Home | Society | Kriza e vlerave të Europës

Kriza e vlerave të Europës

image
Kjo është një e ardhme kaq e zymtë sa që nuk mund të lejohet që të ndodhë. Në origjinë, BE-ja u ngjiz si një instrument solidariteti dhe bashkëpunimi. Sot, mbahet nga një nevojë e trishtë. Ne duhet të gjejmë një mënyrë për të rikapur shpirtin e solidaritetit dhe vlerave të përbashkëta që dikur inspiruan imagjinatën europiane.

 

 

George Soros

 

 

 

 

 

George Soros është kryetari i Soros Fund Management (Fondi Soros për Menaxhim) dhe kryetar i Open Society Foundation (Fondacioni për një Shoqëri të Hapur). Pionier në industrinë hedge-fund, ai është autor i shumë librave, përfshi  Alchemy of Finance dhe The New Paradigmë for Financial Markets: the Credit Crisis of 2008 and What it Means.

 

Ksenofobia dhe ekstremizmi janë simptoma të shoqërive në kriza të thella. Në 2012, partia ekstremiste e djathtë Agimi i Artë fitoi 21 vende në parlamentin grek, në  Hungari, atdheun tim, ekstremi i djathtë Jobbik fitoi territor dhe Marine Le Pen e National Front (Frontit Kombëtar) kishte një mbështetje të fortë në zgjedhjet presidenciale franceze. Një mbështetje në rritje për forca të ngjashme në Europë të bën të arrish në një përfundim të pashmangshëm: kriza e stërzgjatur financiare e kontinentit po krijon një krizë vlerash që tani po kërcënon vetë Bashkimin Europian.

 

Kur ishte thjeshtë një aspiratë, Bashkimi Europian ishte një ide shumë tërheqëse që ndezi imagjinatën e shumë njerëzve, përfshi dhe timen. Për mua ishte mishërimi i një shoqërie të hapur—lidhja me vullnet të lirë e shteteve të pavarura që ishin të gatshme të jepnin një pjesë të sovranitetit të tyre për të mirën e përbashkët. Ato ndanin një histori të përbashkët, ku Revolucioni Francez, me sloganin e vet për liri, barazi dhe vëllazëri, la një trashëgimi të pashlyeshme. Duke ndërtuar mbi këtë traditë, shtetet anëtare formuan një bashkim të bazuar mbi barazi dhe jo të dominuar nga një shtet apo komb i caktuar.

 

Kriza e Euros tani e ka kthyer BE-në në diçka tejet radikale. Shumë larg të qenit një lidhje vullnetare, eurozona tani mbahet e bashkuar nga një disiplinë e rreptë; shumë larg të qenit një lidhje të barabartësh, është kthyer në një marrëveshje hierarkie ku qendra dikton politikat ndërsa periferia gjithnjë e më shumë luan një rol të dorës së dytë; në vend të vëllazërisë dhe solidaritetit, stereotipe armiqësore po marrin jetë.

 

Procesi i integrimit u organizua nga një grup i vogël burrash shteti largpamës, të cilët iu betuan parimeve të shoqërisë së hapur dhe praktikuan atë çka Karl Popper e quante ‘inxhinieri sociale e avashtë’. Ata e pranuan se perfektja ishte e paarritshme; kështu që caktuan objektiva të limituara dhe afate të forta-pastaj mobilizuan vullnetit politik për një hap të vogël përpara, duke e ditur shumë mirë që kur ta arrinin defektet e saj do të bëheshin të dukshme, duke kërkuar kështu hapa të mëtejshëm. Ja sesi Komuniteti Europian i Çelikut dhe Qymyrit gradualisht u transformua në BE.

 

Franca dhe Gjermania ishin në vijën e parë të përpjekjes. Teksa perandoria sovietije po shpërbëhej, udhëheqësit gjerman pranuan faktin që ribashkimi gjerman ishte i mundshëm vetëm në kontekstin e një Europe më të bashkuar dhe ishin të përgatitur për të bërë sakrifica të mëdha për ta arritur këtë. Kur erdhi koha për të bërë marrëveshjen, gjermanët ishin të gatshëm të kontribuonin pak më shumë dhe të merrnin pak më pak se të tjerët, duke e lehtësuar arritjen e marrëveshjes.

 

Në atë kohë, udhëheqësit gjerman do të theksonin se Gjermania nuk kishte një politikë të jashtme të pavarur, vetëm atë Europiane. Ky qëndrim çoi në një shpejtim dramatik në integrimin europian, duke kulmuar me adoptimin e Traktatit të Maastricht-it në 1992 dhe prezantimin e Euros në 1999. Një periudhë konsolidimi (që përfshinte prezantimin e bankonotës dhe monedhës Euro në 2002) pasoi.

 

Pastaj erdhi rrënimi i 2008, që filloi nga Shtetet e Bashkuara por shkaktoi probleme shumë më të mëdha në Europë se kudo tjetër. Politikëbërësit iu përgjigjën kolapsit të Lehman Brothers duke lajmëruar se asnjë institucion financiar tjetër i rëndësishëm për sistemin nuk do të lejohej të falimentonte, që kërkonte huatë shtetërore për tregjet e ngrira.

 

Pak pas kësaj, megjithatë, Kancelarja gjermane Angela Merkel theksoi se garanci të tilla duhet të jepeshin nga secili shtet në veçanti, dhe jo nga Europa së bashku. Kjo shënon fillimin e krizës së euros, sepse nxori në pah defektet e një monedhe të përbashkët, për të cilën as autoritetet as tregjet financiare nuk ishin në dijeni—dhe të cilat as sot nuk kanë pranuar plotësisht.

 

Duke krijuar Bankën Qendrore Europiane, shtetet anëtare i ekspozuan bonot e tyre të thesarit ndaj rreziqeve të mospagesave. Vendet e zhvilluara që i lëshojnë bonot e thesarit në monedhën e tyre asnjëherë nuk kanë probleme me mospagesat, sepse ata gjithmonë mund të printojnë më shumë para. Monedha e tyre mund të zhvlerësohet, por rreziku i mospagesës është zero.

 

Në anën tjetër, vendeve më pak të zhvilluara që marrin hua në monedha të huaja mund t’ju mbarojnë fondet rezervë. Kur kriza fiskale ra mbi Greqinë, bota financiare papritur zbuloi  se anëtarët e eurozonës e kishin vendosur veten në pozicionin e vendeve në zhvillim.

 

Ka një paralel të përafërt mes krizës së Euros dhe krizës së borxheve në Amerikën Latine në 1982, kur Fondi Monetar Ndërkombëtar e shpëtoi sistemin ndërkombëtar financiar duke u dhënë vendeve të zhytura në borxhe para hua mjaftueshëm për të evituar rrënimin. Por FMN vendosi rregulla kursimtare të rrepta për këto vende, duke i shtyrë ato në një depresion të stërzgjatur. Amerika Latine vuajti një dekadë të humbur.

 

Sot Gjermania po luan të njëjtin rol që luante atëherë FMN. Ndryshon skena, me kreditorët që drejtojnë politikat ekonomike. Kriza e Euros e shtyu sistemin financiar në buzë të falimentimit, që është evituar duke vënë masa të rrepta kursimi dhe duke u dhënë vendeve si Greqia mjaftueshëm para për të evituar falimentimin.

 

Si rezultat, eurozona është ndarë mes kreditorëve dhe borxhlinjve. Ka një qendër, të drejtuar nga Gjermania, dhe një periferi, e përbërë nga vendet e zhytura në borxhe. Aplikimi i masave të rrepta të kursimit nga ana e kreditorëve mbi vendet e periferisë po mundëson përçarjen e eurozonës mes qendrës dhe periferisë. Kushtet ekonomike po vazhdojnë të përkeqësohen, duke shkaktuar një dhimbje të madhe njerëzore. Viktimat e pafajshme, të frustruara dhe të zemëruara të masave të kursimit po krijojnë një ambient të përshtatshëm për urrejtje, ksenofobi dhe të gjitha format e ekstremizmit.

 

Pra, politikat e krijuara për të mbrojtur sistemin financiar dhe Euron po e transformojnë BE-në në të kundërtën e një shoqërie të hapur. Ka një kontradiktë të dukshme mes kërkesave financiare të euros dhe objektivave politike të BE-s. Kërkesat financiare mund të plotësohen duke dyzuar marrëveshjet që ishin të suksesshme në ekonominë globale të viteve 80 dhe duke e ndarë eurozonën në qendër dhe periferi; por kjo nuk përputhet me parimet e një shoqërie të hapur.

 

Ka mënyra me të cilat politikat e ndjekura për të mbrojtur euron mund të modifikohen për t’u përputhur me objektivat politike të BE-së. Për shembull, bonot shtetërore të vendeve individuale mund të zëvendësohen nga Eurobono. Por, derimë tani teksa kontradiktat qëndrojnë, objektivat politike duhet të marrin përparësi. Për fat të keq, nuk ndodh kështu. Problemet financiare janë ngutëse-dhe po monopolizojnë vëmendjen e politikanëve. Udhëheqësit e Europës janë kaq të preokupuar me krizën e ditës sa që nuk kanë kohë të merren me pasojat afatgjata të veprimeve të tyre. Për rrjedhojë, ata vazhdojnë në një kurs që e thekson ndarjen mes qendrës dhe periferisë.

 

Kjo është një e ardhme kaq e zymtë sa që nuk mund të lejohet që të ndodhë. Në origjinë, BE-ja u ngjiz si një instrument solidariteti dhe bashkëpunimi. Sot, mbahet nga një nevojë e trishtë. Ne duhet të gjejmë një mënyrë për të rikapur shpirtin e solidaritetit dhe vlerave të përbashkëta që dikur inspiruan imagjinatën europiane.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0