptare të kohës, shoqëria “AIPA”, çdo muaj i përpunonte dhe i asgjësonte larg zonave të banuara shqiptare, ose në vendburime me teknikën e groposjes në prezencë të Komisionit Popullor Zonal, pa pasoja për shëndetin e popullatës. Ndërsa sot, 100 vjet më pas, qeveria “Berisha”, ka bërë ligj importimin e plehrave të botës, për mbushjen dhe helmimin me plehra të 68% të mjedisit dhe popullatës së Shqipërisë.
Comments (0 posted)
Post your comment