Home | Society | Për një media sociale si faktor emancipimi, jo abuzimi

Për një media sociale si faktor emancipimi, jo abuzimi

image
 Në Shqipëri ende nuk ka një statistikë të plotë në përdorimin e platformave të ndryshme të medias sociale. Sidoqoftë, nisur nga shkalla e përdorimit, pranohet se, nga pikëpamja numerike, radhitja është e ngjashme me atë të vendeve të tjera të rajonit: Facebook, Twitter, LinkedIn.

 

 

 

 

Rexhep Mejdani

 

 

 

 

Gjatë fushatës së zgjedhjeve vendore të vitit 2011 kam analizuar rolin e medias sociale në një shkrim me titull: “A ka ndonjë rol media sociale në këto zgjedhje?” (gazeta “Panorama”, 9 prill 2011). Që prej asaj kohe shumë gjëra kanë ndryshuar, ndërkohë dhe mjaft protagonistë të politikës shqiptare i janë drejtuar gjithnjë e më tepër kësaj medieje. Ajo është bërë kështu një mënyrë depërtimi, kontakti e komunikimi me qytetarin.

 Jemi në vitin 2013. Edhe në Shqipëri media sociale nuk mund të quhet më e re. Aq më tepër që sot ajo është bërë pjesë e marketingut, propagandës dhe komunikimit të vetë politikës. Po ashtu ajo ka depërtuar në segmente të tjera të shoqërisë, duke u shndërruar në një mjedis kontakti e ndërveprimi, një kombinat përpunimi e gjykimi, informacioni e këmbimi mesazhesh për përdoruesit e saj. Por, si kudo, kur liria tejkalohet, edhe në rastin e medias sociale apo të internetit në tërësi, ka ardhur koha e respektimit të një niveli demokratik disiplinimi e kontrolli ligjor e praktik. Sepse ndërkohë që media sociale ka mundësuar një shkallë të re bashkëveprimi, po shfaqet mungesë qytetarie dhe etike në përdorimin e saj, sidomos në orientimin e saj në pasqyrim të përvojës sociale të përdoruesit, evolucionit të mjedisit të tij shoqëror. Në këtë kuptim, që media sociale të bëhet një faktor i vërtetë emancipimi dhe transparence, një ndryshues loje në skenën sociale – ekonomike dhe politike – institucionale, ajo duhet të rrisë shkallën e përgjegjësisë dhe seriozitetit, kulturës dhe etikës së përdoruesve të saj.

 Në Shqipëri ende nuk ka një statistikë të plotë në përdorimin e platformave të ndryshme të medias sociale. Sidoqoftë, nisur nga shkalla e përdorimit, pranohet se, nga pikëpamja numerike, radhitja është e ngjashme me atë të vendeve të tjera të rajonit: Facebook, Twitter, LinkedIn. Madje, siç

 shihet sot, në Shqipëri, përveç Facebook-ut, Twitter-i është bërë shumë i rëndësishëm për politikën, për “marketingun”, mënyrën e kontaktit e komunikimit me qytetarin, sidomos pas përhapjes së mesazhit personal e politik, reagimit, pozicionimit të shpejtë etj., nëpërmjet medias tradicionale. Madje, edhe drejtuesit e dy partive kryesore kanë shfaqur preferencat e tyre konkrete në shfrytëzimin e medias sociale. Veçse shtrirja dhe fuqizimi i medias sociale të “rekrutuar” nga politika ka shfaqur jo pak probleme serioze!…

 Disa probleme shqetësuese të medias sociale  

 Një shqetësim i parë është ai i filtrit. Në mungesë të tij, në reagimet “eterike” ndeshen jo pak pohime të paqytetëruara. Madje, në jo pak raste, edhe duke shkelmuar transparencën, që konsiderohej si një nga atutë kryesore të kësaj medie. Kjo ka bërë që të transmetohen pozicionime të pasinqerta, gjykime e vendimmarrje të gabuara, abuzime personale e kolektive në “stratosferën” e ndërveprimit social. Sidomos pas transferimit të mesazheve në median e shkruar apo tradicionale, në komentet e ndryshme bashkëshoqëruese, në vend të debatit apo argumentit, futet në lojë fyerja e abuzimi, të mbuluar me pseudonime e manipulime, adresime të gënjeshtra etj. Deri diku kjo lidhet me përplasje të origjinës politike dhe prodhohet nga rrjete militante, jo rrallë edhe pranë ose në shërbim të partive politike, apo dhe nga të komanduar të pistë mediatikë. Aq më keq kur nëpërmjet “klonimeve emërore” manifestohet jo thjesht demagogji e populizëm, por dhe arrogancë e egërsi, ekstravagancë fjale e mungesë minimale etike etj. Kjo lloj kalbësie, edhe pas 20 vjetësh ndryshimesh demokratike, vazhdon të dëmtojë mjedisin shqiptar, vetë kohezionin midis qytetarëve. Mbi të gjitha, preket seriozisht mjedisi i komunikimit, vihen në lojë parametrat bazë të informimit, preket dinjiteti njerëzor, humbasin vlera elementare qytetare…

 Stop turpit të përdhunimit në median sociale

 Me gjithë kapacitetet e tyre maksimale për të mirë, Facebook dhe Twitter, në një mënyrë apo tjetrën, krijojnë edhe shtresime për dukuri negative, sociale e individuale. Madje, në mungesë të disiplinimit, nuk mungojnë dhunimet e drejtpërdrejta apo përdorimet e një fjalori të shëmtuar! E thënë ndryshe, krahas shtresimeve novatore të komunikimit, informimit dhe ndërveprimit të ndërsjellë, ndeshen shtresime të tjera, shpesh të komanduara, për nxitjen e diskriminimit dhe fyerjeve individuale, mbylljen e gojës dhe diskreditimin publik. Në njëfarë mënyre, edhe fushata e ditëve të fundit e shpërthyer në Shqipëri ishte dhe bumerangu i radhës i kësaj “teknologjie”! Por, ç’duhet bërë në kushte të tilla? Me sa duket duhet të bëhen më të ndërgjegjësuara grupime më të kultivuara, përfshirë rrethet shkollore e universitare, mjediset shoqërore intelektuale, anëtarët më të përgjegjshëm dhe të drejtpërdrejtë të grupeve sociale, redaksitë e mediave tradicionale etj. Në rast të kundërt, do të reduktohet trysnia sociale ndaj gabimeve e shkeljeve, padrejtësive e abuzimeve, korrupsionit politik e administrativ etj. Në thelb ky do të ishte dhe përdhunimi e përçudnimi në median sociale, një turp konkret për rolin emancipues të saj.

 Megjithatë, turpi në tërësi është një motivues me peshë. Nëse, p.sh., një politikan apo qeveritar e di që njerëzit do ta gjykojnë për sjelljen apo fjalët e tij, ai, të paktën, do të tentojë t’i maskojë ato, ndërkohë që për t’u votuar, përpara një votuesi vigjilent, përpiqet të bëjë gjënë e duhur në rrugën e duhur. Pikërisht, një trysni e tillë mund të arrihet nëpërmjet medias sociale. Në këtë kuptim të drejtpërdrejtë, shërbimet e medias sociale e kapitalizojnë më lehtë këtë lloj turpi, veçse duke i manipuluar këto shërbime mund të arrihet dhe e kundërta. Dhe, kështu, media sociale nga një komunikim virtual dhe mjet kontakti, shndërrohet në mjedis mbulimi e “shitje” gënjeshtre, një mjet me peshë në përhapjen e ushqimit demagogjik. Pikërisht kjo nuk duhet lejuar, për të mos lejuar burgosjen dixhitale të përdoruesve të saj. E thënë ndryshe, media sociale e rrit fuqishëm ndërveprimin kolektiv, por dhe shton fuqinë individuale të personave me para apo “trupë” mbështetëse, deri duke u përplasur pa mëshirë në fytyrën e përdoruesit të thjeshtë. Kështu, interneti shfaq dhe keqdashësinë e tij (në fakt të njerëzve që abuzojnë me të)!…

 A mund të ndalohet kjo? Vite më parë, nëse dikush bëhej tapë apo e tepronte me sjelljen apo fjalët e thëna, p.sh. në një restorant ose disko, të nesërmen ai ndihej i turpëruar për sjelljen e tij. Veçse ajo sjellje nuk ishte e regjistruar, aq më pak të shpërndahej gjithandej, siç ndodh sot me dërgimin e menjëhershëm të regjistrimit të saj te miqtë e punëdhënësit, prindërit apo mësuesit e tij. Interneti, në këtë mënyrë, e heq anonimitetin dhe në njëfarë mase gabimet e ndryshme katalogohen. Kështu, sjelljet e turpshme, vetë turpi bëhet motivues i fortë në vetëkontrollin individual, për të shmangur gabimet e zakone të papëlqyeshme. E thënë ndryshe, gradualisht po zhduket vija ndarëse midis jetës publike dhe private, aq më tepër që po rriten shanset që gabimet e bëra të kenë gjurmët e tyre të regjistruara (dixhitale). Në njëfarë mënyre, kjo bëhet shumë më e “rrezikshme” për moshat e reja, që duke u rritur dhe maturuar online, i kanë shumë më të kataloguara gabimet e bëra. Akoma më keq që ato të shfrytëzohen kundër tyre në ditët e mëvonshme. Nuk është që gjëra të ngjashme s’kanë ndodhur apo s’janë shfrytëzuar me rrugë e mjete tradicionale, por sot mundësitë janë shumë më të mëdha!…

 Optimizimi i medias sociale dhe kontakti i drejtpërdrejtë.

 Një problem në vete është optimizimi i medias sociale. Sepse krahas ndërveprimit online, mjaft i rëndësishëm është komunikimi i drejtpërdrejtë, biseda sy më sy, kontakti fizik me realitetin, sidomos në fushata elektorale. Pjesë e tij është dhe reduktimi i kohës së tepërt të komunikimit virtual, për të mundësuar veprimtari të tjera reale, angazhime konkrete në arritjen e ndikimit, të fuqizimit të rezultateve individuale e kolektive. Ndërkohë po shtohen me tepri “takimet virtuale”. Madje, këtë unë e kam ndier dhe në shoqërinë e familjen time. Praktikisht, disa përdorues të internetit, në vend të komunikimit e bisedimit me një mik, p.sh. në kafe, në zyrë apo rrugë, merren me shkrime, formulime përgjigjesh, dërgime mesazhesh, futje programesh të reja në celular; duke zëvendësuar kështu marrëdhëniet reale apo bashkëveprimin social. Prandaj duhet pastruar sa të jetë e mundur media sociale nga “konsumi” i panevojshëm i saj, krahas përpjekjeve për reduktimin e abuzimit të kryer nëpërmjet saj. Kjo vlen dhe për reagimet online ndaj problematikës apo kritikave të shpalosura nga emra të përveçëm në median tradicionale. Në këtë kuptim, mjaft e dobishme, pse jo dhe estetike e etike, është transparenca e drejtpërdrejtë, identifikimi personal, duke shfrytëzuar emrin dhe profilin e përdoruesit (jo pseudonimet ose klonimin e tij). Kjo e bën më të sinqertë, më të fuqishëm ndërveprimin midis njerëzve të ndryshëm. Me vlerë praktike është dhe kategorizimi i drejtë i profilit të përdoruesit, veçanërisht për t’u gjetur më lehtë nga përdoruesit e tjerë, lexuesit, klientët konsumatorët. Veçse kjo është përzgjedhje e tij, e limituar ose tërësore. Një problem tjetër është shtrirja e kontakteve në pikëpamje sasiore e cilësore. Aq më tepër që kualiteti i kontakteve krijon përgjithësisht më pak stres. Nga ana tjetër, këtyre kontakteve u rritet vlera nëpërmjet përfshirjes së informacionit korrekt dhe të dobishëm. Por, edhe në këtë rast është politika ajo që deformon median sociale, nxit konfliktin dhe provokon stresin, kultivon gënjeshtrën, shpifjen dhe diskriminimin!…

 Media sociale dhe shoqëria civile në këtë fushatë zgjedhore

 Zgjedhjet e ardhshme janë tepër të rëndësishme për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Si të tilla ato duhet të mbështeten nga qytetarët me pjesëmarrjen e tyre masive në procesin zgjedhor, por dhe duhet të monitorohen jo vetëm nga struktura të specializuara të brendshme dhe të jashtme, por dhe nga shoqëria civile, nga vetë qytetarët si aktorë e vrojtues vigjilentë të tij. Për këtë qellim, me forcën e saj aktuale, mund të shërbejë dhe media sociale, rrjetet e ndryshme të saj, por edhe teknologjitë e regjistrimit dhe informimit të vetë qytetarëve. Pikërisht, çdo mangësi, çdo abuzim apo shkelje ligjore e këtij procesi e vënë re, e jetuar apo e filmuar nga qytetarë të veçantë, nëpërmjet anëtarësisë së tyre në rrjete sociale, duhet të shpërndahet me shpejtësi, duke u shoqëruar me reagimet përkatëse masive. (Pikërisht, këtë forcë ilustroi Pranvera Arabe, pavarësisht Dimrit deformues të saj!). Në mënyrë të veçantë, në Shqipëri, kjo mund të arrihet në qytete të mëdha ku dhe përdoruesit e internetit janë të shumtë – pikërisht si kundërvënie publike ndaj abuzimeve zgjedhore!…

 Me shtrirjen aktuale të medias sociale, ka shanse të mëdha që të realizohet një proces i drejtë votimi dhe numërimi votash, duke mos lejuar ose minimizuar parregullsitë dhe shkeljet zgjedhore. Me përfshirjen e gjerë të kësaj media, roli i saj emancipues duhet të jetë kryesor. Dhe, kjo duhet të arrihet! Pra, të mos lejohet të fitojnë “hiletë” e politikës, pandershmëritë zgjedhore të saj, por qytetari, përfaqësimi i tij, vetë proceset demokratike! E thënë ndryshe, media sociale dhe shoqëria civile në ndërveprim me të, kanë shansin që, nëpërmjet këtyre zgjedhjeve dhe suksesit të tyre, të shndërrohen në “varrmihëse” të bizantinizmit, në demaskuese të arbitraritetit politik, në goditëse të arrogancës qeverisëse, në kundërshtare të konfrontimit jo qytetar midis palëve, në refuzuese të demagogjisë dhe populizmit. Dhe, kjo mund të arrihet!

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00