Home | Society | Askush nuk e mbrojti Komisarin

Askush nuk e mbrojti Komisarin

image
Ngjan si një pikë ujë me qindra pika të tjera vrasja e Komisar Dritan Lamajt pak ditë më parë në Tiranë. Ndryshojnë vetëm rrethanat dhe autori, por gjithçka tjetër, me një aradhë emra komisarësh, është pikë për pikë e njëjtë. Askush nuk e mbrojti Komisar Lamajn atë mbrëmje të 24 Shkurtit teksa po parkonte makinën, edhe pse ai ndihej i kërcënuar.

 

 

 

Roland Qafoku

 

 

 

 

 

 

 

Ngjan si një pikë ujë me qindra pika të tjera vrasja e Komisar Dritan Lamajt pak ditë më parë në Tiranë. Ndryshojnë vetëm rrethanat dhe autori, por gjithçka tjetër, me një aradhë emra komisarësh, është pikë për pikë e njëjtë. Askush nuk e mbrojti komisar Lamajn atë mbrëmje të 24 shkurtit teksa po parkonte makinën, edhe pse ai ndihej i kërcënuar. Askush nuk i vendosi mbrojtje e nuk u bë mur për të, për hir të shtetit që ai përfaqësonte dhe për hir të kauzës së drejtësisë. E njëlloj si Lamaj, ushtria e komisarëve të vrarë pas vitit 1990 e deri më sot është e njëjtë. Në momentin që janë goditur, ata kanë qenë pa mbrojtje, të zbuluar nga çdo kriminel dhe më shumë se kaq, të tradhtuar nga shtetit që i shërbyen. Ndërkohë që lotët dhe fjalët e politikanëve në ceremonitë e kujdesshme mortore janë hipokrizia më e turpshme e kësaj race.

Askush nuk e mbrojti Arben Ujkën në atë 22 gusht të vitit 1993, këtë djalë që për cilësitë e tij të rralla edhe sot vazhdon të flitet. Askush nuk e mbrojti komandantin e RENEA-s Elham Elezin në atë 9 korrik të vitit 1998. Edhe ky në aksion, në krye të trupës që drejtonte për lirimin e shtatë pengjeve, por që për fat të keq mbeti vetë i vrarë. E askush nuk u bë mur për të.

Askush nuk e mbrojti Klenti Banon, këtë polic të ri të zbulimit të krimeve, të cilin vrasësit, pasi e ndoqën në një rrugicë në errësirë, e ekzekutuan në atë 14 prill të vitit 2000 pikërisht se ai kishte shtrënguar darën një bande në Lushnjë nga më të rrezikshmet në vend.

Askush nuk e mbrojti Arben Zylyftarin në atë 2 gusht 2000 duke treguar se nuk ishte në detyrën e kryepolicit të Shkodrës për të dhënë urdhra, por për të qenë vetë i pari në rrezik. Askush nuk e mbrojti komisarin tashmë legjendë, ndërsa një plumb i mori jetën duke e lënë të vdekur në vend.

Askush nuk e mbrojti komisar Ilir Ngresin, të cilin vrasësi gjakftohtë e qëlloi në një kafene në Vlorë në ditën e fundit të dhjetorit 2002, duke i ndërprerë jetën në mes.

Askush nuk e mbrojti Altin Mançellarin, policin elegant të Forcave Speciale që u ekzekutua në atë 20 maj të vitit 2003 vetëm dhjetë metra larg Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Një djalë që ku ishte aksioni ishte edhe ai, ndërsa lotët për shokët e vrarë përpara tij rrinin të tharë në sy pa e menduar se një ditë edhe Altini do të ishte vetë viktimë dhe shokët e mbetur do të qanin për të.

Askush nuk e mbrojti komisar Gani Malushin në atë 6 gusht të vitit 2003, idealistin e pandreqshëm, komisarin e sinqertë dhe të sakrificës që shkoi ku e emëruan, në veri apo jug, në mes të plumbave dhe mes kriminelëve. Për ironi, edhe atë moment kur e qëlluan me plumba ishte duke shkruar tek eprorët, por asnjë epror e asnjë shtetar nuk u bë mur për të.

Askush nuk i mbrojti katër policët në zhegun e 7 gushtit të vitit 2009 në Durrës teksa autori kositi jetët e tyre duke i thënë shtetit që ishte ai zot dhe jo ata. Madje nuk mbrojtën as babain e një prej policëve të vrarë, i cili dhimbjen e rëndë për humbjen e të birit e mbyti duke vrarë veten.

Askush nuk e mbrojti Adem Tahirajn atë 13 shtator të 2012-s që në krye të detyrës u vra si të ishte një njeri pa vlerë, jo më një mbrojtës ligji dhe përfaqësues i shtetit. Dhe sot ende nuk jepet drejtësia, e jo më të mendohej se dikush duhet ta mbronte atë.

Askush nuk e mbrojti Musa Skurën, komisarin e Burrelit në atë 14 janar 2013, i cili në krye të detyrës në aksion u godit për të ndërruar jetë më pas në një spital në Itali. Edhe për Skurën askush nuk u bë mur.

Ka vetëm disa përjashtime të vogla. Ja dy nga shumë shembuj të tjerë: Vetëm Zoti e ndihmoi Artan Didën, djalin special të Forcave Speciale që aksionin e 24 tetorit të vitit 1998 u plagos dhe vetëm ky Zot e ktheu në jetë. Vetëm Zoti e ndihmoi Apostol Lucën, këtë djalosh gjigant në trup dhe në shpirt, që u plagos në një aksion në Fier dhe vetëm ky Zot e ktheu në jetë.

Ka edhe shumë e shumë të tjerë si këta heronj që nuk jetojnë dhe që jetojnë vetëm falë Zotit, por që askush nuk i mbrojti. Mjafton kjo retrospektivë për të kuptuar se asnjë polic, asnjë komisar e asnjë përfaqësues i rendit nuk është i mbrojtur nga ky shtet që ata kërkojnë ta përfaqësojnë. Edhe më e rëndë se kaq: Shteti dhe politika jonë jo vetëm nuk i ka mbrojtur, por i ka vrarë, madje përpara se t’i vrisnin kriminelët. Si në rastin e komisar Durim Lamës, që edhe pse ndihej i kërcënuar, vazhdoi detyrën. Askush nuk e mbrojti komisarin, por edhe të gjithë komisarët e Policisë së Shtetit shqiptar.

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0